Kujdes djegiet e lëkurës nga dielli, sa duhet të ekspozohemi

Në një intervistë për “Mapo”, Dr. Sh. M Blerta Gjoni, dermatologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë shpjegon për përkujdesjen që duhet treguar gjatë verës, kohën e qëndrimit në diell, oraret e ekspozimit si dhe kremrat e duhur për mbrojtjen e lëkurës

Dielli është burimi i jetës dhe energjisë, ndaj është i domosdoshëm furnizimi në mënyrë natyrale me vitaminën D, tejet i domosdoshëm për zhvillimin e duhur të organizmit. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet që sot na kanosen nga dielli, sidomos nëse ekspozohemi shumë. Kjo do të thotë se me “masat” e vogla dhe kujdesin e duhur, por të rëndësishëm, mund të mbani lëkurën tuaj të shëndetshme dhe larg nga rreziqet që sjell dielli, sikurse janë sëmundjet e lëkurës dhe melanoma. Ndaj në një intervistë për “Mapo”, Dr. Sh. M Blerta Gjoni, dermatologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë shpjegon për përkujdesjen që duhet treguar gjatë verës, kohën e qëndrimit në diell, oraret e ekspozimit si dhe kremrat e duhur për mbrojtjen e lëkurës. Doktoresha dermatologe Gjoni sqaron po ashtu se koha e qëndrimit në diell dhe orari i ekspozimit duhen diskutuar gjithmonë me një mjek dermatolog sepse dihet që ekspozimi në pikun e diellit midis orës 11:00-16:00, është i dëmshëm për lëkurën. “Gjithashtu ka edhe sëmundje të lëkurës të cilat acarohen mjaft nga ekspozimi në diell, siç janë rosacealupus erythematoz discoid, personat të cilët vuajnë nga skuqjet në lëkurë, këta persona duhet të shmangin sa më shumë ekspozimin në diell, në muajt e verës, duhet të përdorin kremra me filtër mbrojtës maksimal ndaj diellit, kapele me strehë të gjerë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme të cilat i mbrojnë nga rrezatimi diellor”.

Sa është masa e duhur për ekspozimin në diell? Si mund ta kuptojmë që po marrim rreze mjaftueshëm pa rrezikuar djegie të lëkurës?

Djegia e lëkurës vjen nga rrezatimet e rrezeve UV-B që shkaktojnë skuqje të lëkurës ose eritemë (actinic erythema). Efektet nuk janë të dukshme menjëherë. Rrezatimet UV-B absorbohen nga epidermisi (shtresa e sipërme e lëkurës), ndërsa në dermis (në shtresën e poshtme të lëkurës), enët e gjakut zgjerohen dhe plazma e gjakut shpërndahet jashtë enëve. Ky mekanizëm krijon inflamacion dhe eritemë (skuqje) të lëkurës. Shenjat e para paraqiten brenda 2-6 orëve, ndërsa nivelin më të lartë e arrijnë brenda 16-24 orëve. Riparimi i lëkurës fillon brenda 24-72 orëve. Një pjesë e riparimit/mbrojtjes përfundon me ngjyrim ose siç e quajmë nxirje të lëkurës. Në rast të djegies së rëndë, kortikosteroidet, analgjetikët, kompresa, janë të domosdoshme.

Si mund të mbrojmë veçanërisht lëkurën e fytyrës, pasi shpesh rrezet e shumta që marrim gjatë verës akuzohen për plakjen e parakohshme të lëkurës?

Kryesisht rrezet UV-A janë të përgjegjshme për plakjen e parakohshme të lëkurës. Nëse e krahasojmë plakjen e lëkurës në mënyrë thelbësore (intrinsic aging) dhe foto-plakje, do të përfundojmë që 20% e plakjes vjen nga plakja natyrale, ndërsa 80% nga dielli. Pra, dielli shkakton 80% plakje të parakohshme!

Plakja e parakohshme kryesisht paraqitet në fytyrë, qafë dhe duar. Nëse e shikojmë nga aspekti klinik, shtresa e sipërme e lëkurës (stratum corneum) është më e trashë, lëkura është e thatë, shumë e rrudhosur me shenja të pigmentimeve të errëta. Në të njëjtën kohë, lëkura humb elasticitetin dhe mban rrudha, gjë që i japin lëkurës një pamje të verdhë. Rrudhat nuk janë problemi i vetëm; kontura e fytyrës ndërron, ngjyra nuk është homogjene (e njëjtë), njolla të zeza/kafe, tharja dhe ashpërsia e lëkurës janë disa nga problemet serioze.

