Kush fiton nga ndërtimi i ‘kullave të Tiranës’?!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Pavarësisht argumenteve të deformuara të bashkisë Tiranë, argumenteve të oponentëve të saj dhe logjikës minimale që na drejton në moslejimin e ndërtimit të kullave të Tiranës, ato do të ndërtohen. Do të ndërtohen sepse kështu ka vendosur grushti i njerëzve që kanë monopolin e vendimmarrjes për çështjet e rëndësisë bazike në Shqipëri. Dhe nuk kanë vendosur sot, sikurse po na e paraqesin, porse që në hapat e parë të procesit të hartimit të atij dengu me tabakë të mëdhenj letre, që nuk e di pse e quajnë Plan Territorial të Përgjithshëm. Ajo që na mbetet, pas kësaj, është të opinionojmë mbi ‘kush do të fitojë’ nga lejimi i ndërtimit të këtyre kullave në qendër të qytetit.

E para e sigurt është se, nuk fiton Atdheu!

Ky multiprojekt, së bashku me gjithë valën ndërtimore të projektit Durranasan ku bën pjesë, ka për produkt koncentrimin e qytetarëve shqiptarë në Tiranë. Si rrjedhim logjik territoret periferike të Atdheut do të braktisen. Në kuptim të patriotizmit, kjo do të thotë lëshim i territorit kombëtar. Mirëpo, kjo ka edhe implikime në ekonominë kombëtare. Largimi i burimeve njerëzore, dhe në këtë kuptim edhe i burimeve financiare, nga burimet natyrore e territoriale është vrasje për lindjen e sipërmarrjes së lirë me bazë prodhimin. Dhe kjo lë peng, ekonominë kombëtare te modeli i ‘konsumit të produkteve të importit’, dhe shoqërinë te ‘papunësia e shkallës së gjerë’.

E dyta e sigurt është se, nuk fiton Tirana urbane!

Nëse do t’i bënim një vlerësim Tiranës urbane, vetëm me një fjali, do të thoshim se problemi i saj është se ka një raport të zhdrejtë midis volumeve të banimit dhe shërbimit me hapësirat publike e të hapura dhe infrastrukturave sociale dhe inxhinierike. Ky multiprojekt nuk bën gjë tjetër veçse e thellon këtë inbalancë sepse shton volumet ndërtimore të banimit dhe shërbimeve në qytet. Rrjedhimisht, vështirëson përdorimin human të qytetit dhe kjo ka implikime në stilin e jetesës së qytetarëve, shëndetin e tyre dhe ekonomitë familjare. Prurjet e reja njerëzore do të shoqërohen me thellim të heterogjenitetit, dhe kjo ka implikime negative në kohezionin social të Tiranës.

E treta e sigurt është se, nuk fitojnë qytetarët e sotëm të Tiranës!

Volumet e reja dëmtojnë cilësinë dhe stilin e jetës urbane të qytetarëve të sotëm. Implikimet kanë lidhje me rritjen e konkurrencës në tregun e punës, i cili edhe sot është shumë i deformuar, por edhe me konflikte potenciale ndërkulturore. Por ajo që i dëmton thellësisht qytetarët e Tiranës është implikimi që ky megaprojekt ka në tregun e pasurive të paluajtshme. Shumica e familjeve zotëron një pronësi të paluajtshme, vlera e të cilave do të ulet në treg. Jo vetëm sepse shtohet një stok i ri, por edhe se ndërtuesve do ju duhet të shesin stokun e pashitur për të financuar zhvillimet e reja. Kështu, qytetarët e sotëm do jenë më të varfër megjithëse do kenë të njëjtët tituj pronësish.

E katërta e sigurt është se, nuk fitojnë qytetarët e ardhshëm të Tiranës!

Ardhja në Tiranë nuk është një patologji shoqërore shqiptare për t’u larguar nga vendbanimet e origjinës. Është plotësisht e kundërta. Është nevoja që këto ndërtesa të shiten (pjesërisht edhe të financohen) që ka zhvilluar një aksiomë shumë të gënjeshtërt, sipas të cilës vetëm në Tiranë mund të jetohet. Në ndjekje të “ëndrrës Tiranase”, të ardhurit rishtas do harxhojnë paratë e grumbulluara (kryesisht në emigracion) dhe kredive skllavëruese, për të blerë beton të modeluar në apartamente. E gjitha kjo, duke iu ikur mundësive për sipërmarrje në vendlindje dhe për t’ju dorëzuar papunësisë, punëve të vështira apo ëndrrës për një vend pune në shtetin e partisë së tyre.

E pesta e diskutueshme është se, nuk fitojnë as investitorët!

Nëse stoku i banesave dhe i hapësirave tregtare do ishte në treg të lirë, do kishim një të ‘pestë të sigurt’. Pra, as investitorët nuk do të fitonin prej këtyre zhvillimeve. Mirëpo, ky stok asnjëherë nuk iu është nënshtruar mekanizmave të tregut. Me target kryesor konservimin e çmimit të shitjes dhe në liri për të mos shitur sepse nuk i nevojiteshin para për investime të reja apo se nuk kishin barrë taksimi, ata e kanë mbajtur këtë stok në ‘paradhomën e tregut’. Duke ia shkarkuar të gjitha dëmet atdheut, qytetit dhe blerësve nëpërmjet pesë valëve të spekulimit me ta. Në të kundërt, nëse zhvilluesit sajojnë një valë të gjashtë spekulimi, atëherë ata do të jenë të vetmit që fitojnë.

Si përfundim?

Duke anashkaluar përgjigjen, për pyetjen ‘po zyrtarët e bashkisë, a fitojnë?’, sepse kjo nuk iu përket as politikave të zhvillimit kombëtar dhe as politikave urbane, le të bëjmë ca parashikime opinionistike për të ardhmen. Së pari, atdheu do vijojë të dëmtohet në dimensionin territorial, ekonomik dhe social. Së dyti, qytetet do vijojnë zhvillimin e tyre në dy tipologji diametrikisht të kundërta: qytete të tejshtrira e të mbipopulluara dhe qytete të strukura e të nënpopulluara. Dhe së treti, familjet do mbeten në varfëri ekonomike dhe do jetojnë në banesa, lagje e qytete nën mjerimin urban, megjithëse do të zotërojnë më shumë tituj pronësie se ato që kishin më parë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjuhëtarët të shqetësuar: T’i mësohet shqipja mërgatës!

Edicioni i 36-të i seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe kulturës shqiptare ka...
Read More