Kush e humbi avionin e negociatave?!

51-avioni-me-merkelinShqipëria nuk mundi të kalonte në stacionin e radhës për në BE, një rutinë që e ka bërë të duket gati i paarritshëm integrimi për shumë shqiptarë. Qeveria humbi një nga letrat që mund të përdorte në zgjedhje dhe si mburojë ndaj sulmeve për dështime, opozita do të duhet të mbrohet ndaj akuzave për sabotim. E ardhmja e procesit mbetet e paqartë. Flasin: Grida Duma, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në PD dhe Gentian Elezi, ish-zëvendësministër i Integrimit

Nga Vladimir Karaj

Optimistët e shtynë edhe me një vit hapjen e negociatave me BE. Edhe vetë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati pranon se ajo që pritej këtë vjeshtë si karota për miratimin e Reformës në Drejtësi, mund të ndodhë vetëm në pranverë të 2018-ës, nëse vendi avancon siç duhet dhe nëse ligjet e miratuara zbatohen. Vettingu duket si baza kryesore në të cilën pritet të mbështetet vlerësimi i ri, nëse gjithçka tjetër shkon mirë, por shtyrja qoftë për procedurë implikon se në shqyrtim do të jenë edhe zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet siç sqaroi edhe ambasadorja e BE në Tiranë gjatë një interviste për “Top Story” nuk janë kusht më vete, por është kusht i përhershëm nëse vendi synon të integrohet. “Sa u përket zgjedhjeve, kjo ka të bëjë me demokracinë. Nuk është kusht në vetvete, por ne e marrim për të mirëqenë, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë të bëjnë me vlerat demokratike të një vendi”, tha Romana Vlahutin.

Vlahutin sidoqoftë i mëshoi mesazhit për Reformën në Drejtësi. “Është e qartë, Vettingu nuk mund të negociohet. Ai duhet të fillojë dhe duhet madje të japë disa rezultate në mënyrë që Komisioni të rikonfirmojë rekomandimin e vet”, tha ajo për Sokol Ballën në “Top Story”. Shtyrja me të paktën një vit e procesit sidoqoftë ka trazuar politikën në vend. Ndërkohë përtej akuzave të palëve dhe vlerësimeve të ndryshme mbi raportin duket se qeveria ka humbur “Asin” që mund ta përdorte në zgjedhjet e vitit që vjen.

Sherrnaja politike

Kjo qasje e BE që njëkohësisht i jep të drejtën Shqipërisë të jetë në shqyrtim për hapjen e negociatave në çdo kohë, por nga ana tjetër po ashtu e bën të qartë se do duhet të kalohen zgjedhjet për rishqyrtimin, i mban politikisht të dyja palët politike në vend edhe pse siç është bërë traditë qëndrimi i tyre është krejt i kundërt.

“Asnjëherë në 26 vite, dhe për herë të parë në këto 26 vite, gjashtë muaj para zgjedhjeve, Bashkimi Europian i jep këtë shuplakë qeverisjes duke e kujtuar se nuk ka plotësuar asnjë nga 5 prioritetet kyçe dhe se ka probleme të rënda me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, me luftën kundër krimit dhe drogës në veçanti, dhe me luftën kundër korrupsionit”, shkroi Lulzim Basha në një deklaratë menjëherë pas bërjes publike të opinionit.

Në krahun tjetër qeveria shpalli se kishte marrë rekomandim pozitiv dhe se Këshilli i BE kishte miratuar raport-progresin, i cili ishte po ashtu pozitiv për vendin, ndërsa mospasje date për negociatat u argumentua me bllokimin e ligjit të vettingut. “Përpjekja e bllokuesve të Reformës në Drejtësi për të çoroditur shqiptarët me gënjeshtra për qëndrimin e BE-së ndaj Shqipërisë, është e përditshme dhe përbaltja e paepur e vendit prej tyre është mbresëlënëse!”, shkroi Edi Rama. Kryeministri vijon të mbajë pozicionin se raporti i progresit i miratuar edhe nga Këshilli i BE është pozitiv për vendin e për rrjedhojë edhe për qeverinë.

Kjo lojë është e vjetër tashmë dhe e bezdisshme për shqiptarët. Terminologjia që shpjegon avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, është bërë prej kohësh jo-domethënëse. “Negociata, progres-raport, status kandidat”. Për shumë shqiptarë kjo nuk thotë asgjë, ajo nuk ndryshon gjendjen e tyre ekonomike dhe as nuk duket se u mundëson atyre mundësi të reja për ta ndryshuar atë. Nga ana tjetër për politikën çdo interpretim ose ngjyrë në raportet të BE, sidomos nga institucione si Këshilli i Bashkimit Europian është gati jetik. Qëndrimi i të tretëve (në këtë rast BE) mbi gjendjen në vend, përdoret si konfirmim i asaj që palët politike thonë, në përpjekje për t’i dhënë asaj besueshmëri. Nevoja për ta pasur këtë qëndrim në krahun e tyre ka sjellë thuajse gjithmonë lexime krejt të kundërta, ndërsa për shkak ftohtësisë së gjuhës së BE raportet vetë janë shumë më të vërteta se qëndrimet mbi to.

