Kuçi: Vetëm anëtarësimi në BE do të bashkonte shqiptarët

Hajredin KuciZëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ishte i ftuar në bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, në kuadrin e ciklit të Forumeve UET

…Nuk duhet të kërkojmë nga Shqipëria një veprim që e dëmton Shqipërinë. Ne duhet të bëjmë veprime të kujdesshme. Ne duhet t’iu ikim politikave të inatit, politikave nacionaliste dhe të kemi politika që kërkojnë anëtarësimin në BE. Askush më shumë në rajon nuk ka nevojë për vlera europiane se sa kombi shqiptar. Edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kurrë nuk do të kërkojmë prej Shqipërisë diçka që e dëmton shtetin shqiptar, por atë që ka kapacitet për të bërë më mirë. Edhe ne do të kërkojmë të njëjtën. Ne do bëjmë për Shqipërinë atë që nuk e dëmton kurrë, por të kundërtën, do ta forcojmë Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Numri dy i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, thekson se për të ruajtur sovranitetin e saj Kosova mund të kërkojë ndihmë nga SHBA-ja, NATO, apo BE, por jo nga Shqipëria. Në një bisedë me studentët e Universitetit Europian të Tiranës zëvendëskryeministri Kuçi, sqaroi se nuk ka asnjë interes në Kosovë që shqiptarët të bëhen nxitës të ndonjë konflikti në rajon, përkundrazi, ata do të tentojnë që të ruajnë dhe zhvillojnë paqen me fqinjët. Ai foli dhe për skenarët që u përfolën në media për këmbim territoresh me Serbinë dhe i cilësoi si deklarata e opinione që vijnë nga bota akademike apo intelektuale dhe që s’kanë asnjë lidhje me qëndrimin zyrtar, i cili sipas Kuçit, duhet të jetë i kujdesshëm dhe në pajtim me kufijtë me të cilët Kosova është njohur si shtet prej partnerëve ndërkombëtarë.

“Shpeshherë flitet deri ku shteti shqiptar mund të ndihmojë shtetin e Kosovës? Unë mendoj që mund ta ndihmojë ashtu siç e ka ndihmuar deri më tani. Por janë 3-4 çështje që ne duhet t’i bëjmë vetë. E para, sovranitetin duhet ta ushtrojmë vetë, mos të kërkojmë nga Shqipëria, mbase duhet të kërkojmë nga SHBA-ja, NATO, apo BE-ja. E dyta në tërësinë territoriale duhet të kërkojmë garanci ndërkombëtare. Besoj që kjo është më e udhës, ne e kuptojmë këtë lloj mbështetjeje që marrim nga Shqipëria, por duhet të jemi korrektë që të themi se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i prijnë asaj që të hyjnë sërish në luftë. Ka patur luftëra mjaftueshëm. E treta duhet që autoriteti i ligjvënies dhe vendimmarrjes në Kosovë t’i ketë duart më të lira. Por të gjitha këto raporte duhet të jenë të kujdesshme edhe në raport me unionin evropian. Të gjithë ne Kosova, Serbia edhe Shqipëria duam të hyjnë në unionin evropian. E para, të gjithë ne kemi një pjesë të mbetur etnike diku tjetër. Shqipëria ka shqiptarë jashtë saj, po ashtu Kosova, po ashtu dhe Serbia. Hyrja në unionin evropian është rruga e parë në bashkimin e këtyre pjesëve të mbetura etnike në një organizatë. E dyta, zbutja e ekstremizmave fetarë, fenomen ky më pak i theksuar në Shqipëri, por më shumë në Kosovë” -u shpreh Kuçi ndër të tjera.

I pyetur nga studentët për qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama që këtu cilësohen si nacionaliste, Kuçi iu përgjigj se marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare nuk kanë nevojë të kalojnë në retorikë nacionaliste.

Sipas Kuçit vetëm anëtarësimi në BE do të bashkonte shqiptarët, çdo ide tjetër e hedhur do të çonte ujë tek e kaluara dhe do të krijonte konflikt në Ballkan.

Në lidhje me atë që thatë për ushtrimin e sovranitetit, ju u shprehët se nuk do “t’i binit në qafë” Shqipërisë për ushtrimin e sovranitetit, por vendeve si SHBA dhe të Bashkimit Europian. Tani, kur flasim për ushtrimin e sovranitetit flasim për një pushtet absolut dhe final, nëse dikush nga këto vende mike të lartpërmendura, por jo Shqipëria, ju asistojnë në ushtrimin e sovranitetit, unë nuk e di ku qëndron këtu pushteti absolut e final, te Kosova apo te këto vende.

