Lëvrimi i shqipes dhe tradita e dorëshkrimit

Nga Genciana Abazi-Egro*

Gjuha shqipe ka qenë në fokus të diplomatëve perëndimorë që vizituan trojet shqiptare në gjysmën e parë të shek. XIX. Interesi që ata shfaqën për gjuhën shqipe dhe për shkallën e lëvrimit të saj nuk ishte vetëm pragmatik. Gjuha në këtë periudhë kishte fituar një rëndësi të veçantë si një ndër elementet identifikuese të kombit modern. Pikërisht në këto kohë në Europë po vendosej një lidhje e fortë midis komuniteteve gjuhësore dhe njësimit politik. Kjo bëri që komunitetet gjuhësore të vlerësoheshin gjithnjë e më shumë si bazë për krijimin e shteteve politike të unifikuara kulturalisht. Kështu që gjuha shihej jo vetëm si një ndër elementet kryesore të kulturës së një kombi, por po vlerësohej edhe si një mjet i fuqishëm në konfliktet politike, veçanërisht për popujt që kërkonin të çliroheshin dhe të dilnin si entitet politik më vete.

Edhe udhëtarët perëndimorë shënimet e tyre mbi gjuhën shqipe i zhvilluan mbi bazën e këtyre pritshmërive të krijuara në epokën e nacionalizmit. Ata identifikuan territoret ku flitej gjuha shqipe, përshkruan të folmet dhe dialektet e saj, evidentuan fjalët e huazuara e veçanërisht fjalët e ardhura nga gjuhët europiane dhe nga turqishtja osmane.

Për sa i përket nivelit në të cilin gjendej shkalla e lëvrimit të gjuhës shqipe, pra statusit të përdorimit të saj, këta udhëtarë perëndimorë shfaqën një qëndrim të përbashkët: shqipja është një gjuhë e pashkruar dhe për rrjedhojë shqiptarët nuk kanë libra dhe janë një popull pa letërsi. Dhe sikurse do të shprehej konsulli francez në oborrin e Ali pashë Tepelenës, F. Pouqueville, “shqiptarët nuk kanë shkrimtarë”.

Përcaktimi i shqipes si gjuhë e pashkruar ishte me pasoja për shqiptarët, sepse mungesa e shkrimit të shqipes lidhej me mungesën e librave shqip dhe drejtpërdrejt me shkallën e qytetarisë së popullit që fliste këtë gjuhë. Në rast se prejardhja indoevropiane e gjuhës shqipes i bënte shqiptarët pjesë të Europës, mungesa e librave të shkruar në shqip, diskutonte statusin e tyre si një komb i aftë për të krijuar një formacion politik unitar, i denjë për të qenë pjesë e konfigurimit të ri politik europian, pasi të dëboheshin osmanët nga Ballkani. Madje ky gjykim në kohën e Lidhjes së Prizrenit do të shfrytëzohej nga fqinjët grekë për të krijuar një imazh fyes dhe tallës për shqiptarët, përçuar përmes shëmbëlltyrës “sipas së cilës librat shqip ishin shkruar mbi fletë lakre, ose të vendosur në lakër dhe që ishin ngrënë më pas nga një lopë”.

Nga ana tjetër, konstatimi se “shqipja është një gjuhë e pashkruar/e palëvruar” i hapi rrugë pikëpamjes se shqiptarët gjatë periudhës osmane nuk kishin krijuar letërsi. Kjo tezë shërbeu si bazament për ngritjen e paradigmës në shek. XX për letërsinë shqipe të krijuar gjatë periudhës osmane, paradigmë e cila do të jetë aktive për më shumë se një shekull në historinë e letërsisë shqipe. Sipas kësaj pikëpamjeje, letërsia e krijuar nga shqiptarët myslimanë ka qarkulluar kryesisht me transmetim gojor, në mënyrë të ngjashme me këngët popullore. Në këtë mënyrë kjo letërsi, gjatë shek. XX, në historinë e letërsisë shqipe do të vlerësohej më afër folklorit se sa letërsisë së kultivuar.

