“Letërsia e burgut”, ose arti që ruajti Njeriun

Nga Agim Baçi

A e njohim letërsinë e shkruar nga shkrimtarët e burgosur politikisht? Sa na nevojitet sot ajo letërsi dhe a do të shihet vetëm si kujtesë apo edhe për vlera të mirëfillta letrare? A duhet ende t’ia lëmë rastësisë së botimit apo duhej një politikë e organizuar e institucioneve akademike e arsimore?

Pavarësisht debateve, dokumentarëve të ndryshëm që mund të numërohen sot, duhet thënë se letërsia e burgut, ose “burgologjia”, siç e ka konsideruar poeti Visar Zhiti, ende nuk e ka marrë vëmendjen e duhur në debatin e letrave shqipe. Futja në tekstet shkollore edhe e atyre veprave që plotësojnë kriteret artistike dhe estetike, është ende shumë e pakët. Fatmirësisht, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, nën kujdesin e Agron Tufës, ka futur në hullitë e botimeve dhe diskutimeve disa prej veprave të rrëmuara në arkivat e Sigurimit të Shtetit, por kjo ende është shumë larg asaj që mund dhe duhej të kishim bërë me atë letërsi të shkruar, të harruar apo të mohuar. Mjaft prej veprave që janë shkruar për burgjet apo në burgje janë botuar nga vetë autorët apo nga pak shtëpi botuese që i kanë hapur derën autorëve që sillnin dëshmi nga ajo jetë ferri dhe mungese e gjithçkaje njerëzore. Më i fundit është libri i sapobotuar i Maks Velos “Jeta paralele” nga shtëpia botuese “Mapo”, ndërkohë që Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Uran Kalakula, Sami Repishti, Ejll Çoba, Pjetër Arbnori, Amik Kasoruho, Agim Musta, Luan Myftiu, Makensen Bungo, Kujtim Aliaj, Henrik S. G, Bashkim Shehu, e padyshim At Zef Pllumi, kanë mundur të sjellin një panoramë të trishtë dhe jashtëzakonshme të asaj kohe. Ata patën fatin të mbijetonin nga ferri e të na sillnin dëshmi të ndryshme, që përveç vlerave dokumentare kanë aty himinin e jetës njerëzore të përshkruar në vlera që presin ende të çmohen nga studiuesit e letërsisë.

Ndërkohë, emra të tjerë si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Beqir Çela, Qemal Draçini, Vinçens Prenushi, Ndoc Nikaj, Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, Et’hem Haxhiademi, Lef Nosi, Gen Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela, patën fatin e trigjik të pushkatimit. Madje jo vetëm fizikisht, pasi vepra e tyre u tentua të shkatërrohej, të plaçkitej nga ish drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët i konsideronin veprat e të pushkatuarve si pre lufte që mund t’i bashkëndanin mes njëri-tjetrit.

Ka edhe emra të ndërmjetëm që mundën të largoheshin e të kishin fatin të shkruanin letërsinë me “L” të madhe, si Martin Camaj apo Isuf Luzaj, apo disa të tjerë që mundën të mbijetonin nën terror, duke mos u përkulur për të shkuar sipas porosive të partisë, si Mitrush Kuteli apo Lasgush Poradeci.

Në shumicën e librave gjen një shpjegim të rëndësishëm të rrëshkitjes së shoqërisë komuniste drejt humbjes së çdo tipari njerëzor. Trysnia dhe “argumentet e partisë” arrinin të shuanin çdo përpjekje për të menduar, e sidomos për të ëndërruar se mund të kishte një jetë tjetër veç asaj që sugjerohej. Sami Repishti, një nga të burgosurit e parë, e i arratisur në vitin 1959, e më pas emigrant në SHBA që pre vitit 1962, në një narrativë të jetuar, kujton vitet e para, teksa ndërtohej i gjithë muri i propagandës, që do të bëhej gjithnjë e më i lartë, e ku mundësia për të parë njeriun vetëm zvogëlohej e zvogëlohej.

Kushëriri… më shpjegoi se natyra e punës që bante, ishte një rutinë që, çdo natë e ma shumë, po e çmendte. Të njëtat mendime, të njëjtat frazeologji, kompozime të thjeshta, që i bashin thirrje emocioneve e jo logjikës, me nji fjalor propagandistik, përsëritës e këmbëngulës, në përdorim të elementëve pa arsim…. Më tregoi se, në konferencat edukative të njimbasnjishme, vetëm folësi ‘predikon’ pa pushim ni mesazh, nji porosi, nji urdhën: ‘Partia, shokë, i ka parashikue të gjitha!’. Askush nuk pyet, aq ma pak diskuton. Vetëm aprovime, lëvdata e premtime. ‘Jam lodhë’ – më tha,- ‘jam lodhë’”. Përshkruan Sami Repishti  (“Nën hijen e Rozafës”) për ditët e para të pasuara nga Plenumin e Beratit, ku po përpliloheshin listat e spastrimeve të atyre që kritikonin qeverinë e sapodalë të Enver Hoxhës.    Ndërkohë, në librin e tij “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, Visar Zhitit ja kushton metodave të dhunshme të regjimit për të siguruar jetëgjatësinë e tij dhe akteve kriminale që u kryen nga komunistët në Shqipëri në momentet kur po instalohej ky regjim.

Padyshim, në librat e shkruara pas vitit ’90 me të shkuarën në burgje apo internime mund të ketë subjektivizma, mund të ketë protagonizëm që e kalon cakun e realitetit. Por shumica dërrumuese është një himn ndaj mundësisë që ka njeriu ta ruajë dinjitetin edhe në çastet më të vështira, edhe atëherë kur vdekja qëndron si çekan mbi kokë. Dhe përballë humbjes së madhe të njerëzores që pasuan shumë shkrimtarë e artistë në diktaturë, ne duhet të nderojmë ata  që mundën të mbijetonin apo të guxonin të sfidonin sistemin duke shkruar larg ideologjisë së kohës.

Përballë kësaj letërsie ne nuk kemi patur nga ata që do të guxonin të pranonin të përshkruanin se si humbën dinjitetin, se si iu dorëzuan propagandës dhe morën pjesë në krijimin e “njeriut të ri”, një njeri pa mendimet e tij, një njeri i manipuluar, që mund të vriste e dhunonte këdo që ishte kundër vijës së partisë. Madje, jo vetëm që nuk ka patur kurajë, por është ndëshkuar kushdo që ka thyer heshtjen, si në rastin e Fatos Kongolit me librin “Iluzione në sirtar”, ku kërcënimet nuk munguan as tinëzisht e as publikisht.

Por, popuj të tjerë, që kanë patur një diktaturë më pak çnjerëzore se ajo që ndodhi në Shqipëri, kanë patur burra e gra që kanë mundur të thyejnë heshtjen e t’u shpjegojnë bashkëqytetarëve të tyre se si funksiononte ai mekanizëm kriminal. Një nga ato mendje që të bën të përulesh për mënyrën se si ka përshkruar rrëzimin e njeriut dhe përshtatjen kriminale të artistëve në diktaturë është nobelisti Çesllav Millosh. Fjalët e tij nuk ajnë vetëm dëshmi, por edhe protestë, pa përjashtuar as vetveten. “Unë e kundërshtoj të drejtën e doktrinësa për të përligjur krimet e kryera në emër të saj. Unë e kundërshtoj  të drejtën e atij njeriu bashkëkohës për të gjykuar sipas kritereve të veta të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa harron se është krejt i mjerë në krahasim me atë çka njeriu mund të jetë”, shkruan Millosh në librin e tij “Mendja e robërur”, duke hapur një dritare të rëndësishme të kuptimit të përshtatjes së shkrimtarëve në ideologji dhe pasojave që solli ajo në vendet ish komuniste. Një pasojë që ende ka vulën e saj në përditshmërinë tonë. Ndaj dhe është e rëndësishme që ajo letërsi që mundi të shkruhej larg asaj ideologjie, nga ata që mundën ta mbanin kokën lart në mes të ferrit, të jetë pjesë e rëndësishme e leximve dhe studimeve, pasi kështu mundet, më së paku, të ndezim dritat e duhura për të parë të djeshmen. Përndryshe, letërsia e ushqyer nga ideologjia do të vijojë te jëtë ende udhërrëfyese, duke i dhënë jetë greminës ku jetuam për gati 50 vite.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mijëfletëshi- Bima medicinale kundër alergjive

Bar njëmijëfletëshi është një bimë medicinale me famë. Emri botanik i saj...
Read More