Kush ngre shkëmbinjtë, mohon Perënditë

sizifiNë çastet e para që u dha dënimi i Sizifit “me Ferr, me shkëmbin mbi shpinë”, shumicës iu duk se, megjithatë, perënditë qenë treguar disi zemërbuta…Të tjerë e kishin pësuar shumë më rëndë

Nga Pirro Loli

Të bësh një punë të padobishme mijëra vjet, pa asnjë shpresë, të hipësh e të zbresësh në një majë mali, me një shkëmb mbi shpinë mijëra vjet, nga maja në humnerë e anasjelltas, mijëra vjet….,

Në çastet e para që u dha dënimi i Sizifit “me Ferr, me shkëmbin mbi shpinë”, shumicës iu duk se, megjithatë, perënditë qenë treguar disi zemërbuta…Të tjerë e kishin pësuar shumë më rëndë. Ndoshta se Sizifi ishte njeri i ditur dhe një autoritet i njohur shoqëror e shtetëror. Zeusit sipër, nuk i interesonte një valë e re zemërimi, qoftë dhe e heshtur si në kohën e Prometheut. Dikush tha se Sizifi kish bërë autokritikë, se perënditë ishin ndarë.. etj, etj. Sidoqoftë, pak e kuptuan se dënimi qe shumë   i rëndë, e ndoshta më i rëndë se djegia në flakët e Ferrit dhe se ky dënim ishte i pashembullt në historinë mijëvjeçare të Zeusit…

Që nga shkurret poshtë në popull e deri në majat e Olimpit, te froni i perëndive, u fol për faje të rënda të Sizifit, si një rebel i pandreqshëm, madje , pak ditë më vonë, si një nga agjentët më të rrezikshëm kundër Olimpit. U tha, madje, se një profet mjekërbardhë  as nuk e pranoi në bisedë për ndonjë parashikim lehtësues të mundshëm..   “Ik, i tha ai, nuk të ndihmoj dot, vendimi për ty është marrë në Olimp. E pastaj kishte shtuar : “Nuk të lejohej ty, që në shtëpinë me xhama, të luaje me gurë….”..   Thanë se kish bërë faje të rënda, në fillim se qe treguar mendjelehtë dhe se nuk dinte të sillej me perënditë, thanë se ishte treguar i pabesë ndaj Jupiterit dhe nuk ia mbajti sekretin (Jupiteri kish shtënë në dorë Eginën, vajzën e Azopit dhe Sizifi ia tregoi të atit të vërtetën me kusht që t’i jepte ujë kështjellës së Korinthit; thanë se në prag të vdekjes kishte provokuar rëndë gruan e vet duke e urdhëruar që ta hidhte trupin e tij në mes të qytetit, të pavarrosur. Kjo ide binte në kundërshtim me frymën zakonore të Olimpit dhe ai u dënua me zbritje në ferr; thanë se atje mashtroi Plutonin duke i marrë leje  të dilte ca kohë nga dënimi e, sipër në tokë, u shkri me gëzimet e jetës, u zhyt në buzëqeshjen e diellit e të detit, u harrua nëpër shalët e grave dhe si ushtar i padisiplinuar e theu lejen .. “pa në djall le të vete”..; thanë se krimi më i rëndë , që e kishte bërë  Plutonin , perëndinë e vdekjes, dhe vetë Zeusin të tërbohej nga zemërimi, ishte se Sizifi kishte kapur vdekjen dhe e kishte lidhur me zinxirë. Pasojat qenë të çuditshme, madje siç u shpreh Athinaja, qenë katastrofike…Asnjë nga njerëzit nuk vdiq për aq kohë sa vdekja mbahej në zinxhirë.. Për këtë u mblodh shtabi në Olimp dhe vendimi u dha i formës së prerë. Sizifi kish guxuar të ndeshej me Zeusin dhe dinakërisht i kishte marrë tapitë e vdekjes dhe i kishte hequr nga duart rrufetë..

*   *   *

Mijëra poetë kanë shkruar për Sizifin, në mijëra variante, shekuj të tërë janë grindur me shoshoq në është apo nuk është fajtor ai dhe njerëzit ndahen më dysh në fajësinë e tij, por një gjë dihet e sigurt, ai u dënua nga Perënditë , pa gjyq, pa dëshmitarë. Kështu kishte ndodhur edhe me Prometheun, edhe me Tantalin para tij….,   kështu ka ndodhur edhe për miliona e miliona sizifë të vegjël më pas, që,  të rebeluar ndaj autoriteteve, mbretër perandorë a diktatorë, kanë guxuar ta shohin sy më sy të vërtetën, e kanë shpallur atë dhe janë ndëshkuar pa gjyq…

Unë jam në anën e atyre që mundohen të shohin në natën e pafund të njeriut dhe guxojnë të tregojnë me gisht edhe Zeusin fajtor.

