Kura e Europës për autizmin është vdekja



charles laneNga Charles Lane*, New York Post

Europa po përballet me sfida të shumta, që kanë të bëjnë me çështje të etikës, të mënyrës së të jetuarit dhe të të drejtës së jetës. Charles Lane, shkruan se Europa po sheh si zgjidhje të autizmit, vdekjen.

Në fëmijërinë e hershme, pacienti psikik holandez i njohur si 2014-77, kishte përjetuar moskujdes dhe abuzim. Kur ishte rreth 10 vjeç, mjekët e diagnostikuan për autizëm. Rreth dy dekada më vonë, ai iu nënshtrua trajtimit mjekësor të vazhdueshëm dhe bëri përpjekje të përsëritura për vetëvrasje. Vuajti tmerrësisht, vërejtën më vonë mjekët, nga paaftësia e tij për të krijuar marrëdhënie: “Ai reagonte ndaj çështjeve në mënyrë spontane dhe nervoze, shpesh ekstreme. Kjo krijoi probleme.” Pak vite më parë, 2014-77 i kërkoi një psikiatri t’i jepte fund jetës së tij. Në Holandë, mjekët mund të kryejnë eutanazi (vdekje me dëshirën e pacientit) – jo vetëm për ata me sëmundje të pashërueshme, por dhe me kërkesën “vullnetare dhe të mirëmenduar”, të atyre që vuajnë gjendje mendore të pashërueshme dhe të padurueshme. Mjeku nuk pranoi, për shkak të bindjes së tij që ai ishte rast i mjekueshëm dhe parimeve të tij morale. Por ai e përcolli kërkesën te kolegët e tij, siç e kërkojnë rregullat holandeze. Ata e mjekuan 2014-77 dhe për një vit, vendosën që çështja e tij ishte e pashpresë dhe i dhanë një dozë ilaçesh vdekjeprurëse. Kështu një burrë në të 30-tat, diagnoza e të cilit ishte thjesht autizmi, u bë një nga 110 njerëzit që vdiqën me eutanazi prej çrregullimeve mendore në Holandë, prej 2011 deri më 2014. Rasti i 2014-77 shfaqet në faqen elektronike në gjuhën holandeze të Komitetit të Mbikëqyrjes së Eutanazisë Rajonale të Holandës, i cili mbikëqyr vrasjet e mëshirshme – por thuajse asnjëherë nuk gjen gabime. Nga 5306 të vdekurit me eutanazi, të listuar në raportin vjetor 2014, shumica bazuar në sëmundje fizike, rregullatorët vunë re mungesë “kujdesi të mjaftueshëm” në katër raste, ose 0.08 për qind. Pasojat e këtij zbulimi, nëse ka, janë të paqarta.

Megjithatë, mjekët në vende të tjera kanë nisur të hetojnë në mënyrë të pavarur për shtimin e eutanazisë në Holandë ndaj të sëmurëve mendorë dhe zbulimet e tyre nuk janë shumë pozitive. Përkundrazi.

Sipas një analize të 66 rasteve nga 110 për periudhën 2011-14, të psikiatrit Scott Kim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe dy kolegëve të tij, pacientët mendorë holandezë shpesh ishin vrarë me eutanazi, pavarësisht mos rënies dakord të mjekëve konsultues për faktin nëse pacientët i përmbushnin apo jo kriteret ligjore. Në 37 raste, pacientët nuk pranuan trajtim që mund t’i ndihmonte, dhe mjekët, megjithatë, proceduan pavarësisht kësaj.

Raporti i Kim, botuar më 10 shkurt në revistën JAMA Psychiatry, godet pikërisht nocionin e kërkesës “vullnetare dhe të mirëmenduar” për vdekje, nga një pacient, i cili është, sipas përkufizimit, i trazuar mendërisht dhe/ose emocionalisht.

Mjekët holandezë kanë pranuar kërkesën për injeksion vdekjeprurës nga një grua që duket sa ka qenë e kthjellët dhe shëndetshme në vitet ‘70, e cila tha se jeta e saj ishte bërë “e pakuptimtë”, pas vdekjes së burrit me eutanazi një vit më herët, për një sëmundje fizike të pashërueshme. Dhe ata kanë bërë të njëjtën gjë, për njerëz që ishin të deziluzionuar ose që dëgjonin zëra.

Një nga rreziqet më të dukshme, shkruan psikiatri Paul S. Appelbaum nga Universiteti i Columbia-s, është “shtimi i mungesës së shpresës mes individëve me gjendje të njëjtë dhe heqja e presionit për përmirësim në shërbimet psikiatrike dhe sociale.”

“A do të arrijnë psikiatrit në përfundimin te legalizimi i vdekjes me asistencë, duke e bërë të pranueshme të heqësh dorë nga trajtimi i disa pacientëve?” pyet Appelbaum.

Disa doktorë kanë hequr dorë tashmë. Më 2009, një grua belge 39 vjeçe, kaloi shqetësime pas ndarjes në një lidhje romantike dhe mori një doktor t’i kryente eutanazi, sepse ligji belg është i ngjashëm me atë holandez.

Gruaja, Tine Nys, kishte një histori sëmundjeje mendore, përfshi një përpjekje për vetëvrasje në adoleshencë, por kohët e fundit ecte mirë. Në shkurt 2010, ajo u diagnostikua me autizëm të ri dhe, dy muaj më vonë, vdiq me injeksion vdekjeprurës.

Appelbaum drejton komitetin e etikës së Shoqatës Botërore të Psikiatrisë; ai thotë se do të flasë për gjendjen në Vendet e Ulëta në një takim në Munih.

Është vonë. Që kur Holanda autorizoi përdorimin e eutanazisë për sëmundje fizike më 2002, kërkesat për “të drejtën” e të sëmurëve mendorë ishin të pashmangshme dhe, vërtet, të logjikshme.

Kanadezët po debatojnë tani si ta zbatojnë vendimin e vitit të kaluar të Gjykatës Supreme, që vendosi të drejtën për “vdekje me asistencë nga mjeku”, në raste për “gjendje mjekësore të shërueshme dhe të dhimbshme”. Një panel ekspertësh që këshillon Otarian dhe 10 provinca e territore të tjera kanë bërë thirrje që vendimi të modifikohet për të përfshirë sëmundjet mendore.

Dhe pse jo? Opinioni i Gjykatës Supreme kanadeze thoshte specifikisht që, në Belgjikë dhe Holandë, “abuzimi i parashikuar dhe ndikimi jo proporcional mbi popullsinë e të sëmurëve, nuk ishin materializuar.”

*Kolumnist i Washington Post, fitues i Çmimit Pulitzer

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

(Mos)ndryshim në qeveri

Nga Alfred Lela Përgjatë të paktën një jave, u duk se skena...
Read More