Kush tha që rruga e tretë nuk i ul taksat?

Nga Ervis Iljazaj

Qeveria Rama 2 ka propozuar një sërë politikash fiskale që parashikojnë uljen e taksave për disa subjekte dhe kategori. Të gjitha këto politika fiskale, kërkojnë mendimin e eksperteve dhe ekonomistëve për të debatuar për efektet që kanë ato në ekonominë shqiptare.

Një gjë është e sigurt, që Edi Rama nuk ka rrugë tjetër përveçse të fokusohet tek ekonomia në këtë mandat, pasi mbylli të parin nën shenjën e reformizimit dhe të rregullimit, apo siç njihet ndryshe “të të bërit shtet”. Me sa duket, shenjat e para janë që kursi politik i Ramës do të ndryshojë.

Në mandatin e parë, qeveria Rama mori një seri reformash të cilat kishin synim formalizimin e disa sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë dhe forcimin e shtetit ligjor. Është normale, kur ka rregullim të ekonomisë të ketë dhe një tkurrje të saj. Andaj, në fillimet e mandatit të dytë, objektivi është për të nxitur ekonominë dhe për t’i dhënë asaj një frymëmarrje nëpërmjet uljeve të disa taksave që tashmë janë bërë të ditura.

Debatet që ka patur në media pas vendimeve për të ulur disa nga taksat, nuk ishin të natyrës teknike, por ideologjike. Këto debate kanë arritur deri në habinë apo kritikat, se si një qeveri e majtë arrin të ulë taksat, aq më tepër ndaj biznesit apo shtresës së mesme, që paguhet mbi 130 mijë lekë në muaj.

Pikë së pari, është e rëndësishme të theksohet, që çdo tentativë për të ulur barrën fiskale në kontekstin ekonomik shqiptar është për t’u përshëndetur.

Pikës së dyti, ata që kritikojnë Ramën se përse ka ulur taksat për kategori të tilla duke qenë se përfaqëson një forcë politike të majtë, ende nuk e kanë kuptuar, që Edi Rama nuk është një lider socialdemokrat klasik, por liberal i majtë, apo siç njihet ndryshe i rrugës së tretë.

Kjo është më se e dukshme në sjelljen e tij, në konceptet e tij shoqërore, politike apo edhe ekonomike.

Politikat e Ramës gjatë këtyre viteve nuk janë zhvilluar të frymëzuara nga “ Kapitali” i Marksit, por nga teoritë e drejtësisë shoqërore të John Rwals.

Në thelb Rawls, që konsiderohet themeluesi i liberalizimit të majtë me librin e tij “Teoria e Drejtësisë”, konsideron një shoqëri të drejtë të bazuar në dy principe. I pari, konkurrenca dhe liria. I dyti, rishpërndarja. Nëse e majta klasike di gjithmonë të rishpërndajë por nuk prodhon dot, e djathta prodhon por nuk rishpërndan dot. Andaj një shoqëri e drejtë sipas tij, ndërtohet vetëm duke kombinuar të dyja këto elemente. Kjo është shoqëria e drejtë dhe efikase.

Në këtë kuptim, ata që mendojnë se Rama është duke zhvilluar politika fiskale në kundërshti me ideologjinë e socializmit, duhet të kuptojnë që, Partia Socialiste me atë në krye, është tashmë e reformuar rrënjësisht.

Rama ka një meritë të madhe në reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke e çuar atë drejt liberalizmit të majtë ose rrugës së tretë në trend me politikën europiane. Me fitoren e Macron dhe Renzit që pritet të rikthehet në drejtimin e Italisë por, edhe në shumë vende të tjera, Europa në vitet e ardhshme ka përcaktuar rrugën e saj ideologjike, që do të jetë ajo e reformizmit kundër rrezikut të populizmit, duke u bazuar te konkurrenca dhe liria e tregut në radhë të parë dhe, si pasojë e saj, te rishpërndarja që garanton një shoqëri të drejtë.

Për këto arsye nuk ka asnjë gjë të jashtëzakonshme në propozimet e Ramës për uljen e taksave. Edi Rama është plotësisht koherent me parimet e tij të liberalizmit të majtë ose rrugës së tretë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letërkëmbimi Mapo-Danas: Ballkani nuk u bë dot Zvicër

Nga Mustafa Nano I dashur Zoran, Po e filloj nga fundi i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.