Lagjja

Nga Edison Ypi

Populli i lagjes ecte gjithmonë rrëzave, gjithmonë ngadalë, gjithmonë kryeulur.

Lagjja administrohej nga “Këshilli i Lagjes”, një tufë spinësh, hordhi burokratësh, kopè edepsëzash, që “qanin hallet e popullit” sipas orientimeve të partisë, dhe interpretonin në mënyrën e duhur letrat anonime që dikush dërgonte në dëm të dikujt, jo për të zbardhur jetën e vet por për ta nxirë jetën e tjetrit.

Kryepolici i Lagjes, ose “i plotfuqishmi”, ishte një dëng me mish që endej nëpër lagje gjysmë i shkopsitur, si masovik, si popullor, si i afërt me njerëzit.

Polici i Lagjes ishte një qurravec pisanjos që më tepër se frikë apo urrejtje të ngjallte neveri dhe mëshirë.

Për t’u ruajtur prej spiunave vepronte mekanizmi misterioz i frikës së të gjithëve ndaj të gjithëve.

Spiunat që as fshiheshin as shpalleshin, vigjiluesit e paepur të sjelljes së secilit banor, drejtimit të antenave televizive mbi tarracë, dritare, ballkone, ndjekësve të modës, devijimeve nga “vija e masave”, ishin pensionistat. Ata mutër ishin edhe dibranë, mirditorë, fierakë, por më së shumti lebër që mbaheshin për “veteranë të luftës”.

Në prag festash policia mblidhte aleatët e vet në Lagje, kurvat, pijanecët, sherrxhinjtë. I mbante disa ditë në burg të mos helmonin “festimet”.

Sigurimi e dinte që disa banorë të Lagjes dëgjonin fshehtas Zërin e Amerikës. Por, meqenëse përmes të infiltruarve, Zëri i Amerikës ishte faktikisht Zëri i Sigurimit, atyre që e dëgjonin atë radio nuk i jepte fort rëndësi. Sigurimi nuk ishte aq budalla sa të burgoste pse dëgjoje Sigurimin.

Rrobaqepësja e Lagjes, kjo pararojë e përhapjes së modës perëndimore, jeta e së cilës kalonte në teh të briskut, ishte një heroinë që luante me disa porta. Që klientat të kënaqeshin dhe zarar të mos bëhej, duke aplikuar një strategji që nuk e bëri kurrë të njohur, virtuozja e tegelave ua bënte qefin të gjithëve që përpiqeshin të visheshin pak më mirë se me kominoshe.

Për një zonjë të hirshme që kalonte kryelartë mespërmes Lagjes si Monica Bellucci, pa e njohur aspak, pa ditur asgjë rreth saj, thoshin se ishte kurvë.

Kurva cilësoheshin gjithashtu të gjitha vajzat e bukura pa asnjë përjashtim.

Matanë rrugës jetonte një përkthyes që punonte në një shtëpi botuese. Hiqej si i çmendur. Bënte vrap çdo mëngjes. Mbahej disident. Jepte e merrte libra gjysmë të ndaluar si “Apologjia e vërtetë e Sokratit” etj. Ia kishin frikën. I afroheshin me drojë. Më vonë doli se kishte qenë spiun.

Diku në thellësi të lagjes banonte një djalë që mburrej se e kishin kapur disa herë duke u arratisur. Të gjithë e dinin se po të kapnin 1 herë duke u arratisur, të rrasnin për gjithë jetën në burg, dhe nuk mund të tentoje për herë të dytë ose të tretë. Megjithatë të gjithë bënin sikur i besonin historitë e arratisjeve të tij. Edhe ky më vonë doli spiun.

Një jevg që banonte në një barakë, u zhduk disa vite. Më vonë u muar vesh se zeshkanin e besuar të partisë dhe sigurimit e kishin çuar shofer në një ambasadë në Indokinë.

“Klubi i Lagjes”, ose shkurt “Klubi”, ishte një barakë e pisët plot me spiuna që bënin si të dehur. Që tavlla prej llamarine e duhanit të mos vidhej, e mbërthenin mbi tavolinë me një gozhdë në mes. Për ta zbrazur këtë tavëll, pastruesja nuk përmbyste tavolinën, por me prekje të lehtë dhe të shpejtë me gisht rrotullonte tavllën. Gjatë rrotullimit tavlla flakte bishtrat dhe mbeturinat mbi dysheme dhe mbi rrobat e klientave. Në Klub, ku punëtorët, intelektualët, nëpunësat, ushtarakët e Lagjes zbraznin gjysmën e rrogës sapo e merrnin, një herë në javë ose dhe më rrallë mund të pije një birrë të qelbët. Me surretërit plot vraga dhjami bërxollash derri, mes duhmave të rakisë dhe gromësimave të mishit, frekuentuesit e Klubit mund të shihnin përtej xhamit ndonjë siluetë femre. Brenda në Klub këmbë femre nuk shkelte.

Çfarë ishin “dyqanet e lagjes”, radhët e përgjumura, pritjet sfilitëse, ngritjet që me natë, shitëset e ngathëta, raftet bosh?, është pyetje së cilës i nënshkruari nuk merr përsipër t’i përgjigjet. Vetëm rekomandon pamje nga filmat për epidemitë e kolerës në qytetet mesjetare.

Kur në ndonjërin nga dyqanet e lagjes tregtohej diçka e rrallë, për shembull gjizë për të ngrënë apo lesh për të thurur triko, banorët i thoshin njëri-tjetrit me sy të zgurdulluar “ka dalë gjizë” ose “ka dalë lesh”, sikur të burgosurve “gjiza” dhe “leshi” u ishte dhënë nga disa orë deri në 1 ditë liri.

Për të vjedhur lëveret e ndera në katet e epërme përdorej kjo mënyrë; Hajduti hidhte mbi lëvere një mace. Macja, pasi e mbërthente lëveren me kthetra, binte poshtë bashkë me lëveren.

Mënyra e vjedhjes së një biçiklete ishte më e thjeshtë. Për biçikletën që ndodhej e lidhur në trotuar, hajduti pyeste nga poshtë dikënd që ndodhej lart në dritare ose në ballkon; E jotja është kjo biçikleta ? Kur përgjigja ishte “po”, hajduti priste kavon ose këpuste zinxhirin, i hipte biçikletës së vjedhur, ikte duke fërshëllyer melodinë e këngës “Për ty atdhe”.

Lagjja ishte arena kartilagjinoze ku ndesheshin “lëngu” njerëzor me “kockën” institucionale.

Hera-herës mes përmes Lagjes kalonte që pa gdhirë një kamion i zhurmshëm që quhej Skodë. Përbindëshi prej llamarine vinte merrte familjet dhe rraqet e tyre për t’i degdisur në baltat e internimit. Tek shihje kamionin e llahtarit, e para gjë që të vinte në mendje ishte t’i luteshe Zotit të mos vinte në shtëpinë tënde.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PUNK dhe EHO

-Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Zoran Panoviq I dashur Mustafë, Urrejtja serbo-shqiptare ka episode...
Read More