“Mendoj se ajo për të cilën po flisni ju, dhe me të drejtë, është koncepti i nocionit të sovranitetit klasik. Për kohët moderne kemi sovranitete le t’i quajmë të përbashkëta dhe nganjëherë edhe të administruara. Të gjitha kombet, fazën e parë të fillimit kanë marrë një ndihmë nga dikush tjetër, por nuk është qëllimi për ta mbajtur sovranitetin përjetësisht tek ta, por ta heqim nga Serbia, po e quaj. Ne kemi një pjesë të territorit pa sovranitet të plotë për tri arsye: E para – ndikimi direkt i Serbisë atje, e dyta – ka qenë mungesë të gatishmërisë së faktorit ndërkombëtar, qoftë i UNMIK-ut, i KFOR-it apo edhe EULEX-it dhe e treta – mungesa e kapaciteteve tona dhe nuk është asgjë e keqe që ta ushtrosh sovranitetin në kuptimin e parë fillestar, arsyeja kryesore është kjo, që ne duhet ta bëjmë pa pasur pengesa, në kuptimin e luftërave apo diçka tjetër, por kjo nuk nënkupton se nga sovraniteti hiqet dorë. Kjo nënkupton ajo çka thashë më parë, nuk është nocioni klasik, por te sovrani që në këtë rast është populli i Kosovës. Faleminderit”.

Po qarkullon, për një kohë relativisht jo të shkurtër, teza e shkëmbimit të territoreve. Cili është qëndrimi zyrtar i qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë variant që po sugjerohet nga rajone ndërkombëtare dhe jo vetëm, a mund të ishte kjo zgjidhje përfundimtare për ta mbyllur këtë kapitull një herë e mirë me Serbinë?

“Kjo tezë nuk është e re, ka qenë tezë e thënë dhe e deklaruar para luftës, por kësaj radhe për dallueshmëri duhet të them se thuhet edhe nga ne. Ne duhet të kemi parasysh disa fakte: E para – nëse konfliktet në botë kanë ndodhur për gjëra të prekshme (territori, kontrolli i tregjeve dhe qeverive) dhe të paprekshme (çështjet etnike, ideologjike dhe fetare), unë them se lufta e Kosovës ka pasur premisa për gjëra të prekshme, territorin dhe të paprekshme, për çështje etnike dhe funksionaliteti i Kosovës ka qenë në këtë drejtim. E dyta – ne në çështjet e ndryshimit të territoreve nuk duhet të hyjmë pa pasur sovranitetin e plotë në këto pjesë të territorit. E treta – po ashtu duhet të jemi të kujdesshëm pasi këto lëvizje tektonike nuk përfundojnë, në bazë duhet të fillojmë vetëm me ne, ose vetëm me Kosovën. Kur e them këtë kam parasysh që duhet të kuptojmë çfarë bëhet me shqiptarët e Maqedonisë, çfarë bëhet me shqiptarët e Malit të Zi, dhe duhet ta kemi gjithashtu parasysh se shkëmbime të tilla asnjëherë nuk ndodhin në përmasat që ju dëshironi. Pra me fjalë të tjera, në qëndrimin tonë zyrtar e kemi, të jemi të integruar në Bashkimin Europian, ku atje të gjitha pjesët etnike të shqiptarëve, edhe në Preshevë, edhe në Maqedoni, dhe në Shqipëri të jenë në një organizim të përbashkët, dhe aty do të ketë lëvizje të lirë të individëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, dhe nëse ka lëvizje tektonike, në këtë rast nga Serbia deri në Maqedoni, njerëzit rrinë duarkryq. Prandaj ne duhet t’i paraprijmë një procesi që ka të kaluara. Duke qenë se kemi 113 roje në këtë territor, ne duhet jemi të kujdesshëm me idetë që mund të japim, nga njerëzit e botës po e quaj intelektuale, profesorë të ndryshëm etj. Ne jetojmë në demokraci, por qëndrimi zyrtar duhet të jetë ai që e përcakton më mirë, ne fillimisht duhet ta përcaktojmë interesin ndërkombëtar e më pas ta mbrojmë. Në këtë veprim, mos të rrëshqasim në grupin e atyre që duan ta bëjnë Kosovën shtet jo-funksional. Unë kam bindje të plotë se shteti i Kosovës e ka forcuar kombin shqiptar, nuk e ka dobësuar. Por duke patur parasysh, siç e thashë që nuk kemi sovranitetin e plotë të pjesës veriore, prandaj duhet të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë”.

