Ledina Mandija: Ju rrëfej ditët e mia si zëvendës kryeministre

Ledina Mandija rrëfen muajt intensivë në qeveri, pengesat që hasi qysh ditët e para nga pala tjetër, përpjekjet për t’u garantuar qytetarëve zgjedhje të lira dhe për të përmbushur me profesionalizëm detyrën që iu besua nga kreu i opozitës, Lulzim Basha. Megjithëse pas kësaj përvoje Mandija nuk ka preferuar të përfshihet në mënyrë aktive në politikë e i është kthyer sërish botës akademike, e pranon se nëse do të kërkohej kontributi i saj, do të ishte atje, në çdo pozicion që do të nevojitej.

1-1

Picture 1 of 5

Madame Mapo

“Ne të pritëm në UET, ndërsa ti shkon në qeveri!”, kështu i shkroi rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, ndërsa e uronte për postin e zëvendës kryeministrit në maj të këtij viti në qeverinë që do të garantonte zgjedhjet e lira dhe të ndershme vetëm një muaj më vonë.

Ftesës për t’iu bashkuar  stafit akademik të këtij institucioni , siç edhe i premtoi rektorit,  iu përgjigj në muajin tetor, ku pranoi të jetë pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë dhe njëkohësisht përgjegjëse e departamentit.

Prej asaj dite kur hyri në auditorët e UET-së, Ledina Mandija iu rikthye petkave të lektores, një profesion nga i cili nuk është shkëputur kurrë, megjithë angazhimet e saj të gjata herë si Avokate e Shtetit dhe herë si Këshilltare e Presidentit të Republikës.

Ajo rrëfen muajt intensivë në qeveri, përpjekjet për t’u garantuar qytetarëve zgjedhje të lira dhe për të përmbushur me profesionalizëm detyrën që iu besua.

“Është një arritje e madhe, por që ka ardhur gradualisht, pavarësisht se unë nuk kam qenë pjesë e politikës. Unë e falënderoj kreun e opozitës dhe jo vetëm, për besimin dhe mbështetjen që më dhanë. Duke pasur në konsideratë profilin tim, z. Basha në funksionin e kryetarit të opozitës më bëri një propozim të tillë, të cilin unë e vlerësova shumë dhe e pranova”.

Megjithëse puna e saj ka qenë e lidhur me institucionet më të lartë të shtetit, si avokate e shtetit dhe më pas këshilltare e Presidentit, Mandija nuk vjen nga bota e politikës. Mbase ishte pikërisht për profilin e saj të teknokrates, që Kreu i Opozitës e deshi të ishte ajo zëvendëskryeministrja.

Rastësia apo fati e desh që në atë periudhë të shkurtër, deri në zgjedhjet e 25 qershorit, ajo të punonte me kryeministrin Edi Rama,  të cilin më herët e kish paditur në gjykatë për largim të padrejtë nga posti i Avokates së Shtetit, me ndërrimin e qeverisë, në vitin 2013.  Një proces i gjatë që trokiti në të gjithë dyert e gjykatave. “Goditjet politike i kemi provuar si familje që në vitin 1945, por forma të tilla në një kohë kur në Shqipëri prezumohet se ekziston shteti ligjor dhe respektohen të drejtat e njeriut janë të papranueshme. Në atë moment kam vënë në dyshim nëse vendimi që kisha marrë për të dhënë një kontribut në nivelin më të lartë të administratës shtetërore ishte ai i duhuri. Më pas kam reflektuar, dhe jam e vendosur në ndjekjen e çdo procedure gjyqësore, pavarësisht tejzgjatjeve të pafund, duke menduar se në këtë mënyrë mund të jepet një kontribut tjetër për vendin”- rrëfen Mandija, ndërsa shton se si të gjithë qytetarët edhe ajo po pret zbatimin e reformës në Drejtësi.

Mandija tregon se puna e atyre ditëve në qeveri nuk ishte aspak e lehtë, madje thotë se mungesa e vullnetit nga pala tjetër ia bëri punën tejet të vështirë.

“Është vetëm vullneti i mirëfilltë politik ai që bën ndryshimin, dhe ky vullnet, për fat të keq, siç u konstatua gjerësisht, si nga ne ashtu edhe nga OSBE/ODIHR, mungoi në këto zgjedhje. Ne konstatuam shkelje të shumta e të shumëllojta, me aq burime të kufizuara sa patëm në dispozicion, të cilat janë renditur në mënyrë të detajuar në raportin e dorëzuar tek të gjithë aktorët institucionalë vendas dhe të huaj”.

