Kundër interpretimit politik të kinematografisë

Nga Lulzim Hoxha*

Në kuadër të debatit të fundit mbi censurimin e filmave të periudhës së komunizmit, disa nga arsyet që jepen kundër shfaqjes së këtyre filmave janë si më poshtë:

  • Arti duhet të jetë shprehje e lirë, ndërsa filmat e kohës së komunizmit janë krijuar në kushtet e mungesës së lirisë.
  • Kinemaja përfaqëson zërin dhe imazhin e një epoke, ndërkohë që filmat e realizmit socialist na kujtojnë një epokë të cilën duhet ta lëmë pas.
  • Në këta filma, imazhi estetik është dytësor, duke qenë se prioritet merr propaganda dhe ideologjia e regjimit.
  • Si përfundim, është në të mirë të kinemasë shqiptare që ta pastrojmë historinë modeste të kinematografisë tonë nga një regjim që na izoloi nga bota për thuajse gjysmë shekulli.

Përmbledhtazi, të gjitha argumentet kundër këtyre filmave, nisen nga premisa se në një film të realizmit socialist, mesazhi artistik është i përlyer me propagandë politike dhe nuk mund ta eliminojmë të dytën pa sakrifikuar të parën. Rrjedhoja që implikohet nga ky argument është se meqenëse tanimë jemi në një sistem ku promovohet liria, duhen ndaluar filma të cilët propagandojnë mungesën e lirisë. Por a mund të promovohet liria duke ndaluar dhe censuruar të kundërtën e saj? A nuk kemi të bëjmë edhe në këtë rast me të njëjtën mendësi e cila deri dje i gjente armiqtë te personazhet që përfaqësonin nazistin, fashistin ose tradhtarin e atdheut, kurse sot i gjen këta armiq në personazhet e partizanit, punëtorit të thjeshtë apo komunistit të betuar? Pikësëpari, ajo çka konstatohet në këto argumente është prirja për të njësuar artin dhe propagandën politike si dy elemente të pandashme në regjimin e kaluar. Në këtë drejtim, duhet saktësuar se sado i madh të ketë qenë presioni i propagandës, kemi të bëjmë me dy modalitete krejt të ndryshme të mendimit. Nëse politika si koncept funksionon ideologjikisht, kinemaja funksionon estetikisht. Nëse ideologjia ishte nën diktatin e partisë-shtet, estetika e kinemasë nuk mund të jetë veçse nën diktatin e kamerës dhe përdorimit të planeve. Nëse mesazhi ideologjik jepet në formë dogmatike, mesazhi estetik jepet nëpërmjet konfigurimit të planeve të gjata, të thella, close-ipeve etj. Për ta ilustruar diferencën midis interpretimit propagandistik dhe atij kinematografik, le të marrim si shembull një prej filmave më të njohur të realizmit socialist si “Flutura në kabinën time”. Dikush mund të thotë se personazhi kryesor, Tomi (i interpretuar mjeshtërisht nga aktori Ndriçim Xhepa), mishëron figurën e njeriut të pabindur ndaj regjimit dhe në fund të filmit për shkak të pakujdesisë dhe papërgjegjësisë së vet, për pak nuk i merr jetën një njeriu të pafajshëm. Pra, mesazhi është se për shkak se Tomi ishte një rrugaç, një dru i shtrembër (pikërisht se ishte i pabindur ndaj moralit të sistemit), nga njerëz të tillë mund të na dëmtohet i gjithë komuniteti. Fakti që Tomi ishte ndryshe nga të tjerët përbënte problem pasi gjithë të tjerët ishin pothuaj uniform mes tyre dhe fenomeni i Tomit si anomali mund të prishte rregullin shoqëror. Në vija të përgjithshme, ky mund të ishte interpretimi propagandistik i filmit. Nga ana tjetër, personazhi kryesor te “Flutura në kabinën time” ngjason me personazhin e luajtur nga James Dean te filmi Amerikan “Rebel Without a Cause” (Rebel pa kauzë), i cili është realizuar rreth tridhjetë vjet përpara se në kinematë shqiptare të shfaqej “Flutura në kabinën time”. Po të kemi parasysh influencat e “Rebel without a cause”, Tomi personifikon të riun antikonformist me shpirt aventurier që ndihet si i mbytur brenda ritualeve të përditshme që të tjerët kanë vendosur për të. Sikurse James Dean, Tomi e ka të domosdoshme që të dalë përtej kornizave, përtej moralit të shoqërisë, ashtu sikurse shumica e të rinjve të viteve ‘60-70 në perëndim.

