Kuvendi Kombëtar i PD në fund të prillit: Zbardhen debatet në kryesi

Basha propozon ngritjen e një grupi pune për ndryshimet në statut dhe propozimet nga të gjitha rrymat për transformimin e PD. Krahas zyrtarëve partiakë, ai fton në grup edhe dy zërat ndryshe, Imamin dhe Malkon. “Zgjidhjet që duhet t’i vijnë kësaj partie nuk mund të jenë thjesht zgjidhje burokratike, me një grup pune…”, reagoi Imami. Sipas tij, PD-ja 5 vitet e fundit është në rënie të vazhdueshme. Genti Malko: “Jemi në një dilemë ekzistenciale, do jemi apo nuk do jemi si parti”.

Nga Nevila Perndoj

Ajo që prodhoi kryesia e djeshme e Partisë Demokratike, e mbledhur pas pesë muajsh, ishte një datë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, (28-29 prill) dhe një grup pune i propozuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për ndryshimet statutore dhe diskutimin e të gjitha propozimeve nga rrymat e ndryshme në PD. Kryesia nuk vendosi dot nëse kuvendi i fund Prillit do të jetë një kuvend zgjedhor, ku do të zgjidhet edhe këshilli i ri kombëtar apo thjesht një kuvend jashtë radhe për të kaluar disa ndryshime statutore. Ky do të ishte një tjetër debat për kreun e PD-së.

Mbrëmë mjaftoi propozimi i tij për ngritjen e një grupi pune, për t’u kundërshtuar fort nga Arben Imami, i cili gjatë mbledhjes së kryesisë jo vetëm që nuk e pranoi propozimin për t’u bërë pjesë e grupit, por tha në debat e sipër se PD-ja në 5 vitet e fundit është në rënie të vazhdueshme, dhe se thirrja e Kuvendit Kombëtar me nxitim (kur i fundit është mbajtur në shtator të 2014-ës) është thjesht legalizim i mosbashkimit.

Imami mësohet të jetë shprehur se PD-ja, në sondazhe paraqitet në rezultatet më të ulëta historike, 18%. Ndaj, ai ka kërkuar nga Basha që të lërë burokracitë, të diskutojë problemet me njerëzit sepse ngritja e grupeve të punës, sipas tij, nuk zgjidh asgjë.

“Analiza është e njëanshme. Në konkluzionet e pakta që na u paraqitën nuk përfaqësohej mendimi që ishte zhvilluar në tërësi nga shumë anëtarë të partisë edhe nga ata që kanë qenë kritikë. Propozimi për thirrjen e Kuvendit është krejtësisht i papritur dhe nuk është i motivuar, të paktën në vlerësimin tim. Zgjidhjet që duhet t’i vijnë kësaj partie nuk mund të jenë thjesht zgjidhje burokratike, me një grup pune, që do të zgjidhë çështjen e një statuti”, -tha Imami pas mbledhjes. Sipas tij, PD-ja ka nevojë për një diskutim serioz dhe të thellë politik. “Në fakt që pas zgjedhjeve, në sondazhet që bëhen në Shqipëri, PD dhe kryetari i saj janë në rënie të vazhdueshme. Ky është një shqetësim i madh veçanërisht në këto rrethana ku po kalon ky vend me një qeverisje që më të keqe nuk mund të imagjinohet, më të pashpirt, më pa imazh dhe vizion për të ardhmen e këtij vendi. Një qeverisje e cila tani ka filluar të harxhojë jo vetëm borxhin, por edhe buxhetet e ardhshme të Republikës. Ky është problemi serioz për të cilin unë jam i angazhuar, elementet e tjera se cilët janë anëtarët e grupit të punës janë elemente të cilat mund të zgjidhen konsensualisht dhe kur të gjitha palët të jenë të përfaqësuara në tavolinë”, -tha ai. Për Imamin ngritja ose jo e një grupi pune nuk është thelbësore. “Thelbi i çështjes është ky: A do të ketë një diskutim të hapur jo vetëm me z. Imami, sepse unë nuk përfaqësoj askënd. Unë përfaqësoj vetëm veten time. Këtu janë plot njerëz të tjerë, që kanë folur, që kanë qenë kritikë, që kanë dhënë propozime dhe që duhet të përfshihen në një debat serioz të hapur dhe transparent për fuqizimin e partisë”, -tha ai. Imami iu referua mbledhjes së fundit të kryesisë, për të vënë re se qysh prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë ndryshim. “Bëmë një mbledhje para disa muajsh po këtu dhe ishin dy çështje: 1) Respektimi i statutit; 2) Çështja e bashkimit. Statuti nuk është respektuar sepse nisi në fakt një proces pa kaluar në Këshill Kombëtar, pa u hedhur një platformë e analizës dhe në këtë mënyrë analiza është e njëanshme. E dyta që është e rëndësishme është ajo e bashkimit. Ky Kuvend do të çojë në asgjë më shumë apo asgjë më pak sesa në formalizimin dhe legalizimin e mosbashkimit nëse kjo çështje do të trajtohet në mënyrë krejtësisht burokratike”, vërejti ai. Por ndryshe nga Imami që e sheh burokratik procesin, Basha në anën tjetër ka sqaruar se ky është proces transformues. Këtë gjë ai e ka nënvizuar edhe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të kryesisë. Në funksion të kësaj, sipas tij, është edhe ngritja e një grupi pune, që do të funksionojë për një periudhë dy javore. “Pikëpamjet e mia ju i dini. Çdokush që ka dëshirë të kontribuojë të ketë hapësirën totale të kontribuojë në proces. Të papenguar nga asnjë pengesë të asnjë forme, qoftë edhe statutore. Të paraqitet për vendimmarrje çdo kontribut për fuqizimin e PD. Të caktohet kohë të mjaftueshme që propozimet të shqyrtohen. Të ngrihet një grup proaktiv për një periudhë dyjavore që të mundësojë kontakt direkt me ata që dëshirojnë të kontribuojnë. T’i shqyrtojmë propozimet bashkë me sekretariatin ligjor dhe të kemi një vendimmarrje. Ky grup pune përbëhet nga nënkryetarët Paloka, Spaho, sekretari i Përgjithshëm, Ristani, sekretarët Bozdo, Kadilli, anëtarët e kryesisë Malko e Imami”, është shprehur Basha. Edhe pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i demokratëve u përpoq të sqaronte se, procesi brenda Partisë Demokratike, do të shërbejë si një rrugë e re edhe për shqiptarët. “Kryesia ka miratuar vendimet, të cilat do t’i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal, por i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë të PD-së si parti e anëtarëve, për këtë transformim të PD-së që do t’i paraprijë transformimit që presin shqiptarët”, -tha Basha.

