Lamtumira: Karafila të bardhë për Dritëro Agollin

banesa e funditPërmasa e homazheve të djeshme për shkrimtarin Dritëro Agolli nuk ngjante thjesht me atë të një shkrimtari, poeti. Duke kaluar këtë horizont, si personalitet politik e kulturor me ndikim, si para ‘90-ës ashtu dhe më pas, dje në Pallatin e Kongreseve përcjellja për në banesën e fundit është bërë në prani masive të personaliteteve politike, të kulturës, miq, të afërm dhe adhurues të ardhur nga disa qytete të vendit. Ndërsa karafila të bardhë janë hedhur në ajër duke mbuluar arkëmortin e shkrimtarit Dritëro Agolli, ndarë dy ditë më parë nga jeta.

Përmasa e homazheve të djeshme për shkrimtarin Dritëro Agolli nuk ngjante thjesht me atë të një shkrimtari, poeti. Duke kaluar këtë horizont, si personalitet politik e kulturor me ndikim, si para ‘90-ës ashtu dhe më pas, dje në Pallatin e Kongreseve përcjellja për në banesën e fundit është bërë në prani masive të personaliteteve politike, të kulturës, miq, të afërm dhe adhurues të ardhur nga disa qytete të vendit.

Ndërsa karafila të bardhë janë hedhur në ajër duke mbuluar arkëmortin e shkrimtarit Dritëro Agolli, ndarë dy ditë më parë nga jeta.

Ceremonia e organizuar nën kujdesin shtetëror, ka qenë e pritshme duke ndarë fjalët e fundit me poetin. Bashkëshortja Sadija, djali dhe vajza Elona, nipërit dhe mbesat kanë pritur me qindra njerëz. Nga Parisi, Kadare e ka cilësuar se ky ishte lajmi më i rëndë i këtij dimri, duke përcjellë mesazhin e ngushëllimit kur Agolli ndërroi jetë dy ditë më parë.

Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo, ndër të parët që ka folur këto dy ditë për kolegun e tij, tha se vepra e tij është pavdekshme. “Kemi dëgjuar këto ditë shprehjen ‘u largua Dritëro Agolli’! Është e pakuptimtë, shkrimtari nuk largohet dot, është e pamundur. Në vdekje nuk ka rubikon. Agolli me vdekjen e tij është njeriu që do të përjetojë atë që quhet nga të mençurit, jetën e dytë që është më misterioze, tekanjoze, që ka të bëjë me atë që mbetet nga shkrimtari, nga librat e tij”, -tha Zeqo.

Sadije Agolli, bashkëshortja e shkrimtarit, thotë fjalët e fundit duke premtuar se do të mbajë fjalën për botimin e gjithë dorëshkrimeve. Premtimin e saj, Sadija e bëri përpara përcjelljes së Dritëroit në banesën e fundit, rreth orës 14:40 ku shprehet se nuk priste se do të ndahej nga jeta: “mendoja se ai do të jetonte. E donte jetën në çdo grimcë të saj. Më ka lënë shumë-shumë gjëra. Duke i pastruar kostumin, kam gjetur blloqe me aforizma, me mendime në Parlament, dhe kudo ku ulej, në kafe. Edhe kohët e fundit shkarraviste. I ndau stilografët e çmuar. Jo Dritëro, do t’i ruaj, të gjitha do t’i ruaj. Meraku i tij ishin dorëshkrimet që nuk arriti t’i botonte. Do i botoj të gjitha dorëshkrimet”, -tha Sadije Agolli.

Edhe kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e lamtumirës në Pallatin e Kongreseve, në nderim të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. “Qysh se e kam parë në djalërinë time më është dikur si dikush i zbritur nga dikur larg”, e nisi Rama fjalën me vargjet e Agollit. “Po të mos më shtrëngonte detyra do t’i bëja bisht kësaj ceremonie dhe kësaj sëkëlldie te madhe. Sëkëlldia më sjell para syve atë dikushin e madh, me një gotë në dorë dhe sytë e tij që duket sikur më thonë ore ç’është kjo mbledhje. Mbylle sytë ndaj të gdhirë dhe pranë vatrës. Më dukej sikur jetonte në një dehje përfundimtare, ku në një anë mbahej nga gruaja dhe nga krahu tjetër nga vetë dehja”, -tha Rama. Në fund kreu i ekzekutivit e mbylli fjalën e tij me epitafin e shkruar nga Agolli për vetveten. Epitaf për veten time-variant-Përjetësisht këtu fle Dritëroi. Me etërit, gjyshërit dhe shokët pranë. Të mira bëri pak gjersa jetoi. Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.

