Kur do fillojë të qeverisë qeveria Rama dy?

Nga Ervis Iljazaj

Ndodhemi përballë një paradoksi politik të qeverisë Rama dy. Kur kanë kaluar vetëm dy muaj nga marrja e besimit në Parlament, ende nuk është e qartë se cilat janë planet e kësaj qeverie për ekonominë, infrastrukturën, bujqësinë etj. E thënë ndryshe, cilat janë mënyrat apo instrumentet që ajo ka ndërmend për të përballuar problemet e qytetarëve shqiptarë.

Rrallëherë ka ndodhur që entuziazmi i një qeverie të sapoformuar të ketë nivele kaq të ulëta, apo të mos krijojë një besim dhe frymëzim te qytetarët. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një forcë politike, që zgjedhjet e 25 Qershorit i fitoi e vetme. Në këtë kuptim, besimi ndaj saj dhe besimi që ajo duhet të jepte te qytetarët duhet të ishte një nga pikat më të forta të saj.

E kundërta po ndodh me Qeverinë Rama dy. Duket sikur çdo gjë dhe çdo politikë është e paralizuar. Duket sikur kjo Qeveri, edhe pse është e sapo dalë nga fitorja e zgjedhjeve, nuk ka forcë të bindë qytetarët shqiptarë se e ka një plan zhvillimi për katër vitet e ardhshme të mandatit të saj. Duket sikur kjo qeveri, ende nuk është futur në zyrë për të filluar punën, atë të qeverisjes së vendit.

Sigurisht çështja Tahiri ka konsumuar të gjitha energjitë që një qeveri e re duhet të ketë normalisht. Nëse nuk ka një plan konkret qeverisjeje, më së paku duhet të ketë entuziazmin e fitores.

Për dy javë me radhë, çështja e ish-ministrit të rendit ka zaptuar të gjithë vëmendjen e opinionit publik. Po të ishim në një vend normal, ndjekja penale e një politikani, qoftë ai i një niveli kaq të rëndësishëm, do kishte patur vëmendjen ligjore për aq sa i takon. Por, duke qenë se ende nuk jemi një vend normal, një çështje e tillë ka mbërthyer çdo qelizë të kësaj shoqërie, duke na treguar edhe njëherë se gjëja që konsumojmë më shumë, fatkeqësisht, është politika. Me siguri rasti Tahiri, ka thyer çdo rekord të ndonjë telenovele turke që çdo familje shqiptare shikon këto kohët e fundit.

Kur një ish-ministër rendi akuzohet dhe hetohet për lidhje me krimin e organizuar, nuk është një rast për t’u anashkaluar. Është nga ato raste që kërkon një reflektim të thellë dhe serioz për politikën, por qytetarët shqiptarë kanë edhe halle të tjera.

Problemet janë po aty. Është i fajshëm apo i pafajshëm Saimir Tahiri, këtë do ta zgjidhë drejtësia, dhe ajo duhet të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për t’i shkuar deri në fund kësaj historie, në të mirë të vendit dhe vetë politikës.

Megjithatë ende nuk kemi të qartë, se cili është plani ekonomik i kësaj qeveria? Cilat janë planet për të tërhequr investimet e huaja? Si do krijohen veprat e mëdha infrastrukturore që kemi kaq shumë nevojë? Si do të vazhdojë reformimi i arsimit?

Të gjitha këto janë çështje që presin përgjigje nga qeveria. Një qeveri e cila është zgjedhur pikërisht për t’u dhënë zgjidhje problemeve dhe halleve të njerëzve. Deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë gjë për të ardhmen dhe qeverisjen e vendit.

Dakord, çështja Tahiri është një çështje shumë shqetësuese, dhe kërkon vëmendjen e duhur, sepse bëhet fjalë për një politikan, i cili akuzohet për përfshirje në trafikimin e lëndëve narkotike. Por, qeverisja është një çështje edhe më e rëndësishme. Kostot e paralizimit të saj, janë kosto që ndikojnë për një kohë të gjatë në ekonominë e vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Raporti: Sivjet u zbuluan 60 mijë rrënjë kanabis, vjet 2.5 mln

Ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minniti do të zhvillojë një vizitë...
Read More