Në rastin e interpretimit të Tomit si anomalia që rrezikon të infektojë të gjithë grupin, kemi të bëjmë me një interpretim ideologjik të filmit, ndërkohë që në rastin e dytë, influenca e qartë e “Rebel Without a Cause” dhe krahasimi me kinemanë perëndimore do ta vendosnin analizën në një interpretim kinematografik. Por si ka mundësi që paska dy interpretime të ndryshme, përderisa më sipër u tha se në filmat e komunizmit, propaganda dhe arti ishin të pandashme? Kjo sepse, me sa duket, interpretimi ideologjiko-politik që iu bëhet sot filmave të atij regjimi, shumë pak ndryshon nga koha kur janë prodhuar këta filma. Faktet janë të pandryshueshme, kurse interpretimet ndryshojnë nga njëri sistem në tjetrin. Thënë ndryshe: Nëse në kohët e sotme, vazhdojmë të përqendrohemi tek efektet ideologjike të filmave të komunizmit, kjo tregon më shumë për ne si interpretues, se sa për filmin e një regjimi që nuk është më.

Për sa i përket argumentit se ai regjim na izoloi, kështu që edhe filmat e prodhuar në kohën e atij regjimi trajtojnë një realitet të izoluar, duhet thënë se sot në kohën e demokracisë dhe lirisë së informacionit, mund të vërejmë se shumë nga filmat e atëhershëm kanë pasur ndikim nga kinemaja perëndimore. Përveç “Flutura në Kabinën Time” mund të përmendim “Nusja dhe Shtetrrethimi” të Kristaq Mitros, i cili në shumë skena duket që është influencuar nga Nouvelle Vague francez, sidomos nga filmi “Bande à Part” i Jean-Luc Godard (1964). Po kështu, “Lulëkuqet Mbi Mure” të Dhimitër Anagnostit, i cili sikurse e ka pranuar edhe vetë regjisori, është ndikuar nga filmat e neo-realizmit italian, apo filmi “Rrethi i Kujtesës” i Esat Musliut, ku personazhi kryesor i luajtur nga Marjeta Ljarja është shumë i ngjashëm me rolin e protagonistit te “Clockwork Orange” të Stanley Kubrick (1971). Fatmirësisht në kohët e sotme ekziston mundësia që të hulumtohet më tej mbi influencat e kinemasë shqiptare nga shkollat kryesore të kinemasë europiane. Ndalimi i filmave të komunizmit do të na vendoste në një gjendje lirie që vjen përmes censurës. Ndoshta përpara se të merremi me prapavijat politike të filmit, bëjmë mirë të vendosim në pikëpyetje prapavijat politike të spektatorit që i sheh këta filma. Nisur nga argumentet e mësipërme, mund të themi se është e vërtetë se  filmat e komunizmit janë prodhuar në një epokë që na la në izolim, por influencat kinematografike të shumicës prej këtyre filmave reflektojnë një version të transfiguruar të kinemasë perëndimore. Një kinema të përshtatur sipas kushteve tona të atëhershme. Kinemaja mund të vendoset në shërbim të një regjimi, mirëpo natyra e artit në vetvete kalon përtej funksionit që mund të kryejë në emër të ideologjisë. Pavarësisht se janë prodhuar në mungesë lirie, filmat nuk mund të mos jenë emetues lirie, por për këtë, siç do thoshte Friedrich Nietzsche “nevojiten fuqitë interpretuese të një subjekti të lirë”.

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Precedenti i vitit 2013: Ja pse Basha po sulmon LSI-në

Prej dy ditësh, Lulzim Basha po i mëshon shumë faktit se demokratët...
Read More