Ju keni qeverisur si parti demokratike në parti të tjera të vogla dhe qoftë tani me Grand Coalition, koalicionin e madh me partinë tjetër të madhe, a doli funksional ky koalicion me dy partnerët kryesorë tradicionalë të jetës politike kosovare, pra a i legjitimuat dhe i çuat përpara më solide objektivat kombëtarë me Serbinë apo më tutje, dhe ky koalicion i madh, ndërsa ka një avantazh teorik me faktorin e jashtëm, në planin e brendshëm e ka bërë qeverisjen më të cenueshme, më llogarikërkuese? A po lindni një lloj alternative të re politike, e cila s’dihet se ç’është me këtë koalicion të madh? A duhet të rinormalizohet sa më shpejt ndarja e qartë pozitë-opozitë LDK – PDK në Kosovë?

“Besoj se pyetja është jashtëzakonisht me vend dhe unë mendoj që është pjesë e asaj që ne duhet t’i përfundojmë disa gjëra dhe të mos justifikojmë të tjerët për dështimet tona. Gjatë periudhës 1999-2017, vetëm 6 vite nuk kemi bashkëqeverisur dy partitë e mëdha, të 11 vitet e tjera kemi qenë bashkërisht. Në Kosovë nuk ka ende një profilizim të qartë të partive politike, pasi partitë politike kanë qenë më shumë lëvizje nacionale se sa parti të mirëfillta. Unë mendoj që ka ardhur koha që ta bëjmë një profil të tillë, që të dihet kush me kënd mund të jetë krah lëvizjeve të tjera, nga se kemi ndryshim të programeve, por ato shpesh nuk janë të përfillshme. Gjithashtu çështja e bashkëqeverisjes disa punë të mëdha mund t’i kryejë bashkërisht, por po ashtu duhet ta pranojmë faktin që brendapërbrenda, autoritetin kryesor sot e ka Lidhjen Demokratike, por kundërshtarin politik e kemi Lidhjen Demokratike, ne prapë luftojmë kush e përmend i pari. Në kuptimin profesional, të gjitha qeveritë të cilat dominojnë mbi 2/3 në Kuvend, ndodh që rrëshqasin në dy drejtime: drejtimi i parë në një komoditet, që unë do thoja nuk jep premisat e diktaturës, që ne quajmë tirania e votave, në botën moderne, që duhet të jemi të kujdesshëm që ky veprim bën braktisjen e opozitës, që nuk duhet, dhe e dyta – prodhon opozitë të vrullshme, e cila nuk mund të konkurrojë numrat, dhe siç e keni parë edhe te ne ka ndodhur një gjë e tillë. Kjo gjë nuk duhet fajësuar, për këtë duhen bërë profilet politike dhe të dihet paraprakisht kush është me kënd aleat, përndryshe kalojmë në aritmetikë më shumë se sa në profile politike”.

Ne kemi raste që një komb ka qenë i ndarë në dy shtete, Vietnami dikur, Koreja e Veriut me Korenë e Jugut, Gjermania në Europë, së cilës që të hynte në Bashkimin Europian nuk i vunë kusht që të hynte çdo shtet veç e veç, por të bashkoheshin dhe të futej në Bashkimin Europian. Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, si mendoni kush do ishte më efikase për synimin e tyre drejt Bashkimit Europian, si dy shtete të veçuara, si një shtet i unifikuar apo si federatë.

“Ne duhet të themi se Pavarësia e Kosovës është rezultat i rrethanave, e para edhe ndarja e Kosovës është rezultat i rrethanave. Por ne kemi një ndjesi, se bashkërisht të gjithë ne, kemi qenë të ndarë në ish-Jugosllavi, pjesë etnike e Shqipërisë në atë kohë, tani në pjesë të tilla si shtete të ndara. Ne duhet të pranojmë një fakt, nëse Serbia rikthen Republika Srbska-n dhe i merr katër komunat veriore të Mitrovicës, mendoj se në një mënyrë tjetër po del e justifikueshme lufta e tyre që kanë bërë në vitet ’90, e justifikueshme në kuptimin për çështjet e nacionalizmit të tyre. Pra, ne duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim. E dyta, ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Europian, ashtu si është më e lehtë, ashtu si na pranojnë ata. Mirëpo nëse nuk na pranojnë atëherë duhet të vendosim, por kam thënë edhe më parë publikisht, kurrë Kosova nuk duhet të jetë më pak se shtet, çka duhet të jetë më pak do duhet të punojmë bashkërisht, njëra -tjetrën duhet ta ndihmojmë edhe në formë federate që përmendët etj., hyrja në Bashkimin Europian e redukton kërkesën e bashkimit kombëtar. Por nëse dikush mendon që duhet ta mbajmë edhe integrimin në BE, edhe çështjen e bashkimit kombëtar, do të ketë telashe të menaxhohet çështja e bashkimit kombëtar jashtë atyre rrugëve të BE”.