Megjithëse pas kësaj përvoje Mandija nuk ka preferuar të përfshihet në mënyrë aktive në politikë e i është kthyer sërish botës akademike, por e pranon se nëse do të kërkohej kontributi i saj, ajo do të ishte atje, në çdo pozicion që do të nevojitej.

 

Viti 2017 ka qenë një vit intensiv në angazhimin tuaj profesional, ku prej muajit Maj shërbyet si zv.kryeministre e Republikës së Shqipërisë. Si ishte shkëputja nga detyra prej muajit shtator dhe rikthimi në botën akademike ku ju jepni kontributin tuaj prej vitesh?

Viti 2017 me të vërtetë ka qenë  një vit intensiv në  angazhimin tim profesional. Deri në  22 Maj kam ushtruar funksionin e këshilltares ligjore të Presidentit të Republikës. Ishte ftesa e kryetarit të  opozitës z. Basha për të marrë pozicionin e zv/kryeministres në  kuadër të marrëveshjes politike të 18 majit  2017, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë. Marrëveshja politike angazhonte palët për zgjedhje me standarde demokratike, gjë e cila do të ishte pjesë e kontributit të përbashkët të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe përparimit të vendit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, e kam mirëpritur ftesën e z. Basha, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm që do i shërbente më së shumti qytetarëve shqiptarë, pavarësisht se ishte një detyrë e vështirë dhe sfidë e madhe, duke pasur parasysh situatën në atë moment dhe realitetin politik në Shqipëri. Në këto kushte krejtësisht të pazakonta dhe të paprecedentë në politikën shqiptare, unë dhe një ekip ministrash të propozuar nga Partia Demokratike, u angazhuam për monitorimin e rreptë të veprimtarisë së administratës shtetërore, përfshirë përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare, gjatë procesit zgjedhor.

Me përfundimin e zgjedhjeve, unë dhe ekipi i ministrave teknikë, hartuam një material të plotë të të gjithë ecurisë së procesit, duke evidentuar fenomenet thellësisht problematike të ndeshura në terren, duke adresuar në rrugë ligjore një pjesë të mirë të tyre dhe duke rekomanduar përmirësimet e nevojshme si në raport me faktorin politik vendas ashtu edhe me partnerët që asistuan Shqipërinë në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

Rikthimi në botën akademike ishte krejt i natyrshëm, pasi që prej 1996 deri në 2007 -ën kam qenë pedagoge, ku më pas u shkëputa për të dhënë kontributin në administratën e lartë shtetërore si Avokate Shteti dhe më pas si këshilltare ligjore e Presidentit të Republikës.

Mund të them se auditori dhe kërkimi shkencor kanë qenë nga zgjedhjet e mia të para pas përfundimit të studimeve universitare, edhe pse nuk më mungonin mundësi të tjera angazhimi dhe zgjedhjeje. Është kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e lartë të kontribuosh në edukimin e brezave të rinj të juristëve dhe për më tepër të fokusohesh në kërkimin shkencor, gjë e cila përkthehet në një kontribut për shoqërinë dhe zhvillimin e vendit.

Pavarësisht se vendosa të shkëputem nga Fakulteti i Drejtësisë si staf i brendshëm në vitin 2007, për të ushtruar detyra të tjera të larta shtetërore, unë kam vazhduar të jem e angazhuar në mësimdhënie në Universitetin Publik të Tiranës, në universitete të tjera private dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Ky vit i ri akademik ju ka gjetur në auditorë të rinj, të Universitetit Europian të Tiranës. Si erdhi ky bashkëpunim dhe si e gjeni veten me stafin dhe studentët?

