Legjislacioni shqiptar mbi trafikimin e qenieve njerëzore

Libri i autorit dr. Naim Tota Trafikimi i qenieve njerëzore, Aspekte penale juridike, krahasuese dhe kriminologjike, për periudhën 2000-2016, me parathënie nga prof. dr. Skënder Kaçupi, nga botimet UET Press, është një studim monografik mbi trafikimin e qenieve njerëzore si dukuri kriminale dhe si vepër penale, si fenomen në ditët e sotme, që ka marrë edhe shtrirje globale.

Nga Naim Tota

Fenomeni i lëvizjeve të njerëzve në Shqipëri, ashtu si dhe në gjithë rajonin e Europës Juglindore dhe sidomos në Ballkan, filloi të shfaqet pas vitit 1990, kohë që përkon me ndryshimin e sistemeve politike dhe çarjen e izolimit të gjatë 50-vjeçar me botën. Fillimisht lëvizjet dhe largimet e njerëzve nga Shqipëria drejt Perëndimit u bënë në formë eksodi masiv dhe të pakontrolluara si rezultat i nevojës për liri dhe i një jete më të mirë. Kështu, deri në fillim të vitit 1992 ka pasur largime masive të njerëzve drejt Perëndimit, kryesisht drejt vendeve fqinje, Greqisë dhe Italisë, si dy vendet më të afërta.

Pas vitit 1992, me futjen në normalitet të zhvillimeve politike në vend dhe marrjen e disa masave për vënien në kontroll të kufijve nga strukturat shtetërore të asaj kohe, ndikuan në pengimin e flukseve të lëvizjeve masive të njerëzve jashtë shtetit. Ndërkohë, si rrjedhojë e presionit të vendeve pritëse, nga njëra anë, dhe dëshirave në rritje të shqiptarëve për largime jashtë shtetit, kryesisht në vendet perëndimore, nga ana tjetër, elementë të caktuar të predispozuar për të zhvilluar këtë aktivitet të paligjshëm, filluan t’u përgjigjeshin kërkesave nëpërmjet formave të rafinuara të trafikimit të organizuar të njerëzve, duke vendosur kontakte me rrjete kriminale të vendeve fqinje, kryesisht Italinë. Shumë elementë kriminalë shqiptarë filluan të gjenin femra në Shqipëri dhe duke i mashtruar ato i trafikonin në vendet fqinje dhe i detyronin të ushtronin prostitucion në këto vende.

Në këtë mënyrë filloi të organizohet ai që tashmë njihet si trafiku i qenieve njerëzore si fenomen kriminal, prej të cilit organizatorët dhe ekzekutorët siguruan fitime kolosale të ardhurash. Shtimi i kontakteve me rrjetet kriminale të vendeve fqinje nxiti elementët me prirje kriminale ose me precedentë të mëparshëm penalë, të krijojnë urat për zhvillimin e trafiqeve të paligjshme në formën e transportit / kontrabandimit të njerëzve me dëshirë për emigrim, më pas trafikun e femrave me qëllim shfrytëzimi për prostitucion, si dhe trafikun e fëmijëve për abuzime e përfitime kriminale. Siç u argumentua më lart, para viteve ‘90, në Shqipëri jo vetëm që nuk njihej ky fenomen apo koncepti i trafikantëve dhe i trafikimit, por dhe Kodi Penal nuk parashikonte dispozita të posaçme për trafikimin e personave dhe dënimin e kriminelëve për këtë vepër. Ekzistonte vetëm një dispozitë “ushtrimi i prostitucionit” që parashikonte dënime të ashpra. Pra, deri në reagimin e shtetit shqiptar u desh shumë kohë për të frenuar e luftuar këtë fenomen dhe kjo kohë ishte e “artë” për trafikantët, të cilët vepronin lirisht në aktivitetin tyre kriminal.

