“Kundërsanksionet ruse – thuajse pa pasoja për BE”

Pas tri vitesh sanksionesh dhe kundërsaksionesh midis BE dhe Rusisë, drejtori i CEPS, Daniel Gros bën një bilanc të qartë.

DW: Ju thoni se përgjigjia e Rusisë ndaj sanksioneve të BE më tepër ka dëmtuar Moskën dhe kundërshtoni në këtë mënyrë indirekt Presidentin rus Putin, i cili thekson herë pas here sa pozitive janë ato për Rusinë. Si arrini në këtë përfundim?

Daniel Gros: Është e qartë, që kur me anë të kundërsaksioneve e shkëput ekonominë tënde nga furnizuesit më të lirë, vetëm mund të humbasësh. Dhe kjo ndodhi me ushqimet, të cilat u prekën nga sanksionet, përkatësisht nga kundërsanksionet.

Ju argumentoni para së gjithash me humbjen e fuqisë blerëse të familjeve ruse…

E saktë, veçanërisht në fushën e ushqimeve. Këtë mund ta vësh re në mënyrë të veçantë në indeksin e çmimeve të konsumatorëve, po të përfshish në to çmimet e ushqimeve. Prodhuesit evropianë ishin ata, që ofronin produktet me cilësi më të mirë dhe produktet më të lira, pra (për konsumatorin rus) lindi nevoja që të kalohej në produkte të tjera. Këto ishin produkte më të shtrenjta, dhe prandaj ishin ekonomitë shtëpiake ruse, që humbën shumë fuqi blerëse, për shkak të këtyre kundërmasave ndaj BE.

Në raportin tuaj ju përqendroheni në pasojat e kundërmasave ruse ndaj BE. Si është bilanci i tyre?

Mjafton të shohësh vetëm shifrat konkrete. Ajo që vihet re, është që eksportet ruse për në Rusi kanë rënë shumë, por kjo ka ndodhur vetëm, sepse kanë rënë edhe të gjitha importet ruse. Sepse ishte rastësi që në të njëjtën kohë në Rusi pati recesion, i imponuar nga çmimet e ulëta të naftës.

I vetmi sektor, që ka vuajtur pak, ishin eksportet e ushqimeve. Ato u prekën në mënyrë të veçantë nga kundërsanksionet ruse. Por ajo që del në pah çuditërisht, është që prodhuesit evropianë duhet të jenë shumë të zhdërvjellët. Sepse në tërësinë e tyre, eksportet e ushqimeve nga BE nuk kanë rënë. Kjo do të thotë se prodhuesit evropianë ia kanë dalë mbanë, që ta kompensojnë humbjen e tregut rus përmes eksporteve në vende të tjera. Prandaj me sa duket kostot e kundërsanksioneve ruse kanë qenë gati zero për ekonominë evropiane.

Bilanci juaj tingëllon më optimist, se sa për shembull ai i studimit të WiFo nga Austria, në të cilin pohohet se Evropa ka humbur miliarda euro dhe mijëra vende pune. Çfarë mund të thoni për këtë?

Në radhë të parë duhet mbajtur parasysh, që importet ruse kanë rënë, sepse është përgjysmuar çmimi i naftës. Dhe kjo është diçka shumë themelore, që nuk mund ta lësh jashtë. Së dyti, ky studim austriak ka pohuar se në Evropë do të vijnë më pak turistë, për shkak të këtyre sanksioneve. Dhe se Evropa do të humbasë diçka në drejtim të turizmit. Por edhe kjo nuk po vihet re. Sepse duhet të nisemi nga fakti që rusët, kur kanë më pak të ardhura – për shkak të çmimit të naftës dhe jo për shkak të sanksioneve – kanë edhe më pak para për të udhëtuar jashtë vendit.

Evropa do të pësonte kolaps, po të humbte tregun e rëndësishëm rus, ky është një mendim i përhapur gjerësisht në Rusi. Por në pikëpamje ekonomike, Evropa mund t’ia lejojë vetes një kurs të ashpër ndaj Rusisë?

Po, kjo është shumë e qartë. Ekonomia e Evropës është më shumë se dhjetë herë më e madhe se ekonomia ruse, është shumë më e zhdërvjellët, ka një bazë shumë të fortë industriale. Rusia është për Evropën pa dyshim një treg interesant, por një treg dytësor dhe nuk është treg vendimtar për mbijetesën dhe rritjen e ekonomisë evropiane.

Daniel Gros është ekspert gjerman i ekonomisë dhe punon si Drejtor i Centre for European Policy Studies (CEPS) në Bruksel.

Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi 31 Gusht 2017

Dashi Nëse për këtë të hënë si ditë e parë e javës...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.