Kultura e paqes

Po si mund të nisë një bisedim për Paqen në këto ditë kaq të nxehta të kondradiktave globale? Dr. Madhu Krishan u shpreh se tri janë komponentët e rëndësishëm që ndihmojnë paqen: të mësosh paqen, ta jetosh paqen, ta aplikosh paqen. Siç vazhdoi ai, njerëzit janë të lindur biologjikisht njësoj, pavarësisht dallimeve të ngjyrës apo tipareve. Sistemi i tyre natyral është i ndërtuar për një dispozitë të njëjtë intelektuale…

Nga Dr.Mimoza Ahmeti

Ditën e enjte, në sallën B10 të Universitetit Mesdhetar Tiranë, midis studentëve e lektorëve akademikë, u bë një takim bashkëbisedues me Dr. Madhu Krishan, i cili përfaqësonte me të vërtetë një luftëtar të Paqes Botërore.

Po si mund të nisë një bisedim për Paqen në këto ditë kaq të nxehta të kondradiktave globale?

Dr. Madhu Krishan u shpreh se tri janë komponentët e rëndësishëm që ndihmojnë paqen: të mësosh paqen, ta jetosh paqen, ta aplikosh paqen. Siç vazhdoi ai, njerëzit janë të lindur biologjikisht njësoj, pavarësisht dallimeve të ngjyrës apo tipareve. Sistemi i tyre natyral është i ndërtuar për një dispozitë të njëjtë intelektuale. Dallimet janë sociale, tha ai. Kapaciteti i mundësive i dhurur nga natyra, nuk njeh dallim.

Dr. Madhu Krishan është me origjinë nga India. Ai qe takuar në Kalkutë me Nënë Terezën dhe kish mbetur i impresionuar shumë prej saj. Në atë takim, për çudi, ajo i qe afruar, e kishte tërhequr nga krahu, e kishte mëkuar pak me bukën e saj dhe i kishte thënë: “Ti i takon gjithë njerëzimit, jo thjesht vetes”.

Kishte qënë ky momenti që kish ndryshuar rrjedhën e jetës së tij në mënyrë tërësore. Madhu Krishan, një ish inxhinier kimist, e kishte lënë profesionin e tij sakaq dhe i qe kushtuar paqes.

Ai qe interesuar për Nënë Terezën, për origjinën e saj- shqiptare. Më vonë ai kish mbetur i befasuar të zbulonte se gjuha shqipe ishte indo- europiane. Ai përmendi disa fjalë të përbashkëta midis shqipes dhe indishtes.

E përse duhej të bëhesha inxhinier kimist, tha ai? Për të prodhuar armë kimike? Armë baktereologjike? Jo, vazhdoi ai, unë kuptova se të ndihmosh njerëzit në nevojë është shumë më e rëndësishme sesa të bësh armë për shfarosjen e tyre.

Ai krijoi organizatën “Snahalaya Ashram” dhe prej vitit 1986- 2002, afroi më shumë se 12 mijë fëmijë të pastrehë, në nevojë dhe të privuar nga rrjedha e mbrojtur e shoqërise, duke u siguruar ushqimin, veshjen, strehimin dhe arsimin e duhur e cilësor, deri në nivelin e diplomimit. Shumë prej këtyre fëmijëve, tani të rritur,  mbajnë detyra dhe madje edhe poste të larta në polici apo oficerë të Mbrojtjes, apo profesorë Universitetesh e mësues shkollash.

Personaliteti i tij nuk u mjaftua me veprimtarinë kujdestare e filantropike të fëmijëve në nevojë, e cila edhe kaq do të ishte një vepër e pashlyeshme dhe e vlerësueshme, sikurse është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare për Paqen.

Ai kërkoi institucionalizimin dhe përgatitjen e semantikave përkatëse për strategjinë e aplikimit për formimin intelektual të kulturës së paqes. Ky institucion i themeluar prej tij quhet Akademia e Paqes Universale Botërore. Ky institucion apo organizatë është e lidhur me Kombet e bashkuara (United Nations), Kompaktin botëror të Kombeve të Bashkuara si dhe Komisionin Europian dhe Organizatën Botërore të paqes.

Ndryshe nga shkolla moderne që na mëson se kontradikta është baza e zhvillimit dhe se negacioni është burim informacioni, Dr. Madhu Krishan beson se mirësia dhe toleranca janë çelësi i vazhdimësisë së një jete të mirë dhe pa dallime. Ai mendon se besimet, religjionet, janë të natyrshme dhe se ato mund të jetojnë në paqe dhe harmoni nëse zhvillohen e kuptohen duke pranuar tjetrin ashtu si pranojmë veten tonë.

