Lamtumirë Hajrie Rondos: Pasionit të heshtur të gruas

Dje, në Himarë është përcjellë për në banesën e fundit aktorja Hajrie Rondo, ndarë nga jeta një ditë më parë, në moshën 66 vjeçare, duke humbur betejën me sëmundjen e saj të gjatë, por duke “fituar” betejën e një modeli që na la jetën me ngjyra të gruas dhe aktores, forcën dhe pasionin e saj të heshtur

Dje, në Himarë është përcjellë për në banesën e fundit aktorja Hajrie Rondo, ndarë nga jeta një ditë më parë, në moshën 66 vjeçare, duke humbur betejën me sëmundjen e saj të gjatë, por duke “fituar” betejën e një modeli që na la jetën me ngjyra të gruas dhe aktores, forcën dhe pasionin e saj të heshtur. Rondo që jetoi dy epokat, por që ruajti në distancë të ftohtë imazhin nga krijimtaria e realizmit socialist, dha një kulm grotesk në kinematografi që lidhet me Tanën në filmin “Përrallë nga e kaluara”, me regji të Dhimitër Anagnostit. Nga e gjithë biografia e saj në kinema dhe teatër, ky rol ka ndërtuar një imazh nga më të tërheqësit, jashtë çdo klisheje e skematizmi që servirte mekanizimi i “estetikës” së rekomanduar nga diktatura.

Rezistenca e aktores, sidomos në këto vite, ku herë është lënë në heshtje, dhe herë me guximin për të demostruar një forcë njerëzore na ka bërë të kthejmë kokën, për pasionin e saj të heshtur, atë të gruas jashtë kornizës. Ndaj ka qenë e natyrshme reagimi publik por dhe i kolegëve, miqve dhe të afërmeve karshi këtij modeli. Në rrjetet sociale dhimbja për humbjen e aktores kapërcente biografinë e saj, sidomos duke dëshmuar se sa fuqi dhe forcë rimerr njeriu për t’u ngritur kur fjala është për njerëz të skenës. Në një shoqëri si kjo e jona, shpërfillëse, e ftohtë dhe shpesh e vrazhdë për nga mbijetesa Rondo kapërceu “dhimbjen personale”. Aktorja që prej muajsh vuante nga sëmundja e rëndë, madje dy muaj më parë i ishte nënshtruar një ndërhyrje të vështirë, për të cilën, bashkëshorti do të ndante për mediat, në këtë dëshpërim se: “Nuk u kujdes askush për të. E harruan të gjithë. E harroi edhe politika. Pati një ndërhyrje kirurgjike të vështirë kohët e fundit. Kush u kujtua për të? Askush!”. Kiço Rondo ka treguar se aktorja “ishte e ndërgjegjshme deri në çastet e fundit. Madje në mëngjes, rreth orës 9 më la disa porosi. M’u duk se e ndjeu. Tha që t’i kem kujdes fëmijët, ta nderojmë”. Në një konferencë për mediat, në daljet e saj të fundit në skenë në Teatrin e Metropolit, Hajrie Rondo u përlot. Ajo e dinte se ishte takimi i fundit me publikun. Përshëndetja e saj, shikimi, mirësjellja, të folurit e qetë, ai trishtim i zonjës Rondo, fliste më shumë se fjalët. Aktorja, qe kthyer në skenën e teatrit, me dramën shqipe “Tre dhëndurët”. Mes provave e përgatitjes, ishin ditët e kimioterapisë. “Unë jam në fazën e mjekimit, me kimioterapi. Po luftoj, luftoj aq sa unë kam në dorë, sa mund të bëj. E para është optimizmi, që është gjëja më e mirë, pastaj ushqyerja, këshillat me mjeken. Të gjithë mjekët më thonë: Shikoje jetën me ngjyra të bukura”, qe shprehur para mediave.

Një ditë pas shfaqjes, aktorja mori dhe medaljen e “Mirënjohjes”, në shenjë vlerësimi, nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. “Unë përdor një shprehje të popullit që thotë: Çdo të mbjellësh, do të korrësh. Unë besoj se në jetën time, në karrierën time kam mbjellë mirë. Kjo ishte si qershia mbi tortë, nuk dija gjë me thënë të drejtën. Pas premierës vajza më thotë: Mami nesër ke sebep. Dua t’i jap uratat sa një pash vajzës sime, për shërbimin që më ka bërë, siç bëjnë bijat për nënat, por ajo vërtet shkëlqeu dhe në këtë pikë. Pastaj më thotë që kryebashkiaku do t’ju dekorojë. Ngriva, por pastaj fillova të merrja masa. Pastaj vajti mirë çdo gjë, ishte një pritje shumë njerëzore. Unë u ndjeva mirë”. Kritiku Josif Papagjoni në zërin e Enciklopedisë së Teatrit dhe kinematografisë shqiptare, shënon ndër të tjera për aktoren: “Veç përjetimit të thellë, në aktrimin e saj bëhet kujdes për t’u dhënë karaktereve frymë shqiptare, bukuri forme dhe ekspresivitet në gjeste, ritëm e dinamikë, e dukshme kjo posaçërisht në figura grash e nënash sa të ashpra e krenare, po aq të buta e mallëngjyese. E mëvetësishme mbetet H. Rondo edhe në interpretimin e roleve komike, ku spikat një humor i natyrës së burleskut e groteskut, lumturisht i harmonizuar me vërtetësinë dhe organicitetin.” 

