Kuvendi voton qeverinë dhe vettingun, Meta kundër shkarkimit të Ahmetajt

rama-meta-kuvend-22-maj-2017-copyKuvendi ka mbajtur dje seancën e jashtëzakonshme, ku ka finalizuar marrëveshjen Rama-Basha. Votohen dekretet për shkarkim dhe emërim ministrash. Meta voton kundër shkarkimit të ministrit të Financave. Shumica e deputetëve të LSI kanë votuar kundër shkarkimit të Vasilit. Kuvendi plotësoi edhe komisionet e vettingut duke zhbllokuar tashmë procesin

Është finalizuar dje në mbrëmje marrëveshja e arritur pak ditë më parë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Mazhoranca dhe opozita kanë votuar në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare shumicën e detyrimeve që lindin nga kjo marrëveshje, duke nisur nga ndryshimet në qeveri, te paketa e ndryshimeve ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi, ndryshimet në drejtimet e institucioneve të Avokatit të Popullit dhe KQZ-së dhe në fund edhe plotësimin e komisioneve të vettingut. Por pavarësisht mirëkuptimit që ekziston prej afro një jave mes dy kampeve kryesore politike, seance e djeshme plenare është shoqëruar gjithashtu me ndonjë të theksuar mosbesimi mes palëve. Kjo u duk si në rastin e votimit të dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave të cilat morën në mënyrë të vazhdueshme vota kundër dhe abstenim, ashtu edhe në debatin për rendin e ditës dhe në mënyrë të veçantë për radhën se kur duhet të votoheshin komisionet e vettingut.

Rendi i ditës

Të çliruar nga ngarkesat e konfliktit të vazhdueshëm, deputetët të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme plenare, janë shfaqur dje të qeshur dhe mes tyre nuk kanë munguar as batuat me njëri-tjetrin. Por pavarësisht klimës “miqësore” që ka sjellë marrëveshja, palët shfaqën që në çelje të kësaj seance një mosbesim të thellë, duke treguar se duhet të jenë vigjilent për të mos rënë pre e ndonjë loje nga kundërshtari politik. Kjo u duk që në kërkesën që bëri deputeti Oerd Bylykbashi, i cili i kërkoi kryetarit të Kuvendit që miratimi i përbërjes së komisioneve të vettingut të bëhej në fund të seancës. Ai bëri të ditur se kështu ishte rënë dakord në marrëveshjen mes palëve. Por këtë pretendim e kundërshtoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili kërkoi që të zbatohej rendi i ditës dhe marrëveshja kishte përcaktuar të kundërtën. “Nuk e kuptoj këtë kërkesë, unë po mendoja për të kundërtën. Kjo seancë do të ishte mirë të fillonte pikërisht me këtë çështje, sepse këtu e kemi lënë. Ç’do të thotë kjo? S’ka asnjë argument për këtë!”, -tha Ruçi. Ndërkohë që nga teksti i marrëveshjes së shpërndarë për mediat pak ditë më parë nga vetë dy partitë kryesore, te pika që kishte të bënte me parlamentin, vettingu renditej si pikë e parë e çështjeve që duhet të diskutoheshin dhe miratoheshin. Por, kreu i deputetëve demokrat Edi Paloka shpjegoi se qëllimi i kërkesës së opozitës nuk kishte të bënte me mosbesimin për të cilin foli Ruçi. “Qëllimi është që ky vettingu i famshëm të jetë akti i fundit i këtij Parlamenti, kaq. Nuk është ajo që thotë zoti Ruçi”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD. Në këtë debat ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili ironizoi me këtë rast edhe marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Bashës. “Mendoj të mos e ndryshojmë rendin e ditës. Z. Berisha e dha dakordësinë e tij, besoj të vazhdojmë tani. Unë atë kam tani. Këta të tjerët e kanë me njëri-tjetrin, unë me atë e kam. Kur të iki unë bëni çfarë të doni ju të tjerët. Vettingu nuk duhet të hyjmë në debat sepse Vettingu nuk është as i pari dhe as i fundit, është në qendër të rendit të ditës. Kështu që qendra e gravitetit të gjithë rendit të ditës është Vettingu”, pohoi Meta.