Në Nëntor të këtij viti jam bërë pjesë e stafit të UET, ku tashmë jam pjesë e Fakultetit Juridik si pedagoge me kohë të plotë dhe njëkohësisht përgjegjëse departamenti. Bashkëpunimi me UET ka ekzistuar dhe kohë më parë, si anëtare e Bordit të Tregut të Punës. Të them të drejtën,  një ftesë për t’u bërë pjesë e UET më është bërë nga Rektori z. Gjuraj, qysh  në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2014, por në atë kohë vendosa të bëhesha pjesë e kabinetit të Presidentit Nishani, gjë të cilën e vlerësoj si një nga eksperiencat më pozitive gjatë karrierës sime profesionale. Sërish në Mars të vitit 2017, duke marrë në konsideratë përfundimin e pritshëm të angazhimit tim në Korrik pranë kabinetit të Presidentit, Rektori i UET më bëri një ftesë tjetër për t’u angazhuar si pedagoge e brendshme në Fakultetin e Drejtësisë, gjë të cilën e pranova me kënaqësi duke e konsideruar në planet për muajin Shtator dhe më pas. Në momentin e marrjes së funksionit të zv/ kryeministrit ishte Rektori që më uroi, duke më thënë “ Ne të pritëm në UET, ndërsa ti shkon në qeveri”. Ndërsa, përgjigjja ime ishte e thjeshtë “ Në UET,  do të  vij në Tetor”. Dhe në fakt kështu ndodhi, pas ftesës në fillim Tetori të administratorit të UET z. Çili dhe Rektorit z. Gjuraj, vendosa të bëhem një nga pedagoget e brendshme të Fakultetit të Drejtësisë dhe njëkohësisht të pranoj dhe detyrën e përgjegjësit të departamentit.

Jam shumë e kënaqur që kam gjetur një mjedis frymëzues pune, ku gëzoj bashkëpunimin e hapur të kolegëve të hershëm e të rinj, tashmë të gjetur bashkërisht në UET, si dhe auditorët e studentëve të cilët janë gjithnjë e më kërkues ndaj procesit të mësimdhënies në funksion të nxënies së dijeve të nevojshme në fushën e së Drejtës.

Drejtësia është një çështje shumë e ndjeshme në Shqipëri, veçanërisht kohët e fundit, ku investimi më i madh është në raport me brezin e ri të juristëve që do të dalin nga auditorët e institucioneve arsimore, dhe do të duhet të kenë një formim sa më të plotë e profesional, për t’iu përgjigjur cilësisht sfidave të kohës.

Keni kaluar një jetë në auditorë, ku pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë keni filluar punë menjëherë si pedagoge në Universitetin e Shkodrës. Ç’do të thotë për ju mësimdhënia, përgatitja e brezave të rinj në fushën e Drejtësisë? Çfarë përmbushje profesionale e personale është për ju? 

Siç edhe u shpreha më herët, mësimdhënia është përgjegjësi e madhe, pasi te studentët nuk sheh vetëm disa të rinj entuziastë, por ata janë juristët e ardhshëm, gjyqtarët, prokurorët, përmbaruesit, avokatët, punonjësit e administratës, etj. Kjo ka qenë edhe arsyeja e përkushtimit tim maksimal ndaj tyre ndër vite. .E kam konsideruar se përveç doktrinës, studentët kanë nevojë për jurisprudencën. Jam përpjekur që gjatë gjithë kohës të ofroj diçka të tillë për studentët, duke u ofruar mundësinë e ndjekjes së rasteve edhe në praktikë. Përvoja e fituar edhe si Avokate e Shtetit, në përfaqësimin e interesave të shtetit në gjykatat e brendshme dhe të huaja, besoj ka qenë një vlerë e shtuar në mësimdhënie, çka e kam konstatuar me kënaqësi dhe në reagimet e studentëve në diskutimin e rasteve të ndryshme.

Në vlerësimin tim, akademia duhet të japë kontribut më të madh në administratë apo profesionet e tjera të aplikuara, por edhe administrata, apo profesionistët e tjerë në fushën e drejtësisë duhet të japin kontributin e tyre në akademi. Kjo konsiderohet një marrëdhënie me përfitim të ndërsjellë, ku në këtë rast nuk përfitojnë vetëm studentët, pedagogët e drejtësisë, profesionistët në drejtësi, por e gjithë shoqëria.

Përtej eksperiencës si pedagoge , keni qenë e angazhuar edhe në detyra të tjera të rëndësishme si zyra e Avokatit të Shtetit. Afro tetë vite në këtë detyrë, a mund të na rrëfeni sa intensive ka qenë puna?

Kuptohet që puna në Avokaturën e Shtetit ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, me një intensitet të pabesueshëm. E kam konsideruar një sfidë në shërbim të vendit tim, duke ofruar profesionalizmin, përkushtimin dhe integritetin maksimal. Duke qenë lektore e procedurës civile për 11 vite, dhe e angazhuar në ekspertize ligjore dhe avokati e kam pasur jo të vështirë të ushtroj funksionin e këshillimit ligjor dhe të përfaqësimit të interesave të shtetit në arbitrazh ndërkombëtar dhe jo vetëm. Kuptohet që puna ka qenë mjaft intensive dhe angazhimi ka qene maksimal dhe serioz. Kishte shumë përgjegjësi, pasi bëhej fjalë për prekje të interesave pasurore të shtetit shqiptar që duhet të mbroheshin me profesionalizëm.

