Letër Zhakut

 

Nga Edison Ypi – Më kujtohet, e dashur Zhak, gurgullima jote kur bëje “Metropolitan” në Vizion Plus. Më kujtohet ajo aureola magjike që mbështillte gjithçka tënden. Ai delir i bukur që quhet ëndërrim. Ajo dehje e këndshme që shqiptarët fantaziozë dhe imagjinativë i bën më të butë e më të mirë. E kam para sysh seriozitetin, profesionalizmin, përgjegjshmërinë, preokupimin tënd, lodhjet e tua, strapacimin që i bëje vetes, me të vetmin qëllim që produkti yt të ishte si e doje ti, dhe si është në të mirën e të gjithëve; Jo fotografi e ftohtë, jo deskriptim analog i realitetit, e aq më pak renditje kuturu e fakteve.

Produkti yt nuk ka qenë kurrë qurre, nuk ka qenë kurrë shurrë që aty rridhet dhe aty mbetet. Nuk bëre asgjë në stilin e përvjellur për të të mburrur të nesërmen në kafene si e kanë zakon shejtanbudallenjtë “ua sa bukur e bëre mbrëmë”. Puna jote ka qenë gjithmonë përcjellje e emocioneve artistike. Në atë mënyrë që mesazhet të udhëtojnë te shikuesit. Sa më larg nëpër katunde. Sa më lart nëpër male. Sa më thellë nëpër lugina. Sa më tutje ku autorin e adhuruar, në këtë rast ty, nuk e njohin, dhe kurrë s’kanë për ta njohur.

Ti Zhak bëre spektakël të gjallë, me zemër që rreh, me gjak që rrjedh, spektakël dinamik, alternativ, spontan, kreativ. Për t’ia arritur kësaj, megjithëse ishe në fillimet e tua dhe pa përvojë, por e armatosur me principet e pavjetrueshme të komunikimit klasik, serioz, funksionues, ti gjithçka ia nënshtroje disiplinës rigoroze profesionale, filtrimit të mesazheve përmes kodeve artistike, tekstit të ngjeshur, figuracionit, përdorimit të ironisë dhe autoironisë etj. etj.

Kurrë nuk ju dorëzove superficialitetit, mediokritetit, klisheve, kollajllëkut. Kurrë nuk veprove dosido. Gjithmonë me stil. Gjithmonë me vetëpërmbajtje. Gjithmonë me perfeksionizëm. Me këtë, e dashur Zhak, shpjegohet që produkti yt mediatik nuk ka qenë kurrë si thonë tironcit, “shtro peta e hudh tëlyn”, pra kurrë byrek bajat, kurrë kazan llokoçitës, por gjithmonë vetëm Art.

I kam vërejtur me kujdes këto dhe të tjera. Por nuk po zgjatem, se sot dua të kujtoj nja dy dromca që nuk më hiqen nga mendja, më janë ngulur në kokë për të mos u shkulur kurrë.

Ti Zhak atëherë, shpresoj edhe tani, nuk shkruaje në kompjuter, e aq më pak në celular. Ti atëherë, për të shkruar, mbaje me vete një mjet që qysh atëherë ishte bërë send batall, objekt muzeal, ti atëherë mbaje një bllok. Çudisje dynjanë në atë kohë kur sa herë të vinte në kokë një ide, e shkruaje si e ka falë Zoti, si kanë shkruar gjenialët, si janë shkruajtur kryeveprat, me laps e letër, në bllok. Sa mirë do qe nëse s’ke hequr dorë nga ky “ves”.

Tjetra, që gjithashtu kurrë nuk kam për ta harruar, është më e fortë se blloku. Po flitej në “Metropolitan”, për marrëdhëniet e Shqipërisë me botën. Njëri nga të ftuarit u ngrit e tha pak a shumë këtë; Jemi vend i vogël. Për të rënë rehat prej nesh Europës dhe botës nuk i kushton gjë të na hedhi hera-herës ndonjë kothere. E kujtoj tmerrin tënd, pataksjen tënde, mpirjen, ngrirjen tënde, kur dëgjove llaftarinë me lëmoshë shqiptuar aq lirshëm nga një idiot. Përgjigja jote, të cilën e kujtoj fjalë për fjalë, përgjigjja që ti e shqiptove e zverdhur dhe duke t’u dridhur kurmi, ishte;

Zotëri, kjo që thatë është e padenjë.

Është absolutisht e vetmja herë në këta 27 vjet, që ideatorja, autorja, konduktorja, e një programi televiziv, ka pasur ndjeshmërinë për të kapur dhe guximin për të ulëritur në mbrojtje të Dinjitetit. Nuk i bie ndërmend kujt në këto anë ta mbrojë Dinjitetin. Është fjalë e harruar. Është koncept i braktisur. Dinjitetin, pikërisht atë që Shqipëria dhe shqiptarët e sotëm e kanë më të nevojshëm se ajrin, këtu e shkelin, e pështyjnë, e rrahin, e zvarritin. Por ti Dinjitetin e mbrojte. Se Ti ke principe që nuk i shkel.

Ti nuk i shkon pas volles së turmës. Ti gjithmonë je të paktën një hap “para” dhe një hap “mbi” turmën. Ti nuk ia nënshtron Artin tënd asnjë turme. Ti e di që Arti që nuk udhëheq nuk është Art por eskrement. Ti e di që Artisti që nuk prin nuk është Artist por legen.

Ti nuk je si këta langaraqët që gjithë kohën i bëjnë hyzmet vetes, këta që për të marrë sa më tepër shikime dhe klikime dashurojnë nonën e vet, këta që pa ju dridhur qerpiku zbresin pafundësisht thellë në katakombat e shtazërisë cerebrale njerëzore për të thithur qumështin inekzistent të injorancës, këta që duke mos ditur çfarë të bëjnë i janë vërsulur vetes për t’i shpëlarë edhe pikën e fundit të yndyrës, këta të zhyturit dhe të mbyturit në pellgjet e qelbura të falenderimeve reciproke autoreferenciale.

Zhak, e kanë bërë talk shown, muhabet. E kanë katandisur spektaklin aheng. E kanë degjeneruar muzikën në tallava.

Eja Zhak. Eja, dhe mos e zgjat. Eja, dhe pik.

Ikja jote ishte një gjëmë e madhe.

Ardhja jote do jetë një haber i madh.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shukri Xhelili sërish në gjyq: I bleu djalit apartament në Durrës dhe nuk e deklaroi

Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili sërish në gjyq. Sipas Ora News, këtë...
Read More
CLOSE
CLOSE