Kujtohet Budi, Agron Tufa: Letërsia e vjetër si repertori më në rrezik!



pjeter_budiKanë kaluar 450 vjet nga lindja e priftit, për të cilin u shpall vit përkujtimor jashtë vëmendjes zyrtare të shtetit, si vullnet individual i një njeriu të vetëm, Behar Gjokës me Qendrën Studimore quajtur “Pjetër Budi”. Me konferencën e djeshme shkencore është mbyllur cikli i veprimtarive përgjatë gjithë vitit që janë organizuar për Budin, duke shënuar një rast unik. Dy pelegrinazhe në kullën e Budit, që mbijeton ende, në Gur të Bardhë, nderimi nga Presidenti Bujar Nishani për veprimtarinë e Budit, jo vetëm nën petkun e priftit, si dhe ndërmarrja e studiuesve më kompetentë

Të përkthesh gjuhën amtare që nuk ekziston ose siç vetë Budi e ka shprehur: “me dasht me thoush shqip”, është nga rastet që i jep dimension pothuaj hyjnor gjuhës duke krijuar kuptimin e saj. Kanë kaluar 450 vjet nga lindja e priftit, për të cilin u shpall vit përkujtimor jashtë vëmendjes zyrtare të shtetit, si vullnet individual i një njeriu të vetëm, Behar Gjokës me Qendrën Studimore quajtur “Pjetër Budi”. Me konferencën e djeshme shkencore është mbyllur cikli i veprimtarive përgjatë gjithë vitit që janë organizuar për Budin, duke shënuar një rast unik. Dy pelegrinazhe në kullën e Budit, që mbijeton ende, në Gur të Bardhë, nderimi nga Presidenti Bujar Nishani për veprimtarinë e Budit, jo vetëm nën petkun e priftit, si dhe ndërmarrja e studiuesve më kompetentë, por dhe të rinj modestë për të shënjuar ende një personalitet që njihet më pak nga letërsia e vjetër shqipe.

“Autorët e letërsisë së vjetër shqipe kanë kontribuar si në përftimin e elementeve që jetuan gjatë në traditën e lëvrimit të shkrimit të shenjtë në gjuhën tonë, ashtu dhe duke reflektuar jo rrallë përdorime, konotacioni i të cilave merr kuptim pikërisht në përbërje të teksteve të veprave të tyre. Duke iu përshtatur lëvrimit dhe konsolidimit të një terminologjie që reflekton qartë përmasat e një vështirësie të kuptueshme, të tillë autorë kanë bërë të mundur të bëhet pjesë e një tradite shkrimore, një leksikon i rëndësishëm për jetën mendore e fetare të popullit tonë. Si një nga autorët më të rëndësishëm të një tradite që shënoi letërsinë tonë të dokumentuar, Pjetër Budi ofron nëpërmjet teksteve të përpiluara prej tij mundësinë e shqyrtimit të trajtave që nënvizojnë prirjen për vijimësi përdorimi, por dhe të elementeve që paraqesin veçanti në pikëpamje të konotacionit që marrin pikërisht në këto tekste” ka thënë në fjalën e saj, studiuesja Evalda Paçi, duke pasqyruar Pjetër Budin në një traditë studimesh mbi historinë e letërsisë së shkruar shqipe. Për këtë Paçi sheh më tej se për profilin e këtij prelati jo vetëm të letrave shqipe ka përfshirë gjerësisht historianë dhe kërkues të dokumentacionit arkivor, gjuhëtarë e filologë të tekstit, historianë të letërsisë shqipe, por dhe bëri të mundur që të kryhen vëzhgime ndërdisiplinore që i mundësonte ndër të tjera vetë rrugëtimi i ndërlikuar biografik i Budit.

Për shkrimtarin dhe studiuesin Agron Tufa, Budi është ende i mbuluar me misticizëm, dhe duhet kuptuar në gjuhën e tij. Por, reagimi i Tufës shkon më tej mbi gjithë natyrën dhe zhvillimet e gegnishtes, me ndërprerjen e saj nga diktatura, ku letërsia sot e prodhuar nga shkrimtarë të veriut është pothuaj e injoruar nga lexuesit e sotëm. Lidhja e drejtpërdrejtë me autorët e vjetër të shqipes, si dhe me autorët e para ’45 që shkruajtën gegnisht për Tufën po mbetet më delikate në shkolla, qoftë në ato të mesmet, apo universitare.

“Budi duhet kuptuar në gjuhën e tij, sot gjimnazistët dhe studentët nuk dinë të lexojnë Fishtën, e sigurisht as Budin. Njohin gjithë gjuhët e Evropës, dhe nuk e kanë për turp të thonë se nuk lexojnë dot Budin. Shqipja po bëhet një gjuhë e vdekur…Nëse do të kishim një situatë tjetër gjuhësore ashtu si italianët me Danten, do kishim ruajtur shijen e shqipes”, është shprehur Tufa.

Ndërsa për ta çuar më tej këtë pasuri që trashëgojmë nga letërsia më e hershme e shqipes, studiuesja Paçi ndalet në fund në faktin e botimit të veprës së Budit: “Botimi i plotë i varianteve të veprave të tij mbi bazë kriteresh filologjike dhe kritike mbetet një objektiv i domosdoshëm arritjeje për filologjinë shqiptare. Disponimi i këtyre botimeve dhe konkordancave sa më të plota mbi veprën e Pjetër Budit do të bëjë të mundur dhe kontekstualizimin e saj në përbërje të një thesarusi gjithëpërfshirës që ngërthen në radhë të parë veprat e letërsisë së vjetër shqipe, më tej evidentime dhe dokumentime të mëvona që pasqyrojnë jetëgjatësinë e përdorimeve më të rëndësishme nga këto vepra”.

Pikërisht ky autor, përfshirë dhe autorët e tjerë që bëjnë hershmërinë e letërsisë shqipe, që deri tani nga përcaktimi zyrtar, e cilësuar si letërsisë e vjetër e shqipes, – për Agron Tufën është repertori më në rrezik, një studim sistematik që duhet të nisë e hedhë rrënjë qysh në fazën arsimore të nëntëvjeçares dhe të mos trajtohen dialekti i shqipes si gjuhë e huaj.

Në këtë përmbyllje të kremtimit të vitit të Budit, organizatori i të gjitha veprimtarive, duke përmbushur misionin e transmetimit, Behar Gjoka thotë: Pas gjithë këtyre argumenteve, shkencore dhe letrare, themi se Budi është i yni dhe se ky është rasti kur shteti nuk është me kulturën. V.M

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Blushi largohet zyrtarisht nga PS, Bojaxhi shpall partinë “Sfida për Shqipërinë”

Deputeti Ben Blushi zyrtarizoi dje në Kuvend largimin e tij dhe të...
Read More