Largimi i Adriatik Llallës nuk është çështje e momentit, është çështje e Kushtetutës

Nga Ervis Iljazaj

Ditët e fundit ka nisur debati mbi largimin ose jo të kryeprokurorit Adriatik Llalla nga ky post, pasi në javën e parë të Dhjetorit mbaron mandati kushtetues i tij. Ndryshimet e kryeprokurorit janë pasuar gjithmonë me debate të shumta përgjatë gjithë tranzicionin shqiptar, për faktin se politika dhe organi i akuzës gjithmonë kanë patur një marrëdhënie jo fort institucionale. Në këtë kuptim momente të tilla kanë sjellë përherë debate politike, deri në kufijtë e konflikteve që kanë paralizuar jetën politike në vend.

Politika shqiptare, gjithmonë ka tentuar të uzurpojë organet e drejtësisë, dhe ky nuk është ndonjë lajm i ri. Në një vend tjetër normal, momenti i ndryshimit të kryeprokurorit do të ishte thjesht procedurë, ndërkohë, edhe kësaj herë te ne, është paraprirë nga akuza dhe kundërakuza të politikës, të kota dhe pa vlerë.

Opozita është duke akuzuar qeverinë se largimi i Adriatik Llallës po përgatitet me porosi të mazhorancës për shkak të çështjes Tahiri dhe shumë proceseve të tjera ku përfliten politikanë të ndryshëm për lidhjet e tyre me krimin e organizuar.

Është e vërtetë që në këtë moment nuk ekziston një klimë “miqësie” midis mazhorancës dhe prokurorisë, por mandatet kushtetuese nuk varen nga momenti, edhe kur shumë çështje drejtësie janë të hapura dhe pezull. Mandatet kushtetuese dhe mbarimi i tyre nuk është në dorë të politikës, edhe pse padyshim mund të ketë qëllime për t’i përdorur ato në favor të njërës apo tjetrës palë. Është e rëndësishme që zëvendësime të tilla, për vazhdimësinë e një shteti demokratik dhe kushtetues të bëhen në mënyrë institucionale, sipas parashikimeve të Kushtetutës.

Dhe, në këtë rast, Kushtetuta e Shqipërisë e reformuar është e qartë dhe nuk lë vend për diskutim. Me Reformën në Drejtësi, Kryeprokurori, propozohet nga Këshillimi i Lartë i Prokurorisë, por norma tranzitore e Ligjit mbi Prokurorinë, përkatësisht neni 109, parashikon se: Në rast se kryeprokurorit aktual i mbaron mandati përpara se të formohet Këshilli, atëherë kompetencat e Kryeprokurorit me vendim të Kuvendit i caktohen një prej prokurorëve me më shumë eksperiencë deri në momentin që formohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në këtë drejtim Kushtetuta dhe normat tranzitore për Prokurorinë janë të qarta. Me vendim Kuvendi, do të thotë që nuk është parashikuar ndonjë mazhorancë e kualifikuar për të emëruar kryeprokurorin e përkohshëm.

E para, sepse bëhet fjalë për një kryeprokuror të përkohshëm, dhe qëllimi i normës tranzitore nuk është që të rrezikojë futjen në kolaps për shkak të mosmarrëveshjeve politike. E dyta, edhe pse kryeprokurori i përkohshëm zgjidhet me mazhorancë të thjeshtë, kriteri i tij është përcaktuar qartë: Një nga prokurorët më me shumë eksperiencë. Në këtë kuptim mazhoranca e ka të detyruar të zbatojë normën tranzitore dhe kriteret që vendos ajo për kryeprokurorin e përkohshëm dhe lë pak hapësirë fakultative për këtë. E treta, me Reformën në Drejtësi, organi i akuzës decentralizohet, dhe kryeprokurori ka pak kompetenca.

E vetmja çështje që mund të diskutohet është fakti, nëse mandati i Adriatik Llallës mbaron për 5 vite siç parashikohej në Kushtetutën e vjetër apo për 7 siç parashikohet në reformën kushtetuese, dhe mandati i tij duhet të zgjatet edhe për 2 vite të tjera?

Përpara se të marrim në konsideratë precedentët në raste të tilla, apo të lexojmë germat e Kushtetutës, duhet të lexojmë frymën dhe logjikën e Reformës në Drejtësi. Të dyja këto elemente janë fare të qarta. Si logjika dhe fryma e Reformës në Drejtësi, kërkon që kryeprokurori i ri të zgjidhet nga organet e reja të drejtësisë si KLP, si dhe çdo mandat, çdo kompetencë për këto organe të rifillojë nga e para. Kështu që, zbatimi i Reformës në Drejtësi, nuk mund të presë edhe dy vite të tjera për t’u aplikuar, vetëm për faktin se disa mendojnë që Adriatik Llallës duhet t’i zgjatet mandati nga 5 në 7 vite.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Transferimi i studimeve, një shans i dytë për diplomën tuaj

Bashkë me regjistrimet për herë të parë në universitet, çdo fillim vjeshte...
Read More