Ishte sfidë për mua, që sektori i arbitrazhit ndërkombëtar nga një sektor ku nuk gjeje asgjë në protokoll dhe kishte veç rekorde negative të kthehej në një sektor që do të shënonte raste të fitoreve të plota. Përveç kësaj, si rezultat i këshillimit në kohë të institucioneve u arrit të evitoheshin mjaft raste të cilat mund të ishin fatale për interesat pasurore të shtetit. Përveç kësaj, jam e nderuar të kem qenë bashkëpunëtore në reformën në Avokaturën e Shtetit, ku u bënë hapa konkretë në drejtim të ndryshimit të kuadrit ligjor duke marrë në konsideratë eksperiencat më të mira në Europë, duke e konsideruar si një institucion të depolitizuar; në drejtim të rekrutimit të avokatëve të shtetit dhe trajnimit të tyre; në drejtim të këshillimit dhe përfaqësimit brenda dhe jashtë vendit; në drejtim të unifikimit të praktikës. Kurrë më parë nuk kishte pasur një angazhim serioz të avokaturës së shtetit në këshillimet e kontratave apo edhe rasteve të tjera të kërkuara nga institucionet shtetërore. Ky ishte një proces që pritej të pasohej nga hapa të tjerë, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, por që fatkeqësisht më pas nuk mori vëmendjen e duhur duke u ndikuar politikisht sa i takon organizimit dhe funksionimit.

Cilat kanë qenë rastet më të vështira ku keni mbrojtur shtetin shqiptar në gjykata ndërkombëtare apo proceset e arbitrazhit ? Si ishte dinamika e këtij roli?

Ju pyesni cilat kanë qenë çështjet më të vështira, por mund të them se  çështjet ku flitet me milionë euro konsiderohen të vështira. Procesi ishte shumë kompleks, duke filluar nga bashkëpunimi me institucionet sa i takon vënies në dispozicion të dokumentacionit, informacioneve, komenteve apo edhe më pas në vlerësimin e situatës dhe vendimmarrjen e cila duhej të ishte e shpejte dhe e saktë. E në këtë proces nuk mund të lësh pa përmendur negociata që dështonin, apo që ishin plotësisht të suksesshme. Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë një nga  risitë e reformës në avokaturën e shtetit, ku falë këtij bashkëpunimi janë përfunduar shumë projekte madhore, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. E për këtë mund të them, që në suksesin e këtyre projekteve dhe çështjeve krahas profesionalizmit kanë ndikuar përkushtimi, vullneti pozitiv dhe integriteti i personave të përfshirë si ekspertë në këto procese, duke nënvizuar pa dyshim besimin e dhënë nga kryeministri dhe ministrat që për gjërat ligjore duhet të vendosin vetëm ekspertët dhe jo politika apo interesat e ngushta të personave të caktuar.

Jam e nderuar të kem përfaqësuar Shqipërinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu edhe në përfaqësimet në arbitrazh ndërkombëtar, ashtu sikur edhe në negocimin e kontratave në kuadër të projekteve madhore dhe gjatë gjithë kohës jam përpjekur të jap më të mirën e mundshme.

Pas vitit 2013, me ndërrimin e qeverive, ju largoheni nga detyra e Avokatit të Shtetit. Një vendim që ju e keni ankimuar , madje edhe keni ngritur padi, në Gjykatën Administrative, ku keni kërkuar rikthimin në punë. Si ka qenë ai proces nëpër dyert e gjykatave , ku çështja ka kaluar në disa hallka dhe si ndiheshit ju, vetë juriste, me mënyrën si u larguat nga puna, por edhe me rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm nëpër shkallë të ndryshme?

