Le ta themi, posti i zonjës Bregu është propozim i mazhorancës, dhe s’ka asgjë të keqe

Nga Ervis Iljazaj

Emërimi i Majlinda Bregut si Presidente e Këshillit Rajonal të Kooperimit, institucion i Bashkimit Europian për projektet ekonomike rajonale, ngjalli debate të shumta në politikën shqiptare por edhe në opinionin publik për shkak të personazhit, që kohët e fundit shkakton jo pak diskutime në politikën shqiptare.

Nëse Shqipëria do të ishte një vend normal, fakti që zonja Bregu vjen nga radhët e opozitës nuk do të ishte aspak problem, por përkundrazi do të shihej si një kapërcim mbi interesat politikë të brendshëm në favor të atyre kombëtarë, sepse posti që ka marrë Bregu, është një post jo pak i rëndësishëm. Por Shqipëria nuk është një vend i tillë dhe, si pasojë, nxjerrim debate dhe polemika që as nuk duhet t’i kalonim nëpër mend.

Megjithatë, rasti i zonjës Bregu, është një rast që ka sjellë debate edhe për një arsye tjetër. Arsyeja është se, gjatë gjithë kësaj kohe Majlinda Bregu ka qenë një nga zërat më kritikë të Lulzim Bashës nga një anë, dhe nga ana tjetër kërkonte mbështetjen e mazhorancës për postin në fjalë. Kjo është dhe arsyeja që shumica e militantëve të Partisë Demokratike e shohin si një tradhti, apo më keq akoma, si një marrëveshje e fshehtë.

Në një farë mënyre, duket sikur Majlinda Bregu është përdorur nga mazhoranca dhe si shpërblim ka marrë propozimin e mazhorancës për këtë post. Sepse të kuptohemi, për të marrë një post të tillë kandidaturat dërgohen nga qeveria. Prandaj, debati që Majlinda Bregu ka kandiduar në mënyrë të pavarur, dhe thjesht ka marrë mbështetjen e qeverisë nuk është i vërtetë. Mjafton të shikosh statutin e këtij institucioni se si funksionon dhe e kupton që vetëm qeveria ka të drejtë të dërgojë propozime për këtë post.

Prandaj, Majlinda Bregu, është mirë që ta themi, dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë rast, që është një kandidaturë e qeverisë shqiptare. Kjo nuk do të përbënte asnjë problem, përkundrazi, do të ishte një shenjë emancipimi i politikës shqiptare, nëse zonja Bregu nuk do të ishte një nga kritikët kryesorë të Lulzim Bashës. Këtu fillon e paragjykohet e gjithë kjo histori.

Në fakt, përtej çdo debati të brendshëm politik, emërimi i zonjës Bregu është një lajm i mirë për Shqipërinë. Tashmë drejtojmë një institucion jo pak të rëndësishëm për projektet europiane rajonale ekonomike.

Por zonja Bregu është e detyruar të heqë dorë njëherë e mirë nga Partia Demokratike dhe të shohë karrierën e saj ndërkombëtare dhe ka të gjithë drejtën ta bëjë këtë. Sepse dhe kritike me opozitën dhe kandidaturë e mazhorancës janë dy gjëra që nuk shkojnë dhe vënë në diskutim emërimin e saj.

Të gjitha kritika ndaj Lulzim Bashës që, ndoshta për shumë arsye kanë qenë të drejta, tanimë, me propozimin e kandidaturës së saj nga ana e qeverisë, janë kritika që paragjykohen dhe bien. Ky është i gjithë problemi i këtij emërimi. Në të kundërt, çdo gjë do të ishte më se normale, ashtu sikurse është e udhës të ndodhë në këto raste kur bëhet fjalë për interesat e Shqipërisë.

Kështu që, të gjitha debatet që shkaktoi ky emërim, erdhën si pasojë e aksionit politik të zonjës Bregu që, në të njëjtin moment, përgatiste kandidaturën e saj në bashkëpunim me qeverinë, dhe ishte një nga kritiket më të zëshëm të aksionit politik të Lulzim Bashës. Dy gjëra që, në vend që të sillnin një mirëkuptim të përgjithshëm për postin e saj, shkaktuan fatkeqësisht edhe njëherë ndarje në opinionin publik dhe politik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E djathta ka në qendër të saj jetët dhe bizneset e njerëzve dhe jo shtetin apo qeverinë

“Si të jesh i djathtë” Nga Fitim Zekthi* Debati mbi taksat, mbi...
Read More