Legjislacioni shqiptar në politikën për goditjen e trafikimit të qenieve njerëzore është frymëzuar nga legjislacioni ndërkombëtar në këtë fushë para vitit 2000. Kuadri juridik kombëtar për veprën penale të trafikimit të personave përbëhet nga Kushtetuta, legjislacioni penal dhe ai procedural penal.

Kushtetuta

Kushtetuta e RSH-së përbën ligjin më të lartë në hierarkinë e akteve ligjore në Republikën e Shqipërisë. Ajo sanksionon disa të drejta, zbatimi dhe garantimi në praktikë i të cilave kontribuon në parandalimin dhe mbrojtjen nga fenomeni i trafikimit të qenieve njerëzore.  Neni 3 i Kushtetutës sanksionon se: … dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij … janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.

Në pjesën e dytë të Kushtetutës, disa dispozita sanksionojnë garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut,  si dhe mbrojtjen nga dhuna:

Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.  Jeta e personit mbrohet me ligj.  Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.  Kushtetuta sanksionon se askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me ligj (neni 27). Garantimi i së drejtës për të qenë i lirë paraqet rëndësi në kushtet e përfshirjes së rrëmbimit si element i një vepre me rrezikshmëri shoqërore të përafërt me trafikimin. Kushtetuta paraqet dhe një sërë karakteristikash në lidhje me të drejtat dhe liritë themelore duke e renditur atë mes akteve me standarde europiane: Në klasifikimin e të drejtave dhe lirive themelore, ato vetjake kanë përparësi në raport me të drejtat e tjera politike, ekonomike, kulturore duke ruajtur klasifikimin e njohur dhe nga aktet ndërkombëtare. Përcakton karakterin e pandashëm, të patjetërsueshëm e të padhunueshëm të tyre (neni 15). Parashikon mundësinë e zbatimit të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë (neni 4). Vendos si standarde minimale të mbrojtjes së të drejtave e lirive ato të përcaktuara në Konventën Europiane (neni 17). Kjo karakteristikë duhet parë dhe nën këndvështrimin e nenit 122 të Kushtetutës, ku përcaktohet karakteri prioritar i zbatimit të normave të nxjerra nga një organizatë ndërkombëtare, në raport me të drejtën e brendshme, kur marrëveshja është ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Neni 26 i Kushtetutës është dispozita që i korrespondon mbrojtjes së të drejtave themelore më të dhunuara gjatë një procesi trafikimi, thuhet: “Askujt nuk mund t’i kërkohet të kryejë një punë të detyruar, përveçse në rastet e ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që rrjedh nga një gjendje lufte, nga një gjendje e jashtëzakonshme ose nga një fatkeqësi natyrore, që kërcënon jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, nën moshën minimale për punën e fëmijëve është një parashikim i qartë në Kushtetutë, i lidhur me dëmtimin e shëndetit, moralit dhe vënies në rrezik të jetës së fëmijës dhe zhvillimit normal të tij. Sanksionimi në mënyrë të shprehur i kësaj të drejte është me rëndësi, sa kohë që shfrytëzimi i punës ose shërbimeve të detyruara përbën një element të trafikimit të personave, grave dhe të miturve.

Një dispozitë kuptimplotë e Kushtetutës është ajo që sanksionon se fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti.  Kjo merr një rëndësi të veçantë, sepse trafikimi i personave, grave dhe të miturve mund të shoqërohet me keqtrajtim, me dhunë fizike dhe / ose psikike.

Kodi Penal

Trafikimi i qenieve njerëzore është një fenomen shumë kompleks dhe faktorët që e favorizojnë atë janë të shumtë, prandaj edhe masat parandaluese janë shumëplanëshe, duke u ndalur së pari, në legjislacionin përkatës dhe zbatimin e tij. Trafikimi dhe format e ndryshme në të cilat ai shfaqet konsiderohen sot si fenomen kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili dënohet ashpër nga legjislacioni ynë penal. Në këtë kuadër, legjislacioni penal shqiptar është përmirësuar vazhdimisht në përqasje me legjislacionin ndërkombëtar dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Në këto ndryshime, vlen të përmendet evoluimi i veprave penale të trafikimit. Ato janë vepra relativisht të reja në legjislacionin tonë. Me hyrjen në fuqi të Kodit Penal, në qershor 1995, ato nuk ishin parashikuar fillimisht si vepra penale. Për më tepër që nga pikëpamja juridiko-formale Kodi Penal nuk përmbante asnjë dispozitë që ta parashikonte trafikimin si vepër penale. Mund të themi se trafikimi dënohej indirekt, përmes ndëshkimit që parashikohej në veprat penale si:

