Letra e Llallës për Donald Lu: Asgjë nuk paskan kuptuar nga politika amerikane!

Nga Ervis Iljazaj

Si është e mundur që një Kryeprokuror i një vendi fare të parëndësishëm si Shqipëria, të denoncojë një ambasador të Shteteve të Bashkuara, pikërisht në Kongresin i cili i ka dhënë besimin për ta përfaqësuar politikën e jashtme të saj?

Aq më tepër kur e bën këtë me naivitetin më të madh, se Kongresi amerikan do besojë atë dhe jo ambasadorin e tij, për punën e të cilit merr informacione nga FBI dhe jo nga Adriatik Llalla?

Ka vetëm një përgjigje në këtë rast, është paaftësia e krerëve të institucioneve shqiptare për të kuptuar se si funksion politika e jashtme amerikane. Dhe, në këtë rast, injoranca e një Kryeprokurori kalon përtej çdo limiti. Pa hyrë në detaje nëse Donald Lu i ka kërkuar vërtet Adriatik Llallës arrestimin e Iliri Metës apo jo, letra poshtë derës të Kongresit e Llallës për ambasadorin amerikan në Shqipëri, është një absurditet që kalon çdo kufi të mendimit politik.

Po të shtosh këtu përmbajtjen e letrës së Llallës, që ishte katastrofë në të gjitha aspektet, atëherë gabimi i Llallës është fatal. Në një pjesë të letrës së tij drejtuar Kongresit amerikan, Adriatik Llalla denonconte ambasadorin Lu se nuk kishte thënë asnjë fjalë për kanabisin në Shqipëri apo citonte gazeta ndërkombëtare që kanë raportuar për problemin e narkotrafikut.

Kush e bën këtë denoncim?

Ai që kishte për detyrë të luftonte dhe të çonte para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kanabisit, dhe, që gjatë gjithë kohës që drejtoi Prokurorinë shqiptare, nuk hapi as edhe një hetim të vetëm në këtë drejtim. Edhe hetimi ndaj Saimir Tahirit, erdhi pasojë e prokurorisë italiane dhe jo të asaj shqiptare.

Prandaj, e gjithë letra e Llallës në Kongresin Amerikan, është një letër e cila turpëron në mënyrë të bujshme Shqipërinë dhe shqiptarët, kryesisht krerët e institucioneve më të rëndësishme të saj, siç është Kryeprokuroria.

Faktet e treguan këtë. Edhe pse Adriatik Llalla tentoi t’i bënte “gropën” Donald Lu-së, ia bëri atë vetes, sepse të gjithë e pamë se si u shpall non grata nga Sekretari i Shtetit amerikan.

Në fakt, Adriatik Llalla shpresoi shumë, duke mos e njohur aspak politikën e jashtme amerikane, se ndryshimi i administratës në Amerikë, nga e majtë në të djathtë, me zgjedhjen e Trump, që do ta kishte të lehtë të denonconte dhe të luftonte një ambasador i cili ishte zgjedhur në kohën e administratës Obama. A thua se, politika e Jashtme amerikane funksionon sipas ideologjisë dhe jo interesave. Dhe, kur bëhet fjalë për interesat amerikanë në Botë, nuk ka rëndësi fare nëse je zgjedhur nga një president i majtë apo i djathtë.

Me zgjedhjen e Donald Trump, shpresoi edhe opozita shqiptare në atë kohë, dhe u luajt shumë më këtë kartë, duke menduar se tashmë Amerika do mbështeste Partinë Demokratike për faktin se i përkasin një krahu ideologjik.

Ngjarjet dëshmuan totalisht të kundërtën. Jo vetëm që Donald Lu nuk u largua dhe nuk ndryshoi qëndrimin e tij për Reformën në Drejtësi dhe politikan e tjera shqiptare, por përkundrazi, iu zgjat mandati. Sepse, në duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se, pavarësisht se cila administratë zgjedh një ambasador të caktuar, misioni dhe politika e tij nuk është personale, por gjithmonë vetëm në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Integrimi i Shqipërisë në BE: Ç’do të ndodhë me identitetin tonë

Nga Hazbi Lika - Integrimi europian si projekt politik natyrisht ka dhënë dhe...
Read More