“Kush kupton shifrat nuk do të thotë se kupton ekonominë”


Filozofia e kësaj rubrike do të mbështetet në esenë e Xhorxh Orwell “Politika dhe Gjuha Angleze” për të komunikuar ide sa më qartë që të jetë e mundur pa ndërlikim të qëllimtë me gjuhë teknike e cila në shumicën e  kohës përdoret qëllimisht për të fshehur e jo për të komunikuar ide.

Nga Besart Kadia

“Unë nuk marr vesh nga shifrat dhe ndaj nuk e kuptoj dot ekonominë”. Kjo është ndër fjalitë më të shpeshta që përsërisin studentët e shkencave sociale teksa shpjegoj lëndën “Hyrje në Ekonomi” në Universitetin Europian të Tiranës. Por pas më shumë se katër vitesh shoh në fund të çdo semestri, se ata jo vetëm që e kuptojnë lëndën, por edhe e pëlqejnë atë edhe më shumë se studentët e Fakultetit të Ekonomisë. Ata janë në gjendje të lidhin fakte historike, politika apo dhe trende globale me realitetin shqiptar. Për më tepër me një kënd të shtuar të shkencave që studiojnë si politikë, juridik, filozofi apo psikologji.

Personalisht pas gjashtë vitesh studime në Mbretërinë e Bashkuar, mendova se lënda e ekonomisë ishte në gjendje të shpjegonte shumë prej fenomeneve shoqërore më mirë se shumë fusha të tjera sociale. Sepse në trajnimin tonë për vite me radhë ne kishim studiuar ide të rëndësishme se si funksionon ekonomia nëpërmjet formulave të komplikuara matematikore, ndërmjet analizimit të dhënave statistikore me kompjutera të fuqishëm që llogarisnin në fraksion sekondi mijëra statistika për të dhënë një përgjigje se cilët fenomene (variabla) ndikonin në ekonomi. Gati magji!

Por më pas kriza botërore ndodhi dhe të gjithë filluan të mendojnë si ka mundësi që asnjë nga Nobelistët e ekonomisë apo institucione të rëndësishme kërkimore nuk arritën ta parashikojnë atë. Çfarë ishte akoma dhe më befasuese ishte fakti se pedagogët e ekonomisë vazhduan të shpjegonin leksionet e tyre për ekonominë pa iu referuar një herë të vetme krizës financiare e ekonomike që po ndodhte në botën reale. Leksionet vazhdonin sipas kurrikulës së paracaktuar, sikur çfarë po ndodhte jashtë auditorit nuk kishte rëndësi.

Për më tepër asnjë nga institucionet e rëndësishme të mbikëqyrjes financiare botërore nuk ndezi njëherë debat reflektimi apo hipotezë se çfarë mund të ndodhte me produktet e reja financiare për të shmangur në kohë katastrofën. Të njëjtin trend pashë dhe në takime që pata me ekonomistë të FMN-së apo Bankës Botërore për parashikimet e rritjes ekonomike apo të mbledhjes së taksave në Shqipëri këto katër vjet. Por në analizën personale duke kontaktuar biznese të mëdha apo të vogla, aktorë politikë, njerëz të thjeshtë e studentë, shihja një hendek të madh me parashikimet statistikore të ekonomistëve dhe realitetit në Shqipëri. Në fakt parashikimet e bëra si nga FMN dhe nga institucione të tjera kanë qenë tërë kohës më optimiste, sesa realiteti duke bërë rishikime të buxheteve e shpenzimeve të qeverisë.

Në një farë mënyre ekonomistët e sotëm, mendojnë se një hipotezë e mirë dhe me disa statistika të fundit mund të arrijnë të kuptojnë ekonominë e një vendi dhe pa e vizituar kurrë atë. Fjala vjen një ekonomist nga Harvardi, pasi ulet në “Starbucks” me një kafe të gjatë përpara, hap e-mailin shkarkon të dhënat nga INSTAT në Shqipëri dhe është në gjendje të parashikojë, se çdo ndodh me ekonominë tonë pa ditur çfarë karakteristikash kanë shqiptarët, si sillen ata me riskun, çfarë historie kanë etj. Thënë këtë, përdorimi i matematikës jep një interpretim të fenomeneve ekonomike, por ato nuk e ezauron dot atë.  Ndaj thelbi i këtyre radhëve është se debati për ekonominë tonë nuk mund të orientohet në publik vetëm nga ekonomistët, apo më keq akoma nga ekspertët e organizmave ndërkombëtare apo lokal. Në eksperiencën e këtyre viteve, mendoj se fjalia e studentëve mund të përdoret  lehtësisht dhe se: “unë marr vesh nga shifrat por kjo nuk do të thotë se e kuptoj ekonominë.”