Përgjatë fatkeqësive të cunameve në Indi dhe vende të tjera, ky udhëheqs shpirtëror i paqes dhe i mbështetjes së njerëzve në nevojë, bëri të mundur nëpërmjet instrumenteve sociale që u solidarizuan me humanizmin e tij, ndërtimin dhe dhurimin e rreth dhjetë mijë shtëpive banimi për të siguruar banim për viktimat prej fatkeqësive natyrore.

Ta praktikosh Paqen, është deviza e tij. Ai ka transformuar shumë njerëz, kryesisht studentë, duke i kthyer ata ambasadorë të paqes kudo në botë. Ata bëhen udhëheqës socialë të komuniteteve ku jetojnë  për të ndërtuar paqe dhe ulur tensionet.

Kjo ishte hera e dytë që ky Guru i paqes vizitonte vendin tonë. Para shtatë vjetësh kish vizituar Shqipërinë së pari dhe tashmë ai njihte historinë e vendit tonë, liderët e lashtë dhe të rinj dhe fliste me simpati për ta: Skënderbeun, Ai Pashën e deri te liderat e sotëm.

Kur u pyet se përse i vlerësonte liderët tanë historikë, kur në fund të fundit, edhe ata kishin luftuar?- ai u përgjigj:

Liderët tuaj kanë luftuar për të mbrojtur paqen e komunitetit të tyre. Ata nuk ishin liderë pushtues.

Dr. Madhu Krishan lavdëroi edhe bazat morale të popullit shqiptar. Vlerat e juaja morale tha ai, duken jo vetëm ne mikpritjen dhe bujarinë që keni treguar me shekuj për të huajt, por edhe në mënyrën sesi përballuat periudhën e veshtirë të komunizmit.

Ai e vlerësoi kulturen dhe gjuhën tonë si një nga më të vjetrat dhe autentiket, një gjuhë prej së cilës mund të shpjegohen edhe gjuhë të tjera, të gjalla apo të vdekura, duke e bërë aspektin linguistik të saj, jo më pak të rëndësishëm në vargun e rëndësive të pozitës gjeografike, mrekullisë së klimës dhe bukurive natyrore.

Sigurisht fjala e tij pati impakt veçanërisht te studentët, të cilet ai i konsideroi dhe i vlerësoi si ambasadorët e ardhshëm të paqes ne botë, si strategët dhe mësuesit e një epoke të re dhe tha se ata janë VIP dhe jo unë apo kuadrot  e vjetër.

Interesante ishte se me gjithë kulturën kompetitive dhe ambicioze të cilën studentët tashmë janë mësuar të marrin jo vetem në auditore por edhe në shoqëri e media të ndryshme komunikimi, ata ishin të përfshirë në dëgjimin dhe arsyetimin e ambasadorit të Paqes me shume interes dhe ndjenin dashuri e humanizëm në qëndrimin e tij.

Kultura jonë thotë Spencer Brown vuan jo vetëm sepse u mëson të rinjve dhunën, por se u mëson bashkë me të edhe krenarinë për të. Dhe është kjo e fundit që e dëmton akoma më shumë edukimin.

Nje pafundësi çmimesh qenë adresuar në emër të Dr. Madhu Krishan, por do të veçoja atë si Lideri më i mirë i shekullit si dhe çmimin e dhënë këtij personaliteti nga vetë Barack Obama, – Ҁmimi i artë për arritjet në jetë!

Një tjetër pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së këtij paqembrujtësi është edhe ajo e koordinimit të dymbëdhjetëmijë OJQ-ve, si anëtare të Federatës për Paqe, të cilat punojnë nën udhëheqjen e tij dinamike. Ai i futi këto OJQ në aksion konkret për transformimin e komuniteteve në zhvillim, duke e fokusuar veçanërisht veprimtarinë e tyre tek shëndeti, kanalizimet, uji, arsimi, e drejta e njeriut, fuqizimi dhe motivimi i grave në pjesëmarrje, si dhe kujdesi kundrejt fëmijëve në rritje.

Shikojmë në personalitetin e tij jo thjesht një aktor të filozofimit te paqes dhe kategorive intelektuale te rritjes së saj, por një njeri të aksionit, te ndihmimit, të koordinimit, të adresimit dhe zgjidhjes së problemeve: të grave, fëmijëve e njerëzve në nevojë.

Ҁështja e përgjigjes ndaj nevojës, është çështja e futjes së humanizmit në sjelljen tonë, pasi normalisht, prej raporteve të diferencimit dhe shtresëzimit, njeriu bëhet shumë individualist dhe indiferent, me preferenca të orientuara drejt egos.

Asnjë filozofim apo horizont dijesh, nuk mund të zevendësojë nevojat tona të përditshme, thotë një poezi e një poeti arab të njohur!

Shkruar Nga
More from Revista User

Si i zbuloi Izraeli hakerët rusë duke vjedhur sekrete përmes një programi anti-virus

Zyrtarë të zbulimit izraelit, duke përgjuar hakerë të lidhur me qeverinë ruse,...
Read More