Zëri i Rondos në Enciklopedinë e Teatrit dhe kinematografisë shqiptare

Hajrie Rondo lindi në Delvinë, më 1 mars. Mbaroi studimet e larta për aktore në Institutin e Lartë të Arteve gjatë viteve 1969-1972. U emërua në teatrin “Bylis” të Fierit fill pas studimeve të larta. Roli i parë i saj në këtë teatër ishte ai i gruas së heroit në dramën Heronjtë e Linasit e Sulejman Pitarkës. “Qysh e re interpretoi gra të forta, qëndrestare, disi të ashpra e krenare, shpesh të heshtura, por me ndjenja të thella, rëndom edhe tragjike. Spikati veçanërisht me rolin e Ruzës në dramën Gjëmimi i atij dimri të Teodor Laços, 1976, me të cilin u nderua edhe me çmim. Figurë e një kahu emocional ishte ajo e Fatbardhës në dramën Baladë për një grua (1984) e Dritëro Agollit, regjisor Pëllumb Kulla, ku ndërthuri ndjenjat e dashurisë me ato të dinjitetit moral, intelektualitetit dhe respektit ndaj njeriut”. Më pas realizoi disa role mbresëlënëse, si: nëna te drama Dy krisma në Paris e P. Kullës, nëna te Dashuri me fantazmat e Di Maxhios, Viktorina te Kush e vrau Kastijin (1989), zonja Zoicika te Letër e humbur (1981) e J. L. Karaxhales. Me rolin e Elizabetës te drama Shtrigat e Salemit (1990) e A. Milerit, shënohet në Enciklopedi, ajo riafirmoi natyrën e saj aktoriale të përjetimeve të forta psikologjike, ku pasioni i heshtur i gruas së tradhtuar dhe turbullira shpirtërore shfaqen të përthyera nën pauzat e mbushura me emocione, vetëpërmbajtje dhe fisnikëri prej gruaje besnike, të tria nën një qasje dramatike. Pas viteve ’90 luajti në disa komedi si krushka te Kërcuri (2003) e P. Kullës, Dhespina te Pazari (2004) e L. Keqaidhis, gjyshja tek E ardhmja qëndron te vezët (2004) e Joneskos, Karmela te Gënjeshtra me këmbë të shkurtra e Pirandelos (2006), por e një formati aktorial fort të pëlqyer ishte interpretimi i rolit të Likës te komedia Sa mirë bëri që vdiq (2002) e Ilir Bezhanit, me të cilën ajo i dha jetë e frymë një gruaje fshatare të vrazhdë, ende të papllenuar, kapricioze, sa të pagdhendur aq edhe finoke, falë përdorimit me talent të një morie hollësish karakterizuese, posaçërisht të mënyrës së saj të reagimit: i ballëpërballshëm, inatçor dhe grotesk. Në vitin 2005 luajti zonjën Galë te komedia Zi e më zi e Kristo Floqit, ku shpërfaqi një tjetër kah në konceptimin e figurës, lojën burleske me kundërshtitë: kinse pikëllimin për vdekjen e të shoqit dhe shndërrimin e mëvonshëm të kësaj ndjenje në hare, në këngë e në valle. H. Rondo ka interpretuar edhe në disa filma, si: Agimet e Stinës së madhe, nëna te Një emër midis njerëzve, Lina te filmi Kush vdes në këmbë, e vlerësuar me kupën e festivalit, tek e cila u pa vuajtja përmes vetëpërmbajtjes; gruaja te filmi Nëntori i Dytë, por dalloi veçanërisht me rolin e Tanës te filmi Përrallë nga e kaluara, me të cilin fitoi çmimin e parë. Përmes këtij roli ajo vizatoi gruan tipike shqiptare, tjetërsimet e saj tragjiko-komike nga trysnia që ushtrohej prej marrëdhënieve të kohës, xhelozinë qesharake, si dhe dëshpërimin e ardhur nga paragjykimet sociale. Është nderuar me Urdhrin e Artë “Naim Frashëri”, 1998, kurse më 2007 iu dha Çmimi i Karrierës me monodramën Klithma e një nëne e O. Plakut.

Josif Papagjoni

“…Fati e solli ta njihja herët dhe teatri na bashkoi të dyve, unë nga Saranda e ajo nga Delvina, në po të njëjtën periudhë të studimeve universitare në Institutin e Lartë të Arteve, ne po të njëjtin drejtim: aktrimin. Unë isha një vit para saj. Miqësinë e ruajtëm fort gjithë jetën, e kam ndjekur personalitetin e saj në skenë dhe ekran teksa rritej dhe jam ndjerë krenar për të. Nga libri im Enciklopedia e Teatrit dhe Kinematografise Shqiptare, është një zë kushtuar asaj. Qofsh e paharuar Hajrie, zemër e madhe dhe e bukur, për tët shoq dhe fëmijët dhe për të gjithë ne!…”

Aurela Gaçe

“U prehsh në paqe e madhja jonë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes e gjithë shqiptarëve që morën sado pak nga shpirti i derdhur në role”

Mirela Kumbaro

“Ikën nga toka, por jo nga kujtesa kulturore aktorja që dinte ta shihte jetën me ngjyra, prandaj ia dha atë artit. Lamtumirë Hajrie Rondo!”, shkruan Mirela Kumbaro ministre e Kulturës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘50 mijë kroatët’, ‘Rusia’, ‘Kina’, Rama dhe diplomati i BE

Kjo fillimjavë ka qenë e mbushur me takime të rëndësishme mes përfaqësuesve...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.