Kush janë gjykatësit që votuan pro dhe kundër vettingut

gjykata-kushtetueseTë gjithë gjyqtarët që votuan kundër kërkesës së PD, por edhe ata që votuan pro janë emëruar në Kushtetuese gjatë kohës që në pushtet ishte Partia Demokratike, një pjesë e tyre madje me kundërshtimin e opozitës së atëhershme. Rama: E vonuan po s’e ndalën dot. PD: Respektojmë vendimin, por rrezikohet kapja politike e drejtësisë. SHBA-BE përshëndesin vendimin

Me një vendim surprizë, por jo unanim, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën dje zbatimit të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cilësuar si hallka më e rëndësishme në procesin e reformimit të drejtësisë.

Ndryshe nga shumë vendime të mëparshme, ligji i “Vettingut” i ka përçarë 8 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët përfundimisht u ndanë 6 me 2 në favor të rrëzimit të kërkesës së bërë nga Partia Demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve.

PD kërkoi shfuqizimin e ligjit të “Vettingut” si antikushtetues, kërkesë e cila u mbështet edhe nga Unioni i Gjyqtarëve, i cili u bë palë në këtë proces.

Në një njoftim të shkurtër për mediat në faqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kjo gjykatë pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, si dhe parashtrimet e subjekteve të interesuara vendosi rrëzimin e kërkesës.

Sipas burimeve mësohet se dy gjyqtarët që kanë votuar pro pranimit të kërkesës së Partisë Demokratike janë Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj.

Gjashtë gjyqtarët e tjerë kanë votuar që kërkesa të rrëzohej.

Të dy gjyqtarët që votuan pro njëlloj si 6 kolegët e tyre që votuan kundër kërkesës së PD janë emëruar në Kushtetuese gjatë kohës që në pushtet ishte Partia Demokratike, por duket se kjo nuk ka ndikuar në vendimin e tyre.

Gjyqtarët Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj janë dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese respektivisht në mars dhe në prill të vitit 2013.

Me të njëjtën procedurë është emëruar në Gjykatën Kushtetuese edhe gjyqtari Fatos Lulo, i cili më herët ishte anëtar i Gjykatës së Lartë.

Të tre gjyqtarët ndërprenë mandatin në Gjykatën e Lartë dhe me votat e mazhorancës së kohës janë emëruar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhja e tyre ndodhi jo pa kundërshtimin me zë të opozitës së atëhershme.

Po njëlloj ka ndodhur edhe me kolegët e tyre që votuan kundër kërkesës së Partisë Demokratike. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe gjyqtarja Altina Xhoxhaj janë emëruar në këtë gjykatë në vitin 2010 pas dekretit të ish-Presidentit Bamir Topi.

Edhe pse në këtë kohë ish-Presidenti ishte në “luftë” me forcën politike që e kishte zgjedhur në krye të shtetit, dekretet e tij u votuan nga Parlamenti që dominohej në shumicë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Po me firmën e ish-Presidentit Topi janë votuar në parlament nga mazhoranca e kohës gjyqtarët Vitore Tusha dhe Fatmir Hoxha, respektivisht në mars të vitit 2008 dhe qershor të vitit 2011.

I vetmi që është dekretuar nga ish-presidenti Moisiu është gjyqtari Vladimir Kristo, i cili është në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që prej muajin prill të vitit 2007, kohë gjatë të cilës mazhoranca qeverisëse i përkiste po ashtu Partisë Demokratike.

Të votuar nga mazhoranca e djathtë, por edhe sepse duhet t’i nënshtrohen drejtpërdrejt vettingut, fillimisht anëtarët e Gjykatës Kushtetuese krijuan idenë se do të rrëzonin ligjin e shumëdebatuar.

Përpara se të shprehej mbi përmbajtjen, Gjykata kishte vendosur pezullimin e ligjit, ndërkohë që ju drejtua dhe Komisionit të Venecias për të marrë një opinion.

Përgjigja e Komisionit të Venecias, e 12 dhjetorit ishte gjithashtu pozitive duke vlerësuar se dispozitat e tij nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në kërkesën e saj.

Opozita nga ana e saj, pavarësisht opinionit të Venecias kishte theksuar se ky institucion nuk ishte shprehur për përputhjen apo jo të ligjit me kushtetutën shqiptare dhe se kjo ishte kompetencë e vetë gjykatës.

Duke komentuar vendimin e gjykatës opozita tha se “respekton vendimin dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë”, duke shtuar megjithatë se “Partia Demokratike mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e kryeministrit”.

Entuziazëm në kampin tjetër, atë të shumicës. Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale shkruajti se “e vonuan po s’e ndalën dot. Tani koha për të nisur zbatimin sa më parë! Të fillojmë spastrimin në Pallatin e Drejtësisë dhe të marrim datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE”.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili foli për “një vendim të jashtëzakonshëm, edhe për thelbin e procesit të Reformës në Drejtësi, që merr besoj një legjitimitet të ri, pasi pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese i hapet rruga zbatimit të reformës, e cila është shumë e lidhur dhe e ka moment kyç zbatimin e ligjit të vlerësimit”.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht i ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kushti që sipas Bashkimit Europian, vendi duhet të plotësojë për të marrë dritën jeshile për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Në mbrëmje, në një deklaratë të shpërndarë në Tiranë Bashkimi Evropian u shpreh se “i kushton vëmendje të veçantë vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e ligjit të vettingut, në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë. BE-ja i inkurajon autoritetet shqiptare të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është thelbësore për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është pritur gjatë nga qytetarët shqiptarë. Komisioni Evropian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi vettingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”.

Edhe ambasada e SHBA në Tiranë deklaroi se “mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vettingut. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës”.

“Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri”, thekson deklarata e ambasadës amerikane.

Tashmë procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të nisë me dorëzimin e formularëve dhe dokumenteve justifikuese të pasurive nga gjyqtarët dhe prokurorët.

PD: Vettingu nën kontrollin e Kryeministrit

Në një deklaratë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Partia Demokratike tha se e respekton këtë vendim, por shprehu shqetësimin se vettingu do të jetë nën kontrollin e kryeministrit.

PD thotë se sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga të korruptuarit dhe shërbëtorët e politikës, por këtë nuk mund ta bëjë një kryeministër i lidhur me krimin, i cili sipas PD do të marrë nën kontroll procesin e rëndësishëm të vettingut.

“Partia Demokratike respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Vettingut dhe ripohon vendosmërinë e saj për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe shërbëtorët politikë”, thuhet në deklaratën për media të Partisë Demokratike.

Më tej PD thotë se mbetet njësoj e shqetësuar se ligji aktual do ta vendosë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e Kryeministrit. Sipas saj kontrolli qeveritar i vettingut është njësoj i rrezikshëm pavarësisht se kush është kryeministër.

“Por në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama, i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika”, përfundon deklarata.

Shkruar Nga
More from revista mapo

MAPO, si ka qenë, si është, si do të jetë? Thjesht LIBERALE

Nga Henri Çili* Në vitin 2006, një revistë e re tërhoqi vëmendjen...
Read More