“Kur Enveri bashkoi në një brigadë 29 priftërinj”

burrat-internim-kampi-tepelenePërshkrimet vijnë tronditëse për punën e rëndë dhe trajtimin në kampin më unik në botë, siç ishte ai e Bedenit ndërtuar në Kavajë, ku regjimi mblodhi 29 priftërinj në një brigadë, duke i vënë në kushte mizerable. Një vend tjetër i tmerrshëm i priste të dënuarit. Duhej ndërtuar një kanal, që niste nga zona kënetore e Bedenit. Arkivisti Kastriot Dervishi sjell në një libër, gjithë informacionin rreth përndjekjes politike në Shqipëri në vitet 1944-1991, në lidhje me burgjet, kampet e punës së detyruar, kampet e internimit me tela me gjemba, si dhe vendet e tjera të internimit

Përshkrimet vijnë tronditëse për punën e rëndë dhe trajtimin në kampin më unik në botë, siç ishte ajo e Bedenit ndërtuar në Kavajë, ku regjimi mblodhi 29 priftërinj në një brigadë, duke i vënë në kushte mizerable. Një vend tjetër i tmerrshëm i priste të dënuarit. Duhej ndërtuar një kanal që niste nga zona kënetore e Bedenit (quhej edhe këneta e Zhabjakut), e përfundonte në lumin e Shkumbinit. Kanali do të lironte fushën nga uji. Në prill deri më 28 nëntor 1948 u punua për hapjen e kanalit. Të burgosurit erdhën nga burgjet e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit, si dhe disa nga këneta e Maliqit…duke u vendosur në kampin e Bedenit. Ky është ndër kampet më famëkeqe të regjimit, ku ndër 1.200 persona, ishin kryesisht njerëz të ligjit, doktorë, ish-oficerë të lartë, klerikë katolikë e myslimanë dhe tregtarë… Për këtë, tanimë Shqipëria ka një hartë më të gjerë të burgjeve dhe kampeve të punës në diktaturë, e relatuar në një botim “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” të arkivistit Kastriot Dervishi, botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Ky studim statistikor vjen i plotë, i shoqëruar me raporte të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, si dhe dëshmi e biseda të atyre që vuajtën dënimin në këto burgje e kampe. Libri përmbledh gjithë informacionin e duhur rreth përndjekjes politike në Shqipëri në vitet 1944-1991, në lidhje me burgjet, kampet e punës së detyruar, kampet e internimit me tela me gjemba, si dhe vendet e tjera të internimit. Ndërsa Dervishi ka vënë në foton qendrore të kopertinës kampin e punës së detyruar të të burgosurve nr. 313 në Spaç, viti 1973 dhe fotoja tjetër tregon vetëvarjen në një qeli burgu të një të dënuari. Kjo foto që publikohet është e panjohur. Ndërsa libri sjell dinamikën e të burgosurve sipas viteve, veprat e shumta që ata kryen, janë disa prej informacioneve që përfshin ky studim. Dervishi, duke cituar një raport të datës 13.8.1948, bën të ditur se “në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë”. Ndërsa për vitin 1950 ishin realizuar 110.000 ditë pune, duke bërë më shumë se 15 milionë lekë. Për këtë qëllim, kishin punuar 900 të burgosur, citojmë Dervishin. Përshkrimi për tharjen e kënetës së Maliqit, ja si vjen: “Pas një pushimi punimet rifilluan përsëri më 15 maj 1950 me 550 persona dhe në fund të qershorit edhe me 350 të tjerë. Punohej deri në brez me ujë, mes vështirësisë së kallamave  dhe ushunjëzave. Transporti i baltës ishte shumë i vështirë. Punohej edhe për kanale dytësore që derdheshin mbi kanalin kryesor. Më 28.1950, Tasi Marko, i besuari i udhëheqjes emërohet sërish komandant i kampit. Gjatë vitit 1950, Tasi ka qenë komandant kampesh në Maliq dhe në Peqin. Në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë” -thuhej në raportin e datës 13.8.1948.

