Letërsia e kujtesës, Dine Dine: Të vërtetat thuhen siç i ke përjetuar

Është promovuar dje në mjediset e UET romani memuaristik “Mbi varkën e Karontit” me autor Dine Dinen, botim i Mapo Editions. Dine i takon brezit të lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, që i përkiste njërës prej familjeve të elitës politike e intelektuale që pas vendosjes së regjimit komunist do etiketoheshin si armiq, e do dënoheshin; rrëfimi i përjetimeve në 100 ditët e hetuesisë, itinerari nga dita e arrestimit deri në përplasjen në burg e një grupi djemsh që patën fatin të kalojnë nëpër kampe mbajnë iluzionin dhe ankthin e thellë…

“Ata vazhdonin të çirreshin, gjithnjë me britma, sikur diçka nuk priste, sikur diku kish rënë zjarri, më urdhëronin të ulja pantallonat… dhe mua jo vetëm që më vinte turp, se kurrë në jetë nuk isha zbathur para të tjerëve por, kisha përshtypjen se me t’u zbathur do të më vrisnin, prandaj po u rezistoja duke mos i lejuar me sa mundja që të mos m’i ulnin pantallonat.

Ajo skenë tmerri nuk zgjati më shumë se një minutë. Mbasi u rezistova sa munda gjashtë burrave, i nervozuar sa s’thuhet më, m’i ulën pantallonat… ndoshta kërkonin të më hiqnin dhe brekët… kur më urdhëruan të vishem. U vesha shpejt e shpejt ndërsa ata nisën të hetojnë muret. Menjëherë më shkoi mendja tek vijat e shënuara për të numëruar ditët, edhe pse muri ishte i mbushur në të katër anët me monstruozitete. E gjithë ajo skenë nuk zgjati veç pak minuta, por që mua m’u duk pambarim…

Ky fragment nga atmosfera e terrorit komunist, që e kemi shkëputur nga romani i Dine Dine “Mbi varkën e Karontit”, nuk dëshmon thjesht regjimin diktatorial, por si njeriu denigrohet, tjetërsohet, duke hequr tek ai çdo fije të ekzistencës, dinjitetit. Një autor i panjohur për qarqet letrare, Dine Dine ende do gjendej në moshën 50-vjeçare në një kamp internimi, humbur mes Muzeqesë, së bashku me familjen dhe dy fëmijët e tij të mitur lindur njëri para dhe tjetri mbas burgut. Fillimi i viteve ‘90, do ta shtynte të vendosej në metropolin më të madh të botës, në atë të Nju Jorkut, duke lënë pas atë vazhdë të pafund tmerresh dhe vuajtjesh.

Këtë kalvar vuajtjesh, në një realizëm unik, Dine do krijonte simbolikën e varkëtarit të famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin, duke i dhënë titullin romanit të tij të tretë, pra bëhet fjalë për “Karontin e Hadit”. Dhe ashtu si shkruan, Jozef Radi në parathënie të këtij botimi, sigurisht që “shërbimi i këtij kalimi në botën e përtejme të të vdekurve, kërkonte tre monedhat e famshme; dy në sy dhe një poshtë gjuhës!! Dhe kjo ide e kalimit të shpirtrave në botën e përtejme mbetet mesazhi më i rëndësishëm i këtij libri…”.

Vepra përfshin një periudhë të vështirë të diktaturës komuniste. Mbas prishjes me Kinën dhe rrënimit ekonomik, nisën gjyqet politike për të mbushur burgjet-miniera që bakri e kromi të çanin bllokadën, nëpër të cilat kaluan disa dhjetëra-mijëra njerëz të pafajshëm…