Prit edhe pak Zhurmën pushoi rruga Nuk lëviz një gjeth, Fle veriu, hesht juga, Hënë e lodhur zverdh. Heshtin qiell e tokë, Reja nuk derdh shi, Prit edhe pak kohë, Të pushosh edhe ti.

Testamenti O toka ime që të lërova e të thura këngë, Që të kam dashur plisin dhe barin, Që të kam fshirë me duar, me mëngë, Në ç’vend ma le varrin?

Më mirë ma bëj diku në një brazdë, Apo larg mbi përrua ndofta, Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë, Duke më sjellë lajme nga bota, Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta, E kyçur dera, me lloze porta… Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mes emocionesh përcolli pjesë nga poezitë e të madhit Dritëro, ndërsa tha se që dje prej mesazheve të vlerësimit duket se ka shpërthyer lumi Devoll. “Me ty Dritëro nuk mund të flitet veçse për jetën, atë që ti e gëzoje. I dhe shpirtin jetës dhe i more poezinë, jetën që ti e mbushe në një mënyrë tjetërsoj”, -tha ajo.

“Dua të të falënderoj, se nuk mbajte gjallë vetëm shpirtin tënd, por edhe timin, edhe të atij, asaj, se na mësove se kur njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje, nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresës, një gjë e the me dhimbje, lëreni të vdesë. Ti që i ke ndjerë të tëra, ti nuk vdes, prandaj nuk ka vlerë të flasësh për ikjen tënde”, u shpreh më tej Kumbaro.

Ish-presidenti, Aleksandër Moisiu tregoi për miqësinë e tij me Dritëronë dhe bisedën e fundit telefonike të zhvilluar me të në 85-vjetorin e lindjes. “Vërtet shqiptarët kanë ende nevojë për fjalën tënde, për mendimin tënd të mençur, të pjekur, maturuar, të urtë sepse të tilla janë kohërat që po kalojmë dhe aq më tepër të shprehur me një gjuhë që e takojnë të gjithë, gjuhë të shtruar popullore të papërzier me fjalë të huaja, por shumë kuptimplotë. Me Dritëronë jam njohur në vitin 1958 në klubin e shkrimtarëve, unë i sapo kthyer nga Akademia dhe ai kishte rreth 2 vjet që ishte kthyer gjithashtu. Biseduam se çfarë duhet bërë që ky vend të ecë akoma më shumë përpara. Ishim ende të pazhgënjyer për ato që ndodhën më vonë. Edhe për këtë, sërish vendi kishte nevojë, për ty Dritëro. Ke pasur një zemër të madhe shqiptare. Bisedën e fundit e patëm në tetor kur e mora në telefon për ta uruar për ditëlindjen dhe ai ashtu i sëmurë vetë, më foli me plot shqetësim për sëmundjen e kolegut dhe mikut të tij, Uruçi që pak ditë më vonë ndërroi jetë”, -tha Moisiu. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka folur për kontributin e Dritëroit në Shqipëri. “Mendja e Dritëroit shkurtoi ditët e sistemit që lamë pas. Kur fliste Dritëroi të gjithë dëgjonin. Askush nuk guxonte ta kritikonte kur fliste ai edhe pse ishte kundër linjës politike. Mesazhi që na lë: Më kujtohet viti ’90, në atë periudhë ku konkurronin 2 vendime ndaj studentëve, të përdorej forca apo mendja. Sigurisht që Dritëroi ishte me të dytën, dhe ishte flamurtar i pranimit të pluralizmit politik dhe ndaj studentëve të zbatohej vetëm dialogu. Shumë thonë që demokracinë e prura unë, por ka qenë një paradoks në ‘90 që si rezultat i këtyre njerëzve të mençur që mbanin qëndrime, pluralizmi politik në Shqipëri u fut pa shumë vështirësi si në vendet e tjera të Lindjes. Në këtë sallë ku jemi sot, ishte mbledhur Kongresi i Partisë së Punës. Shumë nga ne i themi vetes themelues të Partisë, por në këto ditë të gjithë e kemi freskuar memorien me një insert që media ka dhënë për Dritëronë.