Favorizimi i prostitucionit (neni 114, Kodi Penal);

Mbajtja e lokaleve për prostitucion (neni 115, Kodi Penal);

Kalimi i paligjshëm i kufirit (neni 297, Kodi Penal);

Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit (neni 298, Kodi Penal).

Për sa i përket sanksionit, Kodi parashikonte gjobën si minimumin e dënimit të këtyre veprave dhe 10 vjet burgim, si maksimumin e dënimit. Por gjithsesi ky rregullim nuk ishte i mjaftueshëm. Për pasojë, u pa e nevojshme përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit në këtë fushë.

Kështu, me Ligjin nr. 8175, datë 23.12.1996, u parashikuan “Shfrytëzimi i prostitucionit i bërë në rrethana rënduese” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit i kryer nga organizata kriminale”. Po ashtu, ndryshime u bënë edhe në vitin 1998. Me Ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995” “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, vepra penale e “Favorizimit të prostitucionit” u konceptua e ndryshuar si “Shfrytëzimi i prostitucionit” (neni 114). Këtij neni iu bënë edhe ndryshime të tjera, duke iu shfuqizuar paragrafi i tij i dytë, i cili trajtonte kryerjen e veprës penale ndaj të miturës apo me përdorim të dhunës.

Është e rëndësishme të theksojmë se ndër vite ndryshoi dhe këndvështrimi nga pikëpamja gjinore e ligjvënësit. Me ndryshimet që iu bënë kësaj vepre penale, mund të trajtohen si viktima edhe të miturit meshkuj, në ndryshim nga më parë, ku konsideroheshin si viktima vetëm femrat e mitura.

Gjithashtu, u shtua neni 114/a “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”,  parashikuar si një vepër penale më vete. Ky parashikim më vete ka dhënë mundësi të goditet më mirë kjo vepër penale, duke qartësuar figurën e krimit dhe duke e ndëshkuar më rëndë subjektin e kësaj vepre. Në këtë vepër, për herë të parë ndeshim një sanksion të tillë, ku dënimi me burgim shoqërohet edhe me konfiskimin e mjeteve dhe përfitimin e nxjerrë nga vepra penale.

Kështu, për shembull, Gjykata e Lartë Tiranë, me vendimin Nr. 615, datë 10.12.2003, ka lënë në fuqi vendimin Nr. 127, datë 17.02.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe vendimin Nr. 376, datë 18.12.2003 të Gjykatës Apelit, Tiranë, ku kanë deklaruar fajtor shtetasin shqiptar I. L. për kryerjen e veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, bazuar në nenin 114/a, 4, 5 të Kodit Penal, sepse ai, me anë të kërcënimeve dhe torturave e ka detyruar të dëmtuarën të ushtrojë prostitucion në Itali.

Ndryshime të mëtejshme, të rëndësishme, u bënë në periudhën 2001-2004. Këto ndryshime prekën si pjesën e përgjithshme, ashtu dhe atë të posaçme të Kodit Penal. Gjithashtu, ndryshimet që iu bënë Kodit Penal në vitin 2001 prekën edhe dispozita që ishin shtuar në vitin 1998, si për shembull “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese” (neni 114/a). Kjo dispozitë ndryshoi nga pikëpamja cilësore si më poshtë:

U hoq pika 6, që parashikonte kryerjen e veprës penale nga organizatat kriminale; U shtua kryerja e veprës në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose nga persona të ngarkuar me funksione shtetërore dhe publike; Nga sanksioni i dispozitës u hoqën fjalët “dhe me konfiskim të mjeteve dhe përfitimeve”.