Tezën se “shqipja është një gjuhë e pashkruar” udhëtarët perëndimorë e mbështetën në dy argumente. Së pari, shqipja nuk kishte një alfabet të sajin në përdorim, por shkruhej me disa alfabete të përshtatura mekanikisht për të. Atasheu ushtarak britanik në oborrin e Ali pashë Tepelenës, W. Martin-Leake, në shënimet e tij konstaton se shqipja shumë herë shkruhet me alfabetin grek, ndërsa konsulli francez F. Pouquville, krahas këtij fakti, përmend edhe shkrimin e shqipes me alfabetin arab. Megjithatë, sipas tyre këto raste ishin sporadike dhe përdoreshin mes shqiptarëve vetëm për qëllime imediate të marrëdhënieve të përditshme. Madje Martin-Leake këtu klasifikon edhe faktin që Ali pashë Tepelena në disa raste komunikimet zyrtare publike i shkruante shqip me alfabetin grek, të cilat ishin të destinuara që të lexoheshin me zë të lartë në publik. Në këtë kuadër njohjeje W. Martin-Leake harton për shqipen një alfabet me shkronja latine, një gramatikë dhe një fjalor modest, tri elemente të domosdoshme për institucionalizmin e një gjuhe të shkruar dhe mësimin sistematik të saj.

Ndërsa mungesa e librave të botuar është argumenti i dytë që udhëtarët perëndimorë paraqesin për mungesën e shkrimit dhe lëvrimit të shqipes. J. C. Hobhouse është i pari ndër udhëtarët që përmend gramatikën shqipe të Francesco M. da Lecce-s (1716), madje ka dhënë dhe një përmbledhje të zgjeruar të saj në anekset e librit të tij të udhëtimit. Lidhur me përdorimin e këtij libri te shqiptarët, mbështetur në konsideratat dhe informacionet që Da Lecce vetë ka dhënë në parathënie, pohon se kjo gramatikë iu adresohej klerikëve italianë me mision në trojet shqiptare. Kështu që ekzistenca e këtij libri, sipas tij nuk cenon konstatimin lidhur me mungesën e shkrimit të shqipes, megjithatë ai e ndjen të nevojshme të shtojë edhe “se nuk ka dëgjuar më parë që shqipja të jetë një gjuhë e shkruar”. Ndërkohë, i vetmi poet shqiptar që përmendin udhëtarët perëndimorë në fillimshekullin XIX është Haxhi Shehreti nga Delvina, poet dhe shtetar në oborrin e Ali Pashës, i cili ka shkruar në greqisht poemën epike Alipashaida (sjellë në shqip nga studiuesi Irakli Koçollari, 1997). Këtë vepër, udhëtarët diplomatë, pavarësisht vlerësimeve sempliciste që kanë dhënë për të, e kanë përdorur gjerësisht për informacionin që jep lidhur me Ali pashë Tepelenën dhe në këtë kuadër, në shumë raste kanë botuar edhe fragmente prej saj.

Por situata e shkrimit të shqipes në këtë kohë ka qenë shumë më e ndërlikuar se kaq dhe paraqet një kurbë të ndryshme zhvillimi nga vendet prej të cilave vinin udhëtarët perëndimorë. Deti Adriatik, prej disa shekujsh shërbente jo vetëm si kufi gjeografik natyror i komunikimit politik e ushtarak midis Europës Perëndimore dhe Ballkanit, por shërbente njëkohësisht edhe si kufi midis dy botëve kulturore, asaj osmane me bosht qytetërimor fenë islame dhe Europës Perëndimore me bosht qytetërimor Krishterimin katolik.

Dorëshkrimet që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare (Tiranë), në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare (Prishtinë) dhe në Arkivin e Kosovës, dëshmojnë se në këtë periudhë, në trojet shqiptare ka patur një mjedis letrar dhe mbizotëruese ka qenë kultura e dorëshkrimit. Kjo do të thotë që në këtë periudhë transmetimi i teksteve realizohej me anë të shumëfishimit me dorë, d.m.th. me anë të kopjimit. Kjo praktikë në Perëndim u zëvendësua në mesin e shek. XV me shtypshkrimin, pas zbulimit historik të Gutenbergut. Mirëpo në Perandorinë Osmane përdorimi i shtypshkronjës për shtetasit myslimanë, për arsye të natyrës fetare filloi relativisht vonë. Shtypshkronja e parë u hap në Stamboll më 1727, por vetëm më 1783 filloi të funksionojë në mënyrë të rregullt. Në këtë kontekst historik dhe institucional edhe tekstet që shqiptarët shkruan shqip me alfabetin arab qarkulluan në trajtë dorëshkrimi.

