Kursi i parë i arkitekturës në UET nis me porositë e Maks Velos

Universiteti Europian i Tiranës prezanton Departamentin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë: 10 profesionistë të njohur bëhen pjesë e ekipit akademik

Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e UET është prezantuar ekipi i ri i Departamentit të Arkitekturës, i përbërë nga pedagogë dhe profesionistë në profilet përkatëse. Pjesë e ekipit akademik do të jenë edhe dhjetë profesionistë të njohur të Arkitekturës dhe Inxhinierisë. Këta dhjetë personalitete do të jenë pjesë përbërëse e mentorshipit dhe e formimit të studentëve të arkitekturës dhe inxhinierisë në UET.
Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, është një nga dy fakultetet e reja në UET. Arkitektura është një diplomë e integruar pesëvjeçare, me profilet përkatëse. Krahas saj ky fakultet ofron një sërë degësh inxhinierike. Ka qenë një punë intensive dyvjeçare ajo e përgatitjes së programeve, e mbështetur nga një numër i madh personalitetesh të fushës. Hapja e programit të integruar të ciklit të dytë në “Arkitekturë” kontribuon në nevojat e tregut dhe plotëson kërkesat e standardeve shtetërore të cilësisë për formimin e ekspertëve të nivelit të lartë në fushën e projektimit.
Përgjegjësja e Departamentit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë, dr. Otjela Lubonja, u shpreh se mundësitë e zgjedhjes janë disa, si në ciklin Bachelor ashtu edhe Master.
“Degët që ofron Departamenti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë, në ciklin Bachelor janë, Inxhinieri Ndërtimi dhe Inxhinieri Industriale. Ndërkohë që për studentët ofrohet Master Shkencor në Inxhinieri Ndërtimi dhe Master i Shkencave në Inxhinierinë Industriale. Arkitektura është diplomë e integruar 5-vjeçare”, ka thënë dr. Lubonja.
Ajo ka shpjeguar se në veçanti dega e Arkitekturës sjell mundësinë që studenti të profilizohet në vitin e fundit të studimeve të tij.
“Kryesorja e kësaj dege është shumëllojshmëria e profileve që ofron të cilat janë mjaft të kërkuara sot në treg, si: Arkitekturë Interieri, Urbanistikë, Restaurim Monumentesh, Administrim Territori dhe Menaxhim dhe Vlerësim Projektesh”.
Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të Departamentit të Arkitekturës ishin një numër i madh figurash të shquara të fushës. Universiteti Europian i Tiranës, krahas prezantimit të ekipit, ka nderuar me çmimin e Presidentit, arkitektin e njohur Maks Velo.
“Kam kënaqësinë për të dhënë çmimin e Presidentit, për profesor Maks Velon që e njohim të gjithë, edhe si arkitekt, edhe si piktor, edhe si publicist, me motivacionin për kontributin që i ka dhënë të gjithë shoqërisë shqiptare në studimet dhe botimet në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës”, -tha Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici.
Maks Velo vlerësoi çmimin e marrë dhe u shpreh se hapja e degës së Arkitekturës në UET është një iniciativë shumë e vlefshme për shoqërinë.
“Unë mendoj që fakulteti ka mundësi të zhvillohet mirë po të zhvillohet ndryshe nga fakultetet e tjera. Arkitektura ka një veçanti. Është si puna e shkollës së priftërinjve. Është frymë. Është frymë, krahas anës teknike. Dhe këtë gjë ju mund ta bëni. Besoj që shkolla duhet të shkojë mirë, të futet në kanale të mira dhe të jetë ndryshe nga fakultetet e tjera dhe kjo mund të japë një përparësi për të nxjerrë arkitektë të mirë”, -tha Velo.

Ekipi i Departamentit të Arkitekturës, do të ketë pjesë të tij dhjetë profesionistë të njohur të fushës: Arben Biçoku, Arkitekt, Faruk Kaba, Inxhinier, Gjergj Thomaim, Arkitekt, Ihsan Prushi, Arkitekt, Ilir Loli, Arkitekt, Luljeta Bozo, Inxhiniere, Pirro Bedo Inxhinier, Sotiraq Pandazi, Inxhinier, Spartak Bakllamaja, Arkitekt, Vladimir Pengu, Arkitekt. Janë këta emrat të cilët do të kontribuojnë në formimin sa më cilësor të studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë në degën e Arkitekturës ose Inxhinierive.
Arkitekti i njohur prof. dr. Arben Biçoku u shpreh: “Së pari, i uroj UET suksese në degën e re të arkitekturës. Nuk do të jetë e thjeshtë por një sfidë. Unë uroj së pari, atë që quhet lëndë e parë që janë studentë, është kjo baza që krijon një premisë dhe së dyti, mbështes idenë e Maksit që për ta bërë më mirë se të tjerët duhet ta bënin ndryshe”.
Ndërsa inxhinierja Luljeta Bozo tha se: “Po e hapni këtë degë të re. Arkitektura paraprin dhe ka një gjë të mirë se ka në shumë universitete dhe kur ka konkurrencë ka zhvillim. Ju uroj shumë suksese. Arkitekti nuk e ka vendin që i takon në zhvillimin e gjithanshëm në Shqipëri. Përpiqemi që ata kudo që janë të bëjmë diçka për ta çuar në vendin ku duhet. Arkitekti e krijon veprën dhe të tjerët i shkojnë mbrapa”.

