“Kur shkruan a përkthen poezi të bukura, s’jeton në diktaturë”

Laureati i parë i çmimit “Kadare”, si romancier, shkrimtari Rudolf Marku ripërsërit bashkëpunimin me “Mapo editions” me botimin Antologjik të poezisë botërore “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” Janë 40 vite shqipërime poetike nga disa gjuhë, si dhe ato burimore, duke u konsideruar një ngjarje letrare, me autorë klasikë, të panjohur dhe shumë prej tyre të ardhur në shqip, në kohën e censurës…Janë 76 poetë me 126 tituj me prirje nga lirikat e dashurisë dhe poezinë alegorike, për të cilat Rudolf Marku “injoron” alarmin e vjetër mbi zhdukjen e poezisë…

Intervistoi: Violeta Murati

Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…përmbledhje poetike me idenë e një antologjie të poezisë botërore, jo domosdoshmërisht më të bukurat sipas jush, por me shije personale, ç’nxitje ishte, pse tani?

-Kjo Antologji përmbledh përkthime të bëra dyzet vite më parë, por dhe poezi të përkthyera më vonë. Janë poezi të përzgjedhura nga shija personale…Do qe një arrogancë po të thoja se kam përfshirë poezitë më të bukura të botës….Janë përkthime të lexuara në rrethe të ngushtë miqsh e të shkruar nëpër fletore dhe blloqe shënimesh, pa shënuar madje as dhe emrin e përkthyesit, si një masë  mbrojtëse po qe se përkthimet do binin në duar të gabuara. Por mbaj mend se leximi i tyre na sillte gëzimin e lirisë intelektuale dhe shpirtërore. Mendova se është koha e duhur për t’i botuar në një libër si ky që sapo u botua…Mendoj se është një Antologji me poezi të përzgjedhura me shije dhe koherencë.

Ka një shtrirje gjeografike përzgjedhja juaj që nuk njeh kufinj dhe kohë, një babel gjuhësh dhe kulturash, si ka qenë ky proces në shqip? Ka prej tyre që vijnë për herë të parë?

-Ka një shtrirje gjeografike, sepse e bukura dhe bashkë me të, Poezia, nuk kanë kufinj gjeografik. E bukura është një Perandori më vete, ajo ka ligjvendësit e vet dhe qytetarët e vet, ajo është Perandoria e Njeriut të panjollosur nga politika dhe politikanët, e panjollosur nga bankierët dhe mediokriteti dhe ligësia…Të gjitha poezitë e përfshira këtu vijnë në shqip për herë të parë, sepse edhe nëse disa prej tyre janë të përkthyera më parë nga një njeri tjetër, ato nuk janë njëlloj me ato që vijnë të përkthyer në këtë libër. Në këtë Antologji kam përkthyer një poezi të cilën e ka përkthyer dhe botuar shumë herët Fan Noli tek Albumi. Atë të Fedor Tjutcevit me titull Dashnia e Fundit  (për Nolin: Dashuria e Fundtme). Noli është një mjeshtër i përkthimit, por kjo nuk më ka penguar që të përfshij natyrshëm dhe përkthimin tim. Dhe kjo është një praktikë e njohur në botën e përkthimeve.

Pse antologji, dhe jo një poet?

-Sepse kjo ështe natyra e Antologjive. Që të përfshijnë më shumë se një autor.

Çfarë kriteresh janë ndjekur për këtë antologji, cili ka qenë orientimi juaj?

Kriteri i vetëm është shija dhe opinioni personal i përzgjedhësit dhe i përkthyesit i cili gjithë jetën e vet ka udhëtuar dhe vazhdon të udhëtojë në botën e letërsisë së mirë.

Disa përkthime janë bërë në kushtet e diktaturës, thoni vitet ’70-të, nga kjo përvojë ju keni një mendimin mbi lirinë dhe censurën nga kjo kohë, si e perceptoni?

-Nuk kam thënë asnjëherë se këto poezi janë përkthyer në kushtet e diktaturës. Diktatura është një koncept politik. Shpesh herë mendoj se Liria politike ngatërrohet me lirinë artistike. Përkthimi dhe leximi i këtyre poezive 40 vite më parë tregon se poezia dhe shpirti njerëzor nuk zinxhirosen as nga ajo që e quani diktaturë dhe as nga  mendjetopitja e lirisë. Mund të jesh në burg dhe mund të mendosh si njeriu më i lirë në botë. Dostojevski e shkroi Shtëpinë e të vdekurve në burg. Poezia është e kundërta e diktaturave. Kur shkruan a lexon, a përkthen poezi të bukura, ti nuk jeton më në diktaturë. Jeton në hapësirat pa kufinj të shpirtit.
A jeni ndër ata që besoni në poezi; pa hyrë në debatet lexohet apo nuk lexohet sot?