Foli ai në sallë, dhe e fërshëllyen, por Dritëroi i qëndroi stoik mendimeve të tij. Sipas Dritëroit janë intelektualët ata që udhëheqin turmat, që në atë kohë duartrokisnin udhëheqësin. Ata nuk e dinin që Dritëroi kishte një program ku nuk bëhej fjalë për Marksizëm-Leninizëm, por për pluralizëm politik. Në këto 25 vite është vështirë të gjesh një të dytë si Dritëroi që respektohet nga të gjithë. Vështirë të gjesh një politikan që nuk nderoi dhe respektoi këtë ditë mortore të Dritëroit. Kur u vendos pluralizmi të gjithë thanë ne e sollëm demokracinë, por një fjali e Dritëroit i uli në gjunjë: Të gjitha partitë shqiptare kanë dalë nga mitra e përgjakur e PPSH-së. Kurrë nuk e braktisi krijimtarinë për sytë e bukur të dashnores politikë. Asnjëherë nuk u tundua. Iku nga kjo jetë pa asnjë cen, pa përfituar në mënyrë të padrejtë as një fije floku”.

Pak para se të mbylleshin homazhet, i vëllai i shkrimtarit, Tajar Agolli mbajti fjalimin e fundit në ceremoninë e lamtumirës për shkrimtarin. Ai tha se Dritëroi ishte vëllai i gjithë shqiptarëve. “Unë jam vëllai, ishte vëllai im. Ishte vëllai i të gjithëve ju, të gjithë Shqipërisë. Të gjithë fjalët u thanë në mënyrë të shkëlqyer. Ju falënderoj të gjithëve”.

Agolli si duket ka mbetur te shumica në historitë e tyre, si pjesëza jete për ta kujtuar. Nga Korça, Tirana, Durrësi, Tepelena, Shkodra, Kosova e me gjerë kanë ardhur për homazhe të fundit. Ceremonia e homazheve në nder të shkrimtarit është mbajtur rreth tre orë rresht në Pallatin e Kongreseve duke e përcjellë më pas në varrezat e Tufinës, ku qindra vetë e kanë shoqëruar për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Pirro Milkani: Fat që kam realizuar një dokumentar për Agollin dhe Kadarenë

Një histori e gjatë marrëdhëniesh mes shkrimtarësh; një raport armiqësie, përuljeje, faljeje, e shfaqur në dokumentarë jete. Për herë të parë, dy protagonistët e letërsisë në diktaturë Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, janë shfaqur së bashku pas një ndërprerjeje të gjatë miqësie, prej vitit ’83, duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit. Është dokumentari i Milkanëve, Pirros dhe të birit Enos, që e ka rrëfyer dje, në fjalën e lamtumirës kineasti

Një histori e gjatë marrëdhëniesh mes shkrimtarësh; një raport armiqësie, përuljeje, faljeje, e shfaqur në dokumentarë jete. Për herë të parë, dy protagonistët e letërsisë në diktaturë Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, janë shfaqur së bashku pas një ndërprerjeje të gjatë miqësie, prej vitit ’83, duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit. Është dokumentari i Milkanëve, Pirros dhe të birit Enos, që e ka rrëfyer dje, në fjalën e lamtumirës kineasti.

