Ledia Dushi: Çmimi Kadare është konsoliduar si institucion vlerësues

Poetja dhe studiuesja Ledia Dushi, njëherazi pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës dhe anëtare e jurisë së çmimit letrar “Kadare” flet rreth prurjeve që ka patur ky edicion, fazat e seleksionimit nëpër të cilat kanë kaluar 30 vepra dhe dalja te lista e pesë finalistëve të këtij çmimi, fituesi i të cilit do të shpallet gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës” nga 25 deri më 27 maj. Dushi thotë se tashmë ky çmim është konsoliduar si institucion vlerësues për letërsinë e re shqipe dhe se shkrimtarët kanë besim te çmimi Kadare dhe juria

Kanë qenë plot 30 vepra dhe autorë të brezave të ndryshëm ata që kanë konkurruar këtë vit për çmimin prestigjioz të letrave shqipe “Kadare”, fituesi i të cilit do të shpallet gjatë aktivitetit të kthyer tashmë në traditë “Ditët Letrare të Razmës”, që këtë vit do të mbahet nga 25 deri më 27 maj.

Fazë pas faze, juria që këtë vit kryesohet nga shkrimtari i njohur Kim Mehmeti e me anëtarë emra të njohur të kritikës si Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili, ka seleksionuar veprat derisa arritën në një listë prej pesë finalistësh ku bëjnë pjesë autorë si Vera Bekteshi me romanin “Një rrugë e gjatë pa krye” , Virgjil Muçi me “Piramida e shpirtrave”, Gazmend Krasniqi me “Trilogjia e Shkodrës” , Rudina Çupi “Shenjat e pikësimit” dhe Thanas Dino me “Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi”.

Ledia Dushi, poete dhe studiuese dhe anëtare e jurisë së çmimit “Kadare” për të dytin vit rrëfen rreth procesit të seleksionimit, që siç thotë ajo është bazuar në kritere të qarta të strukturës dhe plotësisë së veprës. Ajo thotë se pjesëmarrja në këtë konkurs tregon qartë se shkrimtarët shqiptarë kanë besim te Çmimi Kadare dhe juria e këtij çmimi, ndërsa veprat që janë paraqitur ofrojnë një pamje të re të letërsisë shqipe.

Jo vetëm vlera financiare prej 10 mijë eurosh, por edhe emri i këtij çmimi, sipas Dushit janë nxitëse për ata që vendosin të konkurrojnë, duke e kthyer tashmë këtë konkurs jo vetëm në një traditë të mirë, por edhe në një institucion të vlerësimit.

Me çmimin letrar “Kadare” janë vlerësuar autorë si Rudolf Marku, Shkëlqim Çela e Musa Ramadani, ndërsa fituesi i këtij viti do të shpallet në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), të cilat do të kenë për kryefjalë figurën e Skënderbeut e cila do të trajtohet në konferencën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”.

Do të doja të dinim diçka më shumë rreth pesë finalistëve të Çmimit Kadare. Një përshkrim të shkurtër të secilës vepër dhe mbi ç`kritere është bazuar seleksionimi?

Lista prej pesë finalistësh përfaqësohet nga karaktere të ndryshme autorësh dhe cilësi të veçanta veprash. Përbëhet si nga shkrimtarë të konsoliduar e të mirënjohur në letërsinë e sotme shqipe, ashtu edhe nga autorë të rinj që prozën e kanë sprovë të rishtë. Seleksionimi është bazuar në kritere të qarta e të përcaktuara, çka nënkuptojnë strukturën dhe plotninë e secilës vepër, duke mbajtur parasysh stilin, gjuhën, rrjedhshmërinë, teknikat, gjetjet, pavarësisht faktit se të gjithë jemi në një mendje se leximi është një rrugëtim personal që bazohet në shije dhe kënaqësi vetjake.

Për ju si pjesë e jurisë, çfarë sjellin të veçantë këto vepra, për këtë konkurs së pari, por edhe për letrat shqipe në përgjithësi?

Lajmi i mirë është se letërsia shqipe vazhdon të shkruhet. Shkrimtarët shqiptarë me çka duket, kanë besim te Çmimi Kadare dhe juria e këtij çmimi. Këtë e dëshmon qartë numri i konkurrentëve dhe cilësia e veprave të ardhura në konkurrim.

