Lehtësia e padurueshme e grabitjeve

06 Vjedhja e RinasitLehtësisht të grabitshme, shumat që bankat transferojnë jashtë Shqipërisë janë bërë target i preferuar. E ndërsa Ministria e Brendshme fajëson bankat dhe policinë private, mungesa e një rasti të zbuluar e bën këtë të fundit po aq me faj për dështim të sigurisë në një nga rrugët më të përfolura në vend

Nga Vladimir Karaj

Tre grabitje në më pak se një vit dhe rruga nga Kashari në Rinas duket si hekurudhë e filmave western, ku mjafton të kesh një kalë dhe një pushkë dhe bëhesh milioner. Pjesës shqiptare të historisë i mungon një Xhon Uejn dhe policia ende nuk ka një emër apo një fytyrë për grabitësit. Skenarët sidoqoftë janë të ngjashëm, përjashto kuajt. Për të tretën radhë grabitësit ndaluan të enjten makinat që transportonin para të thata, morën 10 thasë që hamendësohet se mund të kishin më shumë se 2 milionë euro dhe u zhdukën. E ndërsa dje ministri i Brendshëm deklaroi se tani e tutje paratë do shoqërohen nga policia, duke qenë se bankat s’kanë qenë sipas tij në gjendje të vendosin masa sigurie, ai ende nuk është në gjendje të tregojë rezultate konkrete zbulueshmërie për dy grabitjet e para apo të ngjashme, po kaq spektakolare. Ministria e Brendshme po i bën bisht përgjegjësisë mbi grabitjet, duke akuzuar policitë private e bankat për mungesë të sigurisë, por nga ana tjetër asnjë prej autorëve të grabitjeve spektakolare nuk është arrestuar dhe forcat e rendit duken qesharake ndërsa ngecin në trafik. Lehtësia me të cilën grabiten këto ngarkesa dhe në mënyrë të përsëritur, ndërkohë arsyet pse është kaq e lehtë të vjedhësh miliona dhe të mos pësosh asgjë, variojnë prej fakteve konkrete në teoritë e konspiracionit apo përplasjen politike.

Mungesa e sigurisë

Është qesharake që edhe pas një liste grabitjesh të makinave që transportonin para, bankat nuk u shqetësuan të përmirësonin sigurinë e monedhave që transportojnë. Kadri Morina, president i grupit Insig/Eurosig tha në “Top Story” se teknologjia e GPS apo ngjyrosjes është aq e vjetër saqë është i çuditshëm fakti që ajo nuk përdoret ende në Shqipëri. “Është faji i institucioneve bankare të nivelit të dytë. Ne i sigurojmë bankat, por habitem që bankat kanë rënë në këtë nivel të sigurimit të monedhave. Standardet e sigurisë së bankave në Kosovë janë siç i kanë në Londër. Sot GPS është një metodë e para 10-15 viteve e detyrueshme kudo. Sot duhet të ishte ngjyrosësi që në momentin që hapet thesi dhe preket GPS plas dhe bën të papërdorshme kartëmonedhat dhe lënë gjurmë te grabitësit”, -tha ai. Por GPS ishte në një thes të zbrazët në vjedhjen e fundit në rrugën e parave për në Rinas. Ai po ashtu mungonte në vjedhjet e para të parave. Të mendosh që nuk bëhet fjalë për një teknologji të fundit, por diçka me të cilën është i pajisur çdo aparat celulari. Por përtej kësaj një analizë e thjeshtë e rastit të fundit zbuloi se kompania që bënte transportin e parave nuk plotësonte as kushtet më minimale. “Mjetet për transportin e vlerave monetare ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret, pavarësisht se në lejen e lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor janë shënuar si automjete të prodhimit të veçantë”, thuhet në njoftimin e policisë që bën me dije edhe heqjen e licencës së kësaj kompanie. E ndërsa policia ashtu siç ka ndodhur edhe më herët arrestoi punonjësit e eskortës, por ata më shumë shihen si viktima të paaftësisë për të kapur grabitësit. Në asnjë rast deri më tani policia nuk ka mundur të provojë nëse ata janë të implikuar në afera, por nga ana tjetër as ata vetë nuk duket se janë në gjendje të bëjnë punën si duhet. “Kamerat e instaluara në mjetin e blinduar nuk ishin të aktivizuara në momentin e ndodhjes së ngjarjes. Njëri nga drejtuesit e mjetit të blinduar nuk kishte autorizim për të qarkulluar me këtë mjet”, -thuhet në njoftimin e policisë. Po ashtu aty vihet në dukje se ata nuk përdorën armë, nuk kishin vënë në punë mjetet e gjurmimit, nuk kishin logo identifikuese. Ndërkohë një prej tyre është filmuar duke implikuar policinë në grabitje. “E bën vetë shteti”, -thotë burri i inatosur, pak minuta pas grabitjes duke aluduar se një patrullë policie ishte pak më larg në rrugë. Por ndërkohë policia thotë se eskorta as nuk denjoi të bënte një telefonatë për të lajmëruar policinë pas sulmit. Problemet e eskortave nga ana tjetër të çojnë prapë te vetë policia. Në fakt është kjo e fundit që i licencon ato. Personeli i tyre supozohet që është i testuar prej policisë dhe dështimi i tij për të kryer punën në të tilla përmasa nuk e bën më pak përgjegjëse Policinë e Shtetit, qoftë edhe për faktin që i ka licencuar ato.

Bankat si kurnace

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i pati sulmuar edhe një ditë para grabitjes bankat e nivelit të dytë si kurnace sa i përket sigurisë së tyre dhe se nuk shpenzonin për këtë. Ministri e ripërsëriti këtë pretendim. Ndërkohë Aleks Hajdari nga Shoqata e Policisë Private fajësoi bankat edhe më rëndë, ai tha në “Top Story” se grabitje në përmasa të tilla nuk mund të ndodhin pa rrjedhje informacioni nga vetë banka. “Të gjithë kanë përgjegjësinë e vet, duke filluar nga banka, sepse nuk ndodh një grabitje e tillë pa patur një informacion të brendshëm. Policia private merr njoftim për ngarkesën, por nuk di sasinë e lekëve dhe mungesa të bën të dyshosh që punonjësit e policive private nuk mund të jenë në bashkëpunim me grabitësit, por mund të bashkëpunojnë me punonjës të bankës”, u shpreh ai. Problemet duket se janë pranuar edhe nga vetë bankat. “Po përgatisim një plan masash të detajuara për të përforcuar të gjithë elementët e sigurisë, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi më ngjarje të tilla. Drejtorët e bankave janë të gatshëm për t’i marrë masat dhe në ditët e ardhshme ne do ta përfundojmë këtë plan, në fokus të të cilit do të jetë transporti i vlerës monetare”, ka deklaruar dje Genti Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Por fakti që kjo dakordësi vjen pas një sërë grabitjesh njëra pas tjetrës, i lë bankat të pambrojtura para akuzave se duke qenë të siguruara nuk lodhen të vetëmbrohen. Pasoja e parë e këtyre grabitjeve bie mbi kompanitë e sigurimit, që siç tha Morina i risigurojnë këto para në kompani të huaja. “Shqipëria po kalon te pulla e kuqe për risigurimin e ‘transit cash’ nga kompanitë siguruese dhe risiguruesit i kanë rritur shumë taksat ndaj kompanive shqiptare dhe ne sot e kemi risigurimin në një masë dhjetëfish”, deklaroi ai në Top Channel.

Një problem politik

Grabitjet e bankave i janë mbivendosur kanabisit si dy problemet kryesore për policinë shqiptare. Ndërsa ministri i Brendshëm është politikisht nga më të shënjestruarit nga opozita, ngjarjet që vijnë njëra pas tjetrës nuk po e ndihmojnë pozicionin e tij. E ndërsa në rastin e kanabisit ai mund të tregonte statistika apo sasi të kapura e të shkulura, në rastin e grabitjeve policia nuk ka çfarë të tregojë.

Policia me gjasë ka të drejtë për mungesën e sigurisë nga bankat dhe policitë private, por nga ana e saj ajo është me shpatulla pas muri për mungesë të zbulueshmërisë dhe mungesë të informacionit. Kështu kreu i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama, tha në media se fakti që grabitjet ndodhin në të njëjtin vend dukej gati si tallje me policinë. “Është në çdo logjikë normale të perceptimit, por sfida është alarmante pasi ka ndodhur në të njëjtin pikë dhe orë. Është një tallje nga ky grup”, -tha ai në “Të Paekspozuarit”. Ky është rasti i pari i sulmit të LSI mbi policinë pas polemikave që çuan në shkarkimin e ministrit Ylli Manjani. Saimir Tahiri ka qenë shënjestër e akuzave po ashtu edhe nga opozita, që e ka pasur dorën edhe më të rëndë. Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e ka kursyer as së fundmi atë, madje duke bërë lidhje direkte mes tij dhe grabitësve. Opozita po ashtu e ka lidhur Tahirin edhe me trafikantët e drogës apo edhe me banda kriminale që veprojnë në kryeqytet.

Ngjarje të tilla nuk duket se e ndihmojnë ministrin e Brendshëm të shpëtojë nga akuzat, as nëse ai me gjasë sjell më shumë argumente se faji është i bankave apo i policisë private. Madje së fundmi edhe deputetë të PS-së kritikuan punën e policisë. “Nuk ka më mirëkuptim për policinë e Tiranës”, shkroi Erjon Braçe. Mungesa e rezultateve në zbulueshmërinë e këtyre rasteve, duket se e lë zbuluar policinë ndaj akuzave. Këto të fundit sidoqoftë shkojnë deri në konspiracione që përfshijnë vetë ministrin si kryekapo.

E ndërsa këto mund të jenë teprime politike, është problem fakti që ministrit iu deshën disa grabitje njëra pas tjetrës që të shpallë marrjen e disa masave konkrete. “Jemi të vetëdijshëm që ka ende shume punë për të bërë dhe do të merren masa të tjera parandaluese ku situata do të përmirësohet. Eksperienca e vendeve të tjera flet shumë. Ne do të marrim masa që të mbrojmë vlera të tilla. Jemi të vendosur për t’i dhënë fund këtij fenomeni, pasi ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së policisë private”, – u shpreh Tahiri, i cili e gradoi grabitjen në fenomen, duke pranuar në këtë mënyrë se deri tani ishte dështuar të ndërhyhej si duhet.

Shkruar Nga
More from revista mapo

ProCredit Bank, banka e parë në vend që ofron depozitime në bankomat, për biznese dhe individë

Sot, ProCredit Bank njofton të gjithë klientët e saj për një shërbim...
Read More