Pjesa e parë e librit “Mbi Varkën e Karontit”, përfshin tri etapa të proceseve të montuara të dënimeve politike: arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin; pjesa e dytë, e cila do të përfshihet në një tjetër botim, përfshin “Burgjet”. Në hyrje të librit, Bilbil Cami, shkruan mbi romanin: “Përshkrimi i 100 ditëve të hetuesisë të ngërthen e të mban peshë gjer në fund. Gjuha e natyrshme dhe shprehëse herë-herë merr tone të vrullshme si në një duel dramatik. Duhet theksuar se stili i rrëfimit është krejt i veçantë në romanin në fjalë. Ai stil i ngjeshur, intensiv, i alternuar buron nga dramaticiteti real i subjektit të romanit, nga vërtetësia e përjetimeve dramatike. Faqja e fundit e romanit, ku autori pasi merr dënimin e rëndë “10 vjet burg”, ndahet në korridorin e gjykatës nga e shoqja, me fëmijën në krah, nga nëna e mbytur në lot, nga të afërmit. Kjo tablo është e denjë për penelin e Rembrandit….”. Ndërsa shkrimtari Agron Tufa, tha se për 50 vjet letërsia dhe artet e tjera kanë qenë një produkt që ka fshehur të vërtetën, duke e konsideruar një akt kriminal, e përballë kësaj letërsia e memuaristikës po kthen dinjitetin. Është një narrativë e gjerë, tha Tufa duke u krijuar një grup emrash autorësh solidë që pas ’91 po krijojnë po ashtu një bibliotekë solide, si një kthim nderi letrave shqipe.

Dine Dine është një rast unik i cili në përpjekje për të shprehur ankthin e përjetimeve ndalet në një risi në shkrime  memuaristike që lidhen me personalitetin e dyfishtë, rasti i iluzionit për t’i mbijetuar grackës së rekrutimit.

Një romanin tuaj të parë, tregoni një histori personale. Si ka lindur ideja për shkrimin e këtij libri?

Idenë për këtë roman e pata kur vajta në Amerikë, pas ’90-ës, pothuaj 25 vite të shkuara. Shtysë për këtë u bë një miku im amerikan, të cilit pas njohjes së parë në vendin ku punoja, i tregova historinë e familjes sime që iu duk mjaft interesante. Prezantimi im i parë ishte përmes Vatrës, si anëtar i saj, po ashtu kisha shkruar edhe tek gazeta “Iliria”. Kështu nisi libri, shkruar me dorë, dhe brenda një viti arrita ta mbaroj. Madje kam shkruar më shumë, por i kam lënë aty, duke u përqendruar në këtë roman vetëm tek hetuesia dhe gjyqi.

Është thjesht përjetimi i 100 ditëve në hetuesi. Këto janë përshkruar ashtu siç i kam përjetuar. Jo bardhë e zi. Ka aty personazhe si komunistë, gardianë, oficerë etj., të cilët i kam përshkruar njerëzorë, nuk i kam parë me ngjyra. Kam pasur në natyrën time një zakon që përdorja humorin në çdo kohë, megjithëse mund të ishte i rrezikshëm, por më jepte kënaqësi. Aty është humori, ironia, sarkazma dhe duke iu shtuar rrëfimit libri merr një vlerë artistike, ndaj e kam konsideruar roman.

Ju flisni për përjetimin, si vjen e vërteta tek ju?

Është ankthi që kam përjetuar. Ankthi që përjeton njeriu në ato 100 ditë është i tmerrshëm. Të mendosh që ishte një hetuesi burokratike. Nuk kishin urdhër për tortura por mënyra se si ata përpiqen me çdo kusht për të të futur në grackë që, ti të pranosh një pjesë të fajit tënd, që të ishin të justifikuar në një të ardhme. Kjo ishte e tmerrshme

Kur ka nisur vuajtja juaj?

Kam qenë pesë vjeç në kampin e Porto Palermos, prej atje në kampin shfarorës në Tepelenë. Aty mbaj mend shumë episode. Kam shkruar edhe për këtë. Mbaj mend shumë episode. Ky libër është thjesht hetuesia dhe gjyqi, e kam një libër tjetër për vazhdimin e burgjeve, ndërsa për kampin akoma, janë vetëm kujtime që s’janë hedhur në letër, por një ditë do të nis.

Pse jeni përqendruar tek 100 ditët e hetuesisë?

Aty kam përjetuar ankthin më  të thellë të jetës sime. Një grua e re, me një fëmijë të vogël, nëna duke vdekur…kanë qenë përjetime të shumta që më kanë tronditur, dhe doja patjetër të lexohen nga brezat. Ndërsa jam përqendruar në personazhe që kanë të bëjnë me mua, të cilët janë prokurorë, hetues, gjyqtarë operativë, gardianë…të gjithë realë. Dua t’ju them një fakt për këtë, se kur ia dhashë për ta lexuar librin shkrimtarit, Agron Tufa më tha se ishte një libër i shkëlqyer. Ishte hera e parë që botoja, dhe kisha pasiguri. Ai më inkuraroi, dhe nuk hoqa asnjë fjalë, sepse të vërtetat duhen thënë siç i ke përjetuar, sepse ashtu e bëjnë efektin edhe tek lexuesi. Shpresoj ta lexojnë me një frymë.