Ja çfarë thotë Maks Velo…

Unë zakonisht nuk kam marr çmime. Në emisionin e fundit, ‘Provokacija’, Muçi më tha, Maksi po ti i ke humbur të tëra betejat. Po, i thashë unë. Nuk e di në konfirmon ndonjë betejë…
Dy fjalë për këtë gjë. Me Çilin njihemi prej kohësh dhe ka një karakteristikë që është shumë i sigurt në ëndrrat e veta, këtu është problemi. Dhe çuditërisht i realizon, këtu pastaj është e dyta. Sigurisht, që të kesh një fakultet arkitekture është një luks. Të gjithë i tentojnë fakultetet e arkitekturës. Pse është luks? Është sepse arkitektura dominon jetën. Nëse ke arkitektë të mirë, urbanistë të mirë, atëherë ke një shtet të mirë. Këtë katrahurë që kemi ne, tregon se neve nuk na funksionoi arkitektura. Sigurisht që nuk ishin vetëm kompetencat intelektuale të arkitektëve dhe urbanistëve. Është gjithë shoqëria se si sillet me arkitektët. Si po sillet edhe sot me arkitektët parlamenti që vendos për teatrin. Nuk ka rast në botë, që parlamenti të vendosë për një ndërtim. Kemi 340 mijë ndërtime pa leje, kemi rreth 100 mijë ndërtime të prishura. Kemi një kaos vizual, një kaos material, një kaos urbanistik të pashembullt, që s’ka ngjarë asnjëherë. Dhe ky nuk ishte faji vetëm i arkitektëve. Sigurisht arkitektët dhe urbanistët kanë pjesën e tyre dhe me rëndësi është që nëse ne do përgatisim arkitektë të tjerë të cilët të kenë koshiencën e profesionit. Këtu është problemi. Arkitektura është një profesion me një vlerë të madhe, me një kosto shumë të madhe për shoqërinë. E pazëvendësueshme dhe që kjo i bën arkitektët të jenë nga ana morale shumë të ndërgjegjshëm. Duhet të jenë, të mos shiten. Unë, kur promovuam atë librin, thashë këtë gjë, Shqipërinë e kanë prishur komunarët, bashkiakët dhe nuk thashë edhe kryeministrat. Dhe thashë që ai komunari i Selitës është më i rëndësishëm se bashkiaku i New Yorkut, se atëherë ishte Bloombergu dhe ai nuk dha ndonjë leje ndërtimi, ai zuri pjesën më të mirë të Ballkanit. Selita ishte një territor, dhe tani të shkosh atje është një llahtar. Përse, sepse iu la në dorë një kryekomunari. Një kryeplaku, një fshatari. Dhe kjo është një mangësi institucionale. Pse iu la?! Sepse shënohet pavarësia e autoriteteve lokale, por një kryeplak në Britani apo në Francë nuk të bën një gjëmë të tillë. Kurse ky tha, për çdo ndërtim nga 2 milionë, 5 milionë, dhe bëni ç’të doni. Pra këtu janë të pleksura shumë gjëra. Unë mendoj që fakulteti ka mundësi të zhvillohet mirë po të zhvillohet ndryshe nga fakultetet e tjera. Arkitektura ka një veçanti. Është si puna e shkollës së priftërinjve. Është frymë. Është frymë, krahas anës teknike. Dhe këtë gjë ju mund ta bëni. Besoj që shkolla duhet të shkojë mirë, të futet në kanale të mira dhe të jetë ndryshe nga fakultetet e tjera dhe kjo mund të japë një përparësi për të nxjerrë arkitektë të mirë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PS, ‘dakord’ me vettingun në politikë, por…

Opozita dorëzon në Kuvend amendamentet kushtetuese që do të mundësojnë sipas saj...
Read More