Kush janë gjykatësit që do të bëjnë vettingun

OMN 1Profilet e ekipit të ekspertëve afatshkurtër. Prej ditës së sotme, një ekip ekspertësh të kualifikuar nga BE dhe SHBA, që veprojnë si vëzhgues ndërkombëtarë afatshkurtër, do të dërgohen për të monitoruar fazën e parë të procesit që ka të bëjë me përzgjedhjen e anëtarëve shqiptarë të organeve të vettingut.

Nga Nevila Perndoj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) fillon sot punën për vettingun e anëtarëve të gjyqësorit shqiptar. Dje u themelua Bordi i Menaxhimit që do të koordinojë punën e ONM-së.

Raportohet se përgjatë procesit, Bordi i Menaxhimit i ONM-së do të ruajë një rol mbikëqyrës dhe koordinues.

Në krye të bordit do të jetë Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian.

Calavera u kujdes të sqaronte dje në një prononcim për mediat se struktura e ngritur do të kryejë një monitorim të fuqishëm të procesit të vettingut, por nuk do të marrë vendime ekzekutive.

‘Të gjitha vendimet përfundimtare në këtë proces do t’iu takojnë autoriteteve shqiptare”, – nënvizoi ajo.

Prej ditës së sotme, një ekip ekspertësh të kualifikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, që veprojnë si vëzhgues ndërkombëtarë afatshkurtër, do të dërgohen për të monitoruar fazën e parë të procesit që ka të bëjë me përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të vettingut.

Këto organe përfshijnë katër Komisione të Pavarura Kualifikimi (KPK) të përbërë nga tre anëtarë, që do të kryejnë gjithë procesin e rivlerësimit, një Dhomë e Specializuar Kualifikimi (DHSK) e njohur ndryshe si Kolegji i Apelimit e përbërë nga shtatë gjyqtarë, që do të shërbejë si instancë apelimi për vendimet e marra nga KPK-ja dhe dy Komisionerë Publikë.

ONM-ja do të hartojë një rekomandim për Kuvendin, nëpërmjet Zyrës së Avokatit të Popullit, lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për organet e mësipërme të vettingut.

“Por, do t’iu takojë përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë që ta përfundojnë procedurën dhe të emërojnë anëtarët e organeve të vettingut”, – saktësoi Calavera.

Ajo u kujdes të sqaronte gjithashtu se ONM-ja do t’i kryejë detyrat e veta me profesionalizëm, paanësi dhe në përputhje me ligjin.

Por cilat janë detyrat kryesore të ONM-së?

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka hapur një faqe të posaçme online për të saktësuar kompetencat e ONM-së dhe gjithçka tjetër që lidhet me aktivitetin e kësaj strukture.

Së pari, ONM-ja do të mbikëqyrë procesin e krijimit të organeve vendore të vettingut. Ky funksion do të kryhet me asistencën e katër vëzhguesve afatshkurtër (tre gjyqtarë/prokurorë të lartë nga gjyqësorët e vendeve të BE-së dhe një nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara). Pas rekomandimit të ONM-së, Kuvendi do të jetë organi përgjegjës për emërimin e gjithë anëtarëve të organeve të vettingut, sipas ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Së dyti, pas ngritjes së organeve të vettingut, ONM-ja do të sjellë një ekip vëzhguesish ndërkombëtare afatgjatë për të monitoruar deri në fund procesin e vettingut.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka publikuar edhe profilet e ekipit të ekspertëve afatshkurtër.

Eksperti i parë është z. Peter Ainsworth, Këshilltar i Lartë kundër Korrupsionit për Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara. Nga viti 1997 deri në vitin 2011, z. Ainsworth ka qenë zëvendës/shef i Seksionit të Integritetit Publik i Departamentit të Drejtësisë, seksioni kryesor procedues i qeverisë për hetimet kombëtare dhe ndërkombëtare mbi korrupsionin publik, ligjet zgjedhore dhe shkeljet që kanë të bëjnë me konfliktet e interesit. Ainsworth raportohet se ka një eksperiencë të gjerë si këshilltar ndërkombëtar mbi çështjet e masave kundër korrupsionit dhe ka qenë i deleguari i Departamentit të Drejtësisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.

Ferdinando Buatier de Mongeot është eksperti i dytë, aktualisht gjykatës penal për hetimet paraprake në Gjykatën e Komos në Itali. De Mongeot raportohet se ka qenë i përfshirë në një numër aktivitetesh ndërkombëtare dhe nisma bashkëpunimi në vendet e treta, përfshirë kontributin në nismat e BE-së si gjyqtar ndërkombëtar në gjykatat e rrethit për EULEX Kosovë.

Eksperti i tretë, z. Theo Jacobs sapo ka përfunduar detyrën si Drejtor i Zyrës Qendrore për Kapjen dhe Konfiskimin në Bruksel, Belgjikë. Edhe Jacobs ka qenë i përfshirë në një numër aktivitetesh ndërkombëtare dhe nisma bashkëpunimi në vendet e treta, përfshirë kontributin në nismat e BE-së si Shef i Seksionit të Shtetit Ligjor në misionin EUPOLCOPPS në territoret e pushtuara palestineze, Kryeprokuror në Misionin EULEX në Kosovë dhe Anëtar i Ekipit të Drejtësisë të Ekipit Planifikues Evropian për Kosovën.

Dr. Martin Kessen është emri tjetër aktualisht anëtar i Senatit të 8-të në Gjykatën e Lartë në Këln, Gjermani dhe Shef Departamenti në Gjykatën e Lartë të Këlnit për arsimin ligjor.

Z.John W. Vaudreuil është Prokuror i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Perëndimor të Uiskonsinit. Ai ka shërbyer si prokuror federal që prej vitit 1980. Gjatë kësaj karriere, raportohet se z. Vaudreuil ka trajtuar mijëra çështje penale, përfshirë korrupsionin publik. Në gusht 2010, ai u emërua nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara si Kryeprokuror Federal në distriktin e tij.

Për misionin e ONM-së gjithçka duket e qartë dhe po aq edhe mesazhi që duan të përcjellin. “Ky është një proces jetik për t’iu hapur derën negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në”, -tha shefja e ONM-së, Calavera, e cila dje zhvilloi takime të veçanta me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Profilet e ekipit të ekspertëve afatshkurtër

-Peter Ainsworth është Këshilltar i Lartë kundër Korrupsionit për Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara.

-Ferdinando Buatier de Mongeot është aktualisht gjykatës penal për hetimet paraprake në Gjykatën e Komos në Itali

-Theo Jacobs sapo ka përfunduar detyrën si Drejtor i Zyrës Qendrore për Kapjen dhe Konfiskimin në Bruksel, Belgjikë

-Dr. Martin Kessen është aktualisht Anëtar i Senatit të 8-të në Gjykatën e Lartë në Këln, Gjermani dhe Shef Departamenti në Gjykatën e Lartë të Këlnit për arsimin ligjor

-John W. Vaudreuil është Prokuror i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Perëndimor të Uiskonsinit

Shkruar Nga
More from revista mapo

Theu arrestin shtëpiak për të rrahur babanë, arrestohet Vladimir Gjuta

Policia arrestoi paraditen e djeshme Vladimir Gjutën pasi u njoftua se kishte...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.