Çfarë ka qenë e fortë tek ju, si përjetim në 100 ditët e hetuesisë që keni përshkruar?

Unë kam shkruar dhe disa tregime, i kisha gati. I kam përshkruar këto episode. Kur isha i ri doja të bëhesha aktor, muzikant e të tjera e të tjera pasione, të marr leje në degën e punëve të brendshme. Por një kushëri imi u tmerrua kur i thashë se, do të shkoj tre ditë të jap provat për aktor. Ai ma bëri të qartë se do më bënin spiun, se për këtë do të më jepnin privilegje…Kështu unë isha i përgatitur për këtë situatë, dhe as nuk më shkonte mendja, qoftë edhe për një sekondë që, të bëhesha informator i tyre. Duke pasur gjithnjë parasysh këtë gjë, unë bëja edhe lojëra, saqë i krijova sigurimit iluzionin se ata mund të më fusnin në grackë disa herë. Kam lënë gjithmonë përshtypjen e një njeriu tepër naiv, më tepër mund të isha unë si çështje moshe, rinie. Kështu u kam krijuar disa herë iluzionin se ata mund të më fusnin në grackë, rekrutonin, ndërsa i kam zhgënjyer totalisht. Pra është një risi, që mendoj se nuk e ka bërë asnjë më parë në një roman nga diktatura.

Si i keni rezistuar kësaj?

Mendoj se është familja, tradita, i edukuar me dinjitet, për të mos i bërë keq tjetrit. Një moral me të cilin ishim brumosur tërë jetën. Kjo më dha edhe guximin. Në roman rreth kësaj ka skena mjaft interesante. Kam një rast, të shkruar edhe në libër kur njëherë hetuesi im u kishte thënë se, edhe pas tri ditë pyetjesh, ky nuk do të pranojë asnjë gjë. Megjithatë do vinte një hetues nga Ministria. Atëhere hetuesi im, më tha se nëse unë pohoja diçka nuk ishte mirë për atë. Mund t’i jepnin një vërejtje në biografi nëse unë do të thoja ndonjë gjë, që nuk ia kisha thënë atij. Unë po heshtja nga kjo bisedë, që nënkuptonte se nuk do të pranoja, duke i qëndruar bisedës me të. Ja kështu lojërash bëja. Atëhere i thashë: sikur edhe brirë të kishte hetuesi i ministrisë, ti mund të flesh rehat, se kjo nuk bën vaki. Ai m’u përgjigj: ja kaq dua.

Ju vini nga një familje e famshme dibrane, familja Dine, ka qenë kjo arsyeja e dënimit tënd?

Po, xhaxhai im në kohën e gjermanëve, në vitin 1944 ka qenë kryeministër. Quhej Fiqiri Dine dhe pas një muaji e dhjetë ditë dha dorëheqjen. Ka qenë një nga njerëzit më të ndershëm. Gjyshi im Dine bej Maqellara ka qenë delegat në Kongresin e Lushnjës. Një tjetër xhaxha, Dilaver Dine ka qenë kryekomandant i batalionit Drini të Dibrës, batalionit më të madh.

Sigurisht që kjo prejardhje ishin arsyeja. Vetëm nga prejardhja familjare konsideroheshim armiq. Ndaj u dënuam.

Çfarë ndjesie kishit kur më ’90-ën u përmbys diktatura, dhe erdhi ajo që konsiderohet liri, kur ju gjeti në moshën 50 vjeçare në kampin e Myzeqesë?

Të them të drejtëm nuk kam pasur iluzione. Edhe prindërit e mi, xhaxhai im, ai që ishte komandant ishte gjallë. Është histori e gjatë mënyra se si sigurova pasaportën për të ikur në Amerikë. Sigurisht, ika, edhe pse ishte një entuziazëm i papërshkrueshëm.

