Kur kërkimi shkencor zbret në terren, studentja Florinda Hasani: Diploma ime për kompaninë Stefani & Co

Bashkëpunimi i UET me biznesin i mundësoi studentes së masterit realizimin e kërkimin shkencor për diplomën e Masterit pranë Kompaninë “Stefani & Co sh.a.”, ku bëri një analizë të faktorëve të eficiencës së prodhimit të birrës në Shqipëri. 

Universitetet në gjithë botën ngrenë pyetjen: A po i shërben akademia shoqërisë? Si mund t’i shërbejë shoqërisë dhe zhvillimit ekonomik? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është aq e thjeshtë; akademia duhet të dalë nga muret e saj dhe të jetë në kontakt me zhvillimin, tregun e punës, komunitetin.

Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është një kërkim shkencor që merr indicie nga realiteti, studion dhe analizon atë për të nxjerrë dhe rekomandime që i shërbejnë një çështjeje të caktuar.

Në kuadër të lidhjes mes universitetit dhe tregut të punës Universiteti Europian i Tiranës ka ndërmarrë nismën 250+, një bashkëpunim me 250 kompanitë më të mëdha në vend, ku studentët bëjnë praktikat, kanë mundësi punësimi, por edhe mund të kryejnë kërkimin shkencor për diplomat e tyre.

Ky i fundit është rasti i studentes Florinda Hasani, e cila sapo ka përfunduar masterin shkencor në UET, në degën e studimit Financë-Bankë. Ndryshe nga tradita e krijuar që temat e diplomës hartohen bazuar mbi të dhënat akademike, Florinda vendosi të bëjë një punë të mirëfilltë në terren duke studiuar një kompani shqiptare, punë e cila u shpërblye me notën 10 në diplomim.

Për punimin e saj të diplomës ajo bëri një kërkim shkencor te Kompania Stefani & Co sh.a., dhe është nga të paktat studente, e cila ka përfituar nga programi 250+ i UET në bashkëpunim me bizneset.

Ky bashkëpunim vlen për të dyja palët, si studentin, i cili bën një punim të mirëfilltë shkencor, por edhe për kompaninë, e cila kërkon të dije së në çfarë gjendje është ajo apo çfarë i mungon.

Ajo rrëfen për MAPO se si nisi e gjithë historia e kërkimit të saj dhe çfarë përfitoi ajo dhe kompania nga ky kërkim shkencor.

Si u bë i mundur kërkimi yt në kompaninë Stela?

Bota Akademike më ka pëlqyer gjithmonë. Projektet, sfidat, gjërat që kërkojnë përkushtim dhe vëmendje më japin shumë motivim dhe ndjesi pozitive. Të qenurit studente në UET më dha mundësinë që të realizoj dhe përjetoj më së miri këtë lloj bote. Ashtu si në studimet e mia në Bachelor, pata fatin edhe këtë vit të kem udhëheqës shkencor të temës së diplomës Profesor Adrian Civicin. Pata nderin e madh të kaloja dy eksperienca shumë pozitive dhe të vyera përgjatë studimeve të mia në UET. Ky fat pozitiv më ndoqi edhe gjatë hartimit të temës së diplomës për përmbushjet e detyrimeve të Programit Master, ku me sugjerimet gjatë bisedave me udhëheqësin prof. Adrian Civici, vendosëm të punoja një temë ndryshe. “Analizë e faktorëve të eficiencës së Prodhimit të birrës në Shqipëri (Rasti i Kompanisë Stefani & Co sh.a.)” është tema e cila më dha mundësinë të njihja edhe më shumë kompaninë Stefani & Co sh.a. Mbase u zgjata shumë nga dëshira për të treguar çdo gjë pozitive nga eksperienca në UET, por e rëndësishme për t’iu rikthyer pyetjes është që kërkimi u bë i mundur falë motivimit dhe dëshirës së madhe për të bërë një studim ndryshe, i cili besoj u realizua me sukses referuar kohës dhe punimit që kërkohej.

Ku konsiston punimi yt?