Udhëtari i njohur turk Evlija Çelebi gjatë udhëtimit që kreu më 1660, 1662 dhe 1670 në trojet shqiptare bën fjalë për një realitet letrar produktiv te shqiptarët, veçanërisht në qytetet e Beratit, Elbasanit dhe Gjirokastrës. Elbasanin ai e quan qyteti i poetëve, vlerëson poetët e Gjirokastrës, të cilët i përmend me emër një nga një, ndërsa Beratin e veçon për shkak të një mjedisi letrar të mbështetur dhe nga një infrastrukturë e posaçme e sponsorizuar nga familja dinastike Vlora. Bëhet fjalë për mjediset që kishte krijuar Hysen pashë Vlora në tregun e ri të Beratit, të ndërtuar buzë lumit Osum, të cilat shërbenin si vendtakime për poetët dhe njerëzit e dijes. Ky mjedis letrar disa dekada më pas do të prodhonte poetin e madh Nezim Berati, e pas tij Sulejman Naibin apo dhe vetë poetët sundimtarë sikurse ishin Ismail pashë Vlora (Velabishti) dhe Ahmet Kurt Pasha. Kjo letërsi shqipe do të kulmonte më pas me poetët Hasan Zyko Kamberi, Tahir Efendi Gjakova e Muhamet Çami (Kyçyku), dhe krahas tyre dhe me shumë poetë të tjerë, si: Dalip Frashëri, Elmaz Gjirokastriti, Hysen Dobraçi, Sali Pata, Shahin Frashëri. Këta poetë shkruan shqipen me alfabetin arab dhe sipas modeleve të letërsisë orientale krijuan kaside, gazele dhe tregime të gjata në vargje (mesnevi). Në shumë raste kjo letërsi u mbështet nga familja dinastike Vlora në sanxhakun e Vlorës me qendër Beratin, dhe nga Bushatllinjtë në Shkodër, sipas modelit të marrëdhënieve të patronazhit (patron arti – poet), ku mbështetja e dhënë nga patroni konsistonte jo vetëm në ndihmë financiare, por edhe në mbështetje e mbrojtje publike.

Ekzistencën e një realitetit letrar produktiv në trojet shqiptare e pohon edhe dy shekuj më pas bukinisti i njohur turk Ali Emiri, që në fillim të shek. XX qëndroi një periudhë të shkurtër në Shkodër, me detyrë si inspektor finance. Në shtypin e kohës në Stamboll ai botoi disa poezi të shkruara turqisht nga shqiptarët. Të tërheq vëmendjen fakti që Ali Emiri ndonëse ka patur kontakt me poezitë shqipe shkruar me alfabet arab, këtë e dëshmon një dorëshkrim gjetur në bibliotekën e tij në Stamboll, e anashkalon këtë realitet letrar. Dorëshkrimin shqip të gjetur në Shkodër nuk e bëri publik dhe nuk e përfshiu në informacionet që dha për shqiptarët në shtypin e kohës.

Nga udhëtarët perëndimorë të gjysmës së parë të shek. XIX vetëm David Urquhart (1838) jep një gjurmë të zbehtë të këtij realiteti kulturor. Gjatë vizitës në sarajet e Mustafa pashë Bushatlliut në Shkodër ai u surprizua nga biblioteka e madhe që kishte krijuar kjo familje. Dhe shton se kjo bibliotekë ishte e hapur për publikun, i cili mund të tërhiqte libra kundrejt një fature financiare të përcaktuar sipas një rregulloreje. Madje Urquhart-i ka vazhduar të interesohet për fatin e kësaj biblioteke, pasi informon lexuesit se Mustafa pashë Bushatlliu para se të largohej nga Shkodra, mbarëvajtjen e bibliotekës ia besoi një vakëfi (fondacioni), në mënyrë që ajo të vazhdonte shërbimin për publikun. Madje jep dhe një detaj interesant për personalitetin e Mustafa Pashës “Kur më pas sulltani i ofroi një pashallëk në Azi, ai iu përgjigj se për të do ishte më mirë të merrte drejtimin e një shtypshkronje”.

Nga kjo bibliotekë Urquhart veçon vetëm koleksionin e librave frëngjisht që Bushatlliu kishte në pronësi të tij, ndërsa nuk bën fjalë fare për librat e dorëshkrimet e tjera. Nga të dhënat e derisotme dimë se në këtë bibliotekë, krahas dorëshkrimeve të ndryshme që sot pjesërisht gjenden në Bibliotekën Kombëtare (Tiranë), ka patur dhe një dorëshkrim me autograf të poemës Emni Vehbije (1835), që Tahir Efendi Gjakova ka shkruar në gjuhën shqipe.