***

At-Anton-Harapi-para-gjyqit-ushtarak_Tirane-me-1946Bedeni Kavajë, 1948, 1950

Në vend tjetër i tmerrshëm i priste të dënuarit. Duhej ndërtuar një kanal që niste nga zona kënetore e Bedenit (quhej edhe këneta e Zhabjakut) e përfundonte në lumin e Shkumbinit. Kanali do të lironte fushën nga uji. Në prill deri më 28 nëntor 1948 u punua për hapjen e kanalit. Të burgosurit erdhën nga burgjet e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe disa nga këneta e Maliqit. Ata u vendosën në Baraka të sajuara për disa muaj punë. Patër Zef Pllumi, i ri atëherë, ishte një ndër të burgosurit e ardhur nga Shkodra, që punoi në këtë kamp. Ishte interesant fakti se këtu punuan në një brigadë të vetme 29 priftërinj, katolikë të ardhur të gjithë nga burgu i Shkodrës. Këta ishin: Mikel Koliqi, Toma Laca, Nikollë Shelqeti, Nikollë Laska, Rrok Fisku, Nikollë Mazreku, Ndue Suma, Ndue Soku, Mark Hasi, Zef Kurti, Çiril Cani (75 vjeç), Frano Kiri, Dionis Makajm, Karlo Serreqi, Leon Kabashi, Alkes Baqli, Filip Mazreku, Mëhill Miraj, Mark Harapi, Jak Gardini, Anton Luli dhe Alfonc Çuni. Nuk kishte vend në botë që kishte bërë kaq shumë priftërinj në një kamp të tillë pune të rëndë. Një tjetër i dënuar ishte edhe Sami Repishti: “Arritëm në kamp në orët e vona mbasdrekës” zbritëm njëni pas tjetrit, e në rresht e mbas numërimit hymë brenda nga porta e madhe. Kampi ishte vendosur në faqe kodre, e shikonte mbi një fushë të mbulueme, aty-këtu me pellgje uji, një kënetë gjysmë e thame, që ma vonë morëm vesh se quhej këneta e Bedenit, Kavajë” -shkruan Rrepishti.

Puna e parë ishte zhdukja e një kodrine të vogël afër Shkumbinit. Të dënuarit punonin tetë orë në ditë, por shtohej një orë për “nder të shokut Stalin”, e pas saj një orë për “nder të shokut Tito” , e në fund “një orë për komandantin, shokun Enver” . Kushtet e jetesës në kamp ishin të gjitha të këqija. Ushqimi në atë Shqipëri të varfër nuk mund të ishte i mirë për pjesën që persekutohej më shumë. Kur të burgosurit i ishin ankuar komandantit të kampit se uji ishte i pisët, ai ishte përgjigjur: “Ju po e shihni se gjella që merrni është aq e hollë, saqë po ta lini të ftohet zëvendëson ujin”.

Në një raport të datës 28.7.1948 të organizatës së komunistëve të Kavajës, thuhej se të burgosurit ishin “shfrytëzuar deri në palcë”, megjithëse hasnin në problem se toka ishte e fortë e me gurë. Morali i të burgosurve vlerësohej “shumë i dobët”. Vetëm një i burgosur kishte thënë se anglo-amerikanët do zbarkonin dhe qeveria komuniste do rrëzohej, sepse edhe me Jugosllavinë i kishin prishur marrëdhëniet. Për këto fjalë, ky i dënuar u lidh në shtyllë për 30 minuta dhe u la në diell në datën 24.7.1948 (AMPB, F 60/1, V.1948, D.4. Fleta 3)

“Në punë marrin pjesë për çdo ditë 790-800 të burgosur. Rendimenti i tyre është i mirë…Norma që është caktuar vazhdon të tejkalohet, megjithëse vendi është i fortë. 5 kurse kundra analfabetizmit ndiqen nga 128 vetë. 70% e të kursantëve kanë përfituar mjaft mirë. 5 kurse profesionale ndiqen nga 171 vetë dhe 60% e tyre shkojnë mirë”, -thuhej në raportin e datës 13.8.1948. Përveç lodhjes në punë, me kalimin e kohës u bë e lodhshme edhe largësia e frontit të punës nga vendi i banimit. Gjatësia e kanalit rriste gjatësinë kilometrike prej kampit e në këtë mënyrë kthimi i tyre atje ishte gjithnjë i lodhshëm e i mundimshëm. Puna në Beden u ndërpre për shkak të shirave të dendura që nisën ato kohë. Pamja që ofronte kampi i ngjante një fushe plehrash ose një vendi të pisët me prani njerëzore. “Në gjysmën e tetorit, kampi i Bedenit kishte pamjen e një grumbulli plehrash, që meritonin t’i vihej zjarri për të mos përlyer botën me mikrobe”, shkruan At Pllumi.