Mendoj se veprat në konkurrim për këtë konkurs dhe për letrat shqipe në përgjithësi ofrojnë pamjen më të re, më të freskët nga njëra anë, si dhe trajtën më të maturuar të letërsisë së sotme shqipe.

Sa prurje ka patur në këtë edicion dhe si ka qenë procesi fazë pas faze deri tani, pak ditë para finales?

Pas seleksionimit kanë vazhduar konkurrimin rreth 30 vepra të cilat kanë kaluar nëpër disa faza seleksionimi të mëvonshëm për të arritur në dy fazat vendimtare, të cilat vijuan me përcaktimin e listës prej dhjetë finalistësh dhe më pas të listës përfundimtare prej pesë finalistësh. Ky proces, siç kemi pasur rastin ta bëjmë të njohur edhe më përpara, do të kulmojë në Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), të cilat do të kenë për kryefjalë figurën e Skënderbeut e cila do të trajtohet në konferencën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”.

Po mes jurisë a keni patur këndvështrime të ngjashme për veprat që rezultuan finalistë apo edhe ju është dashur të diskutoni e debatoni për të arritur në këtë listë?

Pavarësisht kritereve të cilat i ceka më lart, pranova edhe që leximi është një rrugëtim personal i secilit që udhëhiqet nga formimi, shijet, kështu edhe brenda jurisë sonë prej pesë personash ka pasur diskutime, sigurisht, por që nuk e kanë vështirësuar aspak procesin, përkundrazi e kanë mundësuar atë deri në finalizimin e listës prej pesë veprash.

Thuhet shpesh se në vendin tonë mungon kritika letrare, por puna juaj në jurinë e Çmimit Kadare është kritikë e mirëfilltë letrare, pasi jeni ju ata që vendosni se kujt do i shkojë çmimi prej 10 mijë eurosh dhe do të ketë mundësi botimi e promovimi. Si ka qenë kjo përvojë për ju në këto edicione të jurisë? Përveç intensitetit që ka pasur, leximit të dorëshkrimeve, sa vështirësi ka patur për ju, duke qenë se bëhet fjalë për një fushë subjektive siç është letërsia?

Së pari, e gjej me vend të theksoj se simbolika e çmimit tonë është një emër i madh në letërsinë shqipe dhe jo vetëm. Stimuli financiar nuk është thelbi, sigurisht që ka vlerën e vet. Unë mund të them se nga viti në vit ka pasur prurje me karakteristika specifike. Dhe meqenëse jemi te kritika, mendoj se kjo është kritika më e natyrshme që kemi ndaj vetes sonë dhe të ardhmes së letërsisë; të krijojmë sa më tepër hapësira, mundësi të tilla si Çmimi Kadare. Sa i përket këtij çmimi, kohëzgjatja, pjesëmarrja, vlerësimet, polemikat kanë ngjizur edicion pas edicioni sensin kritik të vlerësimit duke e çuar kështu drejt konsolidimit këtë institucion vlerësues.

Si e keni parë letërsinë shqipe të këtyre viteve të fundit? Veç emrave të konfirmuar e të njohur të letërsisë bashkëkohore a ka emra premtues në të ardhmen, nga ajo që keni vërejtur?

Letërsia shqipe nuk ka ndonjë kahje të ndryshme nga ajo që shkruhet në vendet fqinje, pavarësisht se zhvillimi historik ka pasur veçanësitë dhe problematikat e veta. Letërsia shqipe përbëhet edhe prej emrash që po e bëjnë të njohur atë në gjuhë dhe kultura të tjera përmes përkthimeve. Çmimi Kadare mundësuar nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës është një mundësi edhe për emrat e rinj apo siç i quani ju, premtues në të ardhmen.

Mendoni se çmime të tilla janë nxitëse për një brez të ri shkrimtarësh?

Janë patjetër nxitëse për zhvillimin e letërsisë shqipe në përgjithësi. Kuptohet, kjo gjë e orienton pa diskutim vëmendjen e prozatorëve të rinj kah nivelet më të reja dhe më bashkëkohore, në këtë rast të narrativës shqipe.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Dita e Verës’: Elbasani lëkundet nga një tërmet, por festimet nuk ndalen

Sot është Dita e Verës. Festa është përqendruar në qytetin e Elbasanit,...
Read More