Në një artikull të New York Times”, ekonomisti i njohur Krugman tërheq vëmendjen sesi një artikull shkencor i Kenneth Rogoff nga Universiteti i Harvardit u përdor në masë nga qeveri të ndryshme në botë për të ndjekur politika të “austeritetit” shkurtim të shpenzimeve qeveritare. Sipas këtij artikulli, çdo borxh publik mbi 90% e PBB-së çon ekonomitë në krizë ekonomike. Nga ana tjetër ekonomistë si Alesina vazhduan të mbështesin këtë përfundim për ulje shpenzimesh qeveritare, duke treguar se ulje e borxhit publik nëpërmjet uljes së shpenzimeve publike dhe jo rritjes se taksave nuk çon në recension, por mund të çojë në rritje ekonomike[1].  Krugman si mbështetës i Kejnsianizmit, mendon se këto studime u përdorën nga njerëz të fuqishëm në botë për të justifikuar besimin e tyre për më pak shtet. Por më vonë u vu re, se këto studime kishin gabime në metodologji, probleme me të dhënat, e qasje të caktuara statistikore që dhanë rezultate krejtësisht të kundërta nga një studim i bërë nga FMN në 2013. Me po me të njëjtat të dhëna rezultoi, se shtetet me borxh të lartë kishin pasur rritje ekonomike në nivelin e 2.2%. Pra, një studim thotë ulje shpenzimesh në kohë krize është mirë, një tjetër nuk është mirë! Nëse je në krye të shtetit nuk merr vesh nga ekonomia duhet të bësh një zgjidhje dhe të dy raportet i ke në tavolinë.

Një ilustrim tjetër vjen nga një debat për përfundimet e bëra në librin “Kapitali në shekullin e 21-të” të Pikkety ku ekonomisti Giles i Financial Times tregon se pasi rregullon disa gabime në të dhënat e librit të Pikkety del se: pretendimi kryesor në libër se rritja e pabarazisë në kapital në 30 vitet e fundit nuk qëndron dhe për këtë arsye dhe politika e tij për të adresuar këtë problem nuk qëndrojnë. Mjafton ky debat mes ekonomistëve më në zë për të ngritur shqetësimin se ekspertët e ekonomisë duhen parë me rezerva. Shpesh herë ata përdoren për të justifikuar një qëndrim apo preferencë politike paraprake. Ndaj sot shumë universitete shtyjnë ekonomistët të rikthehen e të analizojnë ekonominë në bashkëpunim me fusha të tjera sociale si sociologji e filozofi.

Për të kuptuar ekonominë duhet që njëkohësisht të kuptosh dhe sjelljen njerëzore e matematika është e limituar për të kuptuar plotësisht atë. Pasi në fund të fundit ekonomia është shkencë sociale pavarësisht filtrimit të madh në 50 vitet e fundit për ta interpretuar atë me rigorozitet shkencor, nëpërmjet modeleve ekonometrike e formulave të komplikuara matematikore. Këto të fundit janë një avancim i mirëpritur në ekonomi, por vetëm përdorimi i tyre si modelim të interpretimit të ekonomisë ka deformuar në thelb lëndën e ekonomisë që deri në shekullin e XIX studiohej si politika-ekonomike dhe ekonomistët më të mirë të kohës ishin po ashtu dhe filozofët më të mirë.. apo e kundërta?! Xhon Loke, Xhon Mill, Adam Smith, David Hume etj kanë ofruar mendim të thellë ekonomik pa pasur nevojë për statistikë apo për matematikë.  Nëse ata do të lexonin një revistë shkencore ekonomike ka shumë gjasa që ata të mos kuptonin asgjë nga ato që do të lexonin.  Me këtë në mendje synimi i këtyre radhëve dhe të tjerave që pasojnë është fillimi i një cikli shkrimesh mbi ekonominë që është i kuptueshëm nga kushdo pavarësisht trajnimit që ka. Tërë filozofia e shkrimit do të mbështetet në esenë e Xhorxh Orwell “Politika dhe Gjuha Angleze” për të komunikuar ide sa më qartë që të jetë e mundur pa ndërlikim të qëllimtë me gjuhë teknike, e cila në shumicën e  kohës përdoret qëllimisht për të fshehur e jo për të komunikuar ide.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Entuziazmi nuk i shkon Edi Ramës

Nga Armand Shkullaku Edi Rama u ngjit sot në sheshin që ideoi...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.