Kush është pas 2 të rinjve që “zhdoganuan” 613 kg kokainë

Kreu i Policisë së Shtetit tha se sasia prej 613 kg kokaine kapte vlerën e 180 milionë eurove me çmimin e tregut. Droga e futur në një kontejner bananesh është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Politika replikon për operacionin. Rama: E kapëm pa ndihmën e vendeve europiane. Basha: Cilit klan të drogës t’i besojmë?

Një sasi rekord kokaine u sekuestrua nga policia në një magazinë fruta-perimesh në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, në Maminas. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një konferencë për mediat tha se ishin sekuestruar plot 613 kg kokainë e ardhur nga Kolumbia. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Më herët në Mal të Zi u sekuestruan 270 kg kokainë me destinacion Shqipërinë. Kokaina e pastër që sipas kreut të policisë kapte vlerën e 180 milionë eurove me çmimin e tregut ishte në një kontejner bananesh që kishte si destinacion final Shqipërinë. Bananet ishin porositur në Kolumbi nga kompania shqiptare “Arbër Garden” me seli në Maminas, ndërsa ngarkesa kishte mbërritur në portin e Durrësit me një anije tregtare më 19 shkurt. Për rreth 9 ditë kontejneri ishte mbajtur në vëzhgim nga policia, teksa qëndronte në Portin e Durrësit në pritje për t’u zhdoganuar nga kompania porositëse. Pas 9 ditësh, më datë 27 shkurt, në Portin e Durrësit është paraqitur menaxheri i kompanisë “Arbër Garden” Donaldo Lushaj, i cili ka kryer procedurat e zhdoganimit të ngarkesës me banane. Bëhet fjalë për rreth 20 tonë banane të cilat ishin nisur nga Kolumbia me anije dhe pasi kanë kaluar oqeanin Atlantik kanë kaluar tranzit në Itali dhe Maltë, për t’u shkarkuar më pas në portin e Durrësit. Pas procedurave të zhdoganimit, 25-vjeçari Lushaj ka dërguar në port shtetasin Armando Peza, shofer kamioni për llogari të kompanisë së transportit “Pelikani Transport”. Kontejneri është ngarkuar në kamion dhe rreth pasdites së 27 shkurtit është nisur drejt magazinave të kompanisë “Arbër Garden”, e cila kryesisht ka aktivitet në fushën e import-eksportit të frutave dhe perimeve. Sipas të dhënave të qendrës kombëtare të biznesit kjo kompani ushtron aktivitetin tregtar që prej vitit 2012, ndërsa për pak kohë ka qenë me aktivitet të pezulluar. Të dhënat tregojnë se adresa e saj kryesore është në rrugën dytësore të Maminasit, në Durrës, në zonën kadastrale me nr. 328/44. Sapo kamioni me drejtues 25-vjeçarin Armando Peza ka hyrë në ambientet e magazinave të kompanisë “Arbër Garden” kanë ndërhyrë forca të shumta policie të cilat kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e kamionit si dhe menaxherin e firmës. Pra sipas deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për sasinë rekord të kokainës së sekuestruar ndonjëherë në Shqipëri dhe vendet e rajonit, janë vetëm dy 25-vjeçarë të arrestuar. Lidhjet e tyre me ngarkesën e bananeve ku ndodhej dhe droga janë këto: Donaldo Lushaj është menaxheri i kompanisë “Arbër Garden” që kishte porositur sasinë prej 20 tonë bananesh dhe Armando Pezaku drejtuesi i kamionit të kompanisë “Pelikani Transport” që transportoi kontejnerin me banane nga porti në magazinat e kompanisë porositëse. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, hetimi për kapjen e sasisë rekord të kokainës është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut. “Kokaina ishte e fshehur në kontejner me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” sh.p.k., me pronar shtetasin A.Ç.”, -tha Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Shtetit. Nga kontrolli i ushtruar në kontejner rezultoi se në pjesën e dyfishtë ishin 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Për këtë ngjarje policia shpalli në kërkim pronarin e kompanisë “Arbër Garden” e cila ushtronte këtë veprimtari që prej vitit 2012 dhe kishte disa magazina në qytete të ndryshme të vendit. Pronari i identifikuar si Arbër Çekaj, 38 vjeç, lindur në Tropojë dhe Banues në Durrës nuk u gjet në Shqipëri. Të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se ai është larguar drejt Gjermanisë ku qëndron një pjesë të mirë të kohës, ndoshta edhe për shkak të bashkëshortes së tij të huaj. Por hetuesit janë të bindur se sasia rekord e kokainës nuk mund të jetë porositur nga një person i vetëm, aq më tepër pronari i një kompanie fruta-perimesh me kapital 20 milionë lekë të rinj. Çekaj mund të ketë vepruar për llogari të dikujt tjetër, një grupi apo një karteli që ka mundësi financiare të kryejë një transaksion të përmasave të tilla direkt nga kartelet kolumbiane të drogës. Por dyshimet shtohen edhe më shumë pas disa dokumenteve të publikuara nga kreu i Partisë Demokratike se kjo kompani kishte marrë plot 98 ngarkesa kryesisht me banane nga Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine. Një pjesë e mirë e këtyre ngarkesave e kalonte sasinë prej 20 tonë dhe kishin si destinacion magazinat e kompanisë “Arbër Garden” në Maminas.

Policia tha dje se kapja e drogës u bë pas analizës së riskut të punonjësve të hetimit doganor, ndërkohë që burime nga grupi hetimor shtojnë se dyshimet nisën të forcohen në momentin që u pa se itinerari i ngarkesës ishte Kolumbi-Itali-Maltë-Shqipëri. Ajo që përforcoi dyshimet kishte të bënte dhe me përgjimet e shoferit i cili në momentin e zhdoganimit ka raportuar në telefon se kjo hallkë u kalua.

Por pyetja që shtrohet pas këtij operacioni të suksesshëm të policisë shqiptare është: A ishte e gjitha meritë e institucioneve ligjzbatuese shqiptare apo partnerët e huaj informuan për kokainën që kishte si destinacion Shqipërinë? Kreu i Policisë së Shtetit tha se përveç bashkëpunimit me Hetimin Doganor, policia kishte siguruar edhe më parë informacione, por pa dhënë detaje se për çfarë bëhej fjalë konkretisht. Ndërsa kryeministri Rama mohoi që partnerët Europian të kishin dhënë informacione për ngarkesën me kokainë. Të njëjtën gjë pohoi edhe Prokurori Kombëtar i Antimafies Federico Cafiero de Raho, i cili tha se antimafia italiane nuk kishte ndihmuar në këtë operacion. Por vetëm katër ditë më parë, në një vizitë blic në Tiranë De Raho tha se ishte shqetësuese trafiku i kokainës dhe kanabisit nga Shqipëria, ndërsa shtoi se mafia shqiptare ka lidhje në politikë. Pikërisht ky është dyshimi i madh i hetuesve, por edhe specialistëve dhe ish-oficerëve të Policisë së Shtetit, të cilët pohojnë se askush nuk do të merrte guximin të sillte një ngarkesë të tillë kokainë ne Shqipëri pa marrë garanci nga politika apo institucione të zbatimit të ligjit. Kreu i Policisë së Shtetit u shfaq në konferencën për mediat në krah të drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj (të cilit sipas raportimeve në media pak ditë më parë ishte hequr edhe automjeti me të cilin lëvizte) dhe prokurorit që ka drejtuar hetimet, Edvin Kondili. Por as kreu i policisë dhe as drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk dhanë detaje për persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë histori. Ajo që konfirmohet deri tani është se për sasinë rekord prej 613 kg kokaine janë arrestuar vetëm dy 25-vjeçarë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

170 vegla muzikore popullore: Tradita jashtë vëmendjes institucionale

Shkas nga çelja e një ekspozite dhe botimit të një albumi/Fatkeqësisht duket...
Read More