Ku ndryshon LSI e Monika Kryemadhit nga ajo e Ilir Metës?

Nga Ervis Iljazaj

U bënë tashmë më shumë se 6 muaj që Lëvizja Socialiste për Integrim është në drejtimin e Monika Kryemadhit dhe për këtë arsye mund të bëjmë një bilanc se si ka ndryshuar ajo me ndryshimin e lidershipit të saj.

Fizionomia e një partie apo filozofia e saj, përtej disa karakteristikave kryesore që qëndrojnë gjithmonë, merr formën apo natyrën e liderit që e drejton. Në këtë kuptim edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar totalisht qasjen e saj me publikun, me aleatët apo edhe me kundërshtarët e saj politikë, në saje të mënyrës totalisht të kundërt që Monika Kryemadhi po e drejton atë, nga ajo Ilir Metës.

Ndryshimi më i madh, ka ndodhur në aspektin e komunikimit publik, i cili është një faktor shumë i rëndësishëm për politikën. Nëse Metën, gjatë kohës që ishte në krye të LSI, e karakterizonte një gjuhë e qetë, e ekuilibruar apo e matur, e kundërta po ndodh me komunikimin publik të Monika Kryemadhit.

Të gjithë e kemi vënë re temperamentin e Kryemadhit, i cili ka spikatur në ngjarjet e fundit politike, duke ndërtuar një protagonizëm ndoshta dhe të tepruar në raport me peshën që ka LSI në sistemin politik, mirëpo ky protagonizëm ka krijuar jo pak xhelozi në kampin opozitar dhe në aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike.

Qasja publike e Kryemadhit, me një fjalor të thjeshtë, të qartë dhe të drejtpërdrejtë, ndonjëherë edhe me reagime të tepruara dhe përdorimin e një gjuhe në zhargon, është një qasje totalisht e kundërt nga ajo që jemi mësuar me LSI-në e Ilir Metës.

Lëvizja Socialiste për Integrim nën drejtimin e Ilir Metës, ishte një parti që forcën e saj e kishte tek aftësia e tij për të negociuar me palët e tjera politike apo për të krijuar një lloj ekuilibri të domosdoshëm në politikë ose te strukturat politike, të cilat kishin një rol thelbësor në fitimin e votave. Ishte si të thuash, një parti politike që suksesin e saj e ndërtoi nëpërmjet punës në heshtje të militantëve të saj. Ndërsa sot, nën drejtimin e Monika Kryemadhit, LSI është qartësisht e ndryshme. Më shumë protagoniste në media, më shumë emocionale, tipare qartësisht të lidershipit të ri të saj. Gjuha dhe mënyra e përdorur për të krijuar raportin me elektoratin nga Monika Kryemadhi mund të konsiderohet pa frikë një lloj mënyre trumpiste, me të gjitha karakteristikat që ajo mbart, sepse qasja e re e LSI në publik është tërësisht emocionale dhe aspak kalkulatore. Ndoshta kjo metamorfozë vjen si pasojë e të qenit në opozitë pas shumë vitesh, gjë e cila të imponon një lloj politike ndryshe nga ajo kur një parti ndodhet në pushtet, siç ishte për shumë vite LSI. Megjithatë, në këtë ndryshim ka rol të rëndësishëm natyra politike e ndryshme midis Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Deri më tani, qasja e Ilir Metës ka rezultuar e suksesshme, ndërsa kjo e Monika Kryemadhit mbetet për t’u testuar. E rëndësishme është të thuhet, që edhe pse duket sikur asgjë s’ka ndryshuar në kampin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të paktën në mënyrën e komunikimit, mesazhit që ajo përcjell apo strategjisë politike, ka një ndryshim thelbësor. Mbase është rasti të themi, që si shumë aspekte të tjera të politikës, edhe për LSI është një kohë e re politike. Se si do jetë ajo, nuk varet vetëm nga mënyra e drejtimi, por edhe nga shumë faktorë të tjerë, që në politikë është vështirë t’i parashikosh.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shumë vonë Martin Schulz!

Nga Katharina Kroll Çfarë lëvizjesh marramendëse. Të mërkurën Martin Schulz u duk...
Read More