Letërsi fason, me krah të lirë pune

Lexuesit e Ballkanit Perëndimor, ardhur nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku, përdhunimi fizik e kulturor, e kuptojnë se luftërave një ditë u vjen fundi, por luftrat nuk mbarojnë. Luftrat zhvendosen. Nga malet dhe fushat e luftimit drejt librarisë. Kush hyn në një librari e ndjen se aty kujtesat përplasen, e shkuara ndeshet me perspektivën dhe se vdekurit u kondërvihen të gjallëve

Ndajmë të njëjtin raft, por jo të njëjtën ëndërr

Nga Arian Leka

Pesëdhjetë vjet nga sot, Michel Foucault kumtoi mbi heterotopitë. Libraria nuk përfshihet në këto hapësira. Spitalet dhe anijet, motelet dhe burgjet, muzetë dhe kuplaratë, bibliotekat, varrezat dhe saunat, po. Me gjithë fjalët dhe përfytyrimet e bukura, libraritë ruajnë ende diçka prej kampeve të shfarosjes ngulur në epokën e pranëvënieve dhe të njëkohëshmërisë. Lexuesit e Ballkanit Perëndimor, ardhur nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku, përdhunimi fizik e kulturor, e kuptojnë se luftërave një ditë u vjen fundi, por luftrat nuk mbarojnë. Luftrat zhvendosen. Nga malet dhe fushat e luftimit drejt librarisë. Kush hyn në një librari e ndjen se aty kujtesat përplasen, e shkuara ndeshet me perspektivën dhe se vdekurit u kondërvihen të gjallëve. Por në libraritë e kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor luftohet për një kauzë tjetër. Aty luftimi ndodh për zgjerim të hapësirës letrare dhe zaptim territoresh kulturore. Pakashumë këto po sillja nëpër mend më 23 prill 2017, në Ditën Botërore të Librit, teksa ecja përmes rafteve të njërës prej librarive të mëdha në Tiranë. Ndërsa këqyrja tituj të pafundmë “botimesh fason”, nga ata që në frymën e globalizimit kulturor publikohen në miliona kopje të njëjta në të gjithë botën, mora guximin të pyes libërshitësin nëse gjatë asaj dite të veçantë për librin kishte patur ndonjë interesim edhe mbi titujt e autorëve të rajonit tonë? Europa Juglindore. Bllkani Perëndimor. Shkrimtarë malazezë, serbë, maqedonas, boshnjakë, sllovenë, kroatë dhe shqiptarë u detyrova të qartësoj bashkëbisedimin me libërshitësin, që më pas mori këtë formë:

Unë: Ku mund t’i gjej të ekspozuar librat e autorëve ballkanikë?  Ai: Në ekspozitorin e librit të ri.  Unë: Zakonisht si i ndani? A ka ndonjë kriter dallues? Si e gjen lexuesi këtë letërsi?  Ai: Sipas vendeve dhe sipas gjuhëve? Një raft me letërsi franceze. Një rast letërsi italiane. Letërsia angleze është aty.  Unë: Po letërsia e rajonit tonë në cilin raft rri? Ai: Ata i kemi bashkuar në atë raftin e madh. Në të njëjtin raft me letërsinë ruse… Ja! Shihi! Unë: Përse aty..? Ai: Ku tjetër?…Letërsi sllave…?!

Nuk është aspak fjala për fobi ndaj ndonjë kulture, por për verbimin kolektiv. Librashitësi kishte të drejtë. Kush beson se prej vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të vijë letërsi e mirë? Prej atyre viseve Europa merr vetëm sinjale negative, telashe, grindje, trafikim, luftra, konflikt dhe punëtorë me pak kualifikim. Kur paska ndodhur që ndonjë autor i rajonit tonë të jetë vlerësuar në vendet fqinje? Kurorat u takojnë superfuqive kulturore. Ballkani Perëndimor duhet të jetë i kënaqur që e përmendin dhe që zë një vend në periferi të territorit kulturor.

Përballë nesh vendoset sërish Foucault me gjenealogjinë e racizmit, që shfaqet jo vetëm si paragjykim iracional dhe diskriminim social, politik dhe kulturor, por edhe si formë për të manipuluar mendjet militare të rajonit tonë.

Në këtë kontekst pamja e letërsive të zhdukura nga harta kulturore qëndron përtej kornizës simbolikës. Në atë librari promovohej mosbesim, diskrimim kuluror. Shfaqen trajta të ideologjive koloniale në kulturë. Tregu urdhëron krijimin e perandorive letrare. Për strategji merkantile letërsia europiane e Ballkanit Perëndimor futej në sqetullën e hapësirës së letërsisë ruse dhe sovjetike. Mes librave të Tolstojit, Korolenkos, Majakovskit, Dostojevskit, Paustovskit, Turgenievit e Pushkinit si dhe të disa librave antikuar të autorëve të realizmit socialit sovjetik, mes tyre “Si u kalit çeliku” – i Ostrovskit,  “Garda e re” – i Fadajevit apo “Çapajevi” – i Furmanovit, ishin edhe librat e Daša Drndić, të Luan Starovës, të Eqrem Bashës dhe Ali Podrimes, që kishin nënshkruar Vox clamantis in deserto në 1971.

Në po atë raft, librat e Georgi Gospodinov dhe Jeton Neziraj rrinin pranë e pranë me Shollohovin e Nekrasovin, siç Jurij Hodolin, Adrian Kyçyku, Tomaz Šalamun e Shpëtim Selmani rrinte përbri me Lermontovin, Shçedrinin, Srdjan Valjarevićin, Nikola Madzirovin dhe Ballsor Hoxhën. Pak më tej, Enes Karić, Arben Idrizi, Ognjen Spahić e Qerim Ondozi ishte futur përkrah e përbri librave të Leonovit, Gorkit, Çehovit e Gogolit, për të vijuar më tej me Miljenko Jergović, Alek Popov, Vladimir Arsenijević, Ervina Halili, Edo Popović, Renato Baretić, Emir Imamović Pirke e Drago Janćar, që mbyllte serinë e librave në raftin e madh mbi të cilin lexohej tabela LETËRSI RUSE.

Mbivendosja e realiteteve në librari më solli ndërmend disa vargje, të cilat nuk do të kisha dashur t’i kujtoja aq gjatë. Ishin botuar në gazetën “Bashkimi”, fill pas Luftës së Dytë, në pranverë të vitit ’45. Autor ishte Lame Kodra, Ministri i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës së asaj kohe. Duke u përpjekur të sajonte një vjershë kushtuar kryeqytetit të kryeqyteteve të botës, Kremlinit, Moskës, Romës së Tretë, ai kishte krijuar rima një shtrat të përbashkët kulturor përmes tri fjalëve: Kremlini – Lenini – Shkumbini. “Si yll’ i Karvanit / Mi botën ri Kremlini / E drita që lëshon / Po vjen gjër te Shkumbini… …Përpëlitet kuçedra me gulçime / Lavdi për jetë paç, o Moska trime.” Ishin vargje të frymëzuara nga i njëjti burim ideologjik, shkruar në kohën kur, nga Moska në Tiranë përktheheshin dhe botoheshin të njëjtët libra, kur shkrimtarët përvetësuan fasonerinë e parë letrare të realizmit socialist, teksa lexonin udhëzimet e Vitalij Ozerov dhe Branko Ćopić që bënin fjalë mbi themelet e përbashkëta kulturore. Ishte ky një realitet në kushtet e déjà vu-së, apo frika nga përsëritja e së shkuarës ishte aq ende aq e fortë saqë prirej të kujtonte vetëm elementet negative?

Në kontekste si këto, libraria e Tiranës shfaq haptazi mosbesimin se letërsia që vjen nga Ballkani Perëndimor apo Europa Juglindore, siç quhet ndryshe, mund të krijojë vlera të veçanta. Ndaj për ta bëtë të shitshme mund ta klonojmë me çdo gjë, përfshi këtu të qenit kulturë satelit. Por a ndajnë të njëjtën perspektivë dhe të njëjtin sfond social kulturat që u bashkuan në të njëjtin raft? A mund të gjejë përkrahje nën këtë simbolikë ideja e dekolonializmit kulturor, shthurja e hierarkive me bazë raciste mes kulturave të vogla dhe perandorive kulturore?

Duke ju kthyer çështjes së librave në rafte më duhet të pyes se ku gjenden librat e autorëve shqiptarë në libraritë e Beogradit, në Sarajevë, në Podgoricë, në Zagreb, në Shkup a në Ljubljanë? Janë futur nën sqetullën ndonjë letërsie tjetër apo përfytyrimi mbi letërsinë shqiptare është ai i një një zone pa përfaqësim?

 

Krahinë autonome apo Republikë letrare

Letërsia bashkëkohore e fqinjëve ballkanikë njihet pak në Shqipëri dhe prej këtej nënçmohet për vlerat që ka. Ky paragjykim ndodh edhe pse në shumë raste këto vepra letrare botuar në shqip vijnë të “çertifikuara” me çmime ndërkombëtare dhe të shoqëruara me jehonën që i ka ndjekur pas botimit në anglisht, frëngjisht apo gjermanisht. I tillë është, për shembull, rasti i romanit dokumentar “Sonnenschein” i autores kroate Daša Drndić (“Fëmijët e dashurisë dhe urrejtjes” në versionin shqip), që kaloi pa vëmendje, edhepse institucionet kombëtare të Shqipërisë e shpallën vitin 2017 si “Vit të Kujtesës”.

Ndërkaq, si të bëhet fjalë për një hakmarrje, edhe letërsia shqiptare vazhdon të mbetet letërsia më pak e njohur në Europë. Madje ndër fqinjët tanë kjo letërsi paragjykohet, jo për ekzistencën, por për mungesën e cilësisë së saj. Për shkaqe të tilla kjo letërsi përkthehet dhe lexohet pak. Përkthimet, botimet dhe përurimet e saj përtej gjeozonës shqiptare kanë ndodhur më fort si vullnete dhe dëshira vetjake që nuk përfshihen as në projektet e institucioneve dhe as në ato të faktorit alternativ.

Kemi të bëjmë me përplasje praktikash në paraqitje. Letërsia shqiptare, nuk është, por bëhet e padukshme. Ajo nuk shfaqet, rri e tërhequr, e izoluar brenda zonës së saj gjuhësore. Kjo letërsi nuk merr pjesë me vëmendjen dhe me dinjitin që meriton në panairet rajonalë të librit dhe as të atyre në Europë. Duket sikur kjo letërsi dhe faktorët që e shoqërojnë demonstrojnë sjellje asociale dhe mungesë vetëvlerësimi.

Por ideja jonë e ngulmët, pas çdo dështimi, është të gjejmë jo zgjidhje, por fajtorë. Më e lehta mes anastezive mbetet qetësimi përmes iluzionit se dikush na pengon. E kush mund të jetë tjetër, përveç fiqnjëve tanë, armiqve shekullorë, që na shpërfillin dhe na keqtrajtojnë?

Pas fqinjëve të ligj, politika mbetet fajtori ideal – dhe sigurisht që është – përderisa ka zgjedhur të jetë invertitori kryesor i “produktit kulturor shqiptar”. Por ndërkaq elementet e tjerë kontribues në këtë fushë nuk ofruan kurrë modele alternative dhe të pavarura, që nuk do e lejonin shtetin të merrte formën e një korporate sponsorizuese. Shteti josh, dhe korrupton ëmbëlsisht përmes çmimeve, granteve, bordeve, fondeve, titujve, dekoratave dhe funksioneve publike “artistët e tij”, por të njëjtën gjë bëjnë zakonisht edhe korporatat mediatike e botuese, që zgjedhin jo vetëm “autorët e tyre”, por krijojnë edhe hartat e shpërndarjes së shpërblimeve letrare, bashkë me simbolikat e tyre të përfaqësimit.

Përtej kësaj panorame, autorët në Shqipëri mund ta kishin zgjidhur tanimë marrëdhënien me dy çështje, që në të vërtetë duhej të ishin kapërcyer me kohë. E para është tabuja e nyjes, që këputet kur nuk zgjidhet dhe kur të pengon. Tabuja e dytë ka të bëjë me fillin, që ka humbur në labirint. Të dy proceset, ndonëse duken si mision i pamundur, gjejnë shpjegim te një mendim i Jorge Luis Borges, kur shkruan se filli mund të ketë humbur, por nuk ka fill të humbur që nuk gjendet, përderisa ekziston qëllimi dhe ngulmi për ta gjetur fillin dhe për ta lidhur atë me pjesën që u këput. Tabuja e nyjes nënkupton ndarjen nga marrëdhënia që i mban autorët dhe letërsinë shqiptare të lidhur pas mendësisë së të kaluarës së afërt të artistit të gatshëm. Me këtë është i lidhur edhe modelimi i krijimtarisë  si veprimtari dhe art në shërbim.

Ndërkaq,  a ekziston me të vërtetë ndonjë ofertë prej letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe, që meriton vëmendje, vlerësim dhe investim dhe që nuk është vënë re? Ajo që nge krye më dhunshëm dhe nuk lejon të dallohen prurjet e përveçme, janë stereotipet. Stereotipet letrare e kanë krijuar fondin klisheve tematike dhe stilistikore të post-Realizmit Socialist, që letërsisa shqiptare solli pas viteve 1990. Meqë një listim të tyre e kam botuar më herët në “Milosao”, po shtoj vetëm faktin se fabrikimi i stereotipeve dhe klisheve në kushtet e një industrie letrare ka nxitur ardhjen në jetë të “letërsisë fason”. Ajo që përfaqëson termi lidhet me formën e produktit që prodhohet me kërkesë të porositësit, i cili modelon, përcakton lëndën e parë dhe gjen tregun, duke shfrytëzuar krahun vendas të punës.

Mbetet për t’u vëzhguar më mirë nëse ajo që u shndërrua në prirje ndaj letërsisë fason, ishte thjesht zell dhe ngut i autorëve për zaptim territoresh letrare dhe sigurim i suksesit të lehtë. Ky zell a përkrahet edhe prej disa botuesve të huaj, të interesuar për asortimentin shqiptar, që mungonte në tregun e librit? Apo letërsia fason gjen mbështetje institucionale që, teksa e promovon, e vlerëson me çmime dhe e rekomandon, mbëshetet letërsinë e stereotipeve, duke e zgjeruar mosbesimin ndaj letërsisë shqipe dhe duke vonuar përpjekjet serioze të saj shfaqen edhe jashtë zonës së brendshme të komunikimit?

Kujtoj sërish Michel Foucault, kur shkruante se në përpjekjet për të gjetur diçka në këtë shtresa të arkeologjisë kulturore, ne thjesht ia bëjmë të dukshme vetes, por edhe vendit tonë të heshtur, disa ndodhi që ndodhin para syve tanë dhe me përkrahjen tonë, përfshi këtu edhe të metat e pakorrigjuara prej kohësh edhe ngurrimet e dikurshme edhe padrejtësitë e një dite më parë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbarë bota shqiptare: Lamtumirë albanologut Robert Elsie

Për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj,...
Read More