Lëvizje tek Krimet e Rënda, Arta Marku largon prokurorin e dosjes ‘Tahiri’, një zonjë në vend të tij..

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka larguar nga detyra kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj.

Vendimi i beftë është marrë këtë të mërkurë dhe në vend të Hajdarmataj është komanduar prokurorja Donika Prela.

Vetë prokurorja Prela, që prej muajit janar mbante detyrën e kryeprokurores në Prokurorinë e Durrësit. 

Pas kësaj lëvizjeje, Marku ka deklaruar se me ndryshimin në drejtim do të ketë edhe ndjekje penale më të shpejtë dhe të efektshme.

“Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti më i lartë për Kryeprokuroren Marku”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Besim Hajdarmataj është njëri prej prokurorëve që po heton dosjen “Habilaj-Tahiri”. Largimi i tij mbërrin një ditë pasi thërriti për të marrë në pyetje Gentian Cekan, shofer i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Po, ashtu rastësi apo jo ndryshimet mbërrijnë po një ditë pas grabitjes së korrespodencës sekrete të Prokurorisë së Durrësit nga persona të paidentifikuar.

Ngjarja e paprecedente ka ndodhur rreth orës 10:30 ne lagjen 11 të qytetit bregdetar. Dy persona të pa armatosur dhe të maskuar me kapele i kanë rrëmbyer nga dora korrierit të Prokurorisë një dosje me 6 akte hetimore, përmbajtja e të cilave nuk bëhet publike nga autoritetet.

“Top Channel” pyeti prokurorin e medias pranë Prokurorisë së Durrësit nëse bëhet fjalë për posten sekrete ku dhe u konfirmua se janë vjedhur akte hetimore të rikuperueshme dhe jo akte të cilat klasifikohen si sekret shtetëror.

“Lidhur me rastin ju informojmë që kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 10:30, ku punonjësi i postës së Prokurorisë Durrës ka qenë objekt i sulmit nga persona të pa identifikuar. Po kryhen veprimet hetimore me përparësi për verifikimet e rastit, në bashkëpunim me Drejtorin e Policisë të Qarkut Durrës.

Duam të theksojmë se nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka patur materiale të cilat klasifikohen si Sekret Shtetëror. Për momentin në mirëkuptimin tuaj për shkak të hetimit që po kryhet dhe sekretit te tij nuk mund të japim më shumë të dhëna”,- mbyllet reagimi për “Top Channel”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mogherini priti në Bruksel kryeministrat e Ballkanit

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mblodhi të...
Read More