Ndërkohë, nocioni trafikim, u fut për herë të parë në Kodin Penal me ndryshimet që u bënë me Ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001. Ky ligj parashikoi në Kodin Penal veprën penale të trafikimit me tri figura veprash, si “Trafikimi i personave”, “Trafikimi i femrave” dhe “Trafikimi i fëmijëve”. Kështu, u shtuan disa nene në këtë drejtim. Njëri prej tyre është neni 110/a, ku për të harmonizuar formulimin e tij me aktet juridike ndërkombëtare u bënë ndryshimet e mëposhtme.

Pas nenit 110, u shtua neni 110/a, “Trafikimi i personave”, me përmbajtje:

Trafikimi i personave (neni 110/a)

Trafikimi i njerëzve me qëllim përfitimi material ose çdo përfitim tjetër dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike ose psikike të të dënuarit për të kryer veprime të ndryshme ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se 15 vjet dhe kur ka sjellë pasojë vdekjen me burgim të përjetshëm.

Gjithashtu, pas nenit 114/a, shtohet neni 114/b me përmbajtje si vijon: Trafikimi i femrave (neni 114/b); Trafikimi i femrave për prostitucion me qëllim përfitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.

Po kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose shoqërohet me keqtrajtim dhe detyrimin me dhunë fizike ose psikike të së dëmtuarës për të kryer veprime të ndryshme ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se 15 vjet dhe kur ka sjellë pasojë vdekjen, me burgim të përjetshëm.

Dispozitë tjetër e cila u shtua në Kodin Penal ishte neni 128/b: Trafikimi i fëmijëve (neni 128/b);Trafikimi i fëmijëve me qëllim përfitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike ose psikike të së dëmtuarës për të kryer veprime të ndryshme ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se 15 vjet dhe kur ka sjellë si pasojë vdekjen, me burgim të përjetshëm.

Në kuadër të forcimit të legjislacionit penal në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe si rezultat i ratifikimit nga Shqipëria të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar dhe të dy protokolleve shtesë,  në periudhën 2001-2004, Kodi ynë Penal iu nënshtrua disa shtesave dhe ndryshimeve, si në pjesën e përgjithshme ashtu dhe atë të posaçme të tij. Kështu, për po të njëjtën arsye që është harmonizimi i formulimit me aktet juridike ndërkombëtare, Ligji nr. 9188, datë 12.02.2004, në pjesën e posaçme të Kodit Penal, bëri ndryshimet e mëposhtme.

U riformulua neni 110/a, me përmbajtje: Trafikimi i personave (neni 110/a); Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo përdorimit të formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të ngjashme të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose të shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose të formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim të transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të skllavërimit, dënohen me burgim nga pesë deri pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë dy milionë deri në pesë milionë lekë. Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave, dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë. Kur kjo vepër kryhet me bashkëpunim ose më shumë se një herë apo shoqërohet me keqtrajtim dhe detyrim me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme ose sjell pasoja në shëndet, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm dhe me gjobë nga shtatë deri në dhjetë milionë lekë.

Kur vepra kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shënohet me ¼ e dënimit të dhënë.

U riformulua neni 114/b, me përmbajtje si vijon: Trafikimi i femrave (neni 114/b);

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e femrave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo përdorimit të formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës, ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, me qëllim të shfrytëzimit të prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, punës ose të shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantim të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga tre deri në gjashtë milionë lekë. Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të femrave, dënohen me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga pesë deri në shtatë milionë lekë.

Kur kjo vepër kryhet me bashkëpunim ose më shumë se një herë apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike të së dëmtuarës për të kryer veprime të ndryshme ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë deri në tetë milionë lekë.

Kur kjo vepër ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë.