E njëjta mund të thuhet edhe për raportin e fundit, i cili ndryshe nga sa interpretohet prej palëve është diçka më në mes. Konkluzioni i përgjithshëm se vendi ka bërë progres, mund të lexohet në favor të qeverisë, por nga ana tjetër raporti ishte kujdesur ta bëjë të qartë se progresi nuk ka qenë domethënës dhe theksi i tij mbi korrupsionin, krimin e organizuar e të ngjashme i shkon për shtat akuzave të opozitës. Vettingu, që është si fjalë kyçe në gjithë këtë përplasje mbetet ende në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i kësaj të fundit edhe pse ripremtoi një shqyrtim të shpejtë, kujtoi publikisht se gjykata e sulmuar publikisht se mund të pengonte procesin, kishte kohë deri në një vit, ndërsa sipas tij kishte lëvizur me shpejtësi në këtë rast. Ndërsa tha se gjykata ende nuk ka marrë opinionin e Komisionit të Venecias zyrtarisht, Bashkim Dedja vuri në dukje se ai ishte “shqyrtuar në një kohë rekord”. Dedja tha se Gjykata Kushtetuese ishte padrejtësisht nën sulm si penguese e integrimit dhe se po padrejtësisht imazhi për pjesën tjetër të gjyqësorit i adresohej edhe asaj. E thënë kjo qeveria që ishte më optimiste duket se ka humbur të paktën publikisht mundësinë për të përdorur një hap drejt BE në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa opozita do duhet sërish t’u qëndrojë akuzave se po saboton këtë hap të vendit.

Ku shkohet prej këtej

Por ish-zëvendësministrja e Integrimit dhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, i tha MAPO dje se debati i bërë në këtë mënyrë kishte anashkaluar thelbin e asaj që duhet të presin shqiptarët nga negociatat dhe ishte fokusuar te populizmi elektoral. “Ajo që do të vazhdoj të vë theksin në hapjen e negociatave për Shqipërinë është kapacitetet tona dhe strategjia jonë për t’i kthyer në benefit të plotë dhe sa më të shpejtë për Shqipërinë. Është themelore të përcaktojmë dhe të dimë kush janë njerëzit që do të jenë negociatorët profesionistë në këtë proces?!”, tha Duma. Ajo vë po ashtu në pikëpyetje faktin nëse vendi ka tashmë negociatorë që do mbronin me profesionalizëm interesat e tij në negociatat që nuk janë një proces i thjeshtë, ndërsa vë theksin në përgatitjen e ekonomisë. “Çështja e dytë themelore është a po përgatitet ekonomia shqiptare duke përcaktuar me cilat produkte apo sektorë do të përballojë hyrjen në tregun europian pas afro dhjetë vjetësh! Asnjëra nga këto dy çështje themelore nuk po adresohet si duhet. Për këtë hapja e negociatave duhet parë çfarë është në thelb jo si mund të përdoret në sipërfaqe për populizëm politik”, thotë Duma.

Sa u përket afateve Duma po ashtu beson se në skenarin më optimist, pra nëse gjithçka shkon mirë përfshi zgjedhjet e vitit që vjen, rishikimi do të bëhet në dhjetor të 2017 dhe vendi do mund të ketë një datë në pranverë të 2018-ës. “Pra, duke përllogaritur kohët e domosdoshme skenari më pozitiv do të ishte pranvera e 2018. Kjo e gjitha nëse gjithçka shkon shkëlqyer gjatë zgjedhjeve dhe vijueshmëria progresive e prioriteteve të tjera. Pyetjes suaj se çfarë mund të bëhet në këto kushte, është të kuptojmë rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve që ato të jenë në standardin e kërkuar”, tha ajo duke përllogaritur faktin se raporti i radhës do të reflektojë edhe se si do të shkojnë zgjedhjet e reja në vend.

Edhe ish-zëvendësministri i Integrimit Gentian Elezi, i cili mbajti këtë detyrë deri në muajt e fundit, pranon se zgjedhjet edhe pse nuk janë një kusht më vete, do jenë të përfshira në raportin e komisionit për të riparë statusin e Shqipërisë. “Zgjedhjet nuk janë kusht specifikisht për negociatat, por zgjedhjet janë pjesë e Kritereve të Kopenhagenit dhe janë kusht për gjithë ecurinë e procesit në vijim”, thotë Elezi, i cili është tani në pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Institutit Agenda.

Elezi përndryshe e sheh raportin si pozitiv për vendin. “Rekomandimi i Komisionit Europian është një lajm i mirë për vendin, sidomos për faktin që në raport është përcaktuar qartë elementi që duhet përmbushur për avancimin në fazën e mëpasshme të negociatave, pra zbatimi i ligjit të “vettingut”… vendet anëtare kanë lënë një hapësirë në përfundimet e tyre, pasi shprehin gatishmërinë që të marrin në shqyrtim një tjetër raport të Komisionit edhe para publikimit të paketës tjetër të zgjerimit, nëse Shqipëria ecën përpara me zbatimin e reformës në drejtësi gjatë vitit 2017”, tha ai për MAPO. Por ashtu si Duma edhe Elezi janë dakord që skenari më optimist është që Shqipëria të marrë një lajm pozitiv pas zgjedhjeve të 2017-ës.

Ndërkohë “Politico”, një media e stacionuar në Bruksel e cila ishte “optimiste” e renditi Shqipërinë në vendin e parë si kandidate me mundësi më të mira në rajon për t’u anëtarësuar në BE deri në 2025. Dekada si limit është vënë edhe më parë për vendin dhe koha është shtyrë në vazhdim. Duma i tha MAPO se vetë procesi i negociatave është shumë i paparashikueshëm: “Ju kujtoj që për vende si Suedia apo Austria negociatat kanë zgjatur 3 vjet, ndërsa për Kroacinë negociatat zgjatën 11 vjet apo për Maqedoninë 13 vjet. Çka do të thotë që ndonëse theksohet shumë që hapja e negociatave do të na sigurojë standardet, hapja dhe mbyllja e një kapitulli mund të zgjasë për shumë vite nëse ritmi i progresit tonë është i tillë”, tha ajo.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Transplanti i parë i penisit: Ia morën organin një trupi të vdekur

Një 64-vjeçar amerikan është bërë i pari në vendin e tij që...
Read More