A ka aktualisht nga ana e saj Kosova ndonjë plan taktik strategjik dhe cilat do të ishin në këtë plan mjetet apo instrumentet, e koordinimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në mënyrë që më pas në sfidat e reja që do vijnë, të ketë lëvizje të koordinuara nga të dy palët?

“Mendoj se pyetjen që shtruat ju është për një çështje që është e bllokuar për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Natyrisht që njohja e shtetit na forcon legjitimitetin dhe ne kemi një strategji që besoj që duhet të jetë jo vetëm konkrete por edhe korrekte, në përputhje me ambiciet e kryeministrit që kemi. Pas shteteve anëtarë në BE që janë pjesë e shqetësimit tonë, që ju kërkojmë njohjen, e dyta është në lidhje me anëtarësimin në OKB dhe UNESCO, po këtu ka çështje që kemi pengesë në veçanti nga Rusia, edhe dialogu që bëhet Kosovë-Serbi e kam quajtur dialogun e integrimit. Nëse Serbia e ka dialogun si mjet për të kaluar në BE, ne e kemi si mjet për të integruar pjesën veriore të vendit tonë, për të integruar një mekanizëm ndërkombëtar, organizatat rajonale dhe ju e dini që një pikë e marrëveshjes sonë është që të mos pengohemi në anëtarësimin e organizatave të ndryshme rajonale dhe europiane, dhe si mjet që të zhbllokohet anëtarësimi në OKB. Para disa vitesh kam propozuar një traktat të paqes, në atë kohë nuk ka qenë shumë familjar, por dy vende që kanë luftuar me njëri-tjetrin duhet ta përfundojnë jo vetëm me marrëdhënie të “ndera” po e quaj, jo vetëm me ndarje, por duhet të përfundojnë edhe me një traktat të paqes, ku përfshihen edhe çështje si operacionet e luftës, me një fjalë do të mbyllej kapitulli i konfrontimeve dhe do të hapej ai i bashkëpunimit. Unë jam i bindur se nëse kjo do të arrihet, më pas çelësi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare do të bëhej i lehtë. Unë jam i bindur se nëse arrihet traktati i paqes me Serbinë, Rusia dhe asnjë shtet tjetër nuk bllokon asnjë çështje anëtarësimi. Por përveç angazhimeve tona kombëtare, kërkohet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar”.

Ka vazhdimisht kritika për Tiranën, për qeverinë e Shqipërisë. Hera-herës akuzohet për nacionalizëm, hera-herës akuzohet për shpërfillje të të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Si e konsideroni ju qëndrimin e qeverisë aktuale të Shqipërisë lidhur me këtë çështje, dhe si e konsideroni politikën e qeverisë shqiptare të këtyre viteve të fundit për marrëdhëniet në rajon?

“Unë do të jem i kujdesshëm që mos jap qëndrim shumë të fortë, as pozitiv, as negativ, për ne partneriteti me Shqipërinë është mbi të gjithë ata që kanë legjitimitetin demokratik e qytetarëve të Shqipërisë, por ajo që dua të them është që shteti stabël i Shqipërisë, i anëtarësuar në NATO, besoj shumë shpejt në BE dhe diku tjetër, përveç se na ndihmon me mekanizmin ndërkombëtar, na ndihmon me perceptimin e të tjerëve për shqiptarët që dinë apo nuk dinë të bëjnë shtet, besoj se është me shumë rëndësi. E dyta që ka rëndësi, ne duhet ta luajmë rolin e partneritetit. Ne kemi thënë që është shteti nënë dhe ne e kemi patur pikë reference, pikë drite, duhet të dalim me logjikën si ne që kemi shqiptar në Maqedoni kudo tjetër, duhet të japim premtime për aq sa mund t’i mbajmë. Por edhe nuk duhet të kërkojmë nga Shqipëria një veprim që e dëmton Shqipërinë. Ne duhet të bëjmë veprime të kujdesshme. Ne duhet t’i ikim politikave të inatit, politikave nacionaliste dhe të kemi politika që kërkojnë anëtarësimin në BE. Askush më shumë në rajon nuk ka nevojë për vlera europiane se sa kombi shqiptar. Edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Kurrë nuk do të kërkojmë prej Shqipërisë diçka që e dëmton shtetin shqiptar, por atë që ka kapacitet për të bërë më mirë. Edhe ne do të kërkojmë të njëjtën. Ne do bëjmë për Shqipërinë atë që nuk e dëmton kurrë, por të kundërtën, do ta forcojmë Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dritëroi: Thjeshtësia e madhështisë

Nga Artan Mullaj* Për një shkrimtar, pleqëria është si një tempull meditimi....
Read More