Letra e panjohur e ’79-ës: Kur Ali Podrimja i shkruante Agollit për dhimbjen e të birit

E bija e Dritëro Agollit, Elona pothuaj çdo ditë publikon letra, shënime nga arkivi që ka lënë trashëgimi shkrimtari duke u ndeshur këtë herë me një letër prekëse të dërguar nga poeti Ali Podrimja

E bija e Dritëro Agollit, Elona, pothuaj çdo ditë publikon letra, shënime nga arkivi që ka lënë trashëgimi shkrimtari duke u ndeshur këtë herë me një letër prekëse të dërguar nga poeti Ali Podrimja. Të dy të ndarë nga jeta, sidomos Podrimja me një ikje mjaft të dhimbshme. Me trishtimin që e shoqëronte për humbjen e të birit, qysh në të ri, ai jep shpirt në Francë, si një “profeci” e takuar prej Podrimjes, pothuaj në të gjitha poezitë e tij.

Por letra e panjohur me të cilën Podrimja i është drejtuar poetit tjetër, Agollit është pikërisht momenti i përjetimit të tij, pasi ishte njohur me lajmin e sëmundjes së pashërueshme të djalit, Lumit. “Duke dashur të largohesha një çast nga punët e përditshme të zyrës dhe të ndjeja frymën e babit përmes leximit të rreshtave të dorêshkruara nga ai, ngeca në një letër tejet të dhimbshme, shkruar nga miku i tij i madh Ali Podrimja. Në atë letër ai i përcillte dhimbjen e papershkruar, pasi ishte njohur me lajmin e sëmundjes së pashërueshme të djalit, Lumit. “Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij .”- kështu i shkruan Dritëroit, shpirtërisht i dêrrmuar atë 30 tetor tw vitit 1979 , kur vetë poeti ishte jo më shumë se 37 vjeç”, shënon Elona në rrjetin e saj social. Ja letra e plotë:

I dashur Dritëro,

Dëshiroja të jem me Juve, por qe, më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë.

Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.

I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi.Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.

Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit. Më fal, nuk po mundem më të shkruaj. Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.

Me dashuri vëllazërore

Ali Podrimja

30.10.79 , Beograd

P.S

30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time.

Aliu

***

Gjithë mjeshtëria poetike e Podrimjes do shoqërohej nga një lirikë e ashpër, ndjeshmëri e lartë, shpesh e paperceptueshme nga një lexim i zakontë se çfarë dhimbje i pat shkaktuar ikja nga kjo jetë e të birit, duke i dedikuar jo vetëm poezi, por dhe një vëllim të plotë, edhe pse në një kontekstualitet më të gjerë se aq, një dhimbje personale. Dhe nuk do shkonte shumë kohë për të shkruar një nga poezitë e jashtëzakonshme, kushtuar të birit, “Lum, Lumi”:

Me ditë më shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël/për dhimbjet e tua/për shtatë plagët e tua/

për ditët, për netët e tua plot klithje…/Në fund të syrit tend/hap fatin tim të kobshëm./

Ai nuk jam Unë/Ai nuk je Ti/Kush jam, kush je?/Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.

Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Kështu vdekja e të birit, Lumit, rezultoi edhe me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur kur po zhvillohej një festival i poezisë në Francë, ashtu si një erë e thirrur prej dhimbjes së të birit, buzë lumit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Akreditimi: Mbyllen regjistrimet, si do testohen mjekë, dentistë e farmacistë

Sa u takon kontrolleve që duhet të ushtrojnë institucionet për plotësimin ose...
Read More