*  *  *

Le të dalim pak nga logjika e sendeve që përgjithësisht të imponohen me të vërtetat direkte të natyrës e të mishit, të moralit e të zakonit dhe drejtësinë e gjykojnë apriori, vetëm si përplasje të lëndës me lëndën…Sizifi është personazh metafizik. Ai është hije, shpirt, ide, imazh siç janë dhe trojet e tij, Ferri e Parajsa, sajesa imagjinare të poetëve, kësisoj, çdo gjykim në lidhje me të si lëndor, ia heq anën mjegullore dhe enigmatike, e çmitizon atë, duke na detyruar të përballemi me arsyen racionale, ku veprojnë ligje të tjera dhe jo pak spekulime moskuptimore. Ai bëhet antilëndë ose shpirt, ose imazh, qëkur fillon ndëshkimin në Ferr. Prej këndej, nga dhomat e torturës, ai ka nxitur fantazinë e njeriut në mijëra vjet përtej asaj që dihet, pra, përtej anës materiale ose lëndës. Ngjitjet dhe zbritjet e tij nga maja e malit në humnerë dhe anasjelltas me shkëmbin mbi shpinë, gjithsesi janë simbolike. Ai është hero tragjik sepse e di ç’ ka bërë, di fajin dhe ndëshkimin, njeh majën dhe humnerën dhe sidomos peshën e shkëmbit mbi shpinë. Të gjitha këto e thërrasin në orët e ndërgjegjes e të kthjellimit të tij, të vetëkuptimit të tij. Duke zbatuar pikë për pikë ndëshkimin ai sfidon kundërshtarët. Dhe ai e di që nuk ka shpresë që një ditë ta vendosi shkëmbin në majë e shkëmbi të mos rrokulliset më. Po si i bëhet pa asnjë shpresë? Pse thotë A. Kamy se shpresa depërton përmes nënshtrimit ? E , nëse e pranojmë se dhe vepra më e trishtuar seç ka një klithmë shprese, atëherë Sizifi pushon së qeni enigmë. Nëse do kish shpresë, ai tashmë do qe harruar. Nëse do kishim të bënim me nënshtrim, do rrëzohej krejt godina e mitit dhe Sizifi nuk do dënohesh fare. Sizifi i nënshtrohet vetëm absurdit. Sizifi ka një krenari të brendshme që gjithsesi të bën të mendosh se ai është i kënaqur dhe ndëshkimi i tij në atë pamje që e di gjithë bota është vetëm aparenca (dukja)

*  *  *

Ka diçka që e di vetëm ai. Ka një sekret të brendshëm që e mban gjallë, madje gjithnjë e më të fuqishëm në mijëvjet. Çdo herë që ai e ngre shkëmbin në majë, pakkush e ka vënë re se shkëmbi ngjitet një mm, një cm, a një dm më lart se herën e fundit, e, rrjedhimisht shkëmbi në bazë të peshës dhe lartësisë do bjerë në humnerë, një mm, cm, a dm më thellë. Është etja e Sizifit për dije, për zbulime në art, shkencë a në çdo fushë të jetës. Është çmenduria e monotonisë vrastare të krijimit. Kështu pak nga pak, milimetër pas milimetri tërë jetën intelekti i njeriut, me shkëmbin mbi shpinë kërkon suksesin, kërkon, kërkon ndoshta dhe Zotin që nuk e ka gjetur askush. Udhëton drejt vetvetes, heshtazi dhe gjen  një të vërtetë akoma të paformë. Kështu pikë pikë si pikat e ujit që në qindra e mijëra vjet shndërrohen në shtiza guri (stalaktide e stalakmite) A thua kjo është rezultat i burgosjes së pikës së ujit në shpellë, a dënimit të Sizifit ne Ferr? Dhe pika e ujit ka rebelizmin e vet. Mjerë ajo qenie që nuk di të rebelohet! E, pra, Sizifi, i burgosuri i përjetshëm, ka një gëzim të brendshëm, të heshtur që i jep krahë e energji. Ai zotëron plotësisht fatin e tij, pasionin e tij, shkëmbin e tij, brengën në zemër që e nxit, gjakun blu që i thërret nëpër damarë, prushin e brendshëm që i përndez buzët e përgjakura nga kafshimi i mollëkuqes së ndaluar të Adamit. Ai e zotëron plotësisht inteligjencën e vet, e pse jo dhe dhuntinë dhe gjenialitetin. Ai e di se “gjenialiteti s’është asgjë tjetër veç ajo inteligjencë që njeh kufijtë e vetvetes”(A. Kamy)