Kur vepra kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

Në një vështrim të përgjithshëm mund të thuhet se procesi i hartimit dhe implementimit të dispozitave mbi trafikimin është karakterizuar nga një ngutje duke prezantuar dhe mosharmonizim me parimet e përgjithshme që burojnë nga pjesa e përgjithshme apo me jurisprudencën penale në përgjithësi. Parashikimi i trafikimit në tri dispozita e për më tepër në tri seksione të ndryshme pasqyron moskuptimin e thelbit të kësaj vepre, që është cenimi i rëndë i lirive themelore të individit. Trafikimi në thelbin e tij nuk është fenomen i lidhur ekskluzivisht me prostitucionin (edhe pse është forma më e dukshme) sikurse nuk është ekskluzivisht i lidhur me të miturin. Historia dhe realiteti aktual tregon që femrat nuk janë shfrytëzuar vetëm për qëllim prostitucioni, por u janë nënshtruar edhe formave të tjera të shfrytëzimit. Duke marrë këtu edhe për bazë që pjesa më e madhe e personave të trafikuar janë gra, ky përfundim bëri që ligjvënësi t’i jepte kësaj dispozite karakter më të përgjithshëm duke e titulluar “Trafikimi i femrave”. Duke pasur parasysh se trafikimi i femrave është një nga format më të ashpra të krimit të organizuar, Kodi Penal parashikon dënime të rënda edhe te subjektet që kryejnë organizimin, drejtimin dhe financimin e trafikimit të femrave.

Gjithashtu edhe neni 128 u riformulua. Trafikimi i të miturve (neni 128/b): Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë. Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të të miturve, dënohet me burgim dhjetë deri në njëzet vjet burgim dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë në tetë milionë lekë. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë. Mund të konkludohet se, dobësia e ligjit ka ndikuar në mungesën e efikasitetit në goditjen e rasteve të trafikimit, po të kemi parasysh se në këtë periudhë kemi dhe një rritje më të madhe të fenomenit kriminal. Kjo dobësi u ndie edhe në praktikën gjyqësore. Për pasojë, u pa e nevojshme ndërmarrja e nismave të tjera për përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë.

Siç dihet, pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm janë edhe konventat ndërkombëtare, por edhe akte të tjera që lidhen me to, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, të cilat përveç se mund të zbatohen drejtpërdrejt, paraqesin edhe detyrimin për të hartuar ligje kombëtare penale që ndëshkojnë trafikimin e qenieve njerëzore. Vepra penale e trafikimit e përpunuar si nga jurisprudenca ashtu dhe doktrina, konsiderohet me rrezikshmëri shoqërore të lartë dhe në përputhje me këtë rrezikshmëri janë përcaktuar edhe masat e rënda të dënimit.

Shtojca e Kodit Penal, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2004, bëri të mundur që vepra penale e trafikimit e kryer nga subjekte që shfrytëzojnë funksionin shtetëror ose shërbimin publik, të konsiderohet në rrethana rënduese dhe të ketë efektet e saj parandaluese apo ndëshkuese ndaj personave zyrtarë. Deri në vitin 2004, kjo rrethanë e cilësuar rënduese nuk ishte parashikuar për trafikimin, por ishte parashikuar vetëm për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit me një shtojcë që i ishte bërë Kodit në vitin 1999.

***

Për të përmbledhur atë çka është parashtruar më lart, nga analiza e dispozitave të Kodit Penal rezulton se: Së pari, legjislacioni ynë ka rritur dhe përmirësuar numrin e dispozitave ligjore që godasin trafikimin, duke parashikuar vepra të reja penale.

Së dyti, në legjislacionin shqiptar janë bërë ndryshime cilësore, duke përmirësuar strukturën e dispozitave ligjore, me qëllim që të goditet më mirë vepra penale përkatëse. Megjithatë, nga ana e formulimit, disa prej dispozitave mbi trafikimin janë të gjata, në formë komentari dhe jo koncize.