Largimi nga detyra ka qenë i papritur, pa kurrfarë njoftimi apo procedure në fillim Tetori të vitit 2013. Të them të drejtën nuk kisha provuar eksperienca të tilla, por kisha dëgjuar plote të tilla. Goditjet politike i kemi provuar si familje që në vitin 1945, por forma të tilla në një kohë kur në Shqipëri prezumohet se ekziston shteti ligjor dhe respektohen të drejtat e njeriut janë të papranueshme. Nuk dua të flas në këtë intervistë për historitë e largimit tim nga detyra e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit dhe më pas të Avokatit të Shtetit në kundërshtim të plotë me ligjin, apo edhe për metodat e përdorura për përjashtimin e strukturuar gjatë një viti që qëndrova në Avokaturën e Shtetit, por mund të them që në atë moment kam vënë në dyshim nëse vendimi që kisha marrë për të dhënë një kontribut në nivelin më të lartë të administratës shtetërore ishte ai i duhuri. Më pas kam reflektuar, dhe jam e vendosur në ndjekjen e çdo procedure gjyqësore, pavarësisht tejzgjatjeve të pafund, duke menduar se në këtë mënyrë mund të jepet një kontribut tjetër për vendin, ku kuptohet që përgjegjësit e krijimit të këtyre situatave duhet të japin llogari përsa kohë gjithçka është në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Unë ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë jam në pritje të shoh se si do të zbatohet reforma në drejtësi, por që në mendim tim nuk mund të jetë veç ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve por edhe më gjerë.

U fol shumë kur ju morët postin e zv.kyeministres mbi episodin e lartpërmendur, ku ju ngritët padi ndaj kryeministrit Rama për heqjen nga puna. Si ishte takimi i parë me Kryeministrin në godinën e Kryeministrisë në ditën e parë të punës? 

Unë besoj se demokracia funksionon bazuar në ndarjen e pushteteve. Gjatë punës si Avokate Shteti kam fituar eksperiencën që gabime mund të bëhen, por e rëndësishme është që ato të mos përsëriten pasi në të kundërtën shkelja do të ishte sistemike dhe penalizimi do të ishte dhe më i rëndë. Në këtë kuadër është drejtësia,  e cila duhet të vendosë në bazë të ligjit, dhe më pas është ekzekutivi që duhet të zbatojë vendimet e saj dhe të angazhohet që shkelje të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen. Sa i takon pozicionimit tim në funksionin e zv/kryeministrit në Qeverinë Rama, kuptohet që ishte në zbatim të një marrëveshje politike ku palët shprehën angazhimet e tyre të cilat i përmenda më sipër.

Megjithatë përpara se të merrnit detyrën e zv.kryeministres, ju keni shërbyer si këshilltare juridike e Presidentit të Republikës. Sa përmbushëse ka qenë për ju si profesioniste kjo detyrë dhe si ishte të punoje në një institucion si ai i Kreut të Shtetit? 

E përsëris që ka qenë një eksperiencë tejet pozitive. Jam ndjerë e nderuar të jem këshilltare ligjore e Kreut të Shtetit. Unë u bëra pjesë e kabinetit të Presidentit Nishani në Shtator 2014, në një kohë kur flitej për ndryshime kushtetuese, reformë në drejtësi, kufizim të kompetencave të Presidentit,  etj. Pikërisht referuar këtyre situatave, roli ishte edhe më aktiv pasi u adresuan ligjet në Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm në lidhje me kompetencat e Presidentit,  por edhe në lidhje me ligje të tjera të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë periudhë, përveç paketës ligjore të reformës në drejtësi janë adresuar dhe çështje të tjera të materializuara në ligje, duke përmendur arsimin e lartë, trajtimin e pronës, dhomat e tregtisë, mbetjet, etj. Kuptohet që kam ushtruar funksione të plota në drejtim të këshillimit dhe të përfaqësimit në Gjykatë Kushtetuese, komisione parlamentare apo tryeza diskutimi.

Në karrierën tuaj e mendoni si arritjen më të madhe detyrën e zv.kryeministres, edhe pse koha ishte e shkurtër? Si erdhi propozimi i emrit tuaj nga kreu i Opozitës dhe çfarë ju shtyu ta pranonit këtë detyrë?

Është një arritje e madhe, por që ka ardhur gradualisht, pavarësisht se unë nuk kam qenë pjesë e politikës. Unë e falënderoj kreun e opozitë dhe jo vetëm, për besimin dhe mbështetjen që më dhanë. Kuptohet, që duke qenë në ushtrim të funksioneve sa më sipër, kam pasur mundësi bashkëpunimi dhe me zotin Basha ashtu sikur edhe me figura të tjera të njohura dhe të nderuara të opozitës. Duke pasur në konsideratë profilin tim, z. Basha në funksionin e kryetarit të opozitës më bëri një propozim të tillë, të cilin unë e vlerësova shumë dhe e pranova për arsyet të cilat i dhashë që në fillim të kësaj interviste.