Mithi i vdekjes së poezisë është tepër i vjetër. G.K.Chesterton e kishte zakon të thoshte se poezia është firma njohëse e qënies njerëzore. Nuk ka më qesharake se ata akademikë dhe pseudodijetarë që deklarojnë vdekjen e poezisë. Me kujtojnë ata delirantët e sëmurë që vajtojnë fundin e botës…

Janë mbi 70 autorë të përfshirë në antologji, është e natyrshme t’ju pyesim se si janë përkthyer, në sa gjuhë origjinale kanë mbërritur në shqip?

Kam përkthyer nga origjinali poezitë e shkruara në anglisht, frengjisht, rusisht, latinisht dhe italisht. Për poezite e tjera kam përdorur gjithnjë botime bilinguale. Po ashtu, tek përktheja Safon, Eliotin, Paundin, Pessoan dëgjoja në You Tube recitimin e poezive të tyre nga aktorë të mëdhenj a nga vetë autorët. Eshte kënaqësi e rrallë të dëgjosh Marlon Brandon tek lexon Njerëzit e Zbrazët të Eliotit. Kjo ‘metodë’, më ka ndihmuar për kapjen e ritmit poetik. Poezitë e Safos i kam dëgjuar i mahnitur në greqishten e vjetër, lexuar nga shkollare të njohur dhe prestigjioze. Për poetët e mëdhenj shpesh kam konsultuar dhe tre a katër variante

përkthimesh (rasti i përkthimit të Rilke’s).

Në parathënie, thoni se janë poezi që kanë një jetë më të gjatë në shqip, rreth 40 vite më parë. Ç’ishte kjo histori, duke pasur parasysh brezin tuaj të viteve ’70-’80-të?

-Përkthimin e poezisë e kam nisur që në moshën 20 vjeçare me përkthimin e Jevtushenkos, Aleksandr Bllokut, Verlenit dhe Bodlerit. Fletorja me përkthimin e ‘këngëtarja tullace’, të Joneskos ka qarkullluar dorë më dorë dhe po ashtu dhe “Të vdekurit,, e Xhejms Xhojsit. Me vonë vijnë poezitë e Ë.H. Odenit e T.S Eliot e kështu me radhë deri tek tregimet e Kafkës. I lexonim së bashku me Ndoc Gjetjen, Preç Zogajn, Zija Çelën, Visar Zhitin, Frederik Reshpen, Remzi Lanin, Bujar Xhaferin. Mbaj mend kënaqësinë e leximeve në shkallët e shtëpisë së vjetër dykatëshe rrethuar nga miqtë që përmenda më lart…Ndjeheshim të lirë. Kishim shijuar lirinë e brendshme të tokësimit me kulturën botërore. Atë liri që nuk mund ta censurojë asnjë sistem diktatorial. Lirinë e brendshme të shpirtit.

Ti shkruan poezi, por përkthimi gjithnjë e më shpesh ndan “gjuhët”, si një proces tradhtie, si e konsideroni këtë, pra përkthimin?

-Nevoja e Përkthimit është po aq e vjetër sa dhe bota. Perëndia e përkthimit është te grekët e lashtë Hermes. Për të vjetrit, të përkthesh do të thoshte të kalosh kufirin, të kalosh përtej. Përkthimi bën të mundur shkapërcimin e barrierave gjuhësore dhe kulturore. Jo më kot Hermes ka në sandalet që vesh, krahë! Të përkthesh poezi është shumë më tepër se një akt gjuhësor. Eshtë dhe një akt kulturor. Ose mbi gjithçka është akt kulturor. Shqipja ka përkthyes të mrekullueshëm, që nga Budi e deri të Noli, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Petro Zheji, Kuteli, Kokona, Plasari, e sa e sa të tjerë. Të gjithë këta kanë provuar se sa e pavërtetë është thënia ‘traduttore, traditore’- që ju e përmendet.

Ka gjithnjë e më shumë mendime të vagullta, kur flitet për një poezi të mirë, cila sundon teksti apo lexuesi në këtë përcaktim?

-Sigurisht teksti dhe vetëm teksti. Mendimi i lexuesve? Çfarë do të thotë – mendim lexuesish? Nuk arrij ta kuptoj këtë!

-E nisni me Safon, një cikël të plotë, për të cilën është thënë se të tjerët pas saj vetëm kanë shkruar vargje, Safo e vetmja që ka shkruar poezi. E morën këtë edhe për faktin e përfshirjes së historisë suaj në këto përkthime, ç’ka qenë kjo përvojë e moshës 18 vjeçare, pak ekstravagante për një poete të tillë, krahasuar me pasionin tend?

-Ka shumë në botë që mendojnë se Safo është poetesha më e Madhe e njerëzimit. Një nga këta është dhe shkrimtari Salinger. Në tregimin Franny and Zoey ai thotë se krahasuar me Safon, të gjithë poetët e tjerë të botës kanë shkruar vargje. Safo është e vetmja që ka shkruar poezi. Po ashtu tek romani “Mbaje lart trarin e çatisë, marangoz”, – titulli është marrë nga një poezi e Safos përfshirë dhe në Antologjinë e sapo botuar. Pa përmendur se karakteret e veprave të Salingerit ( Familja Glass) pëlqejnë të gjithë Safon! Nuk mendoj se ka ndonje ekstravagancë që të pëlqesh Safon. Me duket ekstravagance mosnjohja dhe mosleximi i Safos.

