Kurrë të dielave: Godoja ynë e ka mbiemrin Dunjiç

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Zoran Panoviç*

I dashur Mustafë

Ja, si na parakalojnë ngjarjet,

Tamam sa filloi hukatja midis serbëve dhe shqiptarëve, koleg, në lojë u hodhën kroatët, dhe ne jemi ata, këtu tani më shumë u morëm me ta, kurse shqiptarët i kthyem pak në rutinë për një kohë. Së paku derisa nuk e shohim projekt-skicën e Bashkësisë famoze të komunave serbe në Kosovë.

Një ndërprerje e re me kroatët shpërtheu për shkak të kinse përdhosjes së flamurit kroat në parlamentin serb nga ana e ultranacionalistëve të këtushëm dhe për shkak të të dënuarit të Hagës Vojisllav Sheshelit gjatë vizitës së delegacionit të parlamentarëve kroatë. Po them – ‘kinse” sepse nuk ka incizim ku shihet se është përdhosur ai flamur, për dallim nga ‘performancat’ e mëhershme të Sheshelit. Delegacioni kroat ngutshëm u kthye në Zagreb, kurse Kroacia ministrin e ushtrisë serbe Aleksandar Vulinin e shpalli të padëshirueshëm në territorin e vet. Vulini kishte ndërmend të ishte i pranishëm në ceremoninë në përkujtimoren në Jasenovc në hapësirat e kampit të përqendrimit të shtetit fashist kroat nga Lufta e Dytë Botërore. Serbia ia ktheu me reciprocitet – me nënën e diplomacisë – siç thotë ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiçi dhe në Serbi u bë person non grata ministri i ushtrisë kroate – gjenerali Damir Kërstiçeviç.

Sa janë bërë absurde marrëdhëniet fqinjësore tregon edhe përshtypja se qëndrimi i Kroacisë që të mos e tërheqë ambasadorin nga Serbia (por edhe kjo u shqyrtua) më parë është edhe një provokim, dhe që më logjike do të ishte sikur ta kishte tërhequr ambasadorin që edhe ne përsëri t’i referohemi ‘nënës së diplomacisë’ – reciprocitetit. Shkëndijat po vazhdojnë: Kryeministri kroat Plenkoviç për ministrin tonë të Punëve të Jashtme Ivica Daçiçin thotë që është ‘këngëtar i pasuksesshëm i këngëve tërheqëse” (përndryshe ministri ynë ka dëshirë të këndojë dhe këtë e ka pjesë të rëndësishme të imazhit), kurse të nesërmen Daçiçi tha që do t’ia dërgojë Plenkoviçit me postë rekomande listën me emrat e fëmijëve serbë të vrarë në Jasenovc!?

Përndryshe, kur para një viti në një tubim u gjetën Kolinda Grabar Kitaroviç dhe Daçiçi, atje para fajrontit, Kolida tha – ‘vërtet a do të thotë kjo se do të largoheni pa e kënduar asnjë këngë’? Dhe këndoi. Mustafë, këtë ma thanë disa dëshmitarë të pranishëm dhe seriozë.

Edhe pse, konsideroj, dhe këtë pa pikë cinizmi se të ngarkuarit me punë janë masë reale e marrëdhënieve midis dy shteteve në këtë gjendje (siç janë ‘oficerët për ndërlidhje’ masë e marrëdhënieve ‘diplomatike’ midis Beogradit dhe Prishtinës) sepse tani njëmend është e pakuptueshme që marrëdhëniet gjithnjë të kthehen prapa e pastaj përsëri nga fillimi të mbahet edhe një ‘takim historik’ i radhës. Vizita e fundit ishte në shkurt kur Vuçiçi e vizitoi Zagrebin.

