Kumbaro i rikthehet Gjirokastrës: E panjohur problematika? Studimin na e bëjnë anglezët…

Rikthehet çështja e gjendjes së Gjirokastrës, dhe kalasë së saj; një takim i para dy ditëve mes Ministrisë së Kulturës dhe IMK-së, bën gati grupin e punës për të nisur fazën e parë të studimit të situatës; ndërsa Kumbaro dhe IMK postojnë statuse në facebook, janë anglezët që i përgjigjen propozimit shqiptar për të kryer studimin e zonës muzeale…problematika e së cilës deklarohet e panjohur, e njëkohësisht e “trashëguar” 

Duke lënë në “heshtje” çështjen e Teatrit Kombëtar, ministrja e Kulturës i është rikthyer çështjes së Gjirokastrës. Pranohet prej saj, se situata në qytetin muze është në zgrip, por ende është e panjohur për ministrinë, e gjithë problematika. Ndaj para pak ditësh, Kumbaro ka bërë me dije përmes postimit në rrjetin e saj social në facebook, se është zhvilluar një takim me lidhje “muzeun” dhe kalanë në Gjirokastrës.

Duke u vënë vazhdimisht nën vëmendjen e specialistëve, madje denoncuar e akuzuar edhe nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, se situata në monumente është e rëndë Kumbaro duket se për këtë jep një përgjigje. Në postimin e saj ajo shkruan fatalitetin e Gjirokastrës, edhe pse po konsumon mandatin e dytë në krye të ministrisë, por përmend dhe rrënim e urës së Hoshtevës, që ndodhi para 3 muajsh, ku për të dyja rastet nuk jep deklaratë të qartë, se si do procedohet në të ardhmen, për projekte apo fonde.

Duke u ndalur në rastin e murit të kalasë së Gjirokastrës ministrja shkruan se: “Sa më shumë studjojme arkivat që lidhen me strukturat arkitekturore të Kalasë së Gjirokastrës, aq më qartë del se studimet e këtij ndërtimi sa historik dhe kulturor, kanë mbetur në sipërfaqe me konstatime të përgjithshme. E pazbuluar, e pagërmuar, e pastudiuar me themel, trashegojme sot prej saj vetëm përkufizime, vëzhgime, por jo analiza, jo projekte të mirefillta, jo studime gjeologjike apo topografike që të na japin mundësinë të kuptojme qartësisht ku dhe si të ndërhyjmë. Më së shumti hamendësime dhe sugjerime se çfarë do duhej të bëhej, te ecilat ngjajnë me njëra tjetrën e përsëriten si binjakë nga një dhjetëvjeçar në tjetrin. Me fjalë ete tjera në “vend-numero” sa herë që është verejtur ndonje çarje a krisje muresh: – erozion natyror shekullor; mungesë disiplinimi i përronjve të nëndheshëm prej dekadash; kodra shtufi të çpyllezuara e ndërtime pa sistem (30 vitet e fundit); të gjitha konstatime, vetem konstatime, por asnjera nuk jep zgjidhjen që duhet!

Dhe ca me pak e japin zgjidhjen ata që flasin në tym e që bëjnë sikur i dinë të gjitha, akoma më pak ata që për vite të tëra kanë pasur pushtet vendor e pushtet qëndror!

Kemi përveshur mëngët, e do e nisim aty ku duhet, nga rrënjët!”, ka shkruar Kumbaro, sikur të ketë marrë dje drejtimin e Ministrisë së Kulturës, dhe jo që ka pasur në dispozicion më shumë se pesë vite për të realizuar gjithë ç’thotë në deklaratën e saj të fundit. Megjithatë Kumbaro ka deklaruar se me “urdhër të posaçëm të kryeministrit është ngritur një grup i punës ndërministror, për të mbledhur kontributin e profesorëve të gjeodezisë e gjeologjisë, me inxhinierë të ndërtimit e mjedisit, për të vënë pikat mbi i”. Sipas Kumbaro vetëm tani nisin studimet, me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore dhe një kompanie që thuhet se është nga Britania e Madhe. Në të njëjtën ditë, pas takimit larg mediave, por duke hedhur deklaratat e tyre në facebook, edhe Instituti i Monumenteve të kulturës ka deklaruar se tani është prioritet zgjidhja e “problematikave të trashëguara” në kalanë e Gjirokastrës

Në të njëjtën linjë me ministren, duket sikur ky institucion i trashëgimisë nuk bën asgjë tjetër veç pret e përcjell deklarata nga lart, duke harruar funksionin e saj praktik për monumentet e kthyer në “zyrë shtypi” e ministrisë. Deklarata e IMK-së është: “Ndër vite, në Kalanë e Gjirokastrës, rreth problematikave të ndryshme që prekin këtë monument me vlera të mëdha, janë realizuar gjithmonë vetëm konstatime, studime sipërfaqësore, ndërhyrje të vogla, duke u venë re një mungesë të ndjeshme e projekteve të mirëfillta të cilat të mund t’i japin zgjidhje konkrete problematikave. Zgjidhja e këtyre problematikave është në qendër të vemëndjes së Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Për këtë arsye, në vijim të procesit për studimin e situatës në Kalanë e Gjirokastrës, me këmbënguljen e Ministrisë së Kulturës dhe me urdhër të Kryeministrit, u bë e mundur ngritja e një grupi pune, të përbërë nga ekspertë ndërinstitucionalë, me qëllimi vlerësimin dhe marrjen e masave të nevojshme mbi situatën emergjente në Kalanë e Gjirokastrës”. IMK na bën të ditur se puna do nisë menjëherë me fazën e parë, por pasi të kryhet studimi nga ekspertët anglezë?!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protestat e Partisë Demokratike, jo kreative, të përsëritura dhe aspak efikase

Nga Ervis Iljazaj Ditët e fundit, Kryetari i Partisë Demokratike është duke...
Read More