Më 28 nëntor 1948 punimet u ndërprenë. Ish i dënuari Beqir Ajazi shkruan për kampin e Bedenit:

“Pjesa më e madhe e të burgosurve të Tiranës, politikë dhe ordinerë, u dërguan këtë vit në kampin e Bedenit të Kavajës. Aty kishin sjellë dhe të burgosur nga Berati dhe nga Vlora. Kështu që ishim bërë aty afro 1.200 veta, sistemuar në disa kapanona që karkasën e kishim prej druri, mbulesën prej katramaje dhe anash ishin veshur me rrogoza. Qëllimi i kësaj pune ishte që të bëhej një kanal vigan për rrëzë kodrave të Bedenit, i gjatë 7 kilometra, i gjerë sa të shkon lirisht një “Skoda” në fundin e tij, përfundimi i këtij kanali dilte në kënetë të Zhabjakut. Kjo e fundit do të thahej nga ne, kurse ujërat e kanalit do t’i hidhnin në Shkumbin kullimet e kodrave, si dhe makrosat dhe qelbësirat e kësaj kënete. Puna aty ishte e organizuar në brigadë, që kishin një efektiv prej 150-200 të burgosur secila. Komanda e kampit ngrinte dhe frynte normat me qëllim që të justifikonte ushqimet dhe normat e atyre të shumtëve që nuk punonin.

Komandanti i Kampit ishte një toger, Hysniu nga Labëria. Në pamje të jashtme, ky njeri të jepte përshtypjen e një mësuesi ose të një intelektuali të panjohur diku në ndonjë fshat të humbur. Mbante dhe syze. Mjerisht ky ishte një gjarpër shullëri që ta qukte, sa veta, sa dhe me anë të tërë asaj urdie spiunësh, me të cilët e kishte rrethuar veten. Në krye të tërë kësaj brigade spiunësh ishte Hamdi Lemo, nga Kuta e Mallakastrës së egër. Dhe cilësorin “ e egër” që kishte kjo pjesë e Mallakastrës e justifikonte plotësisht me personin dhe personalitetin e Hamdi Lemos…Për të kulluar kënetën e Zhabjakut, na kishin caktuar nja 40 veta djem të rinj dhe të fortë. Kishin sjellë aty dy barka të vogla me lopata, na vendosnin në dy rreshta, sipas dispozitave të inxhinierit dhe në mes tonë qëndronin dy barkat. Duhej të hapnim një savanelë. Megjithëse dija shumë fjalë të huaja, kësaj nuk ia kisha ditur kuptimin. Po këtë do ta mësoja në praktikë. Duhej të zhvisheshim vetëm në brekë, të hynim në kënetë, në vendet e caktuara nga inxhinieri dhe duke respektuar spangon që ishte vënë breg më breg, do ta kërkonim vendin me këmbë dhe të ngulnim belin në lluzën dhe në kalmuqin e fundit të kënetës. Si ta kishim mbushur belin, duhej ta nxirrnim nga uji dhe ta shkarkonim nëpër kofshë” (Beqir Ajazi, vepër e cituar).

Punimet në Beden rifilluan më 20 gusht 1950, dhe më 16 shtator 1950 këtu erdhën edhe forcat e Urës së Bonës. Përllogaritej se ishin bërë 60.000 ditë pune duke realizuar rreth 6.8 milionë lekë. Përveç hapjes së kanaleve, të burgosurit ishin përdorur edhe për shpyllëzime, mbjellje etj., që vlerësoheshin në 16.017 ditë pune. (AMPB, F. 50,V.1950, D.380)

Në shtator 1950 këtu erdhën të dënuarit që punonin në Bishqem. Ahmet Bushati është një tjetër i dënuar që ka punuar në Beden. Në kamp këtu ishte komandant Beqir Liço, i cili më parë kishte qenë në kampin e Orman Pojanit. Në këtë kamp është sjellë edhe Vangjel Mitrojorgji, i dënuar në procesin e Koçi Xoxes, por ky trajtohej mirë nga komanda. Në nëntor 1950, të burgosurit e Shkodrës janë kthyer në vendin e tyre.

Pak ditë para se kampi të mbyllej, u vra në kamp i dënuari Mustafa Vata, gjoja sikur donte të arratisej. Ai kishte vuajtur 2 vjet dënim dhe donte vetëm disa ditë të lirohej. Edhe vetë komanda e kampit kishte dalë në përfundimin se ai nuk donte të arratisej dhe se roja kishte vepruar gabim.