Cilat do të ishin këshillat tuaja për të parandaluar këtë dëmtim?

Përdorni krem kundër diellit çdo ditë. Me siguri keni dëgjuar më parë: ekspozimi në diell është faktori numër një për plakje të parakohshme. Rrezet ultravioletë nga dielli degradojnë kolagjenin dhe elastinin, substanca që mbajnë lëkurën e butë dhe të njëtrajtshme. Aplikoni krem kundër diellit mjaftueshëm. Një shtresë shumë e hollë e faktorit (SPF) 15 është e barabartë me SPF 7. Përdorni afërsisht një lugë çaji për ta mbuluar fytyrën. Mos i besoni shumë grimit (make-up) me faktor SPF. Gjasat janë që nuk do të përdorni mjaftueshëm për ta mbrojtur fytyrën. Pastroni fytyrën me acide alfa-hidroksi (AHA). Ato ju ndihmojnë për largimin e shtresës së sipërme të qelizave të vdekura për ta zbuluar shtresën e freskët. Acidet alfa-hidroksi i pastrojnë poret dhe bën që lëkura juaj të duket më e lëmuar. Përdorni një krem kundër rrudhave (anti-aging) natën. Një krem i efektshëm preferohet të ketë retinoide, shembull: derivativë të vitaminës A. Retinoided e stimulojnë lëkurën për ta ripërsëritur vetveten, duke i zbutur vijat e holla dhe duke i riparuar dëmet nga dielli. Në fillim mund të jenë pezmatuese, pra aplikoni më pak. Mos i harroni pjesët tjera të trupit! Çfarëdo që bëni për fytyrë, duhet ta bëni edhe për qafë dhe duar. Këto janë vendet e para që tregojnë plakjen. Më së paku që mund të bëni është ta hidratoni lëkurën. Një lëkurë e hidratuar duket e shëndoshë dhe e butë.

Përveç kremrave, cilat do të ishin këshillat praktike dhe çfarë sugjeroni që të shmanget?

Shumë e rëndësishme, zgjedhja e syzeve të diellit me mbrojtje UV. Syzet e mira e parandalojnë kataraktin (perden e syve), dhe degradimin e kolagjenit rreth syve që mund të shkaktojë plasaritje të shumta. Po kështu, shmangini vendet me tym. Nëse pini duhan, lëreni. Ata që nuk e pinë duhet ta dinë që ekspozimi kronik në ambiente të tilla dëmton lëkurën. Tymi, sikurse dielli, e bombardon lëkurën me radikale të lira që e zbehin lëkurën, pakësojnë kolagjenin dhe ngadalësojnë vetitë shëruese. Për t’i luftuar këto, përdorni produkte që përmbajnë antioksidantë, të cilat neutralizojnë radikalet e lira. Më të preferuarat janë Vitamina C, E, dhe çaji i gjelbër.

Cilat janë veprimet dhe zakonet që dëmtojnë më së shumti lëkurën?

Duhet të ndaloni së ngacmuari lëkurën! Është vështirë t’i rezistohet një akneje të sapodalë, mirëpo shenja të cilën do lërë është arsyeja më e mirë për mos ta ngacmuar. Me plakje, shenjat do të duken sikur rrudha. Nëse shenja gjendet afër rrudhës, ajo do të thellohet. Bëhuni të vetëdijshëm për lëvizjet e përsëritshme. Kur buzëqeshni, kur i rrudhni vetullat dhe kur bisedoni, fytyra juaj bën mijëra lëvizje në ditë. Do të ishte joreale sikur të ndalonit të shprehni emocion, mirëpo disa zakone mund të frenohen.

Box

Veprimet e rrezatimit UVA dhe UVB mbi lëkurën tonë:

Rrezet UV-A

– e nxijnë shpejt lëkurën

-fotosensibilizuese duke e skuqur lëkurën, fototoksike dhe fotoalergjike

-rrezatimi UV-A jep fotoplakje të lëkurës

-rrisin rrezikun e tumoreve me lëkurë sepse veprojnë indirekt në radikalet e lira

-depërtojnë xhamin

Rrezet UV-B

– ndihmojnë në sintezën e vitaminës D

-pigmentojnë lëkurën

– japin skuqje të lëkurës

-rrisin rrezikun e tumoreve në lëkurë nga dëmtimet direkte në ADN-në e qelizave në lëkurë

-nuk depërtojnë xhamin

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Direkt apo indirekt?!

Nga Holta Heba* Individi që komunikon me stil direkt kërkon të japë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.