Ndryshe nga Arben Imami, Genti Malko, një tjetër zë ndryshe për mënyrën se si duhet fuqizuar partia, ka pranuar të jetë pjesë e grupit të punës. Vendi i Imamit mbeti bosh.

Ai që do të flasë në këtë grup për gjithçka jashtë boshtit zyrtar partiak duket se do të jetë vetëm Malko. Edhe ky i fundit ka qenë i ashpër në diskutimin brenda kryesisë. Ai ka pranuar propozimin e Bashës për të qenë pjesë e grupit, por vetëm me një kusht.

“Vijoj të jem skeptik, por do të jap kontributin tim. Pranoj të jem pjesë e grupit vetëm me kushtin se nuk do të mbetet në kuadër të ndryshimeve statutore të cilat nuk janë esenciale dhe nuk prodhojnë rezultat, por janë përgjithësisht si një mjet për të fituar kohë apo për të ulur tensionet. Pra, pranoj në rastin e një diskutimi të gjerë ku do të hidhen për propozim platforma politike nga rryma të ndryshme të partisë me qëllim për t’i shërbyer reformimit, ngjyrimit dhe çuarjes së PD-së në identitetin e saj të djathtë që pothuajse ka humbur…”, është shprehur Malko gjatë mbledhjes. Sipas tij, “jemi në një dilemë ekzistenciale, do jemi apo nuk do jemi”. Anëtari i kryesisë ka nënvizuar gjithashtu se, PD-ja nuk ka qenë më keq se kaq në gjithë këto vite.

Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë ka pasur diskutime edhe nga anëtarë të tjerë të kryesisë si Valbona Mezini e cila mësohet të jetë shprehur ndër të tjera se gjatë procesit të analizës, brenda PD-së, zërat kritikë janë përjashtuar. Ajo ka kërkuar që të njihen vlerat dhe puna e gjithsecilit ndërsa ka kujtuar se PD-ja nuk është gati për të dalë në një fushatë elektorale. Pas mbledhjes së kryesisë pati jo pak debate televizive lidhur me atë çka po ndodh në PD. Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel, tha se nga mbledhja e djeshme e kryesisë, rezultoi se Basha e bunkerizoi PD-në. “Në PD ka një krizë politike dhe jo burokratike. Basha sot (dje) formalizoi dhe kërkon ta bunkerizojë më shumë PD-në”, u shpreh ai. Patozi nënvizoi gjithashtu arsyet se përse nuk bëhet bashkimi i PD nëpërmjet riorganizimit. “Së pari nuk do (Basha). Veprimet i ka të qëllimshme dhe nuk i ka spontane. Së dyti nuk di dhe e ka të pamundur edhe sikur t’i kishte të dyja”, është shprehur Patozi. Ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, i ftuar në studion e lajmeve në ABC News, është shprehur se kritikët nuk kërkojnë të ndajnë pushtet me Bashën, por një paketë rregullash. “Ne nuk jemi për të kërkuar të ndajmë pushtet me Bashën, por po kërkojmë një paketë rregullash të zbatueshme”, u shpreh ai.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fraksionet nuk janë njerëz, por mendim ndryshe i palegalizuar

Nga Ervis Iljazaj Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ka nxjerrë dhe...
Read More