Lajmi i mirë: Projekti në Tiranë “Bëjmë detyrat e shtëpisë” në shkollë


Duke filluar nga viti 2018, Bashkia e Tiranës sjell risi në sistemin e arsimimit të nxënësve  duke aplikuar për herë parë një model të ngjashëm me atë të vendeve më të zhvilluara të Europës.

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet që të miratojë në mbledhjen e tij të sotme projektvendimin përmes të cilit nxënësit e katër shkollave në Tiranë do t’i bëjnë detyrat e shtëpisë në ambientet e shkollës.

Projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” do të ofrojë shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17.00, nga e hëna në të premte, sipas strukturës së vitit shkollor të  sistemit parauniversitar  të miratuar nga MAS dhe kalendarit të festave zyrtare.

Nga ky projekt përfitojnë fillimisht 3000 fëmijë, vajza dhe djem, nga mosha 6-15 vjeç që ndjekin shkollat ku do zbatohet projekti.

Fëmijët pas procesit mësimor do konsumojnë ushqimin, më pas do zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas do rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Aktivitetet pas shkolle do hartohen nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe do ketë aktivitetet e dedikuara për të.

Për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi do financohet 100% nga Bashkia Tiranë.

Trajtimi ushqimor do të fillojë me shërbimin katering në tre shkolla dhe projekti  do të ketë 4 modele pilotimi si më poshtë:

1. Në shkollën 9- vjeçare “Ardian Klosi”, ushqimi do të ofrohet falas nga Bashkia e Tiranës për të gjithë fëmijët dhe të  ofrohet shërbimi pas shkolle  për të gjithë fëmijët.

2. Në shkollën 9- vjeçare “Betim Muça”, ushqimi do të merret me vete nga fëmijët dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët.

3. Në shkollën 9- vjeçare “Hasan Tahsim”, ushqimi do të financohet pjesërisht nga prindi në masën 50% dhe 50%  nga Bashkia Tiranë  si dhe të  ofrohet shërbimi pas shkolle  për të gjithë fëmijët

4. Në shkollën 9- vjeçare “E Kuqe”, ushqimi do të financohet nga prindi në masën 100% si dhe të  ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët. Në të tre modelet ku ushqimi do shërbehet me katering ushqimi do jetë i njëjtë për të gjithë fëmijët.

Pilotimi i këtij projekti do të ndihmojë Bashkinë për ta shtrirë këtë model më pas në të gjithë Tiranën. Në qytetin e Tiranës aktualisht gjenden 66 shkolla 9-vjeçare publike me rreth 47406 nxënës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama replikon me Bashën, ekspertët: Rritje çmimesh e falimentime

Kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës e nisën ditën duke debatuar...
Read More