Largohen Lu dhe Vlahutin, a do të kemi më shumë sovranitet?

Nga Ervis Iljazaj

Kanë përfunduar misionin e tyre diplomatik në Shqipëri, Ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe ai amerikan Donald Lu. Pa dyshim që, të dy ambasadorët gjatë misionin të tyre, kanë qenë në qendër të opinionin politik dhe publik shqiptar. Kjo ka ndodh për shkak të protagonizmit të tyre dhe për shkak të momentit politik që është ndodhur Shqipëria gjatë qëndrimit të tyre këtu. Shpeshherë janë diskutuar, janë kritikuar apo lavdëruar për qëndrimet që kanë mbajtur. Fakt është se, protagonizmi i tyre ka qenë jo normal për një diplomat të huaj. Të gjithë kujtojmë qëndrimet e ambasadores se BE-së, por sidomos të atij amerikan, për çështje të ndryshme. Qëndrime të qarta dhe të drejtpërdrejta, ndonjëherë edhe me emra, siç ishte ai i djeshmi i Donald Lu për Balilin. Të gjitha këto qëndrime mund të jenë të diskutueshme, por çështja kryesore është që, askush nuk mund të fshehë që ndërkombëtarët kanë ende një ndikim të madh në politikën shqiptare, dhe do vazhdojnë të kenë edhe pas largimin të dy ambasadorëve shumë të diskutuar.

Që nga momenti i ndryshimit të regjimeve, ndërkombëtarët kanë patur një rol thelbësor në politikën e vendit, dhe kanë shërbyer si fanar ndriçues në të gjitha proceset e tranzicionit politik. Të gjithë mendonim se, sa më shumë do të kalonte koha, Shqipëria do të ishte e aftë të vetëqeverisej dhe të bëhej sovrane në vendimmarrjet e saj politike të rëndësishme, ndërkohë që, e kundërta ndodhi. Roli i ndërkombëtarëve përgjatë gjithë tranzicionit dhe deri më sot , jo vetëm që nuk u reduktua, por vazhdoi të ishte po i njëjtë.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, politika shqiptare do të vazhdojë të ndikohet edhe më shumë në të ardhmen nga ndërkombëtarët për disa arsye.

Së pari, rëndësia e zërit të ndërkombëtarëve ka ardhur si pasojë e besimit të ulët që ekziston ndaj politikës shqiptare nga ana e qytetarëve. Në këtë kuptim, ndërkombëtarët kanë luajtur rolin e një arbitri sa herë që politika ka qenë në konfliktualitet, dhe kjo është një gjendje përballë së cilës ndodhemi shpesh.

Së dyti, të gjitha proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, kanë bërë që sovraniteti i saj të lëshohet gjithmonë e më shumë në favor të vendimmarrjes ndërkombëtare. Cedimi i sovranitetit është një gjë që tashmë e kemi të sanksionuar në Kushtetutë, dhe jemi të detyruar ta zbatojmë. Vendimmarrja politike, gjithmonë e më shumë, ka kaluar nga kombëtare në ndërkombëtare.

Së treti, në lojën gjeopolitike që zhvillohet në arenën ndërkombëtare nga fuqitë e mëdha botërore, ku Ballkani është një pjesë e rëndësishme e saj, vende të vogla si Shqipëria e kanë pothuajse të pashmangshme ndikimin e politikës së saj nga njëra apo tjetra fuqi. Ky nuk është një fat që po pëson vendi ynë, por një proces që po ndodh me të gjitha shtetet e tjera që kanë pak rëndësi në arenën ndërkombëtare. Gjeopolitika po luhet vetëm në pak pole të forta, ndërsa vendet e tjera, thjesht duhet të ndjekin drejtimin e përshtatshëm për to. Nëse vende të tjera më të rëndësishme dhe më të fuqishme, e kanë të vështirë të shpëtojnë nga ndikimi i fuqive të mëdha ndërkombëtare, atëherë, ne nuk mund të bëjmë përjashtim.

Për të gjitha këto arsye, të gjitha diskutimet mbi rolin e ndërkombëtarëve në politikën tonë të brendshme, janë thjesht një tension i panevojshëm. Sa më parë ta pranojmë rolin e rëndësishëm që ato do të vazhdojnë të kenë, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Mjafton që të zgjedhim krahun e duhur, që deri më tani duket se është plotësisht properëndimor.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Nuk na shet, se e shesim ne”: Çfarë pritet nga dosja e Saimir Tahirit

Çështja e Saimir Tahirit është rikthyer në vëmendjen e opinionit publik këto...
Read More