Por duhet të kujtojmë se pas një miqësie të njohur, mjaft të afërt, kur si komshinj netëve flisnin kundër regjimit, erdhi ndarja, derisa Agolli “ndërroi” drejtimin politik, duke marrë postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Kadareja shkrimtari që iu kushtua totalisht vetëm letërsisë, në kushte të kërkimit të lirisë. Në fakt shenja e parë e pajtimit mes tyre u dha në promovimin e librit me tregime të Agollit, një libër i censuruar, i konsideruar prej Kadaresë si një nga librat më të mirë. “Zhurma e erërave të dikurshme”, Agolli e ka kujtuar si një kohë e largët kur më ‘65 nuk iu lejua t’i botohej. Jo me sofistikimin e hollë apo mesazhin subversiv siç është në stilin e Kadaresë, por me gjuhën e tij popullore, atë humorin e rrafshët prej njeriu konfidencial, duke nxjerrë në dukje se është një shkrimtar prej fshati, shkrimtari ka afruar mendimin mbi mikun e tij. “Shkrimtari është si mbi ring, ku pret rrufe e kritika…”. Kjo u duk si shenjë që shënonte fundin e armiqësisë mes Kadaresë dhe Agollit. Pas 40 vitesh, dy shkrimtarët më të përfolur për miqësinë e ftohtë tani kishin gjetur pika takimi me njëri-tjetrin. Pas këtij sinjali erdhi dokumentari i Milkanëve për të dy protagonistët. Dhe për herë të parë këtë e shohim në dokumentarin e Agollit kur kujtojmë një dialog, Agolli i thotë Kadaresë: “Ne të çmojmë mbi veten!” Edhe Sadija, bashkëshortja e Agollit, flet: “Ne të duam shumë”, pasi e puthi në të dyja faqet Kadarenë!

Në fjalën e lamtumirës, Milkani ka kujtuar këto episode duke thënë: “Dritëro aty lart në Kinostudio ndër kineastët më të privilegjuar ishte kineasti Viktor Gjika. Ai bëri bashkë me ty, më shumë filma se të tjerët si Horizonte të hapura, I teti në Bronz, Njeriu me top, Yjet e netëve të gjata…dhe ishte bashkëpunimi yt, dhe kolegëve të tu që na dhanë mundësi të realizojmë filma për të cilat edhe sot nuk na skuqet faqja. E kam thënë aq shpesh që kinemaja shqiptare, nuk është kinema provinciale sepse në të kanë kontribuar aktorë të shkëlqyeshëm dhe pena të shkëlqyera si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Teodor Laço, Nasi Lera etj. Unë e kisha pak zili në kuptimin e mirë, Viktori që bashkëpunoi. Por jeta është e gjatë, ne udhëtuam bashkë me Dritëronë për 50 vjet dhe erdhi momenti që në këto vite të turbullta që quhen vite të tranzicionit apo demokraci, ndodhi një fenomen: këta dy kolosë, Ismaili dhe Dritëroi nuk flisnin me njëri-tjetrin, pothuajse nuk komunikonin. Më erdhi dhe mua fati në dorë: pata porosi për të realizuar dokumentar për Dritëronë dhe Ismailin, duke menduar t’i kem të dy bashkë në film. Pranuan. Dhe ja arrita, që pas kaq vjetësh të dy të takoheshin, këtu te Juvenilja, me një dashuri dhe emocion të jashtëzakonshëm…”, mbylli fjalën në këtë kujtesë Milkani, duke thënë se Dritëroi zë një vend të rëndësishëm në kombin tonë.

Preç Zogaj: Dritëroi e kishte instancën e intelektualit, njeriut publik, çfarë mendonte ai

“Nuk e kam menduar ndonjëherë se do përjetoja vdekjen e Agollit dhe aq më shumë që do flisja në funeralin e tij. Në mendjen time, që kur lexova librin e tij më të hershëm “Në rruga dola”, dhe deri në fund, Driteroi ka qenë si një e dhënë e përhershme që ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë këtu me pamjen e tij të hijshme, fisnike që shëmbëllente si në pak fytyra me aurën e Shqipërisë së thellë, të të shumtëve, të historisë, të bashkëkohësisë drejt ardhmërisë. Por jeta ka ligjësitë e veta, por kam shumë për të kujtuar nga gjithë ky film i gjatë që më kalon në mendje prej dy-tre ditësh.