Ministrat

Ndërsa lanë pas debatin për rendin e ditë, deputetët e të dy krahëve vijuan me pikën e parë, atë për votimin e dekreteve të shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj, si një nga pikat kryesore të marrëveshjes. Votimi tregoi se jo të gjithë kanë qenë dakord me termat e marrëveshjes, pasi në të gjitha votimet e këtyre dekreteve nuk votuan kundër apo abstenim. Fillimisht Kuvendi votoi për shkarkimin e Niko Peleshit si zëvendëskryeministër dhe menjëherë pas tij u votua Ledina Mandia e propozuar nga PD. Emërimi i Mandias mori 119 pro, 2 kundër dhe 1 abstenim. Më pas Kuvendi vazhdoi me votimin e dekretit për shkarkimin e Fatmir Xhafës, i cili ka marrë 104 pro, 5 kundër dhe 6 abstenime. Kundër shkarkimit të Xhafës kanë votuar dy deputetë të LSI-së, një i PS dhe dy të LIBRA-s. Në vend të tij u emërua Dritan Demiraj, i cili po ashtu përveç votave të dy deputetëve të LIBRA-s morr kundër edhe dy vota të LSI-së. Ai u votua me 107 vota pro, 4 kundër dhe 7 abstenime. Kuvendi shkarkoi edhe Olgerta Manasterliun nga posti i ministres së Shëndetësisë. Dekreti për shkarkimin e saj mori 114 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime. Kundër votoi një deputet i PS, një i LIBRA-s dhe dy deputetë të LSI-së. Në vend të saj u emërua Arben Beqiri me 118 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime. Dekreti i shkarkimit të Olta Xhaçkës si ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u votua me 113 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime. Në vend të saj u emërua Xhuljeta Kërtusha me 118 pro, 3 kundër e 2 abstenime. Dekreti për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i ministrit të Financave mori 107 pro, 3 kundër dhe 5 abstenime. Por ndryshe nga të gjitha dekretet e tjera, për shkarkimin e Ahmetaj ka votuar kundër edhe vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Një mesazh domethënës ky se pavarësisht marrëveshjes lëvizja e ministrit të Financave në këtë kohë është një veprim jo i duhur për sa kohë ai ka në dorë financat e vendit dhe prej tij varet shumë performanca financiare e vendit. Krahas tij kundër votoi edhe një deputet tjetër i LSI dhe një i PS-së. Në vend të Ahmetajt Kuvendi votoi edhe dekretin e emërimit të Helga Vukajt. Ajo mori 116 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenime. Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme Kuvendi shkarkoi edhe ministren e Arsimit Lindita Nikolla, e cila mori 109 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenim. Në vend të saj Kuvendi votoi Mirela Karabinën, e cila mori 111 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim. Dekreti për shkarkimin e Petrit Vasilit ka marrë 10 vota kundër nga vetë deputetët e LSI-së, ndërkohë që 4 deputetë të saj kanë abstenuar. Në total dekreti për shkarkimin e Vasilit ka marrë 102 vota pro, 10 kundër dhe 6 abstenime.

Në vend të tij u emërua Gazmend Bardhi, i cili mori 106 vota pro, 3 kundër dhe 5 abstenime. Seanca votoi edhe për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Ligjet dhe vettingu

Pas një ndërprerjeje prej afro dy orësh Kuvendi ka rinisur seancën e jashtëzakonshme, por ndryshe nga sa ishte rënë dakord ai është përfshirë në diskutime të gjata, ku protagonistë janë bërë kryeministri Rama, kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, ish-kryeministri, Sali Berisha dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka. Debatin e ka nisur kreu i LIBRA-s, i cili ka akuzuar palët në marrëveshje se po punojnë kundër interesave të shqiptarëve. Ai theksoi se të dyja palët kanë harruar të gjitha akuzat që kanë bërë ndaj njëra-tjetrës ndërsa kanë rënë dakord që së bashku të qeverisin dhe të mbrohen nga vetting. Blushit i është përgjigjur vetë kryeministri Rama, i cili ka siguruar se marrëveshja synon vetëm krijimin e një klime besimi ndaj opozitës se makineria shtetërore nuk do përdoret në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa ka siguruar se vetting do të bëhet dhe se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar i kanë ditët e numëruara. Në debat është përfshirë edhe Berisha i cili ndërsa i ka kujtuar Ben Blushit se akuzat e tij vijnë nga xhelozia, ka theksuar se nga marrëveshja dolën të gjithë të fituar. “Nuk do të komentoj marrëveshjen pasi jam shprehur se ajo është win- win story. Por do them dy fjalë. Duke të dëgjuar ty konstatoj një shpërthim xhelozie të papërmbajtur. Xhelozia është sentimenti që lind në dashuri dhe i cili provohet nga frika se personi i dashuruar tashti do dikë tjetër. Po njerëz jemi ne, njerëz me ndjenja, por këshilla ime prapë medikale është kjo se më përmallove kur lexove Nolin se ka filluar të duket vetja dhe Fan Nol. Dashuria e lind xhelozinë por xhelozia e vret në fund atë”, – tha Berisha. Më pas Kuvendi vijoi me votimin e ndryshimeve ligjore që përbëjnë një pjesë të paketës së reformës zgjedhore, duke përfshirë masat shtrënguese për blerjen e votës në Kodin Penal, disa ndryshime në ligjin “Për partitë politike” që kanë të bëjnë me financimin e partive dhe disa ndryshime në ligjin “Për mediat audiovizive” që kanë të bëjnë me të drejtën televizive të subjekteve zgjedhore pa pagesë. Kuvendi votoi edhe plotësimin e tri komisioneve ad hoc që do bëjnë përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të vettingut me përfaqësuesit e djathtë. Kjo do t’i hapë rrugë tashmë procedurës së seleksionimit të kandidatëve që kanë kaluar filtrin e Avokatit të Popullit dhe ONM-së dhe që më pas do bëjnë kontrollin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në fund Kuvendi votoi edhe për zgjedhjen e Klement Zgurit si kryetar i KQZ dhe Erinda Ballancës si Avokate e Popullit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Britania nuk ka dalë nga BE – Ftesë për një media të përgjegjshme

Nga Julian Zyla Britania nuk ka dalë nga Bashkimi Europian. Akoma. Ajo...
Read More