Qarkullimi i teksteve me anë të kopjimit te shqiptarët ka vazhduar deri në mesin e shek. XIX, madje në mënyrë sporadike ka zgjatur deri në fillim të shek. XX. Në dinamikën e transmetimeve që ka njohur Divani shqip i Nezim Beratit (v. 1760), vëmë re se vepra e këtij poeti është kopjuar nga individë të ndryshëm, respektivisht në Elbasan, Tepelenë, Berat, Gjirokastër etj., ndërkohë që si pasojë e qarkullimit, këto kopje janë gjetur tek individë të tjerë në Durrës, Berat, Delvinë etj. Po kështu edhe Jani Vreto pohon se një ndër ata që kanë qarkulluar veprën e Hasan Zyko Kamberit me anë të kopjimit është Ymeri, i biri i Sali Mekos nga fshati Podë i Kolonjës, i cili shkruante edhe vetë poezi. Edhe poema epike Alipashaida e shkruar greqisht nga Haxhi Shehreti është transmetuar gjithashtu me anë të kopjimit. Madje në territoret shqiptare janë identifikuar edhe kopjues profesionistë, sikurse Abdall Myrtezai nga Shkodra (v. 1718), me pseudonimin letrar Râxhî (Lutës) apo në Kosovë, Bajram Jusuf Doli (1833-1917).

Përveç kësaj, kopjet e dorëshkrimeve të poetëve shqiptarë kanë qarkulluar jo vetëm brenda territoreve shqiptare, por janë lexuar dhe kanë qenë në pronësi edhe të shqiptarëve që jetonin jashtë. Jani Vreto, në hyrjen e poemës Ervehe të poetit Muhamet Çamit, bën fjalë për një dorëshkrim të kësaj vepre, të kopjuar nga poeti Hajdar Efendiu nga Gjirokastra, që ishte në pronësi të Resul Efendiut po nga Gjirokastra dhe që ai vetë e ka gjetur në Stamboll. Edhe dorëshkrimin e poetit Tahir Efendi Gjakovës, Jani Vreto e ka gjetur gjithashtu në Stamboll, te një gjakovar me emrin Tahir. Ndërsa Sami Frashëri në përpjekjen e tij për të botuar Divanin shqip të Nezim Beratit ka shfrytëzuar, gjithashtu, një versionin të këtij Divani të përgatitur nga Dervish Sali Ashkiu në vitin 1847, në qytetin e Tepelenës. Edhe studiuesi Namik Resuli kur u largua përfundimisht për në Itali në fillim të viteve ’40 të shek. XX mori me vete, së bashku me bibliotekën e tij, edhe një kopje të Divanit shqip të Nezim Beratit, e hartuar në fund të shek. XVIII, që u bë publike më pas (1946) nga studiuesi italian Ettore Rossi.

Siç parashtrova më sipër, realiteti letrar dhe kultura e dorëshkrimit te shqiptarët mbeti jashtë vëmendjes së udhëtarëve perëndimorë që vizituan trojet shqiptare në gjysmën e parë të shek. XIX. Interesi i tyre për dorëshkrimet në Europën Juglindore u përqendrua vetëm në gjetjen dhe mbledhjen e dorëshkrimeve të antikitetit grek dhe atyre që kishin lidhje me kishën e krishterë ortodokse. Ata nuk treguan asnjë lloj interesi për dorëshkrimet ku shqipja shkruhej me alfabet arab. Kjo për shkak se këto dorëshkrime i përkisnin një tjetër kulture, krejt e ndryshme nga ajo se çfarë ata prisnin të gjenin mes shqiptarëve. Këtu duhet të ketë ndikuar edhe fakti që ata nuk e njihnin gjuhën dhe alfabetin me të cilin shkruhej ajo. Madje dorëshkrimet shqipe me alfabetin arab mbetën tërësisht jashtë vëmendjes së publikut europian deri në vitin 1853, kur përmenden për herë të parë shkarazi nga Johann Georg von Hahni. Në veprën e tij Studime shqiptare, Hahni bën me dije se ka marrë vesh që një Bej në Elbasan posedon një koleksion të plotë të veprës së Nezim Beratit, por që ai vetë nuk arriti ta shohë për arsye kohe. Ky mosrakordim bëri që 8 poezitë e Nezim Beratit që Hahni do t’i botonte në vëllimin e dytë të Studimeve Shqiptare, të shfaqin shumë probleme, duke u bërë kështu një precedent tejet problematik për botimet e mëpasshme të letërsisë shqipe, shkruar me alfabetin arab gjatë shek. XX.

* pedagoge UET.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lodhja pranverore: 10 ushqime kundër shqetësimeve të sezonit

Këto janë 10 ushqimet që ndihmojnë për të rigjetur gjallërinë dhe energjinë...
Read More