Së treti, të miturve dhe grave, deri në ndryshimet e fundit me Ligjin nr. 144/2013, u është kushtuar rëndësi e veçantë, pasi veprat penale të kryera prej tyre janë trajtuar si figura më vete dhe konsiderohen me rrezikshmëri më të lartë, prandaj dhe dënimet janë më të ashpra. Në të gjitha rastet, dënimi është më i madh kur viktima është i mitur, kur shfrytëzimi është bërë nga një grup njerëzish, për qëllime fitimi apo kur është përdorur forca ose kur vepra është kryer në mënyrë të vazhdueshme apo në bashkëpunim me të tjerët, përmes abuzimit të detyrave shtetërore apo nga organizata kriminale.

Së katërti, gjithashtu, është qartësuar më mirë pozita e subjekteve kriminale (trafikantëve), duke rënduar sanksionet e veprave penale, duke zgjeruar forcën goditëse në drejtim të pasurive të krijuara nga trafikimi. Gjithashtu me ndryshimet e fundit është zgjeruar rrethi i ndëshkimit për personat që përfitojnë apo përdorin shërbimet e ofruara nga personat e trafikuar, si dhe ndaj personave që me veprimet e tyre lehtësojnë trafikimin.

Së pesti, një karakteristikë në lidhje me këto ndryshime lidhet me faktin se krahas dënimit me burgim si dënim kryesor, në të njëjtën kohë mund të jepet edhe dënim me gjobë. Vlera e gjobës ishte e lartë në mënyrë që goditja të jetë sa më e madhe.

Në nenin 48 të Ligjit nr. 144/2013, pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim është shfuqizuar.

Së gjashti, bazuar në Strategjinë kombëtare të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, si dhe instrumenteve ndërkombëtare të nënshkruara dhe ratifikuara nga Shqipëria, u bë një rishikim i legjislacionit, me qëllim rritjen e dënimit për forma të caktuara të trafikut të qenieve njerëzore, si dhe bazuar në përvojën ndërkombëtare të dallimit të viktimës nga trafikanti, ku viktima e rritur apo fëmijë duke u trajtuar si e tillë, nuk ndiqet penalisht.

Së shtati, Kodi Penal shqiptar parashikon sanksione për vepra penale që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi me trafikimin e njerëzve dhe fëmijëve. Këtu përfshihen përveç veprave penale të përmendura më lart edhe ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, shfrytëzimi i prostitucionit, financimi dhe dhënia me qira e lokaleve për prostitucion, rrëmbimi i personit, si dhe i fëmijës, rrezikimi i jetës së personit duke e shoqëruar me vuajtje të rënda fizike ose psikologjike, rrahje, marrëdhënie seksuale me dhunë, vjedhja e dokumenteve të identifikimit, falsifikimi i dokumenteve të identifikimit, i pasaportave, i vizave etj.

Së teti, me ndryshimet e bëra me Ligjin nr. 144/2013 me qëllim zbulimin dhe ndëshkimin e trafikantëve në nenin 52/a parashikohet përjashtimi ose ulja e dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe viktimat. Në raste të veçanta, kur konkurrojnë edhe rrethana lehtësuese në favor të tij, ky person mund të përjashtohet nga dënimi.

Së nënti, me ndryshimet e fundit, Kodi Penal shqiptar trafikimin e ka të ndarë në dy figura veprash penale që gjenden të shpërndara në dy seksione të ndryshme. Kështu, “Trafikimi i personave të rritur” (neni 110/a) ndodhet në seksionin e “Veprave penale kundër lirisë së personit”; dhe “Trafikimi i të miturve” (neni 128/b) është përfshirë në seksionin e “Veprave penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes”. Këto vepra penale shoqërohen me dënime kryesore të ashpra kumulative me burgim dhe me dënime plotësuese të konfiskimit të pasurive.

*Fragment nga libri “Trafikimi i qenieve njerëzore”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Muri i Berlinit ra – por Mure të tjera po ndërtojnë Demokracitë Perëndimore

Nga Pirro Prifti Bashkimi Europian i formuar dhe i fuqizuar pas rënies...
Read More