Kampi i Lekajt në Kavajë, 1948

Pas përfundimit të punës në Beden, një pjesë e të burgosurve shkuan në Lekaj, dhjetor 1948. Punimet këtu kanë shkuar në funksion të përshtatjes së terrenit, ku ishte ndërtuar më parë hekurudha Durrës-Peqin (nisur më 1 maj 1947, e përuruar më 7 nëntor 1947)

Pas mbylljes së punimeve, të burgosurit shkuan prapë në Maliq. Beqir Ajazi ishte një prej këtyre burgosurish. Ai shkruan:

“Më në fund u vendos që do të iknim nga Bedeni, se do të na çonin në Kampin e Lekajt. Rruga e trenit Durrës-Rrogozhinë, para se të hynte në këtë të fundit, kalonte nëpër disa kodra të vogla me përbërje krejt zhur. Prandaj dhe ky vend quhej pikërisht Zhurje. Kjo hekurudhë i ishte besuar rinisë, për të ndërtuar me punën e saj vullnetare. Sipas planit të rrugës, niveli i trasesë në këto kodra duhej të ulej deri në kuotën që e donte treni. Kjo ulje e kodrave, nëpër atë zhurishte të mallkuar, ishte shumë, shumë e vështirë, për të mos thënë, e pamundur, sidomos për rininë vullnetare. Kështu që e kishin parë të udhës të na dërgonin ne, sepse mbi ne, veç dëshirës për ta bërë vendin me hekurudhë, vepronte dhe forca e dajakut, pa përjashtuar këtu komponentët e tjerë. Gjatë punës në atë kamp të mallkuar, bëri krye një fenomen që nuk kishte ndodhur më parë. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve, sidomos e atyre që nuk kishin kurrfarë ndihme nga familjet, zunë të verboheshin krejtësisht, në kohën kur nuk kishte diell. Shokët dhe miqtë e tyre, i merrnin këta të mjerë për dore që në orën katër, kur bëhej zgjimi dhe nuk i lëshonin, vetëm se kur të lindte dielli dhe të shndriste tërë botën. Vetëm atëherë u vinin sytë këtyre të mjerëve. Në 1200 vetë, numri i të verbërve specifikë mund të arrinte padyshim në 400 veta.

Ndonëse në mënyrë sekrete, ashtu siç i bëjnë komunistët gjërat dhe më të vogla, Komanda nga Kavaja kishte alarmuar Kavajën dhe Ministrinë. Për këtë na erdhi një komision mjekësor nga Kavaja. Që nga ajo ditë, kampin tonë e gëluan zarzavatet e sidomos qepët e njoma dhe të thata, të cilat duhej t’i hanim pa pushim dhe pa racion. Seksioni i tregtisë së Kavajës “Rroftë sebepi” i pastroi nga kalbësirat të gjitha dyqanet e rrethit dhe i solli aty te ne. Natyrisht, zarzavatet e tjera të kalbura ose në kalbëzim e sipër, na i zienin në një kazan gjysmë fuçie, u hidhnin brenda një shishe e gjysmë kilëshe vaji dhe na i servirnin t’i hanim në pikën e zhegut. S’do mend se nga ngrënia e këtyre kalbësirave, të shumtë ishin nga ne, që i kishte zënë barku keq. Me rrezik dizenterie. Ndër këta fatkeqë, ndofta dhe më rëndë se të gjithë, isha dhe unë. Në fillim durova me shpresë se do të më kalonte vetvetiu, po meqë sëmundja ime sa vinte rëndohej, infermieri më dha tre ditë pushim. Mirëpo, tetor Meçani ishte dhe më i fortë nga infermieri dhe nuk të linte pushim, po të nxirrte, po të qe nevoja dhe me dajak. Kështu, hiq barku tmerrësisht dhe dil gjithë ditën në punë dhe ha zarzavate të kalbëzuara, erdha e u bëra kockë e lëkurë. Kishte shumë mundësi që të kisha kaluar në dizenteri dhe kjo, në kushtet e atyshme, do të thoshte vdekje. Infermieri i shkretë, atë që kishte mundësi, e bënte. Më linte pushim. Më tutje ai nuk kishte kurrfarë kompetence.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Astrit Patozi ka një tjetër shqetësim…

Ka pasur media që kanë nxituar të bëjnë krahasime mes Astrit Patozit...
Read More