Në ndërkohë u arrestua por edhe më pas u lirua edhe gjenerali boshnjak Atif Dudakoviç – Komandant i Korpusit të Pestë i Armatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (me karakter mysliman dhe boshnjak). Që ndoshta ta kuptosh më mirë karakterin e luftës në hapësirat e shtetit të dikurshëm të Titos, është interesant, ta dish, Mustafë, që në Armatën Popullore të Jugosllavisë së Titos – në qendrën artilerike të shkollës në qytetin bregdetar Zarë kolegët ishin dhe pothuajse atje e pritën luftën – gjenerali i mëpastajshëm serb Momçilo Perishiçi, gjenerali i mëpastajshëm kroat Milivoj Petkoviç, gjenerali i mëpastajshëm boshnjak, Atif Dudakoviçi i përmendur, dhe gjenerali i mëpastajshëm shqiptar Agim Çeku, i cili më parë luftoi edhe në Ushtrinë e Tugjmanit. Lidhur me këtë vitin e kaluar e shkroi një tekst mjaft të mirë producenti i Beogradit nga fusha e kulturës Zlatko Cërnogorac, i cili shërbimin e rregullt ushtarak e kreu nga shtatori i vitit 1990 deri nga mesi i vitit 1991 në Zarë, pra në kohën kur filloi agonia dhe kur i pa drejtpërsëdrejti të gjithë ata gjeneralët e mëpastajmë të ushtrive kombëtare me pesëcepëshin e kuq në shapkë. Rekomandoj që ky tekst të përkthehet në gjuhën shqipe. Ja, unë, i dashur Mustafë, gjithashtu e kam mbaruar shërbimin ushtarak në klasën e shtatorit 1989-1990, që ishte klasa e fundit e kohës së paqes, kurse në kazermën në të cilën kam qenë, dy vjet më parë (qyteti Pirot, gjendet në Serbinë Lindore), afatin ushtarak e kreu, e dini kush, vetë Ramush Haradinaj, dhe këtë ma tha kolegu im nga Novi Sadi Robert Çobani, i cili ishte “në të njëjtën klasë me Ramushin”, gjithashtu e shkroi një tekst në të cilin theksoi se Ramushi e kishte gradën e dhjetarit dhe që nga shqiptarët në atë çetë ishte i vetmi që e dinte serbishten.

Mustafë, nuk di a e përcolle intervistën të cilën para pak kohe e bëri me Haradinajn në Prishtinë gazetari i njohur serb të cilit Vuçiçi i beson shumë – Milomir Mariçin, por në çarshinë e Beogradit i prirur për konspirologji, u interpretua se edhe kjo ishte marrëveshje në kuptimin që të tregohet ‘ana më e mirë e Ramushit’, sepse ndoshta nesër pikërisht me të do të nënshkruhet ndonjë gjë e mirë, edhe pse sot do ta arrestonin nëse do të paraqitej në Serbi. Së paku kështu thonë personat kompetentë. Por meqenëse ai kryesisht këtu është ‘gjakatar’ do të duhej disi të bëhet ‘gjakatar simpatik’. Por, raporti me Kroacinë e banalizoi edhe këtë, kurse çarisha paranoike flet se me Kroacinë përsëri po duan ‘ta tërheqin vëmendjen nga Kosova’. Edhe pse, kinse edhe politika e brendshme kroate nuk mund të jetë një kohë të gjatë pa dozën ‘e infuzionit të elektrolitëve serbë’.

Më shkruan, i dashur Mustafë, se e vizitove Preshevën dhe Bujanocin dhe i përcolle përshtypjet se atje atmosfera është sikur ta prisnin Godon e Beketit. Sa i përket çelësit të Beketit, vetëm akti i pritjes është ‘konflikt i ngrirë’, por nëse vjen, Godoja do të vijë në një ambient euforik ‘të rrethanave qenësisht të ndryshuara gjeopolitike’. Dhe ai Godo me siguri do të mund të fliste rusisht. Tabloidet, këtu kanë ndikim të madh, e krijojnë kultin e personalitetit të Putinit sepse shpresën e kanë te ai dhe te forca e armëve ruse. Bëjnë thirrje madje edhe për Luftën e Tretë Botërore në të cilën serbët me siguri do të mund ta kthenin prapa Kosovën.

Kur është fjala për Beketin dhe Godon, po ta tërheq vëmendjen për një regjisor të jashtëzakonshëm serb me reputacion ndërkombëtar. Ai është Goran Paskaleviç. Në ‘Rojën e tij të plazhit’ në periudhën e dimrit’ (1976), një djaloshi babai i tij vazhdimisht i flet se “Do të vijë Dunjiçi’ dhe që do ta marrë me vete në Suedi. Në fund Dunjiçi vërtet shkoi. Dhe siç më tha me një rast regjisori, Dunjiçi ishte i inspiruar me Godon, dhe kjo ishte krejtësisht gjë e natyrshme sepse gjeneratat e reja në atë kohë kot e prisnin ndonjë ditë më të mirë për të nesërmen. Për optimistin e mençur metafora është krejtësisht e qartë. A e ka Vuçiçi engjëllin e vet të mirë – Dunjiçin?

