Kujdes! Gjatë shtatzënisë duhet 50% më shumë jod

Në një intervistë për “Mapo”, Dr. Ersida Golemi, mjeke endokrinologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë shpjegon kujdesin që duhet të tregojnë gratë gjatë shtatzënisë, që të sigurohen në marrjen në sasinë e duhur të jodit, për të shmangur deficiencën jodike dhe ushqimet e duhura. 

Është një gjëndër me rol kyç në trupin tonë, pasi rregullon funksionimin e metabolizmit dhe siguron zhvillimin e duhur. Kjo është edhe arsyeja pse funksioni i tiroides është më delikat në shtatzëni. Gjatë nëntë muajve të shtatzënisë, kërkesa për minerale jodike që përfshihen në sintezën e dy hormoneve të tiroides: T3 dhe T4 – rritet me rreth pesëdhjetë për qind. Si rezultat, ushqimi dhe dieta ushqimore është shumë e rëndësishme, pasi këtë element inorganik e marrim më së shumti nga ushqimet. Në një intervistë për “Mapo”, Dr. Ersida Golemi, mjeke endokrinologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë apelon për më shumë kujdes nga gratë shtatzëna, sepse veçanërisht gjatë kësaj periudhe tiroidja ka një rol shumë të rëndësishëm pasi siguron rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. “Te bebet-sqaron mjekja -tiroidja fillon të formohet në javën e 10-12 të shtatzënisë së nënës dhe deri në këtë moment bebi i merr hormonet e tiroides nga nëna. Ndaj është shumë e rëndësishme që nëna të ketë një funksion normal të tiroides sidomos në 3 mujorin e parë të shtatzënisë. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e trurit të fëmijës”-shpjegon mjekja endokrinologe.

Çfarë është tiroidja?

Tiroidja është një gjëndër e vogël në formën e fluturës, me peshë 20-30 gr, që vendoset në pjesën e përparme të qafës. Për të prodhuar hormonet T4 dhe T3 kërkohet prania e jodit, një element inorganik të cilin e marrim më së shumti nga ushqimet. Qelizat e tiroides janë të vetmet që absorbojnë jodin në organizëm. Hormonet e tiroides luajnë rol në metabolizëm, sistemin kardiovskular, sistemin nervor, riprodhues, digjestiv dhe në qarkullimin e gjakut. Tiroidja ka një rol shumë të rëndësishëm në periudhën e shtatzënisë. Hormonet e tiroides janë të rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.

Pse është e rëndësishme mirëfunksionimi i gjëndrës tiroide gjatë shtatzënisë?

Gjatë shtatzënisë tiroidja e nënës pëson disa ndryshime; zmadhohet (nga 10-40%) në vendet ku është e shprehur deficenca e jodit, rritet qarkullimi i gjakut brenda gjëndrës së tiroides, rritet sasia e prodhimit të hormoneve të tiroides me 50%, duke rritur dhe nevojën ditore  për jod me 50%.

Po tek bebi, kur fillon të formohen tiroidet?

Fillon të formohet në javën e 10-12 të shtatzënisë së nënës. Deri në këtë moment bebi i merr hormonet e tiroides nga nëna. Ndaj është shumë e rëndësishme që nëna të ketë një funksion normal të tiroides sidomos në 3 mujorin e parë të shtatzënisë. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e trurit të fëmijës.

Çfarë është deficienca jodike?

Jodi është një përbërës esencial për sintezën e hormoneve të tiroides. E marrim nëpërmjet dietës apo dhe ushqimeve. Nevojat për jod rriten në shtatzëni, pasi siç e thamë dhe sinteza e hormoneve të tiroides rritet me 50%. Produkte të pasura me jod janë frutat e detit, kryesisht karkaleci, peshku. Por, e gjejmë dhe tek bulmeti (qumështi, djathi, kosi), veza. Të pasura me jod janë frutat si shega, boronica apo luleshtrydhet. Bishtajoret si bizelja, mashurka. Por rëndësinë më të madhe e ka marrja e kripës së jodizuar. Nëpërmjet ekspozimit në breg të detit nuk marrim sasinë e nevojshme të jodit, pasi me rrugë inhalatore në nuk kemi të përcaktuar sa duhet të jetë koha e ekspozimit. Marrja e mjaftueshme e jodit tek gratë është e rëndësishme që përpara shtatzënisë. Kur marrja është adekuate, depot e tiroides mbushen  mjaftueshëm me jod për të përballuar rritjen e sintezës së hormoneve në shtatzëni.

Në rast deficiencë jodike, cilat janë efektet?

Deficienca jodike është shkaku kryesor i parandalueshëm i prapambetjes mendore në tërë botën. Ndaj është e rëndësishme që tek të gjithë bebet e porsalindura të bëhet matja e nivelit të TSH. Është e rëndësishme diagnoza brenda 10-13 ditësh dhe normalizimi i hormoneve të  tiroides brenda 3 javësh. Nëse TSH i fetusit i lartë fillohet trajtimi me T4 10-15mcg/kgP (50mcg). Vlerësohet se 38% e globit vuan nga deficienca jodike, prek si nënën edhe fëmijën. Por tek nëna deficienca jodike jep si efekt; zmadhim të gushës, aborte, lindje të parakohshme ndërsa tek bebi deri në  prapambetje mendore.

Si vlerësohet deficienca jodike?

Ajo vlerësohet me anë të matjes së jodit në urinë. Nëse vlera e jodit në urinë është 150-249ug/l, atëherë sasia e jodit është normale. Vlerat nga 50-149ug/l tregojnë për deficiencë mesatare- moderuar. Vlerat nën 50ug/l për deficencë jodike të rëndë. Shqipëria bën pjesë në vendet me deficiencë jodike mesatare. Me jodizimin e kripës situata është përmirësuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) dhe Shoqata Amerikane  e Tiroides (ATA) rekomandojnë gratë që;  janë në kërkim të shtatzënisë,  janë shtatzënë, janë në laktacion (ushqyerje me gji) të marrin një minimum prej 250ug/jod në ditë. Merret nëpërmjet suplementeve që përmbajnë jod (zakonisht 150ug) dhe pjesa tjetër nëpërmjet ushqimit.

Tek gratë që kërkojnë shtatzëni merren deri 3 muaj përpara, në mënyrë që tiroidja të krijojë depot e mjaftueshme me jod për të përballuar rritjen e prodhimit të hormoneve në shtatzëni.

Kush duhet të bëjë një kontroll të tiroides në shtatzëni

1-Gratë të cilat kanë një histori të mosfunksionit të tiroides apo kirurgji të tiroides

2-Mosha mbi 30 vjeç

3-Rastet me diabet mellitus tip 1 apo sëmundje të tjera të tiroides.

4-Obezitet morbid (BMI>40kg/m2)

5-Histori familjare për problem të tiroides

6-Histori aborti apo lindje parakohe

7-Histori rrezatimi të qafës

 

Testi që analizon tiroiden në shtatzëni

Testi më i mirë scrwning për vlerësimin e funksionit të tiroides në shtatzëni është matja e nivelit të TSH në gjak, normat e të cilit janë :

– 3 mujori i parë (0.1-2.5)

-3 mujori i dytë (0.2-3.0)

-3 mujori i tretë (0.3-3.0)

Jodi është esencial për formimin e hormoneve të tiroides, dhe funksionimi i mirë i gjëndrës tiroide është i rëndësishëm për një koncepsion dhe një bebe të shëndetshme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lufta ndaj krimit nuk është objekt i konsumit politik të ditës

Nga Ervis Iljazaj Ngjarja e Elbasanit ku shihet në një video përballja...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.