– Si kjo e Safos, çdo poet ju e shoqëroni më një histori, biografi a shënim personal. Çfarë ka qenë më e befasishme për ju në këtë ‘udhëtim’ me një hartë të jashtëzakonshme shtrirje?

-Shumicën e poetëve dhe të poezive i kam shoqëruar me një shënim të shkurtër. Veçanërisht autorët më pak të njohur nga lexuesi shqiptar. Mendoj se këto shënime e ndihmojnë lexuesin për ta ndjerë më mirë poezinë dhe autorin e saj. Pa u bërë i bezdisshëm për lexuesin.

Dikur, por ende ka jehonë, për një përcaktim lokal, ku ti dhe disa të tjerë përfaqësonit të njëjtën atmosferë duke u quajtur “rrethi letrar i Lezhës”…! Disa prej këtyre emrave i shquani në ndihmesën për këtë antologji, e ndani kujtime me to?!

-Eshtë e vërtetë se shumica e këtyre poezive janë përkthyer në Lezhë, qyteti ku kam shpenzuar pjesën më të madhe të jetës. Aty, në këtë qytet të mjerë provincial, lexonim në rrethe miqsh Odenin a TS Eliotin a James Joycin! Tingëllon surreale. Por është prova e asaj që thashë ca radhë më lart, se kultura shpirtërore i zhduk kufinjtë dhe zinxhirët politike. Leximi i poetëve të mëdhenj na pati dhënë një dimension tjetër lirie. Aty, në atë qytet mjeran siç është Lezha.

A mund ta konsiderojmë faktin se këtu, tani ka një atmosferë letrare të brendshme që do t’jua bënte optimiste receptimin e kësaj antologjie nga lexuesi? Kam parasysh dhe një botë virtuale ku rrjetet sociale publikojnë pafund poezi.

-Eshtë e vërtetë se mundësia e komunikimit me lexuesin është rritur falë asaj që ju e quani një botë virtuale me rrjete sociale….Miku im dhe poeti i talentuar Preç Zogaj ka publikuar dy a tre poezi në Internet nga libri dhe unë, që i përkas skeptikëve të elektronikës, u çudita nga reagimi i shpejtë i qindra  lexuesve. Po ashtu më ka prekur shkrimi i mrekullueshem i poeteshes Mimoza Ahmeti për librin. Gjej rastin për t’ju përulur dashamirësisë së saj gjithë dritë, kulturë dhe qytetërim.

Së fundi, është një imazh përcaktues, mjaft interesant në kopertinën e librit, që mbajnë emrin e piktores Etleva Belishova, e cila ka realizuar dhe kopertinën e dy librave tuaj të mëparshëm. Kush është ajo?

-Eshtë një piktore tepër e talentuar. Aktualisht jeton në San Francisco. Eshtë afirmuar përmes ekspozitave të shumta në Sh.B.A dhe vende të tjera si një piktore inovative dhe e origjinalisht e fuqishme. Ndjehem me fat që kopertinat e tre librave të fundit janë përgatitur nga një piktore e talentuar si zonjusha Belishova..

Universiteti si një mecenat për letërsinë dhe poezinë

Botimi i librit të Rudolf Markut me poezi të përkthyera nga autorët më të njohur botërore është një tjetër akt që UET dhe Mapo bëjnë në mbështetje të letërsisë, që ka nisur me suplementin e përjavshëm të Mapo-letrare, me lançimin e çmimit “Kadare” në prozën shqipe, botimet Mapo në letërsi dhe së fundmi me hapjen e degës së Letërsisë në universitet që do të nisë të presë studentët e parë vitin tjetër akademik.

“Kohët tmerrësisht prozaike, të biznesit, të shpejtësisë, ku më shumë se në universitet poezia ka një nga strehat e fundit të sigurta. Prej vitesh, UET dhe Mapo, kemi ndërmarrë një iniciativë që e quajmë iniciativa letrare Mapo-UET me 6 kënde; suplementi Mapo-Letrare, po përgatitemi të hapim degën e Letërsisë bachelor dhe një profil në master, kemi angazhuar rrjetin e kritikës shqip me recenca për autorë shqiptare, ku janë angazhuar Rudolf Marku, Mimoza Ahmeti, Agim Baçi, çmimin Kadare, Ditët Letrare të Razmës dhe Botimet Mapo në letërsi. Me hapjen e degës së letërisë e shohim UET si të plotësuar me nismën letrare si një mecenat për letërsinë dhe poezinë dhe si një hapësirë të këtij arti magjik që është poezia, e cila duket se është në ditë të vështira në kohët moderne”- u shpreh Henri Çili, administrator i UET-it.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lahen me urinën e lopës për të luftuar infeksionet…

Këto imazhe kaq befasuese tregojnë se si është jeta e përditshme për...
Read More