Po ta tërheq vëmendjen, Mustafë, edhe për filmin e Paskaleviçit ‘Muaji i mjaltit’ (2009) për të cilin në vitin 2011, e mori Çmimin ‘Fisniku i artë’ në festivalin në fjalë në qytetin rus Kursk. Kryetari festivalit ishte Nikita Mihalkov. Kuptimi është në faktin se ‘Muaji i mjaltit’ është filmi serbo-shqiptar i cili i përcjell dy çifte të rinjsh të cilët duan ta braktisin vendin e vet dhe të kërkojnë jetë më të mirë në Evropën Perëndimore. Kur çifti i ri shqiptar pas shumë peripecish arrin në portin italian, Bari (aty Ylli im i Kuq në vitin 1991 e fitoi kupën e kampionit kundër Olimpikut nga Marseli), u krijuan problemet e paparashikuara. Një gjë e ngjashme ndodh edhe me çiftin serb kur arrin në kufirin hungarez. Edhe pse nuk kanë kurrfarë lidhjeje me vrasjen e dy ushtarëve italianë të KFOR-it në Kosovë, edhe njërin edhe çiftin tjetër i ndalin në kufi të dyshuar për shkak të disa rrethanave fatkeqe. Kjo i parandaloi që, së paku për një çast, t’i realizonin ëndrrat e veta, ashtu siç në hapësirat ballkanike kjo ndodh shpesh që të rinjtë t’i paguajnë llogaritë për mëkatet e gjeneratave të mëparshme.

Edhe pse kjo ‘Zona’ e jona (rajoni) nuk është krejtësisht si në filmin e Tarkovskut, na nevojitet një lloj ciceroni dhe interpretuesi i nënvetëdijes historike – ‘stalkerit’

‘Kur agon dita’ (2012) është filmi i tretë i Paskaleviçit të cilin ta rekomandoj ta shikosh. Merret me temën e Holokaustit, kurse skenarin e shkroi shkrimtari i njohur serb Filip Davidi. Aty ku ishte kampi nazist i përqendrimit (vendndodhja e filmit) Milan Stojadinoviçi, kryetar i Qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, i filmuar në shtator të vitit 1938 atëherë në panairin e Beogradit të ri (sot ‘panairi i vjetër’), dhe këtë në standin e Filipsit holandez. Ky është takimi i parë i beogradasve me televizionin. Natyrisht, tërë kjo u krijua në nivel eksperimental. Atëherë Filipsi e montoi stacionin e parë televiziv me studio, nga gjatë kohëzgjatjes së panairit të vjeshtës, për herë të parë në Ballkan u emituan emisionet TV, me pjesëmarrjen e aktorëve të kryeqytetit. Dhe shikojeni tani, nuk kaluan as disa vjet që në atë vend mrekullitë e teknikës u zëvendësuan me barbarizëm. Sa e hollë është vija nga feja në progres deri te përmbysja në barabarizëm.

Pikërisht kjo në shpërbërjen e Jugosllavisë ishte gjëja më e neveritshme – kjo përmbysje e ngutshme në barbarizëm. Bashkë me të gjitha përvojat si ajo në Zarë për katër gjeneralë. Edhe kjo ndjenjë se asgjë as sot nuk ka marrë fund. Se ekziston vrima e zezë e historisë së Ballkanit që me gravitetin e vet i përthith narrativat dhe që si çdo vrimë e zezë nuk ia lejon as dritës që të ikën.

*Ky tekst është pjesë e programit të këmbimit të shtojcave midis gazetës Danas nga Beogradi dhe gazetës MAPO nga Tirana, me qëllim të përparimit të komunikimit dhe mirëkuptimit më të mirë të ndërsjellë të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBS-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, përfundimet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorit (korrespondencën e zhvillojnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviçi) të shprehura në këtë artikull nuk e paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë ose Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).

E përktheu Naile Mala-Imami

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kuvendi voton kundër arrestimit të Tahirit

Kuvendi miratoi me 75 vota pro raportin e mazhorancës në Këshillin e...
Read More