Lezha, shtetëzimi dhe ëndrra me bashki…

Nga Artur Lazri 

Zhvillimet kryesore politike të fillimit të javës që lamë pas nisën me vendimin e Gjykatës së Lezhës për ndryshimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Lezhës z. Fran Frrokaj, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Kryetari i Bashkisë Lezhë u arrestua nga policia më 16 mars 2018 në mënyrë spektakolare në praninë e kamerave të gjendura “rastësisht” aty, bashkë me 23 zyrtarë të tjerë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” në lidhje me pronësinë e disa tokave në bregdetin e quajtur Rana e Hedhun në Shëngjin.

Tubimi i qytetarëve lezhjanë para policisë Lezhë, ishte një thirrje e hapur publike ndaj policisë dhe prokurorisë për lirimin e kryebashkiakut të tyre, si dhe për mospërdorjen e organeve të drejtësisë për arsye politike, qëllimisht në bashkinë e drejtuar nga të djathtët, shoqëruar me një tension të lartë lokal.

Duke përdorur logjikën konverguese dhe duke mos u përfshirë në akuzat politike dhe jo politike lokale ose kombëtare, lepuri duket se fle në tjetër “strofull”.

Në të njëjtën ditë me ndryshimin e masës së sigurisë për z. Frrokaj, kryeministri Rama publikon në fletoren zyrtare një vendim të Këshillit të Ministrave(VKM) të datës 14 mars 2018, me anë të të cilit ai pezullon dhe bllokon aktet e pronësisë në vijën bregdetare, në largësinë 1.5 km nga bregdeti, duke e kthyer praktikisht bregdetin shqiptar në një problematikë të madhe kombëtare, më shumë se ç’ishte deri tani.

Task-Forca që do ngrihet me anë të kësaj VKM-je qeverie, do administrojë tokat bregdetare pavarësisht pronarëve të tyre dhe do përgatisë terrenin për investimet strategjike aq shumë të munguara në Shqipëri; një çështje e drejtë dhe e vonuar sipas kryeministrit Rama.

Pyetja kryesore që ngrihet në këto rrethana dhe indicie të dyshimta konspirative është:

A është e drejtë të merret apriori kolektivisht në demokraci dhe në shtetin e së drejtës në të gjithë bregdetin toka nga pronarët e saj legjitimë?

Së pari, duhet të ndajmë një çështje të drejtë parimore nga keqpërdorimi i saj.

Perceptimi i drejtë publik dhe realiteti për abuzimet dhe vjedhjet e jashtëzakonshme me pronat e tokat bregdetare, nuk duhet të keqpërdoret dhe të legjitimojë një vjedhje akoma më të madhe, e projektuar për t’u realizuar nga qeveria aktuale e Ramës.

Tashmë publikisht, dihet se Rama bashkëpunon vetëm me një grup të ngushtë investitorësh dhe as që e shkon në mendje që këto “investime strategjike” t’i lërë të lira për investitorët e mëdhenj ndërkombëtarë, që mund të sjellin në Shqipëri “brand-et” e tyre dhe elitarizmin në turizmin shqiptar.

Së dyti, “shtetëzimi” kolektiv i qeverisë Rama pa asnjë dëmshpërblim të pronave në të gjithë bregdetin, i cili sjell edhe një herë reminishencat dhe urrejtjen e sistemit komunist ndaj pronës private, është në fakt plotësisht një proces antikushtetues dhe në shkelje të hapur ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtës pronësore, faktuar edhe nga rastet e deritanishme të fituara nga qytetarët shqiptarë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ndaj qeverisë Rama, për çështjet e tjetërsimit të pronës private nga shteti pa të drejtë.

Përtej linjës së shtetëzimit të pronave bregdetare, duket një skenografi publike e mirëpërgatitur nga “regjisorët” e rinj kombëtarë, e cila përputhet me itineraret kohore me arrestimin e z. Frrokaj dhe që konvenon edhe me zgjedhjet e afërta bashkiake në Lezhë, po ashtu në të gjithë Shqipërinë.

Bashkia Lezhë është bashkia më e madhe dhe e vetmja e drejtuar nga të djathtët në Qarkun Lezhë dhe si e tillë ka vëmendjen e veçantë të dy forcave kryesore politike, PD-së e PS-së.

Fran Frrokaj e fitoi Bashkinë Lezhë në vitin 2015 me 55.35% të votave, duke konfirmuar një fitore të demokratëve në një bashki deri atëherë të drejtuar nga të majtët.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 sollën një fitore të koalicionit të majtë në territorin e Bashkisë Lezhë, çka nxit në maksimum dëshirat e së majtës për të tentuar edhe fitoren e bashkisë në vitin 2019.

A ka ndikuar qeveria ashtu siç përflitet në mos akordimin e fondeve normale nga buxheti i shtetit për bashkinë Lezhë?

Kryetari i Bashkisë Lezhë në mënyrë të përsëritur publike është ankuar për fondet e detyruara qeveritare, se ato janë të pamjaftueshme dhe nën nivelin e bashkive me popullsi të përafërt që janë të drejtuara nga forca politike në pushtet.

Gjithashtu, ankesa publike e z. Frrokaj për mos investimin e asnjë projekti publik nga agjencitë qeveritare, shoqëruar me gropën financiare të trashëguar nga paraardhësi i tij, quan në një bllokim financiar bashkiak deri edhe në dhënien e rrogave për punonjësit, problematika ekzistenciale të zgjidhura vetëm nëpërmjet bashkëpunimit profesional me kompani dhe bashki të tjera ndërkombëtare, shoqëruar me projekte moderne, si: ujësjellësi i qytetit, infrastruktura rurale etj.

Nga pikëpamja juridike, ka ndryshuar vetëm masa e ndalimit, por asgjë tjetër në prova ose në dosjen e kryebashkiakut, çka sjell dyshime të arsyeshme për nxitimin ose më keq për keqpërdorimin e organeve të policisë dhe prokurorisë aktuale; kjo reflektohej edhe në seancën e gjyqit, ku kryebashkiaku me qetësinë e tij olimpike nxiste administratën të merrte masa për shembjen e dherave në rrugën e kalasë.

Për herë të parë në Shqipëri, vlen të theksohet eleganca perëndimore e liderit të opozitës z. Basha, i cili solli një model sjelljeje të re në politikën shqiptare me fjalën e tij:“ PD nuk mbron politikisht askënd që shkel ligjin, por pret gjykimin e qetë dhe plot besim te vlera profesionale dhe pafajësia e z. Frrokaj”.

Konvergimi i argumenteve të mësipërm, duke tejkaluar punën e njohur dhe të “palodhur” të policisë dhe prokurorisë, dërgon ujë në politikën antikushtetuese qeveritare të shtetëzimit të pronave bregdetare, duke mos harruar edhe një sy publik të mbyllur duke ëndërruar fitore bashkie…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Metoda natyrale për trajtimin e dhimbjeve të shpinës

Grupi më i rrezikuar janë meshkujt e moshës 40 dhe 60 vjeç...
Read More