“Analizë e faktorëve të eficiencës së Prodhimit të birrës në Shqipëri ( Rasti i Kompanisë Stefani & Co sh.a.), konsiston në identifikimin e faktorëve që ulin eficiencën e prodhimit të birrës. Identifikimi i faktorëve u bë i mundur duke analizuar çdo hallkë të secilës fazë të procesit që ndjek prodhimi i birrës. Duke ndjekur nga afër çdo fazë të procesit identifikuam që në rënie të eficiencës së prodhimit të birrës ndikojnë humbjet e lëndës ( firot) që ndodhin gjatë prodhimit. Këto humbje të cilat maten me koeficientët e tyre dhe që në fund janë të gjitha të përkthyera në kosto, burojnë nga një faktor akoma më i përgjithshëm se sa vetëm në rënie të eficiencës. Ajo që në fund të punimit vihet në dukje është se të gjitha humbjet gjatë proceseve të prodhimit (të specifikuara në një proces më shumë dhe një proces tjetër më pak) kanë si faktorë të ekzistencës së tyre mos shfrytëzimin e kapaciteteve të prodhimit të kompanisë, kjo për shkak të kushteve të tregut dhe konkurrencës. Mos shfrytëzimi i kapaciteteve në një shoqëri prodhuese të kësaj natyre bën të mundur prezencën e disa lloje humbjeve të lëndës të cilat evidentohen në çdo fillim dhe mbarim procesi prodhimi. Duke qenë në kushtet që për hir të kërkesave të tregut (edhe faktorëve të tjerë të brendshëm) kapaciteti i prodhimit nuk mund të shfrytëzohet i gjithi, atëherë studimi bën të mundur nxjerrjen e disa rekomandimeve dhe mënyrave se si mund të evitohen këto humbje sa herë që prodhohet lënda Birrë. Me rritjen e teknologjisë një pjesë e mirë e humbjeve që ndodhin gjatë procesit të prodhimit mund të eliminohen kundrejt investimeve që duhen injektuar në disa nga fazat e para të prodhimit.

Si e priten anëtarët e kompanisë kërkimin tënd?

Anëtarët e kompanisë ishin të interesuar për një punim të tillë për shoqërinë e tyre. Ndonëse kjo temë mund të kishte qenë akoma më shumë e gjerë nga pikëpamja teknike e prodhimit të birrës, sërish ngelet shumë afër realitetit. Presidenti i shoqërisë Stefani & Co sh.a., një zotëri shumë i përgatitur dhe me një shpirt sipërmarrësi, më dha mundësinë të shikoja dhe të analizoja nga afër fabrikën e prodhimit të birrës Stela (dhe llojeve të tjera të prodhimit). Punimi është si puna e pikturës që sa herë e shikon ke gjithmonë dëshirë t’i shtosh diçka më shumë që të duket më e plotë, mirëpo besoj që qëllimi që kishte punimi im nga biseda e bërë paraprakisht edhe me përfaqësuesin e shoqërisë u përmbush më së miri. Në lidhje me pritjen time në shoqëri nuk kam asnjë koment. Të punosh me njerëz me reputacion të lartë nuk ka si të shkojë ndryshe veçse të marrësh një kënaqësi shumë pozitive dhe një motivim për të bërë sa më shumë punime të tilla, në mënyrë që të njohim edhe më shumë shoqëritë që operojnë në vend.

Sa të gatshëm ishin drejtuesit e kompanisë të të ndihmonin?

Gatishmëria e drejtuesve të kompanisë për të më ndihmuar në kuptimin e funksionimit të prodhimit të birrës si anëtar i ri kësaj fushe, nga 1 në 10 do ta vlerësoja me 11. Pavarësisht që natyra e punës u kërkon të jenë shumë të disponueshëm në krye të menaxhimit të shoqërisë, z. Stefan Pinguli dhe në vijim inxhinieri i shoqërisë, z. Gentian Hyka, kanë qenë shumë të gatshëm në ndihmën e tyre, duke i dhënë mundësi këtij punimi të merrte zhvillim.

Sa vlejnë kërkimet në terren për një student? A duhet të bëjnë ata shumë kërkime të tilla?

Kërkime të çdo lloj natyre vlejnë gjithmonë për të mësuar. Eksperiencat e reja janë ato që na japin mundësi të njohim shumë nga ajo që na rrethon dhe të kuptojmë se ku e gjejmë më së miri veten. Për një student punimi në terren vlen shumë, kjo sepse nga ky kërkim nuk merr vetëm qëllimin e punimit, por fiton dhe mëson shumë aftësi të tjera të cilat në vijim të rrugëtimit të karrierës, jo vetëm të japin mundësi dhe lehtësi për të ecur para, por të akumulojnë eksperienca, të cilat kanë shumë pozitivitet. Të njohësh njerëz me potencial, të fitosh komunikimin e duhur i cili në vijim është një çelës suksesi, të mësosh të menaxhosh kohën tënde duke marrë parasysh disponibilitetin që mund të të ofrojë një përfaqësues shoqërie është diçka që duhet kohë për ta fituar. Kërkime të tilla për mua kanë shumë vlerë. Nuk ngelen thjesht nën hijen e një punimi, por të japin më shumë kënaqësi pasi nuk është një punë që ke të bësh vetëm me një kompjuter dhe disa literatura ku duhet t’i nxjerrësh esencën dhe ta prezantosh. Punimet në terren veçse tregojnë dhe mbrojnë një hipotezë të caktuar të japin mundësinë që objektin e temës ta bësh më të prekshme dhe më reale. Kërkime të tilla duhen bërë sa më shumë.

Intervistoi: Eva Drita

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shkëmbim territoresh Serbi-Kosovë? Bushati: Të mos hapim kutinë e Pandorës

Mundësia e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Bushati: kundër përpjekjeve...
Read More