Legalizim pastaj urbanizim

Nga Ervis Iljazaj

Protestat e banorëve të Shkozës që ka mbuluar hapësirat mediatike ditët e fundit, janë pamje që kanë shoqëruar shoqërinë shqiptare gjatë gjithë tranzicionit të saj. Çështja bëhet më e ndjeshme në sytë e opinionit publik pasi në këtë protestë kemi të bëjmë me fatet ekzistenciale të një numri të konsiderueshëm të qytetarëve shqiptarë.

Kjo është drama shoqërore që ka krijuar një tranzicion kaotik që ka lëvizur në shumicën e rasteve në ilegalitet të plotë. Nuk ka çështje më thelbësore të Shqipërisë postkomuniste sesa urbanizimi i saj. Çdo gjë mund të rikuperohet, drejtësia, arsimi, politika apo ekonomia, përveçse “tmerrit” urbanistik shqiptar. Në këtë kuptim, çështjet me pronat apo me ndërtimet janë kthyer në një nga makthet e përditshme të shqiptarëve.

Sepse gabimi fatal që ka shoqëruar këtë çështje është fakti se politika shqiptare më parë ka menduar se si të urbanizojë territorin dhe jo ta legalizojë atë. Ndërkohë që, e kundërta duhet të ishte prioritet, siç po ndodh në rastin e Shkozës. Pa u legalizuar çdo ndërtim nuk mund të mendosh të urbanizosh hapësirat publike. Sigurisht, urbanizimi është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, por nëse ai shkakton kriza shoqërore dhe njerëzore nuk ka asnjë vlerë.

Çështja e legalizimeve, shpronësimeve apo e pronësisë, është parë si një kosto e madhe ekonomike për buxhetin e vogël të Shqipërisë. Megjithatë nuk ka kosto më të madhe për një shoqëri se sa të mos i realizojë ato dhe t’i lërë në ilegalitet të plotë. Aq më tepër, që në këto raste prioritet nuk janë çështjet financiare por çështjet e drejtësisë. Nuk ka gjë më të rëndësishme për një shoqëri se sa drejtësia. Po ashtu, veprimet e një shteti gjykohen nëse janë të drejta apo jo, pavarësisht përfitimeve ekonomike të tyre.

Andaj pyetja që duhet ngritur në rastin e Shkozës është se, a po vepron drejt shteti shqiptar me ata banorë?

Duke parë kontekstin, mendoj që jo. Shteti shqiptar, nuk mund të mendojë se ato shtëpi në Shkozë nuk janë të legalizuara dhe, për këtë arsye duhen gjetur forma alternative strehimi dhe jo shpronësimi dhe dëmshpërblimi sipas çmimeve të tregut. Pas rënies se komunizmit vendi u mbush me ndërtime pa leje. Në këtë kuptim, vendimmarrjet në mënyrë arbitrare që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe, nga ana e politikës për të legalizuar disa ndërtime dhe të tjera jo, është një sjellje e padrejtë. Edhe pse ato ndërtime janë buzë lumit dhe, disa mund të mendojnë që është faji i tyre që kanë ndërtuar në ato zona dhe s’kanë të drejtë të legalizohen, është pikërisht faji i shtetit shqiptar që i ka lejuar ato.

Në këtë mënyrë banorët e Shkozës po diskriminohen për një fat që nuk e kanë zgjedhur. Fakti që ato shtëpi nuk janë ende të legalizuar nuk është faji i tyre, por faji i shtetit shqiptar që nuk ka kryer detyrën siç duhet deri më sot.

Andaj, zgjidhjet alternative që propozon shteti shqiptar për ato familje me bonuse sociale etj., nuk janë zgjidhja.

Fati i tyre është fati i çdo shqiptari të pastrehë që në rrëmujë e sipër të tranzicionit janë strehuar si kanë mundur. Duhet gjetur një mënyrë me patjetër për të legalizuar të drejtën e tyre për të patur dhe gëzuar banesën e tyre. Situata njerëzore ku ndodhet një individ nuk është zgjedhje, sidomos për këtë rast. Ato nuk janë as të drejta as të padrejta, janë një fakt. Sjellja e politikës ndaj tyre mund të jetë e drejtë apo e padrejtë. Kështu që, përtej çfarëdolloj debati politik, populist apo interesi të momentit, është e rëndësishme futja në binarët e ligjit të çdo situate që ka të bëjë më të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet e tyre me pushtetin politik. Ky është kushti themelor për të ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gara e Gjon Milit: Fotografia si përgjigje për botën digjitale

Dardan Zhegrova është fituesi i konkursit të përvitshëm të fotografisë që organizohet...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.