*  *  *

Eprorët që nga më të vegjlit deri te perandorët e diktatorët hyjnë në pakënaqësitë e njeriut. Dhe shteti. Që sado demokratik të jetë, pas çdo ligji, parashikon dhe sanksionet përkatëse të  moszbatimit dhe numrin e policëve dhe armët në depo. Dhe Zeusi që nëse e kundërshtoj, më qëllon me rrufe dhe më dërgon shqiponjën të më sqepojë në mëlçi. Zërat që grishin kundër tyre janë të pafundmë, janë zërat e tokës si burimet që shpërthejnë për të takuar heronjtë. Konfrontizmi është borë e qetë që i mbulon dhe i rrafshon gjurmët e krimit, është heshtja e anës tjetër të medaljes, pamundësi e shprehjes amorfe të masës, ose lumturia shkretinore e Saharës.    T’i biesh murit me kokë, absurde është natyrisht. Dhe absurdi është kokëkrisje për përmbysje. Absurdi është divorc me ligjin e me dreqin. Absurdi –siç thekson Kamyja -ka kuptim vetëm në atë masë që kundërshtohet, sepse absurdi i shkatërron kornizat e arsyes…   Shkëmbi i Sizifit vazhdon rrokullisjen e tij si një planet që e tërheq graviteti i humnerës ( i sukseseve dhe dështimeve) për të filluar ngjitjen përsëri në mëngjes. Dhe ai është simbol. Shpendi i domosdoshëm i hapësirave qiellore të kërkimit, lëndë yllësore e magjike, dukuri e lartësive dhe humnerave e njëkohësisht i një lodhjeje sfilitëse. Por maja dhe humnera nuk janë vetëm antonime.

Sizifi ose njeriu i ditur që vazhdimisht do të mësojë e të zbulojë, është gjithmonë në rrugë, gjithmonë në të përpjetë, gjithmonë me shkëmbin mbi shpinë. Sepse ai është i ndërgjegjshëm për pamundësinë e arritjes në majë. Ai është Prometheu i dijes gjithmonë në kërkim. Odiseja vdiq i plakur në Itakë dhe pas mbërritjes u harrua siç do ishte harruar Sizifi po të deklaronte qoftë dhe njëherë : “Ja , më së fundi e vendosa shkëmbin mbi majë të malit”. Sizifi është viktimë e intelektit të tij, viktimë e atyre të vërtetave unike që nuk mund të tjetërsohen. Ai bëhet mendimtar superior, simbol i atij intelekti që i gjen shtigjet edhe atje ku rrugëkalimet janë të mbyllura e të ndaluara. Është përpjekja mbinjerëzore për të kuptuar të vërtetat kulmore e supreme të qenies, ose për të depërtuar në atë “diçkanë” në vetvete që Kanti e quante të pamundur. Në fakt Sizifi është antikant, sfidues i të gjithë atyre që i vënë kufizime mundësisë së njohjes. Talentet e rebeluara janë gjithnjë në anën e Sizifit. Ti mund të thuash dhe të dështimit. Po, po le të provonim të gjithë të dështonim, le të provojmë të mbajmë mbi shpinë secili shkëmbin e vet. Një shpirt që njësohet me sakrificën, me dhimbjen dhe e shpall atë, në fakt triumfon, “- njëlloj si besimtari që në dështimin e tij, gjen ngadhënjimin e tij”(Kierkegard). Duke u munduar të lexohen saktësisht simbolet, kuptohet se Sizifi është drama e stërmundimit të vet. Duke pasur parasysh konstatimin e Homerit se Sizifi ishte më i dituri rob i gjallë, ai bëhet simbol i mendjes njerëzore, aparat i atij mekanizmi të tejdukshëm të të menduarit. Dhe mali s’është i zakonshëm, mal, por fondi, thesari kolosal i dijeve që ka grumbulluar njerëzimi përmes sakrificave dhe ngjitjeve të të gjithë sizifëve. Pra, Sizifi i ngjitet malit të dijes me dije, me ide, me mendim. Kudo, të gjitha përvojat, kanë treguar se gjithmonë paraprin mendimi. Ky çan male e dete e kontinente e galaktika. Është abstraksioni që paraprin, pastaj realizimi. Qielli abstrakt pastaj toka e konkretizimit dhe verifikimit.

Tani e kemi më të lehtë të konkludojmë se shkëmbi mbi shpinë nuk është shkëmb, por ai talenti personal, dhuntia, aftësia personale, frymëzimi magjik që të thërret për zbulime, art apo shkencë, aq sa, një mm, një cm, një dm po, plus ama, plus asaj që kishim arritur më parë. Sa e sa shkencëtarë, shkrimtarë poetë e artistë nisen në të përpjetat e malit, dhe nuk arrijnë dot të arrijnë në majë, nuk arrijnë dot të rrukullisen,  sepse nuk e kanë shkëmbin e nevojshëm mbi shpinë, shkëmbin si barrë, si mundim, si torturë, shkëmbin si talent dhe përgjegjësi. Me dy guralecë në xhepin e sahatit, nuk nisesh dot në tregun e vështirë të dijes e s’mund të lozësh rolin e përfaqësuesit. Shumica e njerëzve janë dekori i përfundmë, pylli i shkurreve në bishtin e malit. Shkëmbi që thamë nuk është i lehtë, është pika e ujit që krijon gurin, është ankthi i përjetshëm që të shkurton jetën, ankthi torturues i reagimeve, gjykimeve, vlerësimeve, kritikave të bashkëkohësisë..

Por Sizifi vazhdon rrokullisjen spektakulare të vetvetes që nesër të fillojë përsëri ngjitjen mbi mal. Dhe ka vetëm një ligj:

“Kush ngre shkëmbinjtë, mohon perënditë….”

Shkruar Nga
More from revista mapo

Presidenti që na duhet: KONSENSUAL

Nga Ervis Iljazaj* Situata politike e tensionuar në javët e fundit të...
Read More