Dëshiroj të tregoj vetëm një episod domethënës. Vite më parë në rrugicën e lagjes ku banoja më ndaloi një pensionist që lexonte shtypin, lexonte edhe libra. Ai mbante në dorë një gazetë ku ishte botuar një reklamë e një shoqërie piramidale që, mblidhte para dhe letra me vlerë nga qytetarët. Ai më pyet: A e takon Dritëronë? Më flet për t’i dërguar një porosi, një fjalë. Ai më tha: “Thuaji Dritëroit se po shitet Shqipëria”, dhe drejtoi gishtin për nga reklama. E takoja prapë dhe disa herë të tjera dhe, vazhdimisht më pyeste nëse i kisha thënë Dritëroit, se po shitej Shqipëria. Unë përsërisja se do ta mbaja fjalën, do flisja me Dritëronë. Kur një herë, ndala dhe për ta provokuar pak, i them: Po sikur t’i them filanit, e filanit…pra përmenda disa emra që kishin pushtet majtas dhe djathtas, që ishin më të fuqishmit. Por ai nuk pranoi, dhe këmbëngulte se, duhej t’i thoja Dritëroit, sepse vetëm atij i dhemb Shqipëria.

Në fakt Dritëroi e kishte këtë instancë të epërme për halle të mëdha, për pyetje të mëdha, për çështje të mëdha të ekzistencës. E kishte krijuar këtë faltore -besimit të njerëzve të thjeshtë, edhe të të gjitha kategorive. Si e qysh, tani nuk është vendi ta shtjellojmë, por duhet ta kuptojmë në të ardhmen. Por më vjen të them sot se, kishte dy-tri dhunti me të cilat ishte krijuar kjo instancë e intelektualit, njeriut publik që njerëzit kanë nevojë të dinë se çfarë mendon ai. Sepse ishte njeri i drejtë, i vërtetë, ishte njeri zemërgjerë. Unë e falënderoj sepse më ka ndihmuar të pranohem në shkollë të lartë, ka ndihmuar shumë të tjerë, por sigurisht nuk ka mundur të ndihmojë të gjithë të ndaluarit… në një sistem të mbyllur, të ndalimit, shtypjes njeriu vlerëson për të mirat që ka bërë dhe jo çfarë s’ka mundur të bëjë. Ky mendoj se është kriteri. Dua ta falënderoj sot Dritëronë për përndritjen që solli me poezinë e tij, me gjithçka që shkroi. Por në radhë të parë për shkollën agolliane të poezisë së thjeshtë e të thellë, filozofike dhe shpirtërore, popullore dhe elitare njëkohësisht. Dua ta falënderoj për ndikimin e jashtëzakonshëm për të rritur rëndësinë e kulturës dhe letërsisë në një vend që doli nga një prapambetje e gjatë, dhe e thellë. Në traditën tonë burrat kur shkojnë në mort dhe flasin për të vdekurit zakonisht përdorin shprehjen: I mjeri për ty! Dhe në fakt të mjerët ne për ty Dritëro! Dhimbja është e madhe, Dritëroi është i pazëvendësueshëm. Më vijnë disa vargje të Pablo Nerudës, nga një elegji për mikun e vet: Do vonohet shumë/ të lindë nëse lind/ një tjetër si ti/ kaq i pasur në shpirt/ kujtoj elegancën tënde në fjalë/ që ofshajnë dhe kujtoj një puhi të trishtë…

Fundja pse duhet të lindë përsëri, kulturës sonë dhe poezisë i mjafton një Dritëro, i mjafton Dritëroi me veprën që la. Ne, që e njohim do ta kujtojmë gjithmonë si të gjallë, ata që do vijnë, lexuesit e tij të ardhshëm do ta lexojnë dhe, do ta mendojnë me destinin e shkrimtarëve të mëdhenj që flasin nga mosqenia”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Me kartën e kreditit të Intesa Sanpaolo ndihesh i lirë çdo ditë!

Intesa Sanpaolo Bank ka prezantuar së fundmi kartën e re të kreditit...
Read More