Një kohë e shkurtër, por intensive ku ju shpesh jeni gjendur në qendër të vëmendjes mediatike dhe lajmeve për aksionet e ndërmarra apo denoncimet që keni bërë. Si ishte klima ato ditë përpara zgjedhjeve?

Monitorimi i veprimtarisë së administratës gjatë fushatës zgjedhore në zbatim të marrëveshjes politike të datës 18.05.2017 është realizuar nga ana e Task Forcës si dhe të grupeve të monitorimit në institucione të ngritura për këtë qëllim në bazë të VKM nr.473, dt.01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” si dhe të kuadrit ligjor në fuqi. Miratimi i VKM për monitorimin e zgjedhjeve në administratë publike, u miratua më datë 01.06.2017, pra pasi kishte filluar fushata zgjedhore, duke ulur ndjeshëm, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, mundësinë për një monitorim efektiv të zbatimit real të saj dhe prodhimit të efekteve për parandalimin e fenomeneve negative në zgjedhje.

Task – Forca e ngritur për monitorimin e zbatimit të VKM nr. 473/2017, u konstituua më datë 5 Qershor 2017. Kjo strukturë kishte në dispozicion vetëm 20 ditë për realizimin e monitorimit dhe koha e shkurtër pamundësoi një monitorim efektiv, duke penguar në këtë mënyrë parandalimin e abuzimeve me pushtetin dhe pasojave të tjera negative në zgjedhje. Gjithashtu, Task-Forca, nuk kishte në dispozicion mjetet e nevojshme financiare apo logjistike, për të kryer një proces real monitorimi.

Sa e vështirë ishte puna për ju dhe ministrat teknikë?

Të gjitha këto shkaqe, bënë të vështirë, deri në pamundësi, përmbushjen e misionit të ngarkuar. Në shumë raste informacioni apo raportimi i bërë nga ministritë dhe institucionet e tjera, nuk përputhej me raste të monitoruara drejtpërdrejtë nga Task Forca sipas kërkesave të subjekteve elektorale apo qytetarëve, duke e bërë të dyshimtë kredibilitetin edhe të të dhënave të tjera të raportuara nga këto ministri. Ministrat teknikë janë përballur me pengesa artificiale në ushtrimin e detyrës së tyre në funksion të monitorimit, të krijuar nga nëpunës civil apo funksionarë politikë, të cilët kishin si qëllim të pengonin punën e ministrave në zbatim të VKM 473/2017.

A e dinit qysh ditën kur pranuat se do të ishte e vështirë dhe  cilat ishin momentet më kulmuese të punës suaj në kryeministri?

Qysh  në fillim të intervistës unë u shpreha që e dija se sa e vështirë ishte kjo detyrë dhe arsyet që e pranova. Ka qenë një angazhim maksimal i imi dhe i të gjithë ministrave të tjerë të propozuar nga opozita gjatë të gjithë procesit të monitorimit deri në përfundimin e procesit zgjedhor dhe jo vetëm. Kuptohet që puna më intensive ishte gjatë fushatës zgjedhore dhe deri ditën e votimin. Ishin të shumta rastet e denoncimeve të pjesëmarrjes së administratës në fushatë elektorale gjatë orarit të punës, por mungonte bashkëpunimi i duhur me institucionet e tjera në evidentimin e këtyre rasteve. Ishin të shumta rastet e denoncimeve të lëvizjeve në punë të punonjësve të administratës gjatë fushatës elektoral në kundërshtim me kodin zgjedhor. Informacioni që jepej nga vetë institucionet ishte i ndryshëm nga ajo çfarë u verifikua në disa raste nga ana e zyrës së zv/kryeministrit duke kërkuar një hetim të përgjithshëm për këto raste. Ishin të shumta rastet e denoncimit të shitblerjes së votës, të implikimit të drejtuesve të policisë në mbështetje të subjekteve elektorale dhe në bashkëpunim me elementë kriminalë. Kishte raste të denoncimit të rasteve të dyshuara për vënie në dispozicion të fushatës elektorale të parave nga burime të paligjshme. Të gjitha këto ishin pjesë e monitorimit, debateve, vendimeve, denoncimeve etj.

Në fund të eksperiencës cilat ishin arritjet tuaja, megjithë kufizimet dhe kohën e shkurtër? 

Praktika tregoi se vetëm emërimet e ministrave dhe disa drejtorëve të lartë të administratës për një kohë aq të shkurtër ishin të pamjaftueshëm dhe jo efektivë për të përmbushur misionin e parandalimit të përfshirjes së administratës në fushatë elektorale, apo përdorimit të institucioneve për qëllime elektorale.

Është vetëm vullneti i mirëfilltë politik ai që bën ndryshimin, dhe ky vullnet, për fat të keq, siç u konstatua gjerësisht, si nga ne ashtu edhe nga OSBE/ODIHR, mungoi në këto zgjedhje. Ne konstatuam shkelje të shumta e të shumëllojta, me aq burime të kufizuara sa patëm në dispozicion, të cilat janë renditur në mënyrë të detajuar në raportin e dorëzuar tek të gjithë aktorët institucionalë vendas dhe të huaj.

Pavarësisht frenimit të pjesshëm që krijoi kjo mënyrë e re e monitorimit të zgjedhjeve në vend, përsëri mendoj se koha dhe mjetet në dispozicion ishin të pamjaftueshme për të qenë plotësisht efikasë si në parandalimin,  ashtu edhe evidentimin, ndjekjen dhe raportimin e shkeljeve gjatë procesit zgjedhor. E njëjta gjë mund të thuhet sa i takon përdorimit të burimeve financiare, dhe në tërësi këto ishin arsyet pse ne rekomanduam që në të ardhmen koha e monitorimit të jetë më e gjatë dhe ushtrimi i kompetencave më i plotë, gjë që u mbështet dhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Nëse do jua propozonin sërish dhe me kohëzgjatje më të madhe a do e pranonit? 

Kjo ishte një përvojë interesante, dhe siç e thashë ishte e paprecedentë në politikën shqiptare, si pasojë e një situate kritike për vendin, që kishte shumë dimensione. Por besoj se të gjithë aktorët politikë në Shqipëri, dhe veçanërisht qeveria me përgjegjësinë e ekzekutivit të vendit, duhet të sigurojnë gurin më të rëndësishëm kilometrik të demokracisë që janë zgjedhjet. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë një vend dhe shoqëri të zhvilluar, me standarde europiane. Shqiptarët nuk e meritojnë të kenë zgjedhje të njollosura në kohën kur duan të afrohen më shumë me BE dhe janë anëtarë të NATO-s. Unë do të jap kurdoherë kontributin tim modest, me profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe integritetin më të lartë, në çdo pozicion, siç kam bërë deri më sot.

E keni menduar pas kësaj përvoje përfshirjen aktive në politikë? Si e shihni ju politikën shqiptare me syrin e teknokrates? Në ç‘gjendje është sot dhe çfarë duhet të bënte më mirë? 

Mendoj se politika shqiptare ka nevojë për njerëz të ndershëm, profesionistë të zotë, me integritet dhe që e duan vendin e tyre. Jam e sigurt se ka shumë syresh, mjafton dëshira e partive politike për të tërhequr pranë vetes njerëz të tillë. E them edhe një herë me keqardhje shumë të madhe, që Shqipëria nuk meriton të sigurojë cilësinë e drejtimit të vendit përmes ligjeve si ai i ashtuquajtur i Dekriminalizimit, që padyshim është një turp i madh në historinë e parlamentarizmit në vend. Unë do të doja të shihja më shumë njerëz me vlera të këtij vendi të angazhuar në politikë, pra në drejtimin e punëve të mëdha që kërkon Shqipëria, duke shpresuar që hemorragjia e largimit nga vendi të njerëzve që kanë shumë për të dhënë të ndalojë, e madje të kthehet në kah të kundërt.

Në CV-në tuaj vihet re përkushtimi apo specializimi që keni në Ligjin e Familjes, edhe doktoraturën e dytë në Graz, e keni me tezën mbi çështjet e njohjes së vendimeve të huaja gjyqësore në lidhje me përgjegjësitë prindërore , gjithashtu jeni lektore e Kodit të Familjes në Fakultetin e Drejtësisë keni advokuar në Qendrën e Avokatisë për Gratë në Shkodër si edhe anëtare e Organizatës Ndërkombëtare për Kodin e Familjes. Janë këto sfera ku e keni ndjerë dëshirën dhe nevojën për të dhënë kontributin edhe si qytetare përtej petkave të profesionistes? 

Unë po bëj një doktoraturë të dytë në njohjen e vendimeve të huaja gjyqësore në lidhje kujdestarinë e fëmijëve. Kam lektuar në të drejtën e procedurës civile dhe familjare. Më parë kam bërë studime në fushën e njohjes së vendimeve të huaja gjyqësore dhe të arbitrazhit ndërkombëtar për çështje civile dhe tregtare dhe kam mbrojtur titullin doktor ne Shqipëri. Ndërsa, kjo që po bëj tashmë, është diçka tjetër në fushën e njohjes së vendimeve të huaja gjyqësore. Për këtë do bëj kërkim shkencor dhe në Institutin Max Panck ‘Për të drejtën ndërkombëtare të procedurës civile’. Kuptohet që duke qenë e profilizuar në këtë fushë kam punuar si avokate pranë QAG në kuadrin e bashkëpunimit me kolege të nderuara të angazhuara në shoqërinë civile përveçse në botën akademike apo të gjyqësorit. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë angazhimi për vite në shoqërinë civile dhe jo vetëm me QAG apo QNLQ, por edhe me organizata të tjera jo fitimprurëse. Si rrjedhojë e këtij angazhimi, ishte edhe mundësia që m’u dha për të hartuar ligjin “ Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” në vitin 2005-2006, i cili ishte iniciativë e 20.000 zgjedhësve dhe koordinimit nga aktorë të shoqërisë civile me të cilët kam pasur një bashkëpunim të frytshëm. Kuptohet që,  përderisa kam profesionin dhe mbuloj një fushë të caktuar , isha e nderuar që e dhashë një kontribut të tillë që të them të drejtën nuk ka qenë një punë e lehtë. Këtë kontribut e kam dhëne edhe në draftimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit, por edhe trajnimin e aktorëve në zbatimin e këtij ligji.

Jam anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të se Drejtës Familjare dhe të Procedurës Civile për shkak të profilit që kam mbajtur në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Kuptohet që në këtë kuadër jap kontributin përmes botimeve apo pjesëmarrjes në konferenca.

Nuk i jeni shkëputur auditorëve dhe mësimdhënies, a është ky pasioni juaj i parë? Çfarë ju ka shtyrë drejt Fushës së Drejtësisë së pari që zgjodhët të kryenit studimet pikërisht në këtë disiplinë? 

Ishte im atë që më orientoi në fushën e drejtësisë, pasi unë vetë kam qenë e apasionuar pas shkencave ekzakte. Ishte babai im që nguli këmbë që unë të studioja për drejtësi, duke marrë në konsideratë nëpërkëmbjen e familjes gjatë viteve të regjimit komunist. Sot mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi në fund të fundit, shkencat ekzakte ndihmojnë që të bëhesh një jurist i mirë dhe në këtë mënyrë kam pasur mundësi të jap kontributin tim modest gjatë këtyre viteve në drejtim të konsolidimit të institucioneve dhe shtetit ligjor në një vend ish-komunist dhe me demokraci të brishtë si Shqipëria.

Një jurist i mirë a është domosdoshmërisht edhe një kërkues i zellshëm i drejtësisë apo kjo e dyta është më shumë një nxitje individuale që të çon pastaj drejt njohjes së thellë të ligjeve për të kërkuar drejtësinë?

Ka plot juriste të mirë të cilët nuk janë kërkues të zellshëm të drejtësisë, madje mund të jetë dhe e kundërta. E dyta ndodh jo në pak raste. Do të doja që këto ishin rastet e shumta. Uroj që studentët e drejtësisë të kenë një qasje të tillë.

Në një vend me tranzicion të gjatë, në një vend me korrupsion dhe kriminalitet të lartë, ju keni në dorë përgatitjen e brezave të rinj që do të jenë juristët, avokatët, prokurorët e gjyqtarët e së ardhmes. Çfarë këshille u jepni atyre? Si mund të bëhet ky vend më i mirë ku njerëzit të kthehen e të kenë besim te Drejtësia? 

Kuptohet që kontributi fillon nga nxënia e vërtetë në shkollë dhe më pas në përparimin në karrierën profesionale. Arsimi i lartë kushtëzohet veç nga kriteret e aftësisë, çfarë do të thotë se çështja nuk është se duhet të marrësh një diplomë por a mund ta marrësh me aftësitë e tua këtë diplomë. Nëse ekzistojnë aftësitë dhe angazhimi do të jetë serioz në drejtim të marrjes së dijeve kuptohet që suksesi do të jetë i garantuar. Përpos kësaj korrektësia, përkushtimi dhe zelli për të bërë ndryshimin janë faktorë që ndikojnë në përgatitjen e një brezi të profesionistëve të rinj që do të kthejnë besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Shkruar Nga
More from Revista User

Nga sot, punonjësit e shtetit do të kenë paga më të larta

Çdokush që punon në shtet, duke filluar që nga dita e sotme...
Read More