Kush dorëhiqet shpëton nga vettingu, por Lu i “kujton” Llallës procedimin penal

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu komenton dorëheqjen e Llallës. Lu: “Ata që kanë frikë nga vettingu, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”. KPK ndërpret procedurat e vettingut për Besnik Imerajn, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese që dha dorëheqjen dhjetë ditë më parë.

Cilido gjyqtar apo prokuror në çdo nivel të sistemit të sistemit të drejtësisë që jep dorëheqjen, qoftë edhe në këtë periudhë, shpëton nga vettingu. Ky lajm tashmë është i konfirmuar dje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, (KPK), institucioni i cili merret me vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se trupa gjykuese, e përbërë nga Brunilda Bekteshi (kryesuese), Etleda Çiftja (anëtare) dhe Genta Tafa (Bungo) (relatore), pasi mori dijeni për vendimin nr. 2, datë 31.01.2018 të Gjykatës Kushtetuese, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 14, datë 06.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ka vendosur ndërprerjen e procedurave të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Besnik Imeraj”. Kështu thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke ezauruar dilemën nëse gjyqtarët që tërhiqen në këtë periudhë përfshihen ose jo në procesin e vettingut. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj dha dorëheqjen dhjetë ditë më parë dhe gjerësisht u komentua si një tërheqje për t’i shpëtuar vettingut. Një tjetër emër që iu bashkua dorëheqjeve ishte edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilët tashmë janë të “amnistuar” nga vettingu. Por kjo lëvizje e tij ka rikthyer përplasjet e vjetra me Ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili “paralajmëron” ish-prokurorin Adriatik Llalla se edhe nëse bën lëvizje për të mos kaluar nga procesi i vettingut, kjo nuk e pengon drejtësinë për ndjekje të mundshme penale për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. I pyetur nga “BW” për dorëheqjen e Llallës, Lu ka bërë një koment disi diplomatik, duke mos i përmendur emrin, por la të kuptohet se frika nga vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar është e madhe. “Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, -tha ambasadori Lu. Ai shtoi se drejtësia do të veprojë edhe nëse japin dorëheqje dhe ikin nga frika e vettingut nga sistemi i drejtësisë. “Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vettingu, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori.

Ikja nga vettingu

Të shtunën e kaluar ish-kryeprokurori Adriatik Llalla paraqiti kërkesën e dorëheqjes nga pozicioni i Gjyqtarit të Apelit. Ligji e parashikon që Prokurori i Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit bëhet pjesë e sistemit të drejtësisë, duke u emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Llalla e refuzoi këtë post dhe njëkohësisht me aktin e dorëheqjes, drejt Komisionit të Pavarur të Kualifikimit bëri kërkesë që të ndërpritej procesi i vettingut për të. E gjithë kjo lëvizje duket se u bë nga ana e ish-kryeprokurorit për të shmangur verifikimin, kryesisht atë që lidhet me justifikimin e pasurisë. Në të njëjtën “udhë” me Llallën janë edhe ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të cilët dhanë dorëheqjen para se të kalonin nën filtrin e vettingut. Deri pak ditë më parë juristët ishin në dilemë sesi do të veprohet me funksionarët e drejtësisë të cilët japin dorëheqjen para se të publikohen rezultatet e vettingut. “Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji… Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit”, thuhej në një nga nenet e Kushtetutës, duke iu referuar Reformës në Drejtësi. Por ky nen u analizua nga Gjykata Kushtetuese, kur vitin e kaluar dy shoqatat e gjyqtarëve që veprojnë në Shqipëri, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndër të tjera dhe shprehjen “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Në vendimin e saj të dhjetorit të kaluar, Gjykata nuk e ka marrë parasysh kërkesën për shfuqizim, duke e quajtur nenin plotësisht kushtetues, por në interpretimin e saj Gjykata thekson se “për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”. Mjaftoi kjo “kleçkë” e vogël që interpretoi kushtetuesja për të “shpëtuar” veten dhe subjekte të tjera që janë të përfshira në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në rast dorëheqjeje. Pavarësisht se një betejë jo e vogël është fituar nga drejtësia aktuale, Ambasadori Amerikan në Tiranë Donald Lu është i bindur se kushdo që ta shkelur ligjin, pavarësisht tërheqjes do të përballet një ditë me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

Konfliktet Lu-Lalla

Për të çuar deri në fund konfliktin disi të hershëm, Ambasada Amerikane në Tiranë i refuzoi vizën dy vjet më parë ish-kryeprokurorit dhe disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të akuzuar në media për korrupsion. Kaq mjaftoi që Llalla të zbrazej në një studio televizive. Ai akuzoi ambasadorin amerikan se kishte ndërhyrë për çështjen e shpërthimit të dy puseve të naftës që menaxhoheshin nga kompania “Bankers Petrolium”, në mënyrë që të ndërpriteshin hetimet. “Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i referohet ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”, reagoi Prokuroria e Përgjithshme. Para se çështja të shpërthente publikisht, Llalla i kishte shkruar presidentit të vendit se veprimi i ambasadorit Lu, duke mos i dhënë vizë atij dhe një grupi të madh prokurorësh, është në kundërshtim me rregullat ndërkombëtarë dhe një veprim aspak diplomatik. Ndonëse ngjan si kohë e shkuar, konflikti ka mbetur ende i pranishëm, ku jo më larg se dje Lu i ka kujtuar ish-kryeprokurorit përballjen me drejtësinë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka motor ekonomik programi i “Rama 2”?

Premtimi më ambicioz i qeverisë është rritja ekonomike në nivelin 5,5-6 %...
Read More