Kush është Patriarku i Moskës: Zbardhet axhenda e vizitës në Tiranë

Nga data 28-30 prill, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të presë Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin. Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë,  pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.

Të shtunën, më 28 prill 2018, ora 16:00, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kirill në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më pas do të vijojë Dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.

Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare në MAK Albania Hotel.

Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.

Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.

Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me  Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë, me Shkëlqesinë  e Tij, Kryeministrin, z. Edi Rama. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999. Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepiskopi Anastas  është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).

Patriarku Kirill i Moskës dhe i Gjithë Rusisë

Shenjtëria e Tij, Patriarku Kirill i Moskës dhe i Gjithë Rusisë (emri në botë Vladimir M. Gundajev), lindi në Leningrad (sot Shën Peterburg), më 20 nëntor 1946 . I ati ishte prift, ndërsa gjyshi, edhe ai prift, kishte qenë i burgosur në kampin famëkeq të Solovkit dhe ishte persekutuar për besimin nga regjimi bolshevik.

Ai vazhdoi studimet në Seminarin e Leningradit dhe më pas në Akademinë Teologjike, ku u gradua cum laudenë vitin 1970.

Në 3 prill 1969, Mitropoliti Nikodim i Leningradit e qethi me emri Kirill dhe e dorëzoi si hierodhjakon.

Në vitin 1971 u ngrit në rangun e arqimandritit.

Nga viti 1974 deri më 1984 ishte Rektor i seminarit të Leningradit dhe i Akademië Teeologjike.

U dorëzua episkop më 14 mars 1976.

Në vitin 1989 u caktua drejtues i departamentit për marrëdhëniet me jashtë të Kishës Ruse dhe anëtar permanent i Sinodit të Shenjtë.

Në  27 janar, Asambleja Lokale e Kishës Ruse e zgjodhi Patriark të Moskës dhe të Gjithë Rusisë.

Që nga dorëzimi i tij ka mbajtur një sërë funksionesh nga më të lartat e Kishës Ruse, duke qenë shumë aktiv edhe në veprën shpirtërore, si autor i shumë librave, kumtesave dhe është nderuar për këtë me shumë tituj e çmime. Patriarku Kirill është dalluar edhe në veprimtaritë hierapostolike, duke qenë në moshë të re përfaqësuesi i parë i Kishës Ruse në Syndesmos, përfaqësues në Këshillin Botëror të Kishave, Konferencën Evropiane të Kishave, në organizatën Fetë për Paqen, në shumë konferenca e mbledhje panorthodhokse etj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Arta Marku, Kryeprokurorja e Përgjithshme rrëfen për punën dhe më shumë…

  Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka bërë komentet e...
Read More