Kufiri detar: Marrëveshja me Greqinë në dorë të Metës

Presidenti Ilir Meta pas kërkesës së ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati që delegacioni negociues të marrë plotfuqishmërinë për ndarjen e detit me Greqinë, thërret në konsultim ish-presidentët. Takimet e para Meta i pati me ish-presidentët Bujar Nishani dhe Bamir Topi, ndërsa konsultat do të vijojnë edhe me ish-krerët e tjerë të vendit Sali Berisha, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisu.

Marrëveshja e ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë më parë duhet të kalojë nga Presidenti Ilir Meta. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati paraqiti në Presidencë mbrëmjen e së martës kërkesën që kreu i shtetit të japë plotfuqishmërinë e delegacionit negociues për të nisur puna mes palëve për ndarjen e detit. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi marrëveshjen e parë në vitin 2009, në një nga pikat që e konsideronte antikushtetuese këtë marrëveshje ishte se pala shqiptare në atë kohë nuk mori plotfuqishmërinë nga ana e kreut të shtetit. Për të mos shkuar në një rrëzim të dytë, tashmë Ministri i Jashtëm e ka kaluar “topin” në presidencë, e cila do të shprehet, por vetëm pasi të jetë konsultuar më parë. Presidenti Ilir Meta fillimisht thirri në një takim ish-presidentin Bujar Nishani, ku u diskutua për këtë çështje, disa orë më pas, në zyrën e kreut të shtetit shkoi edhe ish-presidenti Bamir Topi. Mësohet se në agjendën e Metës, për t’u konsultuar janë edhe Sali Berisha, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu.

Bisedimet për detin

Negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë në lidhje me çështjet e pazgjidhura ndër vite morën kthesë të fortë në gjashtë muajt e fundit. Takimi i parë në nivel të lartë ministror dhe ekspertësh u krye në Kretë, ku veç ekspertëve teknicien të fushave të ndryshme, morën pjesë edhe dy ministrat e Jashtëm Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati. Bisedimet duket se janë futur edhe në çështje konkrete, duke përcaktuar edhe formatin dhe metodologjinë e përcaktimit të kufijve. Mediat në shtetin fqinj kanë shkuar më tej kur shprehen se marrëveshja duket e arritur përfundimisht, por priten vetëm firmat. Ndërkohë, me kërkesën drejtuar Presidentit Meta, ministri Bushati shprehet se grupi negociator shqiptar do të përbëhet nga përfaqësues të disa institucioneve. Kërkesa e tij vjen pas dy raundesh takimesh në nivel të ministrave të jashtëm, mes dy vendeve, të cilat kishin si qëllim zgjidhjen e një sërë problemeve të mbetura pezull, përfshirë dhe marrëveshjen për kufirin detar. Për një kohë të gjatë pala greke kishte këmbëngulur në rishikimin e dokumentit të vitit 2009, por kjo kërkesë u refuzua nga pala shqiptare. Sipas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama, mes palëve do të ketë një marrëveshje të re. Nga Partia Demokratike është kundërshtuar kjo marrëveshje e re dhe më i ashpër ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka shkuar deri aty sa të flasë për “tradhti kombëtare”, nga ana e Ramës.

Konsultat me presidentët

Duke qenë një çështje e ndjeshme duket se presidenti Ilir Meta po tenton që të shmangë përgjegjësinë nga çdo marrëveshje e mundshme që do ishte në disfavor të palës shqiptare. Për këtë qëllim ai ka kërkuar që të konsultohet me ish-presidentët dhe më pas të dalë në një vendim përfundimtar për dhënien ose jo plotfuqishmërinë grupit negociator, e cila nënkupton një akt presidencial që është dakord që grupi negociator i palës shqiptare, bashkë me emrat e personave të përfaqësojë vendin tonë në përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nëse marrëveshja arrihet, atëherë do të jetë parlamenti ai që të vendosë. Në këtë rast marrëveshja kalon edhe me shumicë të thjeshtë. Ndërkohë opozita ka paralajmëruar se do votojë kundër nëse marrëveshja prek interesat e Shqipërisë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shuhet Afrim Koçi: Përkthyesi i 100 titujve nga kryeveprat botërore

Përkthyesi legjendë i gjuhës gjermane Afrim Koçi ndahet nga jeta, me një...
Read More