Nga kaligrafia e ëndrrave te beletristika e dhimbjeve…

Nga Jozef Radi

Fletoret e Dine Dines, qysh në rini të hershme, ishin tejet të dallueshme për bukurshkrimin e tyre. Si duket, kjo dashuri ndaj bukurshkrimit, njëherë e një kohë, ishte një arsye madhore komunikimi dhe leximi e çdo tendence letrare, si: skica, hartime, poezia, përkthimi e pse jo edhe e letrave të dashurisë… Në fund të atij leximi, ai shkrim i qëndisur bukur, i pasur në botë shpirtërore, në ndjesi e mendime qe bërë po aq i dashur, në harmoninë e krejt atyre fjalëve të shkruara aq me estetikë! Një herë e një kohë, bukuria e shkrimit krijonte një impakt instinktiv me bukurinë e shpirtit të shkruesit… ama, kjo ishte për njëherë e një kohë!

Pikërisht, ky raport midis bukurshkrimit (kaligrafisë) dhe të shkruarit bukur (beletristikës)… gjykojmë se përcakton edhe nismën letrare të autorit Dine Dine. E vërtetë është se ky raport me shkrimet dhe leximet, daton hershëm dhe është përcjellë gjithkund në shënimet e tij, herë ndër libra, herë ndër fletore e herë ndër shënime të dhuruara në shokë e miq: ndërsa kjo shfaqje paksa e vonë e botimeve të tij, (tashmë të vëna në radhë) që pret vetëm kohën fizike nga botuesi te lexuesi, përbën një kapitull jo pa rëndësi si për autorin, lexuesit, për letrat shqipe e më gjerë.

Puna e autorit, edhe pse mund të quhet në fillimet e veta, tashmë është kryer. Janë disa libra të tij të shkruar, të redaktuar e korrektuar me kujdes që presin mirëkuptimin me ndonjë shtëpi botuese të mbërrijnë te lexuesi, dhe të nisë kështu ai komunikimi i zakonshëm, edhe pse ca i vonë, të cilin autori e ka ëndërruar dhe dëshiruar qysh në rini të hershme, por jeta e pengut s’i kish lënë shpresa. Është e vërtetë, se shumëçka nga puna e tij ka shkuar hup në kohë të vështira e situata tragjike, mbasi pjesa më e madhe e jetës së autorit, është vërtitur në mbretërinë e Hadit (sigurisht në të gjallë të tij), dhe në Varkën e Karontit, ngërthyer frikshëm, me “humbjen e çdo shprese” (lasciate ogni speranza… Dante) ai priste dhe përcillte trishtime të pafundme vdekjesh!

***

“Mbi Varkën e Karontit” është libri i parë i Dine Dines, po jo libri i parë shkruar prej tij. Para se të mbërrinte te lexuesi, autori është përpjekur të ishte i pari që besonte te kjo vepër e shkruar herët, (rreth 20 vite të shkuara); së dyti shpirti i ndërdyshjes artistike në këtë paraqitje të vonë, bëri që kjo vepër për shumë vite të jetonte pezull, pa mbërritur ndër lexues e as miq të afërt të autorit, si të thuash ajo pati një kohë maturimi jo të pakët në heshtje… Vetëm tevona, autori u bind se kjo vepër duhej të kalonte nga bukurshkrimi i dikurshëm te uniformiteti kompjuterik dhe komunikimi me lexuesin. Mbasi arriti të marrë konfirmime të njëpasnjëshme prej atyre që ia lexuan veprën, ai e ndjeu se ishte çasti i librit të tij. Dhe kjo e nxiti në moshumbjen e kohës për të mbërritur sa më shpejt ndër lexues dhe e quan vonesën një trishtim të pariparueshëm!

Kështu “Karonti i Hadit”, varkëtari i famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin i dha titullin e këtij libri! Sigurisht, shërbimi i këtij kalimi në botën e përtejme të të vdekurve, kërkonte tre monedhat e famshme; dy në sy dhe një poshtë gjuhës!! Dhe kjo ide e kalimit të shpirtrave në botën e përtejme mbetet mesazhi më i rëndësishëm i këtij libri…

Pa u futur në detaje të librit dhe pa u marrë me interpretimin e tij, mundem të nënvizoj se vetë autori është objekt dhe subjekt i kësaj vepre letrare, çka që në krye të punës ka përbërë një rrezik. Por kur i del në fund leximit, e kupton se autori brenda vetes së tij, ka trupëzuar mijëra të tjerë si vetja, që kanë kaluar nëpër të njëjtin kalvar. Vërtet libri nis dhe përfundon me nota të një autobiografie, por ka mjaft frymë përgjithësuese, aq sa në fund të mahnit me rezultatin e saj. Diçka reale dhe ireale njëherësh, një shpirt idealist, po edhe një krijesë pragmatiste që i kish krijuar makinës së diktaturës, iluzionin e lehtësisë së thyerjes së njeriut, e që në të vërtetë dëshmohet e kundërta. Një frymë kafkiane e përshkon tej e tej këtë vepër, ku njeriu dënohet pa pranuar e pa firmosur asgjë, një njeri që nuk bën asnjë kompromis me veten, në iluzion të shpëtimit, por i çmonton mekanizmat e perversitetit diktatorial, për të cilat njeriu nuk është asgjë, veç një numër, e ku dinjiteti është thjesht një leckë për të fshirë këpucët e atyre që kërkojnë të bëjnë karrierë në piramidën e pushtetit. Vepra përfshin një periudhë të vështirë të diktaturës komuniste. Mbas prishjes me Kinën dhe rrënimit ekonomik, nisën gjyqet politike për të mbushur burgjet-miniera që bakri e kromi të çanin bllokadën, nëpër të cilat kaluan disa dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm…

Pjesa e parë e librit “Mbi Varkën e Karontit”, përfshin tri etapa të proceseve të montuara të dënimeve politike: arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin; pjesa e dytë, e cila do të përfshihet në një tjetër botim, përfshin: “Burgjet”. Edhe pse me frymë përgjithësuese libri mbetet realist dhe denoncues. Gjithë personazhet e librit, nga operativi i kampit, te dëshmitarët, te shokët apo të afërmit, familja, prokurori, hetuesi, gjykatësit, dëshmitarët, përfaqësuesi i Ministrisë, gardiani i burgut, atmosfera e kohës janë të dhënë me një realizëm të pashoq, ku autori me një aftësi të rrallë ka prekur njerëzoren e secilit, pa e tepruar askund. Ajo çka të bie në sy është se të gjithë këta personazhe janë me emrat e tyre të vërtetë, çka e bën këtë vepër të rrallë në guximin dhe qytetarinë e saj…

Në rrëfimin e shtruar të Dine Dines, të bën mjaft përshtypje raporti që ai ruan me ngjarjen që rrëfen. Mënyra se si e trajton vlerën nga antivlera, dinjitetin nga detyra e partishme, të ndëshkuarin nga ndëshkuesi, ajo çka ai jeton nga ajo që përjeton, transmetohen me emocione që e shtyjnë çdo lexues të reflektojë, gjë e cila i jep një vlerë të jashtëzakonshme këtij libri.

Padyshim përshkrimi i ekuilibruar i ngjarjeve jetësore, mënyra e natyrshme si integrohen problemet e individit në ndërgjegjen kolektive e bën këtë vepër jo vetëm me status të qartë e të kuptueshëm, po edhe të besueshëm, çka përbën thelbin e rëndësisë së këtij libri. Veç të tjerash, në të spikat dinamika e përshkrimit të situatave, personazheve dhe gjendjeve me frymë kafkiane, çka e shndërron leximin në një përjetim të thellë dhe projektohen anë tridimensionale të veprës…

Dine Dine mbetet një “qëmtues i kujdesshëm” i detajeve në krejt tablonë e diktaturës duke gërshetuar ngjarjet, historinë, personazhet… ndërkohë që mbetet gjithnjë i hapur për reflektime; një ftesë e sinqertë që lexuesi të bëhet pjesë e këtij realiteti absurd, të cilin jo pak njerëz e kanë provuar në lëkurën e tyre…Mbasi e mbaron leximin, ndjen se tragjedia sapo ka filluar, sepse janë edhe të tjera vuajtje e sakrifica, për ta përballuar vazhdimin e së keqes. Aty kuptohet se bukurshkrimet e dikurshme, kanë pasur pranga ndër duar… dhe se për ta shkruar të vërtetën duheshin shkulur prangat nga shpirti, në mënyrë që ato të dhembin sa më pak, ndër të tjerë që vijnë mbas nesh…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Regjistrimi në universitet: Hapat për të fituar degën që doni

Maturantët në të gjithë vendin